Konferenca e donatorëve, Merkel: Në mars të ketë datë për negociatat! Rama merr 'bekimin' për anti-KÇK-në: Gati ligji special

BERLIN- Kryeministri Edi Rama ka takuar mesditën e kësaj të hëne kancelaren gjermane, Angela Merkel, në fokus të së cilës ka qenë konferenca e donatorëve për tërmetin, por edhe perspektiva europiane e Shqipërisë. Në konferencën e përbashkët, në përfundim të takimit, Merkel ka vlerësuar ecurinë e Shqipërisë në zbatimin e Reformave, duke thënë se në mars duhet të ketë një datë për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian. Përkundrejt akuzave politike, që e kanë cilësuar si "Ramaformë" apo "dështim", për kancelaren Reforma në Drejtësi ka realizuar pritshmërinë e saj, duke e cilsuar si të suksesshme.

"Dëshiroj të them në mënyrë të qarte se në lidhje me Reformën në Drejtësi janë arritur shumë gjëra dhe kjo reformë duhet të vazhdojë në mënyrë të tillë që të përmbyllet. Kjo reformë ka një rëndësi qendrore për të ardhmen e Shqipërisë.(...) Ne duam që këto shtete të përafrohen me BE-në dhe para se gjithash duam që në takimin e ardhshëm të Këshillit Europian në mars të arrijmë një dakordësi për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Të dyja vendet kanë suksese të konsiderueshme dhe këto janë regjistruar nga Këshilli Europian dhe ne do të punojmë fort që në mars të arrijmë rezultate", tha Merkel.

Fatura e dëmeve të tërmeti është përtej mundësive që ka Shqipëria për t'i përballuar të vetëm, tha kreu i qeverisë, rreth 1 mld euro, e për këtë arsye e vlerësoi ndihmën që Gjermania do të japë në këtë konferencë një ndihmë të madhe. 5 ditë më parë, Rama u takua edhe me ministrin e Jashtëm Di Maio, ku mori sigurinë e këtij të fundit se do të gjendet një zgjidhje për të përballuar faturën e lartë ekonomike të tërmetit të 26 nëntorit.

Konferenca e donatorëve do të zhvillohet me 15 shkurt në Berlin.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:53
Rama merr 'bekimin' e Merkelit kundër KÇK-së: Ligji special shumë shpejt do të futet në fuqi

Kryeministri Edi Rama në një video-mesazh nga Berlini pas takimit me Angela Merkel u shpreh se mori miratimin e kancelares për miratimin e ligjit special kundër krimit të organizuar dhe KÇK-së. "Ajo u shpreh shumë pozitivisht për ligjin special kundër krimit të organizuar dhe amendamentet speciale anti KCK që do të hyjnë në fuqi ditët e ardhshme pas konsultimeve përfundimtare me ekspertët ndërkombëtarë" tha Rama. Sa i përket konferencës së donatorëve, Rama tha se mori disa këshilla nga Merkel dhe që i garantoi mbështetje shtesë edhe pas 17 shkurtit. Mbështetjen për integrimin nga Gjermania, Rama e ritheksoi me shpresën për hapjen e negociatave në mars. Një tjetër pikë e rëndëishme e diskutimit, që kryeministri ngriti gjatë takimit ishte edhe njohja e patentave shqiptare në Gjermani, për të cilën në shkurt do të vijë në Tiranë një grup nga ministria e Infrastrukturës gjermane për të bërë vlerësimet përkastëse.

"Duke u kthyer nga Berlini, dua tju informoj se takimi me kancelaren ishte realisht pozitiv, jo sepse kjo fjalë duhet thënë në këtë rast por sepse qoftë në temën që ishte edhe shtysa ime kryesore për ti kërkuar kancelarë këtë takim, pra rindërtimin pas katastrofës së 26 nëntorit, qoftë në temën e integrimit europian, në funksion të çeljes së negociatave, që kancelarja e diskutoi gjerësisht me mua dhe qoftë në temën e saj të preferuar, bashkëpunimi dhe integrimi rajonal në kuadrin e përgjithshëm  të krijuar nga procesi i Berlinit, takimi ishte shumë domethënës. Atëherë pse? Së pari sepse lidhur me rindërtimin kancelarja u shpreh se gjermania do të marrë  patjetër përsipër pjesën që i takon, qoftë për konferencën e donatorëve e qoftë për më tutje sepse d imë fare mirë se konferenca do të ndihmojë por natyrisht që nuk do të përmbushë të tërë nevojën për të financuar rindërtimin pas kjo nuk është as objektivisht me thënë të drejtën e mundur por jo vetëm kaq. Kancelarja u informua për  të gjitha kontaktet e mia me vendet e tjera, më dha disa këshilla shumë të vlefshme dhe  u angazhua për të bërë dhe ajo të sajën që konferenca të jetë një sukses.

Nga ana tjetër, duke qenë një person shumë i dhënë madje mund të themi si askush që unë kam njohur, ndaj statistikave dhe shifrave, kancelarja mori çdo detaj mbi planin tonë të financimit të brendshëm të rindërtimit dhe dëgjoi me shumë vëmendje idetë që ne po përpunojmë gjatë kësaj periudhe, ,për ti lancuar si masa shtesë financimi pas konferencës së donatorëve kur do të kemi dhe një pasqyrë të qartë. U shpreh pozitive për këto ide dhe na dha disa sugjerime shumë të dobishme duke na ofruar edhe një ndihmë teknike për strukturimin e tyre. Së dyti, ,lidhur me integrimit europian, kancelarja jo vetëm e rikonfirmoi pozicionin e saj të fundvitit të shkuar por edhe më konfirmoi se Gjermania do të përpiqet për hapjen e negociatave në muajin mars gjë që e dëgjuat, e tha dhe në konferencën për shtyp, qoftë me Shqipërinë, qoftë me Maqedoninë e Veriut natyrisht.

Ajo shpjegoi qartë se kjo nuk është aspak e pamundur por njëkohësisht nuk mund të  konsiderohet as diçka e lehtë përderisa debati brendshëm për metodologjinë e re nuk ka përfunduar ende dhe njëkohësisht duhet punuar deri ditën e fundit për të mos ulur ritmin e punës me reformat dhe për të vazhduar të japim rezultate domethënëse. Për kancelaren reforma në drejtësi, vijimi i pastrimit të drejtësisë nga të korruptuarit përmes vettingut dhe së fundi edhe krijimi i SPAK-ut, janë rezultatet shumë kuptimplota që japin shpresë dhe siguri për të nesërmen e pushtetit gjyqësor në Shqipëri por po ashtu, ajo u shpreh shumë pozitivisht për ligjin special kundër krimit të organizuar dhe amendamentet speciale anti KÇK që do të hyjnë në fuqi në ditët e ardhshme, pas konsultimeve përfundimtare e ekspertët ndërkombëtarë.

Lidhur me temën e rajonit,  kancelarja e përsëriti qëndrimin e saj  në mbështetje të nismës sonë për shengenin rajonal dhe u interesua në detaje për ecurinë dhe për kundërshtitë ndaj kësaj nisme duke iu referuar hapave më të fundit mes Beogradit dhe Prishtinës për linjën ajrore dhe atë hekurudhore, ishim plotësisht të një mendje se të dyja këto rezultate duhet tu shërbejnë të gjithëve për të kuptuar se fryma e procesit të Berlinit dhe hedhja e hapave konkret në përkthimin e kësaj fryme në vendime të përbashkëta të të gjitha vendeve për lehtësimin e lirisë së lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve në rajonin tonë, janë rruga e vetme dhe e duhur drejt të ardhmes europiane e rritjes së mëtejshme të mirëqenies në të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor. Bashkimi Europian dhe Komisioni Europian  do ta mbështesin edhe konkretisht nga pikëpamja financiare këtë bashkëpunim rajonal çka e dëgjuam dhe nga presidenti i Këshillit Europian Charles Michel para vetëm tre ditëve në tiranë.

Dhe së fundi fare, duke qenë se shumë miq këtu në këtë faqe më kërkuan me insistim të ngre me kancelaren çështjen e njohjes së patentave të drejtimit të automjeteve në Gjermani, dua t’ju jap lajmin besoj të mirë që në shkurt vjen në tiranë  një ekip i ministrisë së Transporteve të Gjermanisë për të bërë një raport për Berlinin zyrtar lidhur m e pikërisht këtë proces dhe këtë kërkesë. Kjo është një kërkesë në fakt e kahershme dhe e ka bërë prej kohësh disa herë por duke qenë se mikun në Berlin e kemi imë të fortë se kurrë, unë kam besim që këtij halli të shqiptarëve në Gjermani po i vjen fundi. Ju përshëndes që të gjithëve nga Berlini para se të nisemi që të gjithë në Tiranë dhe kini besim që askush, asnjëherë nuk do të jetë vetëm me hallin e tij duke nisur nga ata ndër ne që kanë sot për sot hallin më të madh, atë të kthimit në shtëpi pas tërmetit" deklaroi Rama. 

Ora 16:10
Rama rrëfen detaje nga takimi me kancelaren: Ishte shumë e informuar, s'ka të dytë si Merkel

Kryeministri Edi Rama pas takimit me Angela Merkel sot në Berlin ka zbardhur detaje nga biseda me kancelaren. Kreu i qeverisë u shpreh se Merkel ishte mjaft mirë e informuar për shifrat e asaj që ka ndodhur në Shqipëri nga tërmeti tragjik, por edhe planin për rindërtimin. Fokusi, thotë kryeministri Rama ka qenë te konferenca e Donatorëve, por një pjesë të rëndësishme të bisedës e ka zënë edhe cështja e negociatave. "Gjermania është në mbështetje të plotë dhe pa asnjë luhatje për ta shtyrë këtë proces" tha Rama për TVSH-në.

1580137917_EdiRama.jpg
Prononcimi i plotë i kryeministrit Edi Rama
-Zoti Kryeministër, takimi me Kancelaren vjen në kuadër të një turi që po merrni në të gjitha kryeqytetet e rëndësishme europiane, për të siguruar mbështetje, jo vetëm për procesin e rindërtimit, por dhe një mbështetje për çeljen e negociatave. A mund të na thoni detaje të tjera nga takimi dhe çfarë biseduat me Kancelaren?
Kryeministri Edi Rama
: Këtë takim unë e kam realizuar me Kancelaren në funksion të rindërtimit. Natyrisht që Kancelarja ka dëshiruar që takimi të zgjerohet dhe me tema të tjera, por e rëndësishme është që në pjesën e parë ku jemi fokusuar tek rindërtimi, unë e kam gjetur Kancelaren shumë të informuar. Ajo është një person shumë i dhënë mbas statistikave dhe shifrave dhe nuk ka të dytë në këtë aspekt, me njohuri shumë të imta për gjithçka që ka ndodhur e gjithçka që duhet të ndodhë.E natyrisht, gjëja më e rëndësishme është që ajo ka rikonfirmuar angazhimin e saj personal dhe të Gjermanisë për të mbështetur procesin e rindërtimit, me konferencën e donatorëve, por jo vetëm, edhe më tutje me mekanizma të tjerë.

-A morët ju garanci nga Kancelarja në lidhje me bindjen e vendeve skeptike siç është Franca apo Holanda?
Kryeministri Edi Rama
: Natyrisht, kemi folur dhe për pjesën e procesit të integrimit dhe të çeljes së negociatave. Këtë herë Kancelarja ka qenë e qartë edhe publikisht, gjë që nuk e ka bërë herën e shkuar, në pritje të vendeve të tjera, dhe e ka konfirmuar dhe në takimin me mua që Gjermania është në mbështetje të plotë dhe pa asnjë luhatje për ta shtyrë këtë proces. Natyrisht që kemi diskutuar për aspektin kryesor të lidhur me procesin që është diskutimi i brendshëm i BE-së, metodologjia e re, propozimet, kundërpropozimet, ecuria e procesit dhe unë në anën time i kam thënë dhe Kancelares atë që e them dhe publikisht, që për ne, e rëndësishme është të bëjmë detyrat e shtëpisë, sepse i bëjmë për vete, nuk i bëjmë as për kancelaren, as për Gjermaninë, as për Francën, as për Holandën, por i bëjmë për të nesërmen e Shqipërisë. Kur ata të jenë të gjithë gati, ne do të hymë në një fazë të re. Përderisa ata të mos jenë gati, kjo nuk është diçka që ne mund të ndryshojmë, ne thjesht duhet të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë, njësoj sikur të kishim hapur negociatat.

-Zoti Kryeministër, si do të jetë e organizuar Konferenca e Donatorëve?
Kryeministri Edi Rama
: Është e organizuar nga Presidentja e re e Komisionit, janë të ftuara të gjitha vendet dhe do të shohim pastaj sa do të jetë pjesëmarrja e çfarë do të dali.

