'Këndi i Ekspertit'/ Lejet e legalizimeve, ja si kryhet regjistrimi pa pagesë

'Këndi i Ekspertit'/ Lejet e legalizimeve, ja si kryhet regjistrimi pa pagesë

Matilda Peza, përfaqësuese e Drejtorisë së Përgjithshme të Hipotekave

Në rubrikën “Prona Ime” të emisionit tashmë të mirënjohur “Këndi i Ekspertit”, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, është trajtuar problemi i regjistrimit të lejeve të legalizimeve dhe në përgjithësi problematikat që hasin qytetarët në zyrat e Hipotekave.

Në këtë emision të kësaj jave ka qenë e ftuar Matilda Peza, përfaqësuese e Drejtorisë së Përgjithshme të Hipotekave, Tiranë. Ajo ka sqaruar se si kryhen proceduart me ndryshimet e reja dhe më pas iu është përgjigjur qytetarëve.

Do të flasim për procedurat e regjistrimit të lejeve të legalizimit, vetëm me aplikim nga ALUIZNI, pa pagesë nga qytetarët. Çfarë do të thotë kjo dhe ç’është ky udhëzim i dalë nga hipoteka?

U konstatua që kishte shumë leje legalizimi të paregjistruara. Këto ishin lejet e legalizimit për të cilat ishte bërë aplikimi nga ana e zyrave të ALUIZNI-t, por nuk ishte bërë pagesa nga ana e qytetarëve. Me qëllim evadimin e të gjitha këtyre lejeve të legalizimit dhe regjistrimin e këtyre lejeve të legalizimit nga ana e kryeregjistruesit, në muajin nëntor 2018, është nxjerrë një urdhër për regjistrimin e të gjitha lejeve të legalizimit, të cilat janë në përputhje me ligjin, por që për të cilat nuk është bërë pagesa nga ana e qytetarëve. Kjo do të thotë që qytetari, pavarësisht se nuk e ka bërë pagesën për pajisjen me certifikatë pronësie, nga ana e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, kryhet veprimi i regjistrimit të lejes së legalizimit në kartelë, njoftohet zyra e ALUIZNI-t dhe qytetarët që të shkojnë dhe të bëjnë pagesën dhe pastaj të pajisen me certifikata.

Kemi folur edhe për shërbimin Fastrak. A mund të na thoni se si ka ecur ky shërbim?

Fastraku është nga shërbimet tona më të reja, i cili ofrohet për momentin vetëm nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Tiranë, për që me kalimin e kohës do të ofrohet edhe nga zyrat e tjera vendore. Është një nga shërbimet më të reja, i cili brenda 24 orëve ofron 9 shërbime për qytetarët dhe bizneset. Është hapur një sportel i ri pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Tiranë, ku ofrohet shërbimi për kopje kartelash, kontrata shitblerjesh, kontrata hipotekimi si edhe për shërbime të tjera që përfshihen në shportën me 9 shërbime. Qytetarëve brenda 24 orëve u ofrohet shërbimi për të cilin kanë aplikuar dhe kanë paguar.

A mund të themi me bindje të plotë që tashmë kemi evituar radhët e gjata në sportelet e Hipotekës së Tiranës?

Kemi evituar radhët e gjata, por gjithashtu kemi evituar edhe shkeljet dhe çështjen e korrupsionit te punonjësit e zyrave vendore.

Diçka shumë e mirë kjo, që do të thotë që qytetarët do të marrin shërbimin e duhur brenda 24 orëve?

Po. Brenda 24 orëve ata do të marrin shërbimin për të cilin kanë aplikuar. Pra, brenda 24 orëve mund të marrin kopjen e kartelës, ose çdo lloj tjetër shërbimi, i cili përfshihet në listën prej 9 shërbimeve të ofruara. Pra ky është një projekt pilot, i cili ka filluar vetëm në Zyrën Vendore të Tiranës, por që me urdhër të Kryeregjistruesit, ka filluar që të zbatohet pjesërisht edhe në 12 Zyrat kryesore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, të cilat brenda 48 orëve japin përgjigje për këto shërbime, e cila është një risi edhe kjo.

Banoj në rrethin e Krujës. Në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ose në zyrat e Hipotekës nuk më regjistrohet prona, kurse në Bashki ose në komunë e kam të regjistruar në akt-pronësi. Nuk më regjistrohet sepse më thonë që nuk e meritoj. Si të veproj për të marrë certifikatën e pronësisë?

Zotëria duhet patjetër të bëjë aplikimin pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në rrethin ku banon. Regjistrimi atje nuk bëhet me arsyetimin nëse e meriton apo jo këtë pronë, por në bazë të dokumenteve të duhura e të rregullta ligjore. Kjo zyrë është e detyruar që t’i përgjigjet zyrtarisht me shkrim zotërisë brenda afatit të caktuar ligjor, duke argumentuar përse nuk e regjistron pronën e tij. Meqë zotëria ka aplikuar disa herë, siç thotë ai, tani duhet të paraqitet sërish pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe të bëjë një ankesë me shkrim në lidhje me procedurën dhe aplikimin që ka bërë. Procedura e regjistrimit të aktit të marrjes së tokës në pronësi, do të bëhet në përputhje me VKM-në nr. 994, e cila është VKM-ja për procedurat e regjistrimit të aktit të marrjes së tokës në pronësi. I lutem zotërisë që të paraqitet pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe të bëjë një ankesë me shkrim për moskthimin e përgjigjes zyrtare nga ana e ZVRPP-së Krujë.

Përfitoj nga rasti të theksoj që qytetarët gjithmonë duhet të aplikojnë për shërbimin që duan, me shkrim, pranë sporteleve të Hipotekës, në mënyrë që përgjigjja t’u kthehet po zyrtarisht me shkrim. Edhe çdo ankesë që mund të kenë ndaj përgjigjeve që marrin nga zyrat e Hipotekës, përsëri duhet ta bëjnë me shkrim. Në këtë mënyrë ata do të marrin përgjigje me shkrim dhe brenda afateve të caktuara ligjore për çdo ankesë të tyre.

Flas nga Tirana. Dua të pyes për një vendim të qeverisë, pikërisht për VKM-në për pronat që janë bllokuar për t’u regjistruar. Kam pronën në emër të babait tim. Dokumentet i kam dërguar në ATP dhe atje, në bazë të një urdhri të qeverisë, të majit 2016, nuk ma bëjnë. Thuhet për një afat deri në fund të muajit shkurt. A është ky ndryshimi apo nuk ka ndryshim?

Me sa kuptova, zotëria ka një problem me çështjen e kthimit dhe të kompensimit të pronës. Kjo është një çështje që i përket Agjencisë së Trajtimit të Pronave (ATP) dhe më pas, kur nga ATP-ja merret një vendim, një akt administrativ për njohjen ose kompensimin e prionës, atëherë kjo pronë bëhet objekt i regjistrimit pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Zotëria fillimisht duhet të ndjekë procedurën pranë ATP-së, të interesohet në lidhje me praktikën e tij dhe më pas do të ndjekë procesin e regjistrimit pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

Flas nga Tirana. Unë kam të gjitha dokumentet e pronësisë mbi tokë, edhe certifikatën e pronësisë. Në vitin 2000 më kanë bërë një mbivendosje dhe e kanë shkruar tek “E”-ja. Përgjigjja që më japin është që kjo parcelë është e bllokuar. Unë e kam nxjerrë certifikatën sipas Ligjit nr. 7501. Si do të bëhet?

Me sa kuptova në jëtë rast kemi të bëjmë me mbivendosje. Në bazë të Ligjit nr. 33, që është Ligji për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme, nga ana e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Tiranë hapet një kartelë e posaçme për mbivendosjen, se sa sipërfaqe mund të jetë e mbivendosur me qytetarin tjetër, derisa të zgjidhet çështja gjyqësore në lidhje me pretendimin se cili qytetar ka të drejtë mbi atë pasuri. Pra, nëse qytetari ka një pasuri të regjistruar në emrin e tij dhe ka një titull tjetër pronësie edhe një zotëri tjetër, atëherë Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme duhet të hapë kartelën për pasurinë e mbivendosur dhe më pas qytetari duhet t’i drejtohet procesit gjyqësor. Ky është ligji dhe kjo është e vetmja rrugë për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështjeje.

