ODENSE - Ngjarja e rëndë që përfshiu Christian Eriksen gjatë Euro 2020 u rikujtua sërish dje, kur futbollisti danez pësoi një tjetër incident shëndetësor në fushë. Episodi ndodhi gjatë ndeshjes miqësore mes Danimarkës dhe Ukrainës, ku në pjesën e dytë të takimit ai humbi ndjenjat dhe u rrëzua në fushën e lojës.
Menjëherë pas ngjarjes, Eriksen mori ndihmën e stafit mjekësor dhe më pas u transportua drejt spitalit me ambulancë, ku u ngjit vetë. Ndeshja u ndërpre me dakordësinë e të dyja skuadrave dhe të tifozëve të pranishëm në stadium.
Pas përfundimit të takimit, mjeku i përfaqësueses daneze, Morton Boesen, dha informacion mbi gjendjen e lojtarit.
“Kristian është mirë dhe u largua nga fusha me këmbët e tij. Nga sa kam mundur të konstatoj, defibrilatori që ka të implantuar në zemër funksionoi siç duhet. Ai ishte pa ndjenja për një periudhë të shkurtër, por u rikthye shpejt dhe ne komunikuam menjëherë me të.
Tani do t’i nënshtrohet ekzaminimeve të tjera në spital për të përcaktuar shkakun e këtij incidenti. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me të dhe me mjekët që po e ndjekin. Më e rëndësishmja është se Christian është mirë dhe më kërkoi t’i siguroja të gjithë se gjendja e tij është e qëndrueshme”, deklaroi Boesen.

Pas kolapsit që pësoi gjatë ndeshjes miqësore me Ukrainën, nga Danimarka vijnë lajme të mira në lidhje me gjendjen e Christian Eriksen.
Në një komunikatë të publikuar në faqen zyrtare të kombëtares daneze, mjeku Morten Boesen bën një përditësim për situatën e mesfushorit. "Fola këtë mëngjes me Christianin dhe është mirë. Është me familjen e tij dhe është në humor, mund të dalë shumë shpejt nga spitali dhe të kthehet në shtëpi", tha ai.
Danimarka është pranë stafit dhe futbollistëve të tjerë që janë të tronditur thellë nga ajo që ndodhi me shokun e tyre të skuadrës në sfidën e së dielës në minutën e 65-të, kur 34-vjecari preku kraharorin dhe u shemb në tokë: "Kujdesemi edhe për ta dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm", tha mjeku.
Komente