-Sa do të jetë pritshmëria juaj për donacionet?
Kryeministri Edi Rama
: Ne nuk kemi vendosur një pritshmëri të lartë. Ne ia kemi shpjeguar gjerësisht Kancelares të gjithë programin tonë në kuptimin e alternativave të financimit, kemi folur dhe për disa çështje që ne i kemi brenda nesh në diskutim dhe unë nuk mund t’i diskutoj publikisht, se si mund të shtohet volumi i financimit me disa masa që ne jemi të përgatitur të marrim. Gjithçka që do të vijë nga konferenca e donatorëve do të jetë pozitive. Nuk kemi vendosur, e thashë, një tavan pritshmërie dhe nuk presim natyrisht që konferenca e donatorëve të përmbushi të gjitha nevojat. Nevojat janë të mëdha, por jemi të përgatitur që t’i përballojmë të gjitha nevojat me disa hapa. Kështu që unë jam i qetë në këtë aspekt.

-Zoti Kryeministër, sa ka ndikuar reforma në drejtësi e ndërmarrë nga vendi ynë sa i takon përafrimit të çeljes së negociatave duke patur parasysh që dhe Kancelarja e cilësoi atë si një arritje pozitive për vendin?
Kryeministri Edi Rama
: Nëse flasim për Gjermaninë dhe për Kancelaren, reforma në drejtësi ka ndikuar gjerësisht dhe thellësisht, por nuk është njësoj për të gjitha vendet sepse e thashë që, ose më saktë, dihet që jo të gjitha vendet janë në të njëjtin pozicion dhe ka dhe ndonjë vend që nuk mjaftohet me reformën në drejtësi, por përpiqet të gjejë të tjera gjëra, ndërkohë që çështja nuk jemi ne. Çështja është diskutimi i brendshëm në BE për të ardhmen e BE-së dhe janë raportet mes tyre.

-Ju nesër keni një darkë pune me presidenten e Bashkimit Europian. Çfarë do diskutoni me të Kryeministër?
Kryeministri Edi Rama
: Atë ia lëmë intervistës tjetër pas darkës.
Faleminderit Kryeministër!​

Ora 13:27
Meta poston foton e Ramës në profilin e tij...dhe përshëndet Merkelin!

Presidenti Ilir Meta ka përshëndetur angazhimin e kancelares gjermane, Angela Merkel, për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por ajo që bie më shumë në sy është fakti se kreu i shtetit ka publikuar foto të kryeministrit Edi Rama. Meta ka zgjedhur për postimin e tij foton e shtrëngimit të duarve mes Merkelit dhe kryeministrit Rama gjatë vizitës së tij zyrtare në Berlin, që i paraprin Konferencës së Donatorëve në 17 shkurt në Bruksel për rindërtimin e shqipërisë pas tërmetit.

"Përshëndes angazhimin e përsëritur të Kancelares Angela Merkel për çeljen e negociatave të anëtarësimit ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Zbatimi i 9 kushteve të Bundestagut me rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme, janë harta më e sigurt e rrugës europiane të Shqipërisë!", shkruan Meta.

1580128677_postimimeta.jpg

Ora 13:06
Rama: Ndihma e Gjermanisë lehtësuese pas tërmetit, Komisioni i ri Evropian, ndihmë për ne dhe Rajonin (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama nga Berlini ku mbajti një konference për shtyp me kancelaren Angela Merkel, vlerësoi ndihmën e Gjermanisë në procesin e rindërtimit të Shqipërisë pas tërmetit të 26 nëntorit. Rama tha se Konferenca e Donatorëve, që pritet të mbahet më 17 shkurt në Bruksel, do të jetë ndihmë e madhe për vendin tonë, pasi bazuar në raportin e dëmeve, shuma për rindërtimin është "përtej mundësive tonë", siç Rama u shpreh.

"Jam shumë mirënjohës që ju gjetët kohën për këtë takim, ku kam ardhur enkas për të diskutuar në radhë të parë, për Konferencën e Donatorëve dhe nevojën e madhe që Shqipëria ka për të gjetur mbështetjen e të gjithë miqve dhe partnerëve në procesin e vështirë të rindërtimit, i cili, duke u bazuar në raportin e dëmeve, hartuar në bashkëpunim me Bashkimin Europian, Shtetet e Bashkuara dhe Bankën Botërore, përmban një shumë që është përtej të gjitha mundësive tona për ta përballuar të vetëm", tha Rama.

Në fokus të fjalës së tij, kreu i qeverisë vuri edhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ku tha se ka shumë shpresa për sinjale pozitive nga komisioni i ri evropian, për vetë politikën e që që po ndjek edhe në dimensionin gjeopolitik, përveçse atij