'Këndi i Ekspertit'/ Oborret në përdorim, si përfitohet pronësia

Në emisionin tashmë të mirënjohur në Report TV, “Këndi i Ekspertit”, i drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën e kësaj jave “Prona ime” ka qenë i ftuar Gjergji Begaj. Eksperti i mirënjohur i çështjeve të pronave ka folur për një çështje shumë të rëndësishme siç është ajo e oborreve në përdorim. Begaj ka sqaruar se si përfitohet pronësia dhe cilat janë gjashtë dokumentet e rëndësishme që duhen. Më pas eksperti u është përgjigjur pyetjeve live të qytetarëve në Report TV.

Do të flasim sot për oborret në përdorim. Si përfitohet pronësia dhe cilat janë ato gjashtë dokumente të rëndësishme që duhen?

Si të gjitha temat e tjera për të cilat ne kemi diskutuar, edhe kjo temë ka rëndësinë e saj. Ka shumë qytetarë të cilët nuk e njohin, por për pronarët e interesuar është bërë një temë e përditshme në zyrën e hipotekës dhe në zyrën e trajtimit të pronave, për arsyen se në këto dy zyra kalon kjo linja e oborrit në përdorim. Të flasim pak për historikun se si këto prona, të cilat quhen oborre në përdorim, kanë kaluar. Atëherë, rreth vitit 1976, ish-pushteti i atëhershëm nxorri një vendim, ku në pjesën më të madhe në qytete, në të cilat kishte prona private, ua shpronësoi pa shpërblim, d.m.th. ua hoqi nga përdorimi oborret që i kishin në pronësi dhe i quajti oborre në përdorim për arsyen se në momentin që shtetit i duheshin për t’i përdorur për pallate apo për ndërtime sociale etj., t’i merrte pa shpërblesë këto oborre. Prandaj ky ishte qëllimi. Këto ndahen në dy kategori. Kemi oborre në përdorim, të trashëguara para luftës, që janë blerë nga ish-pronarët e vjetër me florinj apo me monedhat e asaj kohe; por kemi edhe oborre të kohës së monizmit, që janë dhënë nga shteti në përdorim dhe përsëri, në vitin 1976, shteti ua hoqi nga përdorimi. Pas vitit 1991, me fillimin e procedurave, ku pati ndryshime në të gjithë legjislacionin e pronave, dhe në vitin 1993, kur filloi edhe ndryshimi i legjislacionit të pronave, atëherë u fut edhe termi për këto prona, për t’ia kthyer pronarëve të ligjshëm me një nga format e ligjit, me shpërblim ose pa shpërblim.

Po flasim së pari për oborret që janë me shpërblim, d.m.th. që janë me pagesë nga shteti, që do të thotë që oborret, të cilat kanë qenë në pronësi të shtetit dhe shteti ia ka marrë dhe përsëri kërkon t’ia rikthejë qytetarit, normalisht që kalon fazën nga hipoteka në Agjencinë e Trajtimit të Pronave, ku duhet të plotësojë një sërë dokumentesh.

Dokumenti i parë është certifikata e pronësisë për objektin që ka brenda këtij oborri sepse duhet të ketë një zanafillë. Dokument tjetër është dokumenti zyrtar që e njeh si term oborr në përdorim. Aplikimi merret përsëri nga hipoteka. Janë dokumentet e viteve të mëparshme që merren nga hartografia, nga arkivat e vjetra, që vërtetojnë hartën, fotokopja e kartës së identitetit të personit që do të bëjë aplikimin, fatura e pagesës pranë Komisionit të Trajtimit të Pronave, dhe në fund, pasi mbarohen të gjitha këto, bëhet përsëri aplikimi në hipotekë për t’u pajisur me certifikatë pronësie.

Sa është vlera monetare që qytetari duhet të pranojë në raport me sipërfaqen?

