Ligji për Komisionet Hetimore, 'Kushtetuesja' shfuqizon marrjen e lejes nga Gjykata e Prokuroria për pyetjen e dëshmitarëve! Opozita të drejtë ankimi nëse u refuzohet marrja e provave

TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën e opozitës për pezullimin e ligjit për Komisionet Hetimore, duke urdhëruar Kuvendin për disa ndryshime brenda 6 muajve. Në seancën e zhvilluar sot në Gjykatën Kushtetuese, me vendim unanim është vendosur shfuqizimi i nenit 9 që parashikon marrjen e lejes nga prokuroria dhe gjykata për pyetjen e dëshmitarëve, si dhe të drejtën e dëshmitarit për të refuzuar të dëshmojë.

Sa i takon marrjes së lejes nga Prokuroria dhe Gjykata, Kushtetuesja e vlerëson si të panevojshme, duke thënë se qëllimi i ruajtjes së sekretit hetimor mund të përmbushet nga pyetja e dëshmitarëve me dyer të mbyllura.

“Gjykata, duke mbajtur në konsideratë se procedura e hetimit parlamentar ndjek qëllime të ndryshme nga ajo e procedimit penal, duke synuar qartësimin e një çështjeje për arsye politike, thekson se ky qëllim përputhet me parimin e ndarjes së pushteteve”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Nenin 4 që lidhet me nismën për ngritjen e një Komisioni Hetimor, njëzëri, Gjykata Kushtetuese e vlerëson të papajtueshëm me Kushtetutën. Gjykata urdhëron Kuvendin që duhet të lihet një hapësirë ligjore që në rast se opozitës i refuzohet ngritja e një komisioni hetimor nëse nuk plotëson tri kriteret e parashikuara në ligj, të ketë mundësinë që të riformulojë kërkesën.  

"Ky reflektim është i paplotë, për sa kohë janë reflektuar vetëm tre kriteret: i) çështja duhet të ketë të bëjë me funksionin ligjvënës dhe funksione të tjera  të Kuvendit; ii) objekti i hetimit duhet të fokusohet në çështje ose subjekte konkrete; iii) duhet të ekzistojnë të dhëna ose indicie të mjaftueshme për ekzistencën e çështjes për të cilën kërkohet ngritja e komisionit hetimor.

Duke lënë jashtë këtyre kritereve “formulimin alternativ” të objektit të hetimit, si një nga elementet që mundëson ngritjen e komisionit hetimor, formulimi aktual i dispozitës ligjore passjell cenimin deri në pamundësinë e ushtrimit të së drejtës së pakicës parlamentare.

Për herë të parë, Kushtetuesja i jep mundësinë opozitës që në rast se mazhoranca refuzon të drejtën për të marrë provat nga institucionet të ndryshme të drejtohet me ankim në Gjykatën Kushtetuese. Nuk mjafton vetëm forca e kartonit për të rrëzuar kërkesat e opozitës për marrjen e provave, por në raste të tilla Gjykata Kushtetuese thotë se ky vendim duhet të jetë i arsyetuar me shkaqet përkatëse.

“Marrja e provave nga komisioni hetimor duhet të synojë të sjellë “dritë në errësirë”, në mënyrë që të mundësojë sqarimin e përgjegjësive politike. Vendimi i ndërmjetëm për refuzimin e provave duhet të jetë përjashtim nga rregulli i përgjithshëm, sipas të cilit provat e kërkuara nga pakica parlamentare duhet të merren.

Vendimi për refuzimin e provave duhet të jetë i arsyetuar në drejtim të shkaqeve. Një vendim refuzimi mund të çojë edhe në lindjen e një mosmarrëveshjeje kompetencash ndërmjet organeve kushtetuese”, thuhet në njoftim.

Gjykata arrin në përfundimin se veprimtaria e Komisionit Hetimor duhet të jetë publike, ndërkohë mbledhja mund të mbyllet vetëm në rastet kur te drejtat e njeriut prevalojnë në raport me të drejtën e informimit. 

Gjykata arriti në përfundimin se, si rregull, veprimtaria e komisionit hetimor duhet të jetë publike dhe vetëm përjashtimisht ajo mund të zhvillohet me dyer të mbyllura, kur të drejtat e njeriut prevalojnë në raport me të drejtën për informim. 

