Kohën nuk duhet ta lëmë të na ikë

Kohën nuk duhet ta lëmë të na ikë

Protesta e studenteve

Çdo qeveri në një mënyrë ose tjetrën në fokus të politikave të saj, ka patur përshpejtimin e zhvillimit në këtë vend. Ky objektiv nuk do mundet kurrë të arrihet, nëse nuk përmirësohet cilësia e arsimit.

Së fundmi studentët lanë auditorët sepse kërkonin që zeri i tyre të dëgjohej nga të gjithë. E kjo situatë  u agravua sepse arsimi  u harrua.

Në fakt, asnjë qeveri nuk e ka patur aspak të qartë si do të rritej/t cilësia e arsimit.

Në këndvështrimin tim, ajo që ka munguar e që do duhet të bëhet  është :

I.       Identifikimi dhe krijimi  i standarteve të qarta dhe specifike të mësimit. Krijimi i standarteve do të diktojë  krijimin e kulturës së vlerësimit.   Pavarësisht disa përpjekjeve për ta disiplinuar procesin e vlerësimit të personelit pedagogjik, ajo që konstatohet është frika e tyre nga moskalimi i testit vlerësues (dështimi) e cila ka prodhuar nga ana e saj frikë për vetë  nevojën për vlerësim në vetvete. Kjo gjë më  duket se ka krijuar  premisat për një efekt Pygmalion reciprok. Synimet e qarta dhe pritshmëritë e arsyeshme janë një mënyrë e rëndësishme për të thyer këtë rreth vicioz pesimizmi që ka mbërthyer arsimin dhe këtë mani per të fajësuar të tjerët  [ nxënësit apo studentët ] dhe jo veten për gjithë këtë katrahurë në sistemin arsimor të Shqipërisë së rreth 30-viteve të fundit e cila po ashtu minoi prestigjin dhe respektin e dikurshëm të mësimdhënësit.

II.    Ndërtimi i një sistemi të fortë llogaridhënieje i cili po ashtu të mundësojë marëdhënie efektive reciproke mes të gjithë aktorëve të të ashtuquajturit trekëndësh i llogaridhënies. Këtu do të shtoja dhe krijimin e mekanizmave që rrisin peshën e ndikimit  të nxënës-studentëve në institucionet arsimore. Pa këtë llogaridhënie, arritja e standarteve të kërkuara nuk do mund të arrihet.  Mund të ketë mësues e profesorë që kanë bërë dhe vazhdojnë të japin gjithçka për arsimin, të nxitur nga integriteti personal dhe motive të brendshme profesionale,  por të tjerët nuk e kanë bërë dhe as do e bëjnë këtë nëse nuk ndryshon skema e llogaridhënies në këto institucione sipas synimesh të qarta dhe  standarte të matshme.

III. Mbështetje me investime të domosdoshme për të forcuar kapacitetin institucional të të gjithë institucioneve arsimore , pasurimin sasior dhe cilësor të bazës së domosdoshme materiale të mësimit, veçanërisht në materiale leximi, biblioteka dhe pajisje të nevojshme praktike dhe eksperimenti. Kjo dikton nevojën për një mbështetje të fuqishme financiare, pra një rritje të pjesës për arsimin nga shpenzimet publike. Shpenzimet për arsimin vazhdojnë të jenë shumë të ulta, por edhe ato pak edhe pse mund të  kenë  rezultuar disi eficientë në përmirësimin e infrastrukturës, nuk kanë qënë aspak eficiente në prodhimin e cilësisë - duke mos dëshmuar kështu, asnjë arritje në nivel të të nxënurit!!

 

Arsimi i lartë nuk do duhej të masivizohej  kësisoj! Edhe nëse  kjo nuk u pengua duhet të luftohet dhe ndalohet me çdo kusht ideja se meqë  u regjistrove në shkollë të lartë do duhet patjetër të diplomohesh! Gjithashtu dhe ideja që çdokush duhet patjetër të mbarojë shkollën e lartë që të quhet njeri i përsosur. Jo çdo student është i prerë për universitet, disa janë më të prerë për drejtime profesionale, por përsëri masivizimi e ka mbytur këtë fakt, duke bërë që të gjithë studentët të turren drejt universiteteve, pa një lloj plani për jetën e tyre. Këto lloj sentimentalizmash nxisin korrupsionin, demotivim dhe pesimizëm tek masa e gjerë e studentëve që aspirojnë për meritokraci në dije.

Nga mësues të dobët nuk mund të presësh nxënës të zotë. Nga individë të paditur, ke shoqëri të parritur. Dhe këtu nuk kuptoj vetëm nivel zotërimi të disiplinës që ofron, por kryesisht karakterin, aftësinë për të kuptuar dhe inkurajuar, vendosmërinë, energjinë dhe pathosin për t’u rritur dhe zhvilluar bashkë me ndryshimet që dikton jeta.

Në mënyrë shqetësuese është rritur vitet e fundit  hendeku midis numurit të të regjistruarve në Universitet dhe asaj se ç’mësohet në to. Kjo përkthehet me probleme në ballafaqimin e parë të tyre me tregun e punës.

Prandaj i rikthehem përsëri nevojës për të formuluar standartet dhe imponuar ato nëpërmjet një sistemi të vazhdueshëm llogaridhënieje.

Vëmendja e qeverisë duhet kthyer me një vizion komplet ndryshe për arsimin.

Që të arrihen ndryshimet e duhura në arsim, kërkohet një menaxhim i përgjegjshëm dhe cilësor në çdo hallkë të sistemit, rritje e nivelit të përpjekjeve  me vullnet dhe dëshirë për ta realizuar ndryshimin duke i  garantuar pa dyshim burimet e duhura.

Drejtuesit diletantë janë përgjegjësit kryesorë për cilësinë kaq problematike të arsimit në Shqipëri.

Krijimi i ekipeve menaxheriale me vizion dhe pasion për arsimin [ nga ministria deri tek drejtuesit e institucioneve] është faktor kyç për të drejtuar dhe materializuar përpjekjet në një transformim rrënjësor të të gjithë sistemit. Ajo që mendoj se na duhet, është mbajtja e një qëndrimi proaktiv, nëpërmjet një angazhimi konstruktivisht kritik ndaj reformës në arsim [specifikisht në arsimin e lartë] me qëllim që të modelohet një vizion i ripërtërirë në fushën e edukimit.

Sot kemi nevojë jo vetëm ta reformojmë sistemin, por edhe të krijojmë e shpikim ndërsa e zbatojmë. Kjo e fundit edhe gjetkë, rezulton të jetë më e vështira, pasi fusha e arsimit dhe e dijes po përballet më së shumti me ritme gjithnjë e më të përshpejtuara  ndryshimi.

Kohën nuk duhet ta lëmë të na ikë për ofrimin dhe zbatimin e risive të përtërira.

Pedagoge në Fakultetin Ekonomik. UT

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale