KFOR dhe Lista Serbe bisedojnë për zhvillimet e fundit të sigurisë

KFOR dhe Lista Serbe bisedojnë për zhvillimet e fundit të sigurisë

Ushtarë të KFOR-it

Zëvendëskomandanti i misionit paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, Federico Bernacca, është takuar me një delegacion të Listës Serbe, me të cilët ka biseduar për zhvillimet e fundit të sigurisë në Kosovë.

Sipas një njoftimi për media, takimi u mbaj në selinë e KFOR-it në Prishtinë dhe në krye të delegacionit të Listës Serbe, ishte kryetari i kësaj partie, Zllatan Ellek.

“Ata [Lista Serbe] ndaj qëndrimet e tyre për zhvillimet e fundit të sigurisë, përfshirë në veri të Kosovës. Gjenerali Bernacca i dëgjoi shqetësimet e shprehura nga delegacioni. Ai theksoi se KFOR-i ka një prani të dukshme dhe fleksibile në mbarë Kosovën dhe është i përgatitur mirë ndaj çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë”, u tha në njoftimin e KFOR-it.

Zëvendëskomandanti i KFOR-it, sipas njoftimit, tha se ky mision është i përkushtuar që të kontribuojë në sigurinë dhe stabilitetin për të gjithë personat që jetojnë në Kosovë, sipas mandatit që derivon nga Kombet e Bashkuara.

“Në këtë drejtim, KFOR vazhdon të mbështesë dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit që lehtësohet nga BE-ja”, u tha në njoftim.

Ky takim i delegacionit të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit, vjen një ditë pasi autoritetet në Kosovë mbyllën pesë institucione paralele në veri të Kosovës.

Nga Qeveria e Kosovës deklaruan se institucionet paralele serbe kanë funksionuar nën udhëheqjen e Serbisë, duke e "cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

Po më 30 gusht, kreu i Listës Serbe, Zllatan Ellek, në një konferencë për media tha se me këto veprime “u pa qartë se [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti i do serbët në Kosovë. Kjo është një përpjekje tjetër për spastrimin etnik të serbëve nga Kosova, e para së gjithash nga veriu".

"Me këtë veprim sot, Kurti tregoi se nuk i do institucionet e Republikës së Serbisë, nuk e do Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe as serbët në Kosovë, e sidomos në veri", tha ai.

Aksioni i kryer nga Policia e Kosovës është kritikuar nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, që e kanë cilësuar si veprim të njëanshëm dhe të pakoordinuar.

Ambasada amerikane në Prishtinë tha se veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara të Kosovës pasqyrojnë përkeqësimin e partneritetit mes Uashingtonit dhe Prishtinës.

KFOR-i, që është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX), më herët gjatë të shtunës rriti praninë mbi urën kryesore në Mitrovicë.

Nga KFOR-i thanë se kjo ishte një “operacion rutinor”, dhe më pas prania mbi urë u reduktua.REL

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali me mbetjet toksike, sipas jush e kujt është përgjegjësia?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ 'Tërmet' në Katalonjë, Barcelona shkërmoq 7-0 Valladolidin! Rekord pas shtatë vitesh, Lewandowsi 'imiton' Messin

VIDEO/ 'Tërmet' në Katalonjë, Barcelona shkërmoq 7-0 Valladolidin! Rekord pas shtatë vitesh, Lewandowsi 'imiton' Messin