‚Brain rot‘‚ kalbja e trurit‘ në shqip u përzgjodh nga universiteti i Oxfordit si fjala e vitit 2024. Por çfarë do të thotë?
Nuk është thjesht ndjesia e kalbjes së trurit, siç mund të përkthehet fjalë për fjalë, por shumë më tepër se aq. Është mjegullnaja konjetive ku ke vështirësi të mendosh, të rikujtosh fjalë, organizohesh.
Kjo është koha që po jetojme ne e fëmijët tanë, me telefona në dorë duke bërë scrollin pa fund e konsumuar kohë pa limit me video të shkurtra, livestream apo informacione të cilat nxisin emocionet tona.
E ky trend i rrjeteve sociale po përqafohet gjithnjë e më tepër nga gazetarët, si një mjet për ta kthyer median në një biznes fitimprurës, hera herës dhe në kurriz të misionit që ka për t’i shërbyer shoqërisë përmes informimit dhe edukimit.
Vihet re një prirje për të fituar audiencën duke e grishur në botën e emocioneve: frikë, zemërim, trishtim, gëzim, neveri, sensacionalizëm. Ndërtohen edhe emisione duke u mbështetur në këto emocione shpesh në kurriz edhe të realitetit.
Trendi u shfaq dukshëm 5 vite më parë me pandeminë Covid 19 kur njerëzit të izoluar dhe të pasigurtë për të nesërmen shfaqën interes më të lartë për informacion për të mësuar si do ishte e ardhmja e tyre. Gazetaria e cila duhet të flasë mbi fakte nisi të fliste për një botë imagjinare me „Nëse, ‘Sikur‘
Në ekrane shikuesit thirreshin të jetonin me emocionin e frikës dhe të ankthit e shpesh në studio televizive ‚fakti’, ‘trillimi’ e ‘konspiracioni’ ndryshuan pozicionet.
Më pas emisioni copëzohej në video të vogla të cilët përhapeshin në media sociale si grimcat e zhivës së termometrit kur thyhet. Ndihmuar dhe nga algoritmet, të cilat kanë tendencë të shfaqin përmbajtje me ndikim të lartë emocional. E këto kthehen në klikime, pëlqime e interaktivitet dhe më pas në reklama e të ardhura fitimprurëse.
Nuk ngelën pas as mediat online. Të shumëfishuara si kërpurdhat, synonin audiencë me tituj kontroversale, të diskutueshëm deri tek ekzagjerimi e dramatizimi i informacionit. Shpesh përmbajtja është bosh përpos disa reklamave të automatizuara që gjenerojnë të ardhura.
E tani po bëhet e zakonshme.
Vijohet edhe më shumë të jetë fokusi në maksimizimin e vëmendjes së audiencës, në vend të respektimit të kohës që ata të dhurojnë.
Në botën online ky fenomen njihet si ‘doomscrolling” mbingopja me informacion. (Përkufizimi në fjalorin e Cambridge: Doomscrolling është aktiviteti i të shpenzuarit shumë kohë në telefon, kompjuter duke lexuar lajme negative)
Edhe Noah Hawley shkrimtar, producent, skenarist dhe regjisor amerikan në një shkrim të titulluar "Journalism’s What If Problem” (Perkthyer: ‘Problemi i ‘nëse’ në gazetari’) publikuar së fundmi në revistën prestigjioze amerikane ‘The Atlantic’ e shpreh këtë shqetësim.
“Mediat kryesore kanë ngecur në qarkun dhënie-marrje të reagimeve emocionale që përshkallëzon frikën dhe zemërimin në kurriz të realitetit tonë të përbashkët” shkruan ai.
Një rreth vicioz ku synohet të provokohen emocione të mëdha tek audienca e cila reagon dhe ajo përmes share, komenteve apo interaktiviteteve të tjera.
