Këndi i Ekspertit/ Refluksi gastroezofagial, simptomat, pasojat dhe si trajtohet

Këndi i Ekspertit/ Refluksi gastroezofagial, simptomat, pasojat dhe si trajtohet

Klerida Hoxha, mjeke gastrohepatologe

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report Tv, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Mjeku im” ka qenë e ftuar Klerida Shehu, mjeke gastrohepatologe pranë spitalit “Kontinental”. Doktoresha Shehu ka sqaruar fillimisht simptomat e pasojat e kësaj sëmundje të stomakut dhe më pas ka sqaruar edhe mënyrën se si duhet trajtuar. Ajo i ka dhënë rëndësi dietës ushqimore të personave që vuajnë nga refluksi që mund të sjellë një përmirësim të ndjeshëm.

Sot do të flasim për refluksin. Të gjithëve na ka ndodhur që të kemi një lloj përzierje apo urth në stomak, gjë që shkaktohet nga kequshqyerja ose nga disa shkaqe të tjera. Çfarë është refluksi?

Refluksi gastroezofagial është ajo situatë, në të cilën ndodh rikthimi i lëngjeve nga stomaku për në ezofag. Ashtu sikundër e dimë, lëngjet e stomakut janë me përmbajtje acide dhe rikthimi i këtij lëngu në pjesën e 1/3 së poshtme të ezofagut përjetohet si ndjenja e urthit (në gjuhën popullore), djegia sidomos pas dërrasës së kraharorit, shpeshherë këta pacientë ankohen për gromësima, të cilat janë të shpeshta edhe gjatë gjithë ditës. Në disa raste pacientët mund të ankohen edhe për një dhimbje të lehtë pas dërrasës së kraharorit, në formën e djegies, por edhe të dhimbjes në disa situata. Ata shpeshherë ankohen dhe thonë që goja u mbushet me lëngje dhe kjo ndodh kryesisht pasi shtrihen në shtrat. Kjo është ajo çka ndodh dhe ajo çka ndjejnë pacientët që vuajnë nga refluksi gastroezofagial.

Këto lëngje të stomakut në momentin kur rikthehen, mund të krijojnë mbytje në rastet kur pacientët janë të shtrirë?

Po, kjo është e vërtetë.

Janë edhe disa simptoma të tjera, si p.sh. pacienti mund të ketë një kollë të thatë, e cila ka të bëjë me refluksin.

Një pjesë e simptomave hasen më shpesh te pacientët, ssikundër është djegia pas dërrasës së kraharorit, e cila shpeshherë ngatërrohet edhe me dhimbjet e gjoksit, ngatërrohet me patologjitë e zemrës. Pacientët kanë një shije të hidhur në gojë, e cila vjen si pasojë e aciditetit që vjen në rrugët e sipërme të ushqimit. Por nuk janë të pakta rastet kur pacientët ankohen për një kollë, e cila ka persistuar për muaj të tërë. Shpeshherë pacientët bëjnë shumë konsulta për shkak të kësaj kolle, e cila kryesisht është kollë e mëngjesit, pasi të gjitha sekrecionet gastrike kanë kaluar në rrugët e frymëmarrjes gjatë kohës që pacienti është i shtrirë, dhe në mëngjes ai tenton që t’i nxjerrë këto sekrecione nga rrugët e frymëmarrjes për t’i pastruar. Arsyeja e kollës së tyre shpeshherë mbetet e padiagnostikuar, derisa pacientët ekzaminohen nga mjeku gastrohepatolog dhe i vendoset diagnoza e refluksit. Shpeshherë na ndodh që pacientët të vijnë me ngjirje zëri. Kemi pasur raste kur pacienti e ka humbur zërin dhe në këto raste, një ndër shkaqet e kësaj ankese, është edhe refluksi gastroezofagial. Dua të theksoj që refluksi gastroezofagial nuk ndodh vetëm te të rriturit. Në fakt, është një patologji që prek edhe moshat pediatrike.

Flasim për moshat e vogla që janë mbi peshë. Mbipesha të krijon refluks. Edhe gratë shtatzëna gjatë periudhës së shtatzënisë së tyre kanë refluks të theksuar.

Obeziteti në fakt është një ndër ato shkaqe që e favorizon refluksin gastroezofagial dhe aq më tepër në moshat pediatrike refluksi, si pasojë e rritjes së presionit abdominal nga obeziteti, rikthimi i lëngjeve gastrike për në ezofag është shumë më i shprehur dhe shumë më evident. Obeziteti në fakt është bërë një patologji e kohëve të fundit si pasojë e kequshqyerjes që ndodh si te fëmijët e vegjël, ashtu edhe te mosha e adoleshentëve. Kjo është arsyeja përse ne rekomandojmë një dietë të ekuilibruar dhe një ndër mënyrat e trajtimit të refluksit gastroezofagial është edhe rënia në peshë, sidomos te pacientët me obezitet.

Mund të themi që kjo është një sëmundje apo këto shenja janë shenja sëmundjeje?

Kjo është një sëmundje në kuptimin që ky dëmtim anatomik i 1/3 së poshtme të ezofagut do të pasohet më vonë me ndjenjën e urthit, por nuk mbetet vetëm me kaq historia sepse pacientët të cilët vuajnë nga refluksi gastroezofagial janë të rriskuar më shumë se pjesa tjetër e popullatës për të bërë ulçera të ezofagut, si pasojë e këtij aciditeti, për të bëtë hemorragji nga këto ulçera të ezofagut, për të bërë ezofagitin e Barret (e merr emrin të tillë sipas emrit të autorit), dhe ky ezofagit është një situatë prekanceroze. Këta pacientë janë të prirë, që në rastet e pamjekuara, e theksoj këtë, të bëjnë kancerin e ezofagut dhe kjo është arsyeja përse duhet të tregohet kujdes në ndjekjen dhe në trajtimin e këtyre pacientëve.

Simptoma që paralajmërojnë për aciditet të lartë në stomak: dhimbje të gjoksit, dhimbje pas vaktit, shije e hidhur në gojë, zë i ngjirur, dhimbje fyti, kollë dhe vështirësi në gëlltitje. Këto janë disa nga shenjat që paralajmërojnë që kemi të bëjmë me një refluks. Gjithashtu shpeshherë pacientët drejtohen edhe te stomatologu, kur kanë aromë të keqe në gojë.

Një ndër ankesat e pacientëve tanë në fakt, është edhe kjo që ata shpeshherë rekomandohen te ne nga mjekët stomatologë, pasi për erën e keqe të gojës takimi i tyre i parë është me mjekun stomatolog. Stomatologu pasi ka përjashtuar patologjitë e veta, i sqaron që një ndër shkaqet e erës së keqe të gojës është refluksi. E theksoj këtë që era e keqe e gojës mund të jetë edhe pa ndjerë djegie pas dërrasës së kraharorit. Jo gjithmonë refluksi shfaqet me të gjitha shenjat klinike bashkë. Ka raste kur pacientët kanë vetëm kollë dhe nuk kanë ankesa të tjera, dhe rezulton që kjo kollë vjen si pasojë e refluksit gastroezofagial. Ka raste të tjera kur pacientët paraqiten vetëm me dhimbje fyti dhe kanë skuqje të fytit në mënyrë të përsëritur dhe të shpeshtë. Edhe kur pas kurave të gjata me antibiotikë që marrin ata nuk gjejnë përmirësim, unë rekomandoj që ata duhet të marrin në konsideratë edhe refluksin gastroezofagial sepse mund të jetë një ndër shkaqet e ankesave të këtyre pacientëve.

Jam një pacient nga Durrësi dhe vuaj prej vitesh nga refluksi. Jam kuruar disa herë. Kjo gjendje më përsëritet herë pas here. Si duhet të veproj?

Është e vërtetë që këto simptoma përsëriten. Në mjekimin e refluksit kemi dy shtylla bazë: trajtimi me medikamente mjekësore dhe trajtimi dietik, që do të thotë se pacienti, krahas marrjes me korrektësi të mjekimit duhet të kujdeset edhe për dietën ushqimore. Këshilla ime kryesore në lidhje me dietën e pacientëve që vuajnë nga refluksi gastroezofagial është që ata duhet të ushqehen shpesh dhe me nga pak ushqim. Duhet të marrin pesë vakte në ditë, duhet të shmangin kafen, alkoolin, duhanin, pijet e gazuara. Gjithashtu në darkë duhet të flenë me dy jastëkë. Duhet të shtrihen për të fjetur tri orë pasi kanë ngrënë ushqimin dhe në asnjë mënyrë më shpejt. Duhet të rrisin aktivitetin fizik dhe në rast se janë mbi peshë duhet patjetër që ta ulin peshën e tyre trupore. Këto sigurisht që vlejnë edhe për pacientin që na telefonoi. Mjekimi i refluksit varion nga 8 javë minimumi deri në disa vite. Në fakt ky është një dëmtim anatomik prandaj, herë pas here kemi përsëritje. Prandaj është e nevojshme që këta pacientë të mbahen në ndjekje të rregullt nga mjeku gastrohepatolog, në mënyrë të tillë që periudhat e vuajtjeve nga këto simptoma të jenë sa më të shkurtra dhe sa më të pakta.

Me dietë ushqimore në këtë rast, duhet të kuptojmë shmangen e ushqimeve të cilat përmbajnë aciditet?

Dieta ushqimore është shumë e rëndësishme. E thashë dhe më lart që për nga rëndësia, janë të barabartë si trajtimi mjekësor me medikamente ashtu edhe mënyra e të ushqyerit. Këta pacientë duhet patjetër që të fusin veten e tyre në një dietë, në mënyrë të tillë që të shmangin ato ushqime, të cilat e rëndojnë edhe më shumë situatën e tyre.

Në rast se ne kemi një dietë të mirë ushqimore të kombinuar me aktivitet fizik, a ka mundësi që të përsëritet ky refluks?

Në këtë rast, mundësia e përsëritjes minimizohet në maksimum. Unë nuk mund të them që nuk do të përsëritet më sepse, siç e theksova, refluksi gastroezofagial është një dëmtim anatomik dhe si i tillë, mund të përsëritet. Por, duke marrë në mënyrë korrekte trajtimin e duhur me medikamente, duke u trajtuar me një dietë të duhur ushqimore dhe duke pasur edhe një aktivitet fizik, patjetër që pacientët të cilët vuajnë nga refluksi gastroezofagial do t’i kenë më të rralla dhe më të shkurtra periudhat e vuajtjes së tyre nga simptomat e kësaj sëmundjeje.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale