KE rezerva për amnistinë fiskale, Meta: Qeveria të heqë dorë! Provokim për shqiptarët e ndershëm

KE rezerva për amnistinë fiskale, Meta: Qeveria të heqë dorë! Provokim për shqiptarët e ndershëm

Presidenti Ilir Meta

TIRANË- Pas rezervave që pati Komisioni Europian për amnistinë fiskale, presidenti Ilir Meta i bën thirrje qeverisë që të reflektojë, pasi sipas tij ky projektligj është një provokim për shqiptarët e ndershëm. Në një reagim të gjatë, kreu i shtetit ka listuar argumentet e sjellë nga KE-ja, ku ndër të tjera thuhej se do të dobësoheshin kontrollet e Shqipërisë kundër pastrimit të parave, prandaj sipas tij duhet hequr dorë përfundimisht nga ky propozim.

“Kam ndjekur me shumë vëmendje reagimet e shumta nga ekspertë vendas dhe të huaj, si dhe paralajmërimin zyrtar të Bashkimit Europian, mbi projektligjin për amnistinë fiskale dhe penale. Ndër argumentet e bazuara kundër kësaj nisme të Qeverisë, paralajmërohet se përmes këtij ligji: Do të favorizohej qartësisht bota e krimit, duke ofruar mundësinë që të ardhurat e përftuara ndër vite prej aktivitetit kriminal nga grupe të organizuara apo individë të pushtojnë ekonominë vendase, dhe veçanërisht tregun financiar, në mënyrë të ligjshme; Do të goditej drejtpërdrejt dhe dëmtohej biznesi i ndershëm dhe iniciativa e lirë vendase; Do të dekurajoheshin edhe më tej investimet e huaja serioze në Shqipëri;

Do të kriminalizohej e gjithë ekonomia, dhe si pasojë edhe gjithë shoqëria shqiptare, duke ekspozuar vendin si destinacion që favorizon veprimtarinë e organizatave dhe grupeve kriminale mafioze ndërkombëtare; Do të minohej edhe më tej besimi i shoqërisë tek shteti i së drejtës, tek institucionet, tek barazia përpara ligjit, dhe do të nxitej edhe më shumë ekonomia informale;

Do të inkurajohej perceptimi i gabuar dhe shumë i rrezikshëm se çdo veprimtari kriminale dhe produkt i saj do të amistohet gjithmonë në të ardhmen; Do të sillte si pasojë rritjen kriminalitetit të rrugës; Do të minoheshin përpjekjet për të luftuar krimin e organizuar, që sipas raporteve të agjencive të specializuara, tashmë e ka kthyer Shqipërinë në bazë operacionale; Do të dobësohej angazhimi dhe efikasiteti i të gjitha strukturave dhe mekanizmave shtetërorë që luftojnë pastrimin e parave dhe produkteve të veprave penale; Do të dëmtohej bashkëpunimi me vendet partnere, dhe procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian; Do të kompromentohej rëndë imazhi i Shqipërisë si anëtare e NATO, dhe do të cënohej imazhi i panjollë i të gjithë shqiptarëve të ndershëm; I mbështes plotësisht të gjitha këto shqetësime të argumentuara që ngrenë alarmin mbi nismën e fundit të Qeverisë, dhe që janë shprehur edhe më herët përmes Rezolutës së Parlamentit Europian së datës 19 maj 2022.

Shpërfillja e papërgjegjshme e Qeverisë ndaj tyre është e papranueshme dhe e patolerueshme. Kushdo që mendon se do të kompromentojë shqiptarët e ndershëm si bashkautorë në krim e ka gabim. Bëj thirrje të hiqet urgjentisht dorë nga kjo përpjekje e pashpresë, dhe të zbatohen pa vonesë rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bashkimit Europian, duke u kërkuar ndjesë të gjithë shqiptarëve të ndershëm për këtë provokim të pamerituar. Qeveria shqiptare ka për detyrë të krijojë kushtet dhe të stimulojë zhvillimin e vendit përmes punës së ndershme, konkurrencës së lirë dhe mundësive të barabarta, dhe jo ta shpallë krimin si modelin e suksesit në jetë”, shkruan Meta.

