Katolikët festojnë Pashkët
Papa: Të ndalë gjakderdhja në Siri

Katolikët festojnë Pashkët<br />Papa: Të ndalë gjakderdhja në Siri
TIRANË/QYTETI I VATIKANIT – Besimtarët katolikë në Shqipëri, ashtu si miliona të tjerë në të gjithë botën, festojnë sot Ringjalljen e Jezu Krishtit, ose siç njihet nga të gjithë Festa e Pashkës. Personalitet politike të vendit kanë vizituar Katedralen e Shën Palit në Tiranë ku dhe kanë shpehur urimet e tyre për këtë festë.

PAPA
Rreth 100 mijë pelegrinë mbërritën sot që në orët e para të mëngjesit në sheshin e Shën Pjetrit në Qytetin e Vatikanit për të marrë pjesë në meshën e mbajtur nga Papa Benedikti XVI dhe për të marrë bekimin e tij final “Urbi et Orbi”, ose thënë ndryshe “qytetit dhe botës”. Siç është traditë që prej vitit 1985, sheshi më i njohur i krishterimit është zbukuruar me mbi 42 mijë lute të ardhura nga Hollanda.
Gjatë meshësh Papa i bëri thirrje “të gjitha etnive [në Lindjen e Mesme], kulturore dhe fetare, që të bashkëpunojnë për të mirën e përbashkët dhe respektimin e të drejtave njerëzore. Ai kërkoi gjithashtu që në Siri “të ndalë gjakderdhja dhe të nisë rruga e dialogut”. Papa nuk harroi as “popullin iraken”, të cilin e inkurajoi që “të mos kursejë asnjë përpjekje për të avancuar në rrugën e stabilitetit dhe zhvillimit”.
Më pas Papa bëri urimet në 65 gjuhë të ndryshme, mes të cilave edhe në gjuhën shqipe.

RAMA: SOT VETEM URIME
“Gëzuar Pashkët të gjithëve! Urime për gjithë ata duan që të dëgjojnë urimet më të mira për këtë festë. Qytetarët sa më pak të dëgjojnë nga ne qe flasim perdite aq më bukur kalon festa. Uroj ta kalojnë këtë ditë sa më bukur e sa më qetë”, tha lideri socialist Edi Rama në daljen e tij nga katedralja e Shën Palit.

BERISHA: KLERI NDIHMOI PAVARESINE
“Erdha të shpreh urimet e mia më të përzemërta Imzot Rrok Mirditës, udhëheqësit të Kishës Katolike, në këtë ditë të shenjtë, ditë të ringjalljes të përjetësisë dhe të shpresës. Pashka është një ditë e madhe për të gjithë ata që i besojnë zotit sepse u ngjall Krishti, burri që me shpirtin e tij u shkri në moralin e njerëzimit. Profeti që meritoi të jetë profet në të gjitha besimet por ky është një moment shumë i veçantë pasi këtë vit Pashkët festohen në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë” deklaroi Kryeministri Sali Berisha.
Ai vlerësoi rolin e madh të klerikëve katolikë në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë ndërsa shtoi se është detyrimi i të gjithë shqiptarëve të përulen me nderim më të madh para rolit të jashtëzakonshëm që udhëheqësit e klerit katolik, ortodoks e mysliman kanë luajtur këto 100 vjet në konsolidimin e pavarësisë së Shqipërisë. "Nëqoftëse shikojmë në vitet 12 apo atyre viteve shqiptarët nuk duhen të çuditen që do të gjejnë në historinë e tyre burra viganë, të klerit katolik që bënë gjithçka për formimin e shtetit shqiptar, për Shqipërinë e pavarur, të cilët përdorën të gjithë fuqinë e tyre nga senati dhe kongresi amerikan gjer në Vatikan që Shqipëria të bëhej e pavaruar. Ironia ishte se jo rrallë këta burra përballeshin jo më vetëm me ata që e kundërshtonin këtë pavarësi por edhe me politikan të zhveshur nga çdo moral shqiptari”, tha Berisha.

TOPALLI
“Jam sot këtu për t’i uruar Shkëlqesisë së Tij, Imzot Rok Mirditës, besimtarëve katolikë dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë, kudo që jetojnë, gëzuar Pashkët”, tha gjatë urimit të saj kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli. "Pashka është një premtim dhe Zoti sjell ringjalljen tek seicili prej nesh në mënyrën spirituale dhe se sa e rëndësishme është për të menduar dhe për të kontribuar me dashuri, me tolerancë dhe mirëkuptim dhe me besimin se gjërat janë bërë mirë, mund të bëhen më mirë dhe do të bëhen më mirë", tha Topalli.

