Këndi i ekspertit/ Fadil Kepi: Emigrantët, ja si mund të plotësojnë vitet e pensionit

Këndi i ekspertit/ Fadil Kepi: Emigrantët, ja si mund të plotësojnë vitet e pensionit

Eksperti Fadil Kepi, në studion e Këndi i Ekspertit

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report Tv, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, si çdo të premte, ka qenë i ftuar eksperti i problematikave të pensioneve, Prof. Dr. Fadil Kepi. Në këtë emision Profesor Kepi, është ndalur në mënyrë të veçantë për të sqaruar një problematikë që prekë shqiptarët që jetojnë e punojnë prej vitesh jashtë vendit. Eksperti ynë ka sqaruar emigrantët se cilat janë kushtet që duhen plotësuar për të marrë pension në Shqipëri dhe se a mund të bëjmë sigurime shoqërore vullnetare për të shtuar vitet e punës dhe cilat janë procedurat. Profesor Kepi u është përgjigjur edhe disa problematikave të tjera që kanë shtruar qytetarët me pyetjet e tyre live në Report TV.

Do të lexoj një letër që na ka ardhur nga Londra. Besoj se kjo do t’u shërbejë edhe emigrantëve të tjerë kudo ku ata jetojnë e punojnë, të cilët duan të dinë se si mund të kontribuojnë për të plotësuar vitet e tyre të punës dhe për të përfituar pensionin e tyre. Na shkruan zoti Elez Buçpapaj: “Jam 62 vjeç, ndërsa bashkëshortja ime 60 vjeçe. Cilat janë kushtet që duhen plotësuar për të marrë pension në Shqipëri. A mund të bëjmë sigurime shoqërore vullnetare për të shtuar vitet e punës dhe cilat janë procedurat?”.

Fillimisht dua të falënderoj të gjithë ata që na ndjekin. Legjislacioni shqiptar i merr në mbrojtje të gjithë emigrantët, kudo ku janë. Në rastin konkret, i interesuari është 62 vjeç. Ai do të dalë në pension në moshën 65 vjeç, pra në vitin 2021. Sipas letrës që na shkruan, ai ka 28 vite punë të siguruara në Shqipëri. Me vitet e punës që ka, ai do të marrë pension të pjesshëm, rreth 75% të pensionit të plotë sepse në vitin 2021 duhen për pension të plotë 37 vite e 4 muaj punë të siguruar, duke përfshirë edhe periudhën kur ka qenë ushtar në vendin tonë. Për sa i përket bashkëshortes, ajo është 60 vjeçe. Ajo do të dalë në pension në moshën 60 vjeçe e 10 muaj, pra në vitin tjetër. Për pension asaj do t’i kërkohen, të paktën 15 vite punë deri në 36 vite e 8 muaj nëse dëshiron që të marrë pension të plotë. Në letër shpjegohet që zonja ka 10 vite punë, më saktë 9 vite e 9 muaj. Dhe bën shumë mirë që interesohet për arsyen se deri një javë para se të plotësojë moshën e pensionit, pra ajo ka edhe 10 muaj afat që të bëjë sigurime vullnetare në vendin tonë. Janë shumë me leverdi. Zonja duhet të ketë 15 vite punë që të plotësojë minimumin dhe asaj i duhen 5 vite e 3 muaj. Të gjithë emigrantët mund të bëjnë sigurime vullnetare nëse kanë nënshtetësi shqiptare ose dy nënshtetësi. Në rastin konkret, në Angli lejohet që të kesh edhe nënshtetësi shqiptare, edhe dy nënshtetësi. Ndoshta zotërinjtë nuk kanë mundësi që të vijnë së shpejti në Shqipëri. Atëherë një pjesëtar i familjes së tyre që është këtu, mund të paraqitet në Agjencinë e Sigurimeve në Laç, ku ata kanë edhe regjistrimin familjar, bashkë me fotokopjet e kartave të identitetit që shërben për saktësimin e datëlindjes dhe nëse i kanë edhe librezat e punës. Nëse nuk i kanë duhet të deklarojnë që mund të bëjnë sigurime deri sa të plotësojnë moshën e pensionit. Në mënyrë më të ngutshme e ka zonja, bashkëshortja e zotit Elez, sepse ka 9 vite e 9 muaj punë dhe del në pension vitin tjetër. Pagesa e kontributit të sigurimeve shoqërore vullnetare është njëlloj si për burrat ashtu edhe për gratë, 5.184 lekë të reja në muaj. Gjithashtu kjo është e leverdishme edhe për faktin se në datën 3 tetor të këtij viti, ka dalë një vendim qeverie me nr. 571, botuar në “Fletoren Zyrtare” nr. 143, i cili thotë: “Për të gjithë ata që dalin në pension nga 1 tetori i vitit 2018 e në vazhdim janë rritur koeficientët për llogaritjen e pensionit mbi pagën që kanë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore”. Pra, i leverdis edhe për faktin se për çdo vit që kanë punuar janë rritur koeficientët e rritjes së pagave. Ka edhe një problem tjetër. Zotërinjtë mund të kenë punuar të siguruar në Angli. Aktualisht qeveria shqiptare nuk ka marrëveshje me qeverinë angleze për të bashkuar vitet e punës që kanë punuar në Angli me vitet e punës që kanë punuar në Shqipëri. Por ata mund të marrin pension në Angli për vitet e punës që kanë punuar atje, sipas legjislacionit anglez. Po kështu, edhe në Shqipëri sipas legjislacionit shqiptar.

