‘Këndi i Ekspertit’/ Specialistja e ALUIZNI-t: Si legalizohen shtesat e pallateve

Klodi Kuçuku në emisionin Këndi i Ekspertit

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, ka qenë Klodi Kuçuku, shefe e Zyrës së Legalizimeve pranë Drejtorisë së Tirana-2. Specialistja e ALUIZNI-t është përfaqësuese e Drejtorisë së ALUIZNI-t Tiranë, që merret me shtesat e objekteve. Ajo ka sqaruar mënyrën se si duhet të veprojnë qytetarët për të legalizuar shtesat e objekteve që kanë dhe specifikisht të pallateve. Gjithashtu ajo u ka dhënë  përgjigje pyetjeve të qytetarëve live në Report TV.

Ju jeni përfaqësuese e Drejtorisë së ALUIZNI-t Tiranë, që merret me shtesat e objekteve, që është një problematikë e zgjeruar për kryeqytetin. Vazhdimisht ju shpallni dhe publikoni në media emrat e personave që duhet të plotësojnë dokumentacionin për t’u pajisur me lejen e legalizimit. A ka ndikuar kjo te njerëzit për të ardhur në zyrat e institucionit tuaj?

Fillimisht dua të them që Drejtoria e Shtesave është një drejtori specifike. Është një drejtori që është krijuar enkas duke parë fluksin e madh të ndërtimeve informale, shtesave. Është krijuar në vitin 2013 sepse më parë ka qenë sektor, duke parë fluksin e madh të ndërtimeve dhe domosdoshmërinë për të ndihmuar qytetarët. U krijua një drejtori, e cila më vonë, duke shqyrtuar këto praktika u pa që kishte shumë problematika të ndryshme duke qenë që edhe zgjatja në kohë kishte bërë që të ndryshonin situatat e këtyre shtesave, të mos ishin më posedues të njëjtët vetëdeklarues. U bënë ndryshime të shumta ligjore, për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve, për të zgjidhur njëherë e mirë këtë problem.

Për sa u përket faqeve zyrtare apo medieve në të cilat ne bëjmë njoftimet, kanë ndikuar te qytetarët dhe ka pasur rezultate. Herë pas here ne i ftojmë qytetarët që të vijnë dhe të paraqiten pranë sporteleve dhe zyrave tona, për t’i sqaruar dhe për të qenë sa më pranë tyre.

Jam një banore e Tiranës. Kam një shtëpi të vjetër që është ndërtuar para vitit 1940, por nuk kam tapinë e shtëpisë. Çfarë dokumentesh duhet të dorëzoj tek ALUIZNI?

Përpara një muaji është miratuar VKM-ja nr. 442, për të gjitha këto ndërtime, të cilat janë të papajisura me dokumente. Kështu që me ato dokumente që zonja mund të ketë, qoftë një leje ndërtimi të atyre viteve apo diçka tjetër, duhet të paraqitet pranë sporteleve të drejtorive përkatëse për të plotësuar formularin e deklarimit dhe pastaj për të vazhduar me regjistrimin. Zonja duhet të paraqisë çdo lloj dokumenti shtetëror që vërteton se ky ndërtim është bërë në vitin që ajo thotë. Pastaj dokumentet shqyrtohen më pas nga specialistët tanë.

Jam një banore e njësisë administrative nr. 9 në Tiranë. Kam 12 vite që kam aplikuar për legalizimin e shtëpisë dhe nuk po më jepet përgjigje. Para 6 muajve jam takuar me drejtorin sepse dosja ime kishte humbur. Tani është plotësuar dosja dhe në korrik më thanë që ka kaluar te zyrat e financës. Qe nga korriku e deri tani nuk më është dhënë asnjë dokument që të bëj likuidimin.

Unë thjesht po shënoj të dhënat sepse ky objekt i përket një drejtorie tjetër të ALUIZNI-t, e cila është Drejtoria Tirana-Veri. Patjetër që do të komunikoj me drejtoreshën e kësaj drejtorie për të parë se si është situata.