TOPI: RIPERTERITJE MORALIT POLITIK
Presidenti Bamir Topi uroi përsëri sot festën e Pashkëve duke shpresuar se ajo do t’i shërbejë politikës për më shumë harmoni e pozitivitet si dhe ripërtëritjen e moralit të saj.
“Është një ditë e veçantë sikurse janë të gjitha ato ditë që lidhen me mirësinë dhe kjo ditë ka në themel ringjalljen e jetës dhe të besimit, por në kontekstin e Shqipërisë është e nevojshme ringjallja e besimit dhe të komunikimit dhe kjo do të sjellë një dominim të harmonizmit pasi Shqipëria e ka pasur gjithmonë harmoninë. Mesazhi im është për moralin e politikës e cila ka nevojë për ripërtëritje pasi komunikimi duhet të jetë në bazë të dialogut dhe dialogu sjell më pas rastet e mira, pozitivitetin, dhe të mos shohim shprehje të egoizmit që shohim shpesh në mjediset e politikës ku dëshira për pushtet lë pas kujdesin ndaj qytetarit”, theksoi Topi në përfundim të vizitës që zhvilloi në Katedralen e Shën Palit në Tiranë.

MESAZHI I RROK MIRDITËS
Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore, Imzot Rrok Mirdita uroi mbrëmë të gjithë besimtarët katolikë në prag të festës së Pashkëve.
“Qofshin këto Pashkë ngushëllim për të gjithë ata që vuajnë dhe burim shprese për të gjithë njerëzit”, thuhet në mesazhin e tij.
Ai shprehet se duke kumtuar lajmin e mirë të ringjalljes së Krishtit, kisha i tregon njërëzimit se pushteti i vetëm që mund ta çlirojë është pushteti i dashurisë dhe rruga e dashurisë, që kalon përmes kryqit të vetëmohimit.

“Pashkët nuk janë një ngjarje që i përkasin vetëm krishterimit, por një zbulim hyjnor që prek mbarë njerëzimin në thelbin e tij dhe hedh dritë mbi misterin e vdekjes. Kjo dritë është drita e dashurisë që shpëton. Kush e ka kërkuar të ringjallurin ka njohur dashurinë që shpëton dhe ka themeluar jetën e vet mbi besimin në këtë dashuri”, deklaroi Imzot Rrok Mirdita.

MESHA
Në Tirane besimtarët u mblodhën në orën 23.00 në katedralen e “Shën Palit", për të ndjekur meshën e drejtuar nga imzot Rrok Mirdita. Dom Gjergj Meta, përfaqësues i Kishës Katolike në Shqipëri, shpjegon për Shqiptarja.com disa prej elementëve të festës, ndërsa merret me përgatitjet e fundit për meshën e madhe të mesnatës në katedralen më të madhe në Shqipëri.
Sipas tij, Jezusi erdhi në tokë për të dhënë modelin e tij për njerëzimin dhe për të dëshmuar se pas vdekjes së trupit, shpirti jeton në ate që njihet si jeta e përtejme, por për ta fituar atë duhet që çdokush të udhehiqet në jetë nga disa parime biblike dhe virtyte.

SIMBOLIKA
Festa e Pashkëve simbolizon ringjalljen e Krishtit, pas kryqëzimit të tij, dhe është festa më e shenjtë për besimtarët e krishterë. Sipas Biblës, me ringjalljen e Krishtit, ndodh kalimi nga vdekja në jetë, nga e Premtja e Madhe kur vdes Jezu Krishti pas shumë mundimeve dhe gozhdohet në kryq, në të Dielën e Pashkëve kur ringjallet.
Festa vazhdon edhe ditën e djelë, kur besimtarët kryejnë vizita për të uruar njëri- tjetrin si dhe për të këmbyer vezët e kuqe që përgatiten posaçërisht për këtë ditë.

VEZA E KUQE
Veza e kuqe eshte nje veçori karakteristike e festës se Pashkes. Veza simbolizon jetën, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, ndërsa ngjyra e kuqe e vezëve simbolizon sakrificën dhe në rastin konkret, sakrificën e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës. Ngjyra e kuqe e paraqet forcën dhe fuqinë e perëndisë si dhe njëkohësisht e simbolizon edhe gjakun e Krishtit, i cili u derdh në kryq për shpëtimin e të gjithë njerëzve në botë. Kështu ngjyra e kuqe rikujton gjakun e Krishtit dhe shpëtimin. Veza e Pashkëve është e vjetër, aq sa edhe vetë Krishtërimi dhe kisha e ka pranuar në traditën dhe në praktikën e saj si simbol i Ringjalljes së Krishtit. Krishterët e parë dhe bashkëkohës së apostujve filluan të ngjyrosin vezë dhe t'i dhurojnë për Pashkë, duke përshëndetur gëzueshëm 'Krishti u Ngjall'! Përgjigja është: 'Vërtet u Ngjall'!

(im/aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Baba i një vajze, ky është 25-vjeçari shqiptar që vdiq në aksident në Itali

Baba i një vajze, ky është 25-vjeçari shqiptar që vdiq në aksident në Itali