Kajsiu: Sot Kaligula do pyeste "Përse mos ta zëvendësojmë Metën me një kalë"?

Kajsiu: Sot Kaligula do pyeste

Le të mendojmë për një sekondë si Presidenti i Republikës: Edi Rama ka kapur Parlamentin, zgjedhjet, krimin, kapi sheshin, Astirin, kapi edhe mediat, ndërkombëtarët, si dhe po kap për zverku edhe 3 milionë shqiptarët.

Të mbajmë brenda gratë se mos na i kap edhe ato do shtonte një ish-Kryeministër arkaik që ende drejton partinë më të madhe opozitare të vendit.

Ama, si një dhuratë nga qielli, tani që Kryeministri ka kapur gjithçka dhe rrezikonte të plaste nga marrazi i mospasjes së çfarë të kapte, reforma në drejtësi i ka dhënë mundësinë të kapë edhe diçka tjetër që më parë nuk ekzistonte: Gjykatën Kushtetuese.

E heqim faktin që në mjeshtërinë e kësaj sindrome kapëse Presidenti kishte gurët e bardhë dhe hapi lëvizjen e parë me emërimin e kandidaturës anti-kushtetuese, çfarë do të ndodhte nëse Kryeministri, në tabi sarajet e veta larg qoftë na kap edhe Presidentin?

Le të imagjinojmë një situatë surreale. I çartisur, Kryeministri vendos të bëjë ashtu si Kaligula 20 shekuj më parë. Shkarkon në vend presidentin dhe e zevendëson si kryesenatorin e Senatit Romak me nje kale. Jo ad honorem, por me të vërtetë.

Një kalë që përfaqëson unitetin e kombit. Për të qeshur, por në Pallatin tonë të ëndrrave gjithçka mund të ndodhë. Ndodh edhe që, kali të përfaqësojë me të vërtetë më mirë interesat e kombit se presidenti qe kemi ama!

Le t’i marrim me radhë. Një kalë nuk do të dilte në media dhe të thonte që ka ardhur momenti të kapim armët. Pa dyshim, kështu do i shërbente më mirë interesave të vendit.

Një kalë, me siguri nuk do të kërcënonte me luftë civile. Prapë, do ta bënte këtë detyrë më mirë.

Një kalë, kam përshtypjen se do ta konfirmoni, nuk do të ishte në gjendje t’i vinte flakën vendit duke anulluar e dekretuar zgjedhje sipas qejfit, e pastaj për inat të mullixhiut, pasi farsa e dekret-ç’dekretit si hapa dollapa të binte, të na thonte publikisht se “për inat, kurrë më nuk dekreton zgjedhje”.

Pra, një kalë nuk do të shkelte dot as të drejtat e njeriut, ku e drejta e zgjedhjes dhe të qënit i zgjedhur është një drejtë parësore.

Ka edhe më. Me një kalë në vend të presidentit, mbase nuk do të kishim një arbitër të paanshëm për të gjykuar, por meqë gjithsesi nuk e kemi, të paktën kali nuk do të shkelte Kushtetutën një ditë po dhe një ditë jo.

Dhe e fundit, sado fisnik dhe i zgjuar është mes kafshëve, kali nuk është në gjendje të japë dekorada. Për fat të keq, ca figura të vyera vërtet do të duhet të prisnin sa të mbaronte mandati i kalit ose sa të formohej Gjykata Kushtetuese për të vlerësuar pavlefshmërinë e mandatit të gjitarit, por të paktën, Urdhëri i Skëndërbeut, Naimit dhe Nënë Terezës do të shpëtonin nga inflacioni maniako-komunist i dekorimit të heronjve të LSI-së.

Ka edhe ca të tjera. Me kalin si president, meqë arbitër apo palë mbi palët nuk kemi gjithsesi, s’do kishim as ca palo ambasadorë, ca palo gjyqtarë, e ca palo burra që kryejnë funksione të larta.

Dhe e bukura e të gjithave. Me Kushtutën tonë, sikur kali mos të shprehej fare e të mos firmoste dot asgjë, fundja s’ka se si, nuk do të kishim asnjë ngërç institucional apo demokratik, sepse çdo funksion (pothuajse të gjithë honorifikë), delegohen kollaj fare.

Ndaj, nëse vërtet Presidenti ka të drejtë, që Kryeministri na paska kapur anembanë, uroj që Kryeministri të mos e lexojë këtë shkrim, se mos në vërtet i shkon mendja të bëjë despotin Kaligulë në shekullin e XXI. Pasi bëri Erdoganin, Chavezin, Noreigën dhe Maduron, siç na dëftojnë mendjet e ndritura të Shtëpisë së Oficerëve, të bësh Kaligulën fundja duhet të jetë një lojë fëmijësh.

Një ditë paraqitjes nervoze në “Opinion”, sot Presidenti humbi një rast të mirë për të qëndruar në heshtje. Dy orë përpara kamerave, po për çfarë?

Një tjetër që nis mbiemri me K., Faik Konica kishte qejf të thonte: “Zot, më mba gojën mshelur kur nuk kam asgjë për të thënë!”.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • O tej: 15/11/2019 21:34

    Kale? Gomar thuaj

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Meta ‘kokë më kokë’ me Kryemadhin: Një nga ne në Kryesi! S’do të thotë se do ikë Monika, mund të largohet edhe Iliri! Vendos vota

Meta ‘kokë më kokë’ me Kryemadhin: Një nga ne në Kryesi! S’do të thotë se do ikë Monika, mund të largohet edhe Iliri! Vendos vota