POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Kokainë në 7 shtete/ Kapet pronari i një pularie, në kërkim kunati

Një operacion i shtrirë në 7 shtete të Europës, ka sjellë arrestimin e pronarit të pularisë “RENS 2015” në Shkodër, i cili quhet Astrit Beqiri, ndërsa një person tjetër, i quajtur Sokol Krasniqi, është shpallur në kërkim me vendim gjykate. Sokol Krasniqi, rezulton të jetë kunati i Astrit Beqirit, i arrestuar në Shkodër nga policia, ndërkohë që për autoritet hetimore të Danimarkës, Sokol Krasniqi, identifikohej si shtetas Kosovar. Por në fakt ai nuk ishte një kosovar, por ishte shqiptar nga qyteti i Shkodrës, dhe quhet Jetmir Kastrati. Për hetuesit e Danimarkës, ky person rëzulton të jetë njeriu që drejtonte trafikun e kokainës nga vendet e Amerikës Latine, duke shitur dhe shpërndarë në vendet e gadishullit skandinav. Kastrati, dyshohet se realizonte trafikun e kokainës, ku në disa episode nga janari 2018 e deri tani, këtij grupi kriminal i janë sekuestrua në periudha të ndryshme një sasi prej 1650 kg kokainë. Burimet pranë prokurorisë së Krimeve të Rënda thanë se një pjesë të parave të fituara nga aktiviteti i drogës, Kastrati i pastronte në Shqipëri,duke përdorur emrin e kunatit të tij Astrit Beqiri, i cili investonte në biznese të ndryshme në Shkodër. Nisur nga kjo situatë Beqiri është arrestuar ditën e djeshme për akuzën e “Pastrimit të produkteve të veprës penale” ndërsa kunati i tij Jetmir Kastrati është shpallur në kërkim për akuzën e “Trafikut të narkotikëve” dhe“Organizatë kriminale”.Sipas burimeve vetë Astrit Beqiri, nuk është implikuar në trafikun e kokainës, por ka qënë personi që pastronte paratë e fituara nga kunati i tij, i përfshirë në trafikun e drogës.

Gjatë operacionit në Shqipëri që drejtohet në teren nga prokurori i Krimeve të Rënda Anton Martini dhe Drejtori i Hetimit të Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit Tonin Vocaj, janë sekuestruar 200 mijë euro cesh të futura në thashë, 10 milion lekë të reja, 7 automjete luksoze, një pulari që ndodhet në Bërdicë, 6 vila pushimi në Velipojë. Indiciet e para për këtë grup kriminal, kanë qënë në Danimarkë, pasi në vitin 2015 janë kapur disa korrierë të këtij grupi. Këto indicie janë përforcuar akoma dhe më tepër gjatë viteve në vazhdim, dhe nisur nga kjo situatë prokuroria e Danimarkës, në janar të 2018 ka vendosur të hapë një dosje hetimore, duke kërkuar ndihmën të 6 shteteve europiane, dhe koordinuar veprimet hetimore me EUROPOL.Gjurmimi në teren i këtyre personave ka bërë që të kuptohet se organizata përbëhej nga anëtarë Serbë, Hollandeze, Shqiptarë, Suedezë, ku shqiptari Jetmir Kastrati konsiderohej të ishte personi që financonte dhe drejtonte trafikun e kokainës nga vendet e Amerikës Latine në drejtim të Danimarkës, Suedisë,Gjermanisë, Belgjikës, Holandës, Sllovenisë.

Nisur nga kjo situatë, prokuroria e Danimarkës ka kërkuar që informacionet e saj ti, ndajë edhe me partnerët Shqiptarë, duke i kërkuar bashkëpunim, dhe përfshirë Shqipërinë në listën e 7 vendeve që ishin përfshirë në investigimin e kësaj organizate. Në janar 2019, policia dhe prokuroria Shqiptare janë përfshirë në këtë hetim duke kryer veprime hetimore për Astrit Beqirin dhe kunatin e këtij të fundit Jetmir Kastrati. Pas 6 muaj hetime në Shqipëri, Danezën kanë ndezur dritën jeshilë për të kryer arrestimet e anëtarëve të kësaj organizate në 7 shtete. Operacioni policor, është koduar me emrin "Goldfinger", ashtu siç quhet një nga filmat aksion të viteve 1960 të James Bond. Gjatë ndërhyrjes janë arrestuar 42 persona ndërkohë janë shpallur në kërkim disa të tjerë. Nga ana tjetër janë sekuestruar 600 mijë euro, ku 200 mijë euro janë bllokuar në Shkodër. U sekuestruan 40 kg kokainë, u kontrolluan me dhjetëra ambiente e banesa. Një biznes me vlerë investimi mbi 1 milion euro.EUROPOL dhe autoritetet daneze, kanë falënderuar Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, për profesionalizmin e treguar, rolin aktiv dhe shumë të domosdoshëm në goditjen e këtij grupi të rrezikshëm kriminal.

Dy njerëzit

Operacioni në Shqipëri drejtohet në teren nga prokurori i Krimeve të Rënda Anton Martini dhe Drejtori i Hetimit të Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit Tonin Vocaj.

Organizator

Për hetuesit e Danimarkës,Jetmir Kastrati rëzulton të jetë njeriu që drejtonte trafikun e kokainës nga vendet e Amerikës Latine, duke shitur dhe shpërndarë në vendet e gadishullit skandinav.

Bashkëpunimi

Nisur nga kjo situatë, prokuroria e Danimarkës ka kërkuar që informacionet e saj ti, ndajë edhe me partnerët Shqiptarë, duke i kërkuar bashkëpunim, dhe përfshirë Shqipërinë në listën e 7 vendeve që ishin përfshirë në investigimin e kësaj organizate.

Ekstrakti i QKR për kompaninë e Astrit Beqirit

Rezultatet e operacionit

1.  42 persona të arrestuar

2.  Disa persona në kërkim

3.  7 makina luksoze të bllokuara

4.  10 milion lekë të bllokuara

5.  Një pulari në Shkodër me vlerë 1 mln euro

6.  Gjashtë vila pushimi në Velipojë

7.  40 kg kokainë

8.  600 mijë euro

9.  200 mijë euro të bllokuar në Shqipëri

m.v./Shqiptarja.com
Komento