Pas rreth 2 muajsh nga dalja e këtij rezultati, qeveria riktheu në konsultim projektligjin e bllokuar prej dy vitesh për legalizimin e parave të padeklaruara jo vetëm të emigrantëve, por edhe të qytetarëve shqiptar që janë rezidentë këtu, legalizohen të ardhurat e padeklaruara të bizneseve dhe paratë e padeklaruara të shtetasve të huaj që janë tatimpagues në Shqipëri. Bëhet fjalë për një pasuri me vlerë deri 2 mln euro. Mirëpo kjo ka sjellë reagime nga opozita, sipas së cilëve po bëhet nga qeveria për të pastruar paratë e krimit dhe drogës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:57
Projektligji i amnistisë fiskale, Dashnor Sula: Komisioni Evropian kundër “marrëzisë” së Kryeministrit

1657098173_118633474555122646278911318249349228670020n.jpg

Deputeti demokrat Dashnor Sula ka reaguar pasi Komisioni Evropian shprehu rezervatpër ndryshimet në projektligjin e amnistisë fiskale. Në një postim në Facebook, Sula tha se Bashkimi Evropian është kundër amnistisë fiskale, e për këtë, qeveria duhet të heqë dorë nga projektligji.

Sula shtoi se ky projektligj favorizon pastrimin e parave të dala nga trafiku i drogës dhe korrupsioni.

“Bashkimi Evropian kundër marrëzisë së Kryeministrit për amnistinë fiskale e penale! Qeveria duhet të heq dorë nga ideja e tyre absurde për projektligjin e amnistisë fiskale e penale. Shqipëria renditet nga organizatat prestigjioze në listën gri të pastrimit të parave. E thënë më qartë; jemi kthyer në një vend të vogël që legalizojmë paratë e kriminelëve që merren me trafik droge, trafik të qenieve njerëzore e atyre që bëjnë korrupsion galopant”, shkroi Sula.

Deputeti deklaron se për shkak të parave të drogës e korrupsionit në vendin tonë, qytetarët nuk kanë kushte optimale jetese me pagat që marrin. Ai tha se paratë e drogës janë investuar në vijën bregdetare, ku çmimet e turizmit janë aq të larta sa qytetarëve u leverdis të dalin jashtë vendit.

“Për shkak të qarkullimit të parave të drogës e korrupsionit në vendin tonë, pa i amnistuar ato, Shqipëria është kthyer në një vend që një familje e re, një çift të rinjsh që sapo martohen e kanë ëndërr në sirtar të blejnë një shtëpi sepse çmimi i shtëpive me rrogat që ata marrin me punë të ndershme janë vite dritë larg.

Shqiptarët jetojnë në një vend me një vijë bregdetarë të gjatë por, u leverdis të shkojnë më shumë në Turqi e Greqi për pushime sepse në vendin e tyre çmimet janë si për "sheikët". E gjithë kjo disbalancë ekonomike ndodh për shkak të parasë që vjen nga aktiviteti kriminal dhe injektohet në ekonominë shqiptar.

Kur një fenomen i tillë ndodh kur supozohet se ka një luftë ligjore për goditjen e parasë së pisët, çfarë mund të ndodh nëse SULLTANI i shkon deri në fund dhe miraton amnistinë fiskale e penale?!

Komisioni Evropian është i qartë se çfarë mund të ndodh ndaj edhe ka reaguar. Tanimë jo vetëm për shqiptarët por kjo qeveri është kthyer shqetësim edhe për vendet anëtare të BE-së”, tha Sula.

Ndryshimet në projektligjin e amnistisë fiskale kanë nxitur një reagim negativ nga Komisioni Evropian ku thuhet se do të dobësonte kontrollet e vendit kundër pastrimit të parave.

Çfarë është amnistia fiskale? Amnistia fiskale është një vendim legjislativ i një qeverie ose një parlamenti për të falur ose për të anuluar të gjithë detyrimet e prapambetura, kryesisht me natyrë fiskale që individët apo institucione të ndryshme kanë në raport me pagesat që nuk kanë kryer dhe mos të jenë inkorrekt me sistemin fiskal të vendit. Në natyrën e tyre amnistitë janë të pjesshme ose të plota. Të pjesshme janë kur nënkuptojnë disa sektor ose disa kategori biznesesh ose individësh dhe janë të plota kur aplikohen në shkallë të gjerë pa bërë dallim politik, social apo ekonomik.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • zagore: 07/07/2022 03:38

    ik or hajdut me cizme ik e vidh trute e monikes se gje tjeter ste ka mbete pusht burre

    Përgjigju
  • Vlora: 06/07/2022 16:10

    Ore erdhi 24 koriku do t nxjerin non grada o liro po mer avionin e deserto gjej na nje vend ti gezosh ato qe vodhe se ste ndahen do ti marin

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

S’ka treg, fermerët hedhin kastravecët në kanal: Shteti të kontrollojë pikat e grumbullimit! Report Tv vëzhgim në serat e Lushnjës, Dimalit e Beratit

S’ka treg, fermerët hedhin kastravecët në kanal: Shteti të kontrollojë pikat e grumbullimit! Report Tv vëzhgim në serat e Lushnjës, Dimalit e Beratit