Jam një zonjë nga Tirana. Dua të di a do të ngrihen ndonjëherë pensionet për nënat me shumë fëmijë?

Gjatë kësaj jave në vendin tonë kanë lindur 500 fëmijë. Dhe për 7 ditë kanë dalë në pension 700 persona. Aktualisht, nënat që kanë lindur 6 ose dhe më shumë fëmijë, dhe i kanë rritur të gjashtë fëmijët mbi moshën 8 vjeç, dalin në pension të plotë 55 vjeçe dhe duhet të kenë 30 vite punë të siguruar, nga mosha 16 vjeçe. Po të kenë 5 fëmijë ose edhe më pak, dalin në pension 60 vjeçe e 8 muaj dhe u duhen 36 vite e 4 muaj punë të siguruar. Zonja me të drejtë pyet nëse do të ketë rritje të pensionit? Rritjet e pensioneve apo të indeksimit të pensioneve janë kompetencë vetëm e Këshillit të Ministrave. Miratimi i ligjit për pensionet është në kompetencë vetëm e Kuvendit të Shqipërisë dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore është institucion zbatues i ligjit dhe i vendimeve të qeverisë. Aktualisht, rritje të veçantë për pensionet e nënave me shumë fëmijë, nuk ka. Por sipas njoftimit në media, që ka bërë kryeministri, nga data 1 janar e vitit 2019, një nënë që lind një fëmijë do të përfitojë 40.000 lekë të reja shpërblim për fëmijën. Ndërsa aktualisht, deri në datën 31 dhjetor të vitit 2018, shpërblimi për një fëmijë të lindur është 12.000 lekë të reja. Ka edhe një problem tjetër. Nënat me shumë fëmijë, të cilat plotësojnë këto kushte, pra moshën 55 vjeçe dhe kanë 30 vite punë të siguruar, mund të dalin në pension me dëshirën e tyre. Të detyrueshme e kanë për të dalë në pension, kur plotësojnë moshën për pension pleqërie.

Flas nga Tirana. Jam 61 vjeç dhe kam 30 vite pune në sektorin e naftës. Kam 38 vite sigurime shoqërore. Në bazë të ligjit për statusin e naftëtarit, kërkoj një sqarim nga specialisti. Edhe kryeministri ka miratuar një vendim për zbatimin e këtij ligji.

Ajo që thotë zotëria është e vërtetë. Ka dalë një ligj me nr. 8/2017, për statusin e naftëtarit. Ligjit thotë kështu: “Burrat të cilët kanë plotësuar moshën 60 vjeç, që kanë punuar gjithsej 30 vite dhe nga këto 20 vite kanë punuar në naftë, kanë të drejtë të bëjnë kërkesë për të fituar statusin e naftëtarit”. Është ngritur një komision qendror në Ministrinë e Industrisë dhe të Energjitikës, ku ministër është zoti Damian Gjiknuri, i cili është edhe deputet. Është gjithashtu e vërtetë që ka dalë edhe një vendim qeverie në zbatim të këtij ligji. Zoti Gjiknuri e ka votuar këtë ligj edhe si deputet, edhe si anëtar i Këshillit të Ministrave, por nuk është përë asnjë përpjekje për ta zbatuar. Deri tani statusin e naftëtarit e kanë fituar mbi 1.500 persona. Ky komision është krijuar me firmën e ministrit Damian Gjiknuri. Gjithashtu në parlament këtë ligj e ka votuar edhe zoti Arben Ahmetaj si deputet, ndërsa vendimin e qeverisë e ka votuar në Këshillin e Ministrave, si ministër i Financave. Pra kemi dy ministra që kanë mbi krye një kryeministër, të cilët e kanë votuar ligin në parlament si deputetë, gjithashtu kanë votuar edhe vendimin e qeverisë në Këshillin e Ministrave, si ministra. Këta, për mendimin tim, duhet të mbajnë përgjegjësi për mos zbatimin e këtij ligji dhe të vendimit përkatës. Gjithashtu pëgjegjësi kanë edhe deputetët e Fierit. Njëri prej tyre është Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, i cili nuk ka folur as edhe një fjalë për statusin e naftëtarit. Ku duhet ta gjejnë mbështetjen dhe zgjidhjen naftëtarët? Unë do t’u sugjeroja që ata t’i shkruajnë kryeministrit për këtë problem madhor që kanë. Zotëria në fjalë, në rastin konkret, i ka plotësuar të gjitha kushtet për fitimin e statusit të naftëtarit. Statusin e naftëtarit e përfitojnë edhe gratë që kanë punuar në naftë, të cilat dalin në pension në moshën 55 vjeçe, duhet të kenë gjithsej 25 vite punë të siguruar dhe nga këto 15 vite duhet të kenë punuar në naftë. Kanë kaluar 20 muaj që nga dita kur është miratuar ligji për statusin e naftëtarit në Kuvendin e Shqipërisë dhe asnjë person që i plotëson kushtet për këtë status, nuk ka marrë atë që i takon. Janë afërsisht 1.700 persona që mbajnë statusin në xhep dhe nuk marrin asnjë lek. Janë edhe të papunë dhe pensionin e naftëtarit nuk e marrin. Uroj që personat përgjegjës të na ndjekin dhe kjo çështje të marrë zgjidhje sa më shpejt.

Jam një pensioniste nga Tirana. Kam punuar si mësuese. Kam dalë në pension para vitit 1993. Dua të di nga specialisti se çfarë ndryshimi kanë mësueset para vitit 1993 me mësueset e vitit 1993, ndërkohë sigurimet shoqërore që kemi paguar kanë qenë të njëjta. Na kanë lënë në një varfëri të plotë. Kam punuar nëpër fshatra, me shumë vështirësi, pa ditë pushimi. Përse ky diskriminim?

Në vitin 2016 ka dalë një vendim qeverie me nr. 409, i cili thotë: “Të gjithë pensionistët që kanë dalë në pension të plotë nga data 1 janar 1993 e në vazhdim, marrin shtesa pensionesh”. Jo personat që kanë dalë para kësaj date. Titulli i vendimit të qeverisë është “Për ngushtimin e diferencave të pensioneve”. Është firmosur, në mungesë dhe me porosi, nga ish-zëvendëskryeministri Niko Peleshi. Jam gati që zonjës t’i jap kopjen e vendimit të qeverisë. Pse-në e këtij vendimi e di qeveria dhe ata që e kanë firmosur. Unë jam thjesht zbatues i ligjit dhe i njoh qytetarët me vendimet e qeverisë, por arsyet përse merren këto vendime nuk i di. Mendoj që zonja duhet t’i shkruajë kryeministrit në portal se përse është marrë ky vendim.

Flas nga Tirana. Jam 56 vjeç. Kam qenë minator dhe kam dalë në pension në vitin 2001, me 60% të pagës. Jam diabetik dhe para dy vitesh kam dalë në KEMP. Sigurimet Shoqërore kur më llogaritën vitet e punës, nuk më quajtën 3 vite që kisha punuar në kooperativë. Unë vazhdoj të marr pagesën e KEMP-it, por më ndalojnë 60% të pagës. A më njihen vitet e KEMP-it si vite pune dhe çfarë duhet të bëj që të gjej vitet e punës që kam në kooperativë.

Unë mendoj që ju duhet të takoni Drejtorin e Sigurimeve Shoqërore të Tiranës, i cili pret çdo ditë të mërkurë. Merrni me vete librezën e pensionit të invaliditetit dhe kartën e identitetit. Do të hapet dosja juaj dhe do të merrni shpjegime për vitet që nuk janë gjetur dhe për çfarë arsye ka ndodhur kjo. Në qoftë se nuk do të bindeni me përgjigjen që do të merrni, keni të drejtë që të ankoheni tek Instituti i Sigurimeve Shoqërore.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Ministria e Jashtme dorëzon në GJND deklaratën mbi ndryshimet klimatike

Ministria e Jashtme dorëzon në GJND deklaratën mbi ndryshimet klimatike