Koha për një pension dinjitoz?

Koha për një pension dinjitoz?

Pensionistë

Pensionet mund të duken skema të komplikuara, por në fakt janë shumë të thjeshta. Pensioni im shtetëror si qytetar mund të mos jetë i mjaftueshëm që të kem një pleqëri të qetë financiare. Shqipëria po plaket!! Kjo është një e vërtetë e hidhur. Vendi ynë po plaket me shpejtësi. Nëse tetë vite më parë një në çdo tetë shqiptarë në Shqipëri ishte mbi 65 vjeç, tani jemi një në çdo pesë qytetarë! Çdo vit skemës së pensioneve shtetërore i shtohen edhe 15-17 mijë pensionistë. Ndërkohë, për herë të parë në historinë tonë afro 60 vjeçare të pasluftës (1944-2022) patëm shtesë natyrore negative, pra më shumë qytetarë na vdiqën, se sa lindën!

Paratë për pensionet shtetërore nuk mjaftojnë!
Për gjatë trevjeçarit 2023 -2025, skema publike e pensioneve do të shtohet edhe me rreth 45 mijë pensionistë të rinj. Mesatarisht me rreth 15 mijë në vit. Sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Financave, kosto financiare mbi shtetin e pensionistëve e rinj do të jetë rreth 27 miliardë lekë, ose rreth 228 milionë euro për 2023-2025, ose rreth 78 milionë euro në vit.

Gjatë trevjeçarit 2023-2025, skema shtetërore e pensioneve do të mbulojë me pagesa më shumë se 830 mijë persona, të cilët janë gati sa një e treta e popullsisë banuese në vend! Në këto tre vite, nevojitet një mbështetje financiare shtesë vetëm për të paguar pensionet e reja, ndërkohë që çdo vit Buxheti i Shtetit detyrohet të paguajë afro 380 milionë euro, për të mbuluar defiçitin në rritje të skemës së pensioneve shtetërore. Si do ia bëjmë? Ku do të shkojmë me këtë ritëm?

A janë pensionet private drita në fund të tunelit?
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në fund të muajit shtator 2022, mbi 36 mijë shqiptarë ishin të anëtarësuar në fondet private vullnetare të pensioneve. Të katër fondet  pensioneve private vullnetare që veprojnë operojnë në vendin tonë rriten me rreth 2500-3,000 anëtarë çdo vit.

Tregu i pensioneve vullnetare private po rritet me ritme të qëndrueshme në vitet e fundit, por përmasat e tij ngelen modeste, kur i krahasojmë edhe me vendet fqinje dhe shumë të ngjashme me ne për nga fuqia blerëse, si Maqedonia e Veriut.

Vlera neto e aseteve të tregut(parave) në fund të shtatorit2022,  arriti  për këto fonde në 5.45 miliardë lekë ose rreth 46.5 milionë euro. Ndërsa Maqedonia e Veriut, edhe pse ka vetëm 3 fonde pensionesh private numëron mbi 1.7 miliardë euro asete!

Çfarë duhet të bëjmë që minimalisht të jemi në një nivel me Maqedoninë e Veriut?

Nevojiten ndërhyrje në sistemin e pensioneve dhe ofrimi i formave alternative, midis sistemit shtetëror dhe atij privat të pensioneve. Të dy sistemet pastaj do të prodhonin pensione më të larta dhe dinjitoze për qytetarët. Kuvendi ka përpara komisioneve të tij sot një projektligj që e mundëson një fuzion të tillë dhe arritjen e një pensioni dinjitoz.

 

 

 

Shembulli i Maqedonisë së Veriut
Kontributi për pension në Maqedoninë e Veriut është 18% e pagës, nga të cilët 13% derdhet në Fondin e Sigurimeve Shoqërore për skemën shtetërore (kolona e I) dhe 5 % derdhet në fondet private (kolona e II). Me plotësimin e moshës, çdo njeri merr dy pensione, një shtetëror dhe një privat të formuar nga kontributet e derdhura dhe fitimi nga investimi i tyre.

Vetëm tre vende të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Bosnje-Hercegovina dhe Serbia nuk e kanë kompletuar sistemin e pensioneve me “Kolonën e Dytë”. Kjo përbën një nga arsyet themelore, pse niveli i pensioneve në këto vende është me i ulti, krahasuar me vendet e tjera të rajonit.

Për kushtet ku ndodhet Shqipëria, futja e një sistemi privat pensionesh(Kolona e Dytë) është më i përshtatshëm.

Kjo, për 3 arsyet si më poshtë:

Së pari, në Shqipëri afro 75-80% e PBB-së (Prodhimi i Brendshëm Bruto) vijnë nga sektori privat, prandaj s’ka asnjë arsye të mos vlerësohet edhe në këtë fushë.

Së dyti, Përafrimi i ligjislacionit edhe në fushën e sigurimeve shoqërore është kusht për t’u anëtarësuar në familjen e përbashkët europiane (BE).

Së treti, këto skema ndihmojnë më mirë ekonominë e vendit duke mobilizuar paratë e lira të popullatës nëpërmjet investimeve të tyre në instrumenta financiarë afatgjatë 5-10 vjeçarë (Obligacioneve Shtetërore).

Jo vetëm që ka ardhur koha, por me zhvillimet tona ekonomike e demografike, është domosdoshmëri urgjente, detyrimi me ligj për pensionet private.

Është koha t’i japim mundësinë qytetarëve shqiptarë që të kenë edhe një alternativë tjetër për ato para që paguajnë si kontribute për sigurimet shoqërore, alternativën e pensionit privat, një pension më i favorshëm, me përfitime më të larta.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Nuk reagoi për akuzat ndaj Olsi Ramës, kryeministri: Nuk e bëj për çështje personale, vëllai im ka gjithë kapacitetin të përballet si gjithë të tjerët

Nuk reagoi për akuzat ndaj Olsi Ramës, kryeministri: Nuk e bëj për çështje personale, vëllai im ka gjithë kapacitetin të përballet si gjithë të tjerët