Komisioni i PE-së i hap rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës që kanë pasaporta të Serbisë

Komisioni i PE-së i hap rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës që kanë pasaporta të Serbisë

Komisioni për Liri Qytetare dhe Punë të Brendshme i Parlamentit Evropian miratoi të martën raportin për liberalizimin e vizave për bartësit e pasaportave të Serbisë që jetojnë në territorin e Kosovës. Raporti, i përpiluar nga deputeti slloven, Matjazh Nemec, u miratua me 34 vota për, 7 kundër dhe 12 abstenime.

Votimi i sotëm është një hap drejt vendimit për heqjen e vizave për bartësit e pasaportave serbe. Këto pasaporta i lëshon Drejtoria Koordinuese në Beograd, e cila punon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Liberalizimi i vizave për qytetarët që posedojnë pasaporta biometrike të Kosovës, ka hyrë në fuqi më 1 janar të këtij viti.

Propozimin për t’ua hequr vizat edhe bartësve të pasaportave serbe në Kosovë, e ka dhënë Komisioni Evropian në nëntor të vitit të kaluar, duke argumentuar se me një vendim të tillë, të gjithë qytetarët e rajonit të Ballkanit Perëndimor do të përfshiheshin në procesin e liberalizimit të vizave.

Përveç qytetarëve të Kosovës që e siguruan lëvizjen e lirë këtë vit, qytetarët e vendeve të tjera të rajonit e kishin atë për më shumë se dhjetë vjet. Por, kur janë hequr vizat për shtetasit e Serbisë, është vendosur që liberalizimi të mos vlejë për ata që kanë pasaporta të Serbisë e që banojnë në territorin e Kosovës.

Qeveria e Kosovës e ka kritikuar dhe kundërshtuar propozimin për përfshirjen e tyre në liberalizimin e vizave, duke e cilësuar atë si “shkelje të integritetit territorial të Kosovës” dhe duke pohuar se të gjithë shtetasit e Kosovës, përfshirë edhe ata me përkatësi etnike serbe, mund të pajisen me pasaporta biometrike të Kosovës.

Për Qeverinë e Kosovës, problematik është edhe fakti se në pasaportat që i lëshon Drejtoria Koordinuese e Serbisë, vendbanimet në territorin e Kosovës shkruhen sikur të jenë në Serbi. Pas votimit të sotëm pritet që i njëjti raport të votohet edhe në seancë plenare nga i tërë Parlamenti Evropian, që do të zhvillohet prej 22 deri më 25 prill.

Kjo seancë plenare do të jetë edhe e fundit në këtë përbërje të Parlamentit Evropian, pasi nga data 6 deri më 9 qershor do të zhvillohen zgjedhjet e reja për Parlamentin Evropian në 27 vendet anëtare të BE-së. Raportuesi Nemec ka shprehur qëllimin që procedura për poseduesit e pasaportave serbe në Kosovë të kryhet gjatë këtij mandati të PE-së, në mënyrë që Këshilli Evropian ta formalizojë vendimin dhe ai të hyjë në fuqi./REL

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A mund të zhvillojë Shqipëria turizmin elitar?



×

Lajmi i fundit

'Ishte një çmenduri, nuk kuptova asgjë', Kristjan Asllani: Festova shumë se jam tifoz i Interit

'Ishte një çmenduri, nuk kuptova asgjë', Kristjan Asllani: Festova shumë se jam tifoz i Interit