“Por spekullimi nuk është funksioni i gazetarisë. Është ajo çfarë një tru në ankth vepron për mënyrën si gjërat mund të shkojnë gabim, duke dërguar një njeri të shqetësuar në një gjendje paniku dhe të zemëruar” shkruan Noah Hawley duke shprehur shqetësimin se “po minohet vlera reale e lajmit dhe po dëmtohet aftësia e njerëzve për t'i pare ato qartësisht’
Media tradicionale dhe gjenerata e re
Adoleshentët, e të rinjtë po kalojnë orë të tëra në Tik Tik, Instagram, Youtube, Snapchat, grupe në whatsapp, ku gjuha e dhunës, ngacmimi, bullizmi është tepër i pranishëm.
Në këto platforma preferojnë të informohen dhe për aktualitetin. Nuk di të ketë statistika të veçanta për të kuptuar sa përqind nga audienca totale e një medie tradicionale përbëhet nga kjo grup moshë, pra 14 – 24 vjeç. Por nëse analizon statistikat në platforma sociale të një medieje tradicionale kupton se kjo nuk është as 10%.
Boshllëkun e krijuar nga ne e kanë mbushur të tjerë, ‚Influencerat‘ një pjesë tepër të diskutueshëm për nivelin moral e edukativ, por që kanë shumë më shumë followersa e fitime sesa mediat tradicinonale në këto platforma.
Tregues se kjo grup moshë pak e gjen veten tek media tradicionale e kontenti që ata ofrojnë.
Ka ndodhur që influencerat i kemi katapultuar në ekranet e mediave tradicionale por nuk ka ndodhur e kundërta, gazetarë të përpiqen të fitojnë audiencë në këto platforma.
Prandaj, në redaksitë tona na duhen krijues të rinj, të aftë për tiu përshtatur gjuhës së këtyre platformave me qëllim që të kemi më shumë shikueshmëri.
Duhet pranuar se sidomos këtë vit që lamë pas, një ndryshim filloi. Janë për tu përshëndetur disa podcaste në youtube apo platforma të tjera për të sjellë histori positive, histori jete, pa silicon, pa makina të shtrenjta, larg seksualizimit dhe luksit. Por mediat tradicionale kanë më shumë mundësi financiare për t'i dhënë një hov më të madh
Çfarë po u afrohet nga algoritmet?
Një në katër adoleshentë që shohin dhunë në jetën reale, në internet po i serviren klipe të ngjashme nga rekomandimet algoritmike, bën të ditur një studim i realizuar nga Fondi Rinor (YEF) I publikuar nga 'the Guardian‘ pak ditë më parë. Vetëm një pakicë e vogël e këtyre të rinjve kërkuan në mënyrë aktive përmbajtjen e dhunshme.
Dëmet që po shkaktohen
-Ekspozimi i përsëritur ndaj përmbajtjeve sensacionale nxit mosbesimin në sistemet shoqërore e vlerat morale. Kontribuon në rritjen e frikës, ose desensibilizimin ndaj dhunës. I bën adoleshentët të besojnë se ngjarje të tilla janë të zakonshme dhe largon vëmendjen nga çështje kritike të cilat kërkojnë më shumë përqëndrim.
-Formon një çekuilibër në mënyrën si adoleshentët mund të perceptojnë ngjarjet dhe si reagojnë ndaj konflikteve e agresionit.
-Algoritmet shpesh përforcojnë përmbajtjet sensacionale, e adoleshentët e gjejnë veten të mbyllur brenda një oazi ‘dhoma e jehonës’ që në anglisht përkufizohet me termin ‘echo chambers’. Atyre u ekspozohet kontent që përforcon besimin e tyre ekzistues por që e pengon të menduarin kritik.
Çfarë mund të ofrojnë mediat për adoleshentët
-Të riformatojmë mënyrën si po shkruajmë dhe përcjellim informacionin
-Të tregojmë histori e përvoja pozitive të përshtatshme për këtë gjeneratë.
-Të përcjellim informacionin duke mos vënë në dukje vetëm problemet por duke i ofruar dhe zgjidhje të mundshme, histori frymëzuese
-Të gjejmë forma të reja për të shpjeguar sfidat me të cilat ata po përballen adoleshentët..
Media tradicionale duhet të kthejë vëmendjen tek adoleshentët, si audienca të cilën nëse sot nuk kthejmë sytë nesër rrezikojnë të mos e kenë më.