Sipërfaqet variojnë nga 100 m2 deri në 500 m2, i cili është maksimumi që i lejohet Agjencisë së Kthimit të Pronave për t’ua kthyer ish-pronarëve, për oborret. Kjo do të thotë që fillon nga 100.000 lekë të rinj deri në 6.000.000 lekë të vjetër, d.m.th. këto janë limitet sipas sipërfaqës që zotërojnë qytetarët. Janë të specifikuara dhe këto janë vlerat mesatare.

Numri i dosjeve të përpunuara që kanë marrë titullin e pronësisë sa është? A kemi shifra?

Ne po i referohemi një trevjeçari të fundit, që afërsisht janë përpunuar rreth 510 dosje, që kaanë marrë titullin e pronësisë dhe janë regjistruar pranë zyrës së regjistrimit. Pra, kanë kaluar nga zyra e trajtimit të pronave në zyrën e regjistrimit. Por kemi gati edhe 800 dosje, të cilat janë duke u përpunuar pranë Komisionit të Trajtimit të Pronave. Është lënë një afat, deri në vitin 2020, që të përfundojnë edhe këto oborre.

Unë e kam fituar pronën me Ligjin nr. 7501. Kam certifikatë pronësie. Ma ka zënë një person tjetër, që ka bërë shtëpinë në pronën time. Kam hapur gjyq dhe e kam humbur. Më kanë thënë që shtëpia e tij ka hyrë në procesin e legalizimit dhe unë nuk fitoj dot asnjë gjë.

Qytetari tha që nuk fiton asnjë gjë. Jo. Unë do të thosha që normalisht në këto kushte, gjyqi duhet të ndërpritet. Qytetari tha që e ka humbur gjyqin. Këtë e parashikon vendimi që është marrë në Parlament, i cili është kthyer në ligj në vitin 2006, kur është trajtuar ligji i legalizimeve, që në qoftë se qytetari nuk ka pasur indicie ose hapje ose një proces të mëparshëm, por e fillon këtë proces pas vitit 2006, atëherë i ndërpritet procesi gjyqësor ose gjyqin e fiton zyra e legalizimit. Kjo është parashikuar në ligjin që është bërë për legalizimet. Shpronësimi i bëhet qytetarit për pjesën që i ka zënë qytetari tjetër dhe pagesën e shpronësimit e merr nga zyra e legalizimit, me VKM. Kjo do të thotë që qytetari nuk del i humbur, por duhet të presë VKM-në e shpronësimit nga zyra e legalizimit. Duhet që qytetari të interesohet pranë zyrës së legalizimit.

Flas nga Shkodra. Kam një pronë në Fier, të cilën e trashëgoj nga nëna ime, me dokument pronësie, që ma ka dhënë Komisioni i Kthimit dhe i Kompensimit të Pronave, në vitin 1993. Ma ka njohur si pronësi. Toka që unë kisha në pronësi, në vitin 2005 është ndarë me Ligjin nr. 7501. Në atë kohë unë kam qenë në gjyq për këtë pronësi dhe e kam fituar si gjyq. I kam paraqitur dokumentet pranë hipotekës së Fierit, por nuk ma regjistrojnë tokën.

Kur filloi punën Komisioni i Kthimit të Pronave, i cili sot quhet Agjencia e Trajtimit të Pronave, një pjesë e madhe e qytetarëve i dorëzuan dosjet e tyre ose ndryshe praktikat, pranë komisioneve sepse këto kanë qenë nëpër rrethe. Ka disa vite, tani nga fundi, që janë grumbulluar në Tiranë. Dhe atje janë marrë vendimet për njohje. Por njohja e pronës dhe kthimi i pronës janë dy gjëra të ndryshme. Zotëria nuk e ka ndjekur praktikën për të vazhduar procedurën dhe të bënte njohjen dhe kthimin e pronës për ta regjistruar në hipotekë. E ka lënë verëm me atë njohjen e komisionit dhe normalisht kjo i ka mbetur në dosje, pa u regjistruar në hipotekë. Ndërkohë ka vepruar edhe Ligji Nr. 7501, i ndarjes së tokave, po në këtë zonë dhe kur kanë bërë krahasimin në hipotekë, këtë tokë e kanë gjetur të paregjistruar. Kështu që kjo tokë, normalisht ka kaluar në fond për tokë bujqësore dhe si pasojë ka vazhduar regjistrimi në krahun tjetër. Zotëria duhej të kishte bërë një njoftim pranë hipotekës së Fierit, me dokumentet që zotëronte, që ai po vazhdonte procedurën për atë tokë. Në këtë mënyrë zyra e regjistrimit do të kishte dijeni dhe të mos vepronte ose ish-komuna apo qendra ku zotëria e kishte marrë këtë sipërfaqe toke. Tani ajo që ka ndodhur, ka ndodhur. Zotëria që të jetë përfitues i kësaj vlere duhet të bëjë një kërkesë për kompensim financiar ose për kompensim fizik. Kërkesa duhet bërë në Tiranë, pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave, në mënyrë që të marrë kompensimin për këtë pronë të tij.

Jam nga një rreth i jugut, por kam lindur e jetoj në Tiranë. Paraardhësit e mi kanë pasur prona, të cilat u shtetëzuan në kohën e komunizmit. Ato prona kanë qenë në sasi të mëdha, por u shpërndanë, i mori kooperativa dhe në fund, në vitin 1946, u dhanë nga 3 dynymë. Kjo është regjistruar atje. Unë dua që të përfitoj diçka nga ato prona. Me Ligjin nr. 7501, nga pronat tona morën disa fshatarë, të cilët nuk i përdorën kurrë, nuk paguan taksa dhe mua më kanë thënë që, nëse doja mund të m’i falnin dokumentet. Unë nuk mund të ndërhyj se për ato prona jemi shumë persona bashkëpronarë, të cilët nuk interesohen për ato. Unë kam dëshirë të marr atë që më takon sipas ligjit. Si mund të veproj?

Në këto kushte ku ndodhet zotëria, normalisht që ai duhet të kishte dorëzuar një dosje pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave. Kjo do ishte një gjë e mirë përderisa fshatarët atje e lejojnë që t’i marrë ato prona. Por tani ka një problem. Pikërisht sepse nuk ka dorëzuar dosjen pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave. Kështu që nuk është produkt tani sepse është mbyllur afati i dorëzimit të dosjeve. Por për t’i dhënë një rrugëzgjidhje këtij problemi, zotëria duhet të bashkëpunojë me personat që i zotërojnë këto toka. Ata duhet të marrin certifikatat e pronësisë së këtyre tokave në emrin e tyre dhe pastaj t’ia kalojnë pronësinë zotërisë, sipas ligjit, ose me akt-dhurimi ose me akt-shitjeje pranë një zyre noteriale. Por ama, janë ata që duhet ta regjistrojnë në origjinë sepse u është dhënë atyre nga ligji.

Në qoftë se ata kanë dëshirën për t’ia kthyer pronën zotërisë, atëherë kjo do të ishte rruga e vetme për zgjidhjen e këtij problemi. Nëse nuk realizohet kjo, ka edhe një mënyrë tjetër. Prona është shtet dhe zotëria mund ta marrë tokën me qira për 99 vite, me anën e një qiraje të butë, dhe të paraqesë ndonjë objekt që mund të bëjë ndonjë investim, të marrë ndonjë kredi të butë nga shteti, që të paktën të bëjë një investim në tokën e paraardhësve të vet. Këto janë dy mënyrat, me anën e të cilave zotëria mund të marrë tokën e tij. Sigurisht që mënyra e parë është më e mira, ndërsa mënyra e dytë është një formë që ai të jetë pranë tokave të paraardhësve të tij.

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Përpjekjet e Iranit për të zgjeruar ndikimin në Afrikë

Përpjekjet e Iranit për të zgjeruar ndikimin në Afrikë