Folëm në fillim për procedurat e regjistrimit të lejeve të legalizimit, vetëm me aplikim nga ALUIZNI, pa pagesë nga qytetarët. Kjo do të thotë që tashmë qytetarët mjafton vetëm që të vijnë dhe të tërheqin lejen e legalizimit?

Jo, kjo nuk ka të bëjë me faktin që bëhet pa pagesë nga ana e qytetarit. Kjo do të thotë që Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme janë të detyruara që të bëjnë regjistrimin e çdo leje legalizimi, e cila është aplikuar nga ana e ALUIZNI-t, pavarësisht nëse është bërë apo jo pagesa nga ana e qytetarit. Pra, nga ana e hipotekave bëhet regjistrimi i lejes së legalizimit në kartelë, kryhen të gjitha veprimet, pra të gjitha veprimet janë të gatshme që, në momentin kur qytetari njoftohet që është bërë regjistrimi i lejes, ai mund të shkojë dhe të bëjë pagesën përkatëse dhe të marrë bë dorë certifikatën e tij të pronësisë.

Pra, ju ia keni bërë gati të gjithë procedurën qytetarit.

Po, ne bëjmë gati çdo gjë dhe qytetari duhet vetë të paraqitet për të bërë pagesën dhe për të marrë certifikatën e pronësisë.

Flas nga Durrësi. Tek ALUIZNI kam bërë një kërkesë edhe për dyqanin edhe për shtëpinë. I kam marrë të dyja lejet e legalizimit dhe i dërgova te Hipoteka për regjistrim. Në Hipotekë më kanë regjistruar në të njëjtën certifikatë edhe dyqanin edhe shtëpinë. Metrat përkatëse të pronave janë në rregull, por problemi im është se të dyja pronat i kam bashkë në të njëjtën certifikatë dhe jo veç e veç. Tek ALUIZNI unë kam aplikuar veç për dyqanin e veç për shtëpinë, edhe pagesat në bankë i kam bërë po kështu, edhe lejet e legalizimit i kam marrë veç e veç, ndërsa në certifikatën e pronësisë nga hipoteka i kam të dyja bashkë. Më thonë që nuk ka asnjë problem se janë që të dyja pronat e tua.

Meqenëse edhe objekti i dyqanit edhe objekti i banimit ndodhen tek e njëjta pasuri, atëherë hipoteka ka vepruar po tek e njëjta kartelë pasurie dhe kanë bërë regjistrimin qoftë të ndërtesës së banimit, qoftë të dyqanit. Në këtë rast zotëria mund të bëjë një kërkesë për ndarjen e pasurisë, pra të ndahet shtëpia dhe dyqani me certifikata të veçanta, pranë sportelit të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Durrës. Nuk ka asnjë problem ligjor, në këtë rast, përderisa hartat dhe sipërfaqet e pronave janë në rregull. Zotëria kur të bëjë kërkesën për ndarjen e pasurisë, do të dorëzojë certifikatën e pronësisë për të dyja objekte bashkë që zotëron dhe do të marrë certifikatë pronësie veç për shtëpinë dhe veç për dyqanin.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Eugen Rama: 26/09/2021 21:29

    Pershendetje. Kisha nje pyetje. Kam marre vendimimin e legalizimit te objektit shtepi banimi, si duhet te veproj per te marre lejen e legalizimit? Ju faleminderit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Rey Manaj 21 gola në Turqi, shënon në shtesë dhe 'fik' ëndrrën e Fenerbahces për titullin

VIDEO/ Rey Manaj 21 gola në Turqi, shënon në shtesë dhe 'fik' ëndrrën e Fenerbahces për titullin