Ndërsa në lidhje me “sekretin në interes të shtetit”, sipas shkronjës “d”, Gjykata vlerësoi se ai duhet të interpretohet si çdo e dhënë e parashikuar si informacion i klasifikuar në bazë të ligjit, përfshirë edhe “sekretin hetimor”.  

Deputetja e Partisë demokratike, Dhurata Çupi tha se ky vendim tregon se beteja e opozitës ishte e drejtë.

“Gjykata Kushtetuese vendosi sot shfuqizimin e ndryshimeve të njëanshme të ligjit për komisionet hetimore. Vendosja e ngritjes së komisioneve hetimore nën kontrollin e mazhorancës dhe pamundësimi i kryerjes së një kontrolli efektiv të qeverisjes nëpërmjet komisioneve hetimore janë antikushtetuese. Vendimi i sotëm konfirmon se beteja 5-mujore e Grupit Parlamentar të PD-së për të drejtat kushtetuese të opozitës, të mohuara arbitrarisht nga mazhoranca, ishte i drejtë. Kënaqësi që së bashku me avokatin Marash Logu përfaqësuam këtë kauzë të drejtë të opozitës në gjykimin kushtetues”, shkruan Çupi.

Më 21 dhjetor 2023, mes kaosit të opozitës në Kuvend, PS miratoi me 75 vota ndryshimet në ligjin për komisionet hetimore, ndërsa më datë 1 mars 2024 opozita iu drejtua Gjykatës Kushtetuese. Pas miratimit të ligjit të ri, janë ngritur dy komisionet, ai për rrjedhjen e të dhënave të TIMS dhe komisioni hetimor për Shëndetësinë.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:08
Vendimi i Kushtetueses për ligjin e Komisioneve Hetimore, Felaj: Opozita e sheh shpëtimin te fija kashtës, asnjë antikushtetueshmëri

1709802883_felaj.jpg

Deputetja e PS, Ermonela Felaj ka reaguar për vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me ligjin për Komisionet Hetimore, ku Kushtetuesja kërkon ndryshimin e disa neneve. Në një reagim në Facebook, Felaj i përgjigjet akuza të opozitës, duke theksuar se ligji nuk është gjetur antikushtetues nga Gjykata, pasi në të kundërt do të ishte shfuqizuar.

‘Asgjë për t’u shënuar në këtë zheg vere nga një opozitë që e sheh shpëtimin edhe tek fija e kashtës’, shkruan Felaj ndërsa thotë se nuk ka pasur asnjë antikushtetueshmëri nga ana e Kuvendit  në procedurën e shqyrtimit dhe miratimit të ndryshimeve të propozuara në ligjin e komisioneve hetimore.

"Një koment për “gjysma gjelët” e politikës që gjejnë fitore dhe aty ku ato nuk ekzistojnë. Së pari, ligji për komisionet hetimore nuk është  gjetur antikushtetues, nëse kështu, do duhet të ishte shfuqizuar po sot! Dhe nuk kishte sesi, sa kohë që përshkrimi i objektit dhe i veprimit të komisioneve hetimore,  i përmbahet mot à mot vendimeve të vetë kësaj gjykate në vite dhe sa kohë dhe vetë opozita pat propozuar të njëjtën gjë dhe asnjë gërmë më shumë! Asnjë antikushtetueshmëri nga ana e Kuvendit  në procedurën e shqyrtimit dhe miratimit të  ndryshimeve të propozuara në ligjin e komisioneve hetimore! Ligji garanton transparencën  e punës së komisioneve hetimore,  sikurse po shihet edhe me dy komisionet hetimore në veprim. Dyert e mbyllura nuk janë rregulli, por përjashtimi  i nevojshëm ligjor dhe kjo është pranuar edhe nga Kushtetuesja, përndryshe i bie indirekt të rrëzoje  edhe ligjin gjerman të komisioneve hetimore. Shkurt e qartë .. asgjë për t’u shënuar në këtë zheg vere nga një opozitë që e sheh shpëtimin edhe tek fija e kashtës", shkruan Felaj. 

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se SPAK do të bëjë drejtësi për 21 janarin?



×

Lajmi i fundit

CNN: Javët e fundit alarm për një komplot iranian për të vrarë Trump

CNN: Javët e fundit alarm për një komplot iranian për të vrarë Trump