Kam marrë dokumentin e ALUIZNI-t për shtëpinë dhe akoma nuk kam mbaruar punë në hipotekë. Kjo vonesë që nga dita që e kam marrë nga ALUIZNI dokumentin dhe deri në ditën që kam aplikuar në hipotekë, a ka ndonjë problem për mua?

Emetimi i lejes së legalizimit bëhet nga institucioni ynë dhe pastaj ne bëjmë paralelisht edhe aplikimin për në hipotekë. Pra, aplikimin për në hipotekë e bën vetë institucioni, por i njoftohet edhe subjektit vetëdeklarues, i cili në momentin që merr dokumentacionin ligjor, pra lejen e legalizimit dhe materialin teknik, merr edhe njoftimin që i është bërë edhe aplikimi online në ZRPP. Por kjo nuk do të thotë që fakti që ne kemi bërë këtë procedurë përshpejtimi, që zotëria të mos rrijë nëpër radha të gjata për të bërë aplikimin për regjistrim, që zotëria ta marrë këtë, ta fusë nën sqetull, dhe të mendojë se është rehat pasi e ka marrë lejen dhe ka mbaruar punë. Jo. Ka një procedurë. Ne na vjen edhe një konfirmim i këtij regjistrimi dhe e njoftojmë përsëri subjektin vetëdeklarues që të shkojë të paraqitet për të bërë regjistrimin e kësaj leje legalizimi, pra për ta kthyer atë në një certifikatë pronësie.

Një nga problematikat e procesit të legalizimit të shtesave organizimi i komunitetit për të nisur procesin e legalizimit, thënë më qartë, në një pallat ku është aplikuar një shtesë anësore, duhet që secili apartament të aplikojë më vete, por banorët duhet të organizohen së bashku. Mund ta sqarojmë këtë?

Ligji i legalizimit i ka dhënë të drejtë subjektit vetëdeklarues të vetëdeklarojë në mënyrë individuale. Gjithashtu me ndryshimet ligjore të bëra gjatë 5-vjeçarit të fundit, edhe leja, edhe pagesa bëhen në mënyrë individuale. Mirëpo, kjo nuk do të thotë që të mos kemi një bashkëpunim me njëri-tjetrin, midis banorëve të një shtese të një pallati sepse ne kur kualifikojmë një ndërtim informal, i kualifikojmë të pesta katet bashkë. Kur ne japim lejen e legalizimit, atëherë secili nga këta banorë, për aq sipërfaqe ndërtimi sa atij i takon, duhet të marrë pjesën takuese në parcelën që zë, që do të thotë për t’u përllogaritur sa më saktë kjo pjesë takuese, specialistët tanë duhet që t’i masin të gjitha këto shtesa të bëra në çdo kat. U lutem shumë qytetarëve sepse qëllon që specialistët tanë, në një shtesë të shkojnë disa herë sepse njerëzit nxjerrin arsye nga më të ndryshmet, disa e kanë dhënë me qira, një tjetër është në punë, një tjetër ka një problem tjetër dhe nuk është atë ditë. E mira është që të jenë të gjithë bashkërisht dhe për të mos penguar njëri-tjetrin qoftë për emetimin e lejes dhe qoftë për vazhdimin më tej pastaj të plotësimit të të gjithë dosjes, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave.

Këshilli i Ministrave ka miratuar edhe rastet kur një ndërtimi pa leje i pezullohet leja e legalizimit. T’ua kujtojmë edhe një herë qytetarëve se kur përjashtohen ata nga ky proces.

Këtu kemi dy pika. Pezullimi është tjetër gjë dhe përjashtimi është tjetër gjë. Pezullim të procesit të legalizimit bëjmë atëherë kur trualli mbi të cilin është ndërtuar një ndërtim informal ka një konflikt civil midis palëve pretendente të këtij trualli. Ne gjithmonë u sugjerojmë palëve që t’i drejtohen gjykatës dhe organeve të tjera kompetente për ta zgjidhur këtë konflikt. Dhe deri në momentin e marrjes së vendimit nga gjykata për këtë konflikt, për truallin mbi të cilin është ndërtuar ndërtimi informal, ne bëjnë një pezullim të procedurës së legalizimit.

Kurse për sa i përket përjashtimit nga procesi i legalizimit, vetë ligji ynë kërkon që të legalizojmë sa më shumë ndërtime informale. Përjashtimet bëhen vetëm në rastet kur, për të mirën e komunitetit gjithmonë, ka plane të detajuara vndore, ka projekte që janë për infrastrukturën inxhinierike, të miratuara për zbatim. Referuar këtyre projekteve që gjithmonë janë në të mirë të komunitetit, ne bëjmë përjashtime nga procesi i legalizimit. Gjithashtu përjashtim bëhet edhe për rastet kur ndërtimet nuk janë ndërtuar deri në datën 26 qershor të vitit 2014, pra nuk janë pjesë e ligjit tonë.

Jam banor i njësisë nr. 4. Kam aplikuar që në vitin 2006 për lejen e legalizimit dhe marr gjithnjë të njëjtën përgjigje, që është në proces. Komunikimin e kam pasur gjithnjë verbal.

Unë ju sugjeroj që nesër të paraqiteni pranë drejtorisë përkatëse dhe të bëni një kërkesë me shkrim. Kjo është e drejtë e çdo qytetari. Institucioni është i detyruar që t’ju kthejë një përgjigje zyrtare me shkrim, të detajuar për problemin tuaj.

Flas nga Pogradeci. Kam rreth 11 vite që kam bërë pagesën për legalizim. Shkoj shpesh të interesohem dhe gjithnjë marr të njëjtën përgjigje, që është në procedurë. Janë bërë të gjitha pagesat dhe janë bërë të gjitha matjet nga specialistët. Nuk e di përse vonohet kaq shumë.

Sipas zotërisë janë bërë pagesat dhe është evidentuar objekti. Procedura që ndiqet në këto raste është ajo që zotëria duhet të drejtohet pranë zyrave të ALUIZNI-t në Pogradec. Por duhet patjetër që kërkesa të bëhet zyrtarisht, me shkrim.

Flas nga Tirana. Interesohem për shtesat e dyqaneve që janë në pallatet e rrugës “Myslym Shyri”. Kam që në vitin 2007 që kam aplikuar. Kam bërë të gjitha pagesat. Kanë ardhur specialistët nga ALUIZNI dhe kanë bërë matje disa herë, por asgjë nuk është bërë deri tani. Përgjigjja që kam marrë është ajo që nuk janë bërë akoma dokumentet.

Referuar mbingarkesës që ne kemi, duke qenë që punojmë dhe me zona të caktuara kadastrale, zona te rruga “Myslym Shyri” duke qenë se aty ka edhe unifikime fasadash të marra me leje nga bashkia, nuk është trajtuar deri në një komunikim që ne presim nga Bashkia për këto unifikime fasadash, nëse ka dhënë leje shfrytëzimi për ato unifikime apo jo. Ne bëjmë komunikime të herëpasshershme me shumë institucione për të vazhduar procedurën e një praktike, që nga hipoteka, bashkia e të gjitha me radhë. Ajo është një zonë që akoma nuk është trajtuar nga ne.

  • Sondazhi i ditës:

    Kosova kundërshton nismën për bashkëpunim rajonal ‘Ballkani i Hapur’ si është sipas jush ky qëndrim?

Komento

Komente

  • Kristian: 01/03/2019 20:38

    Prsh ne vitin 2007 kam futur ne proces legalizimi shtepin kam bere pagesen dhe matjet dhe me thone eshte ne proces ende jetoj nshkoder

    Përgjigju


×

Lajmi i fundit

John

Në 730-vjetrin e themelimit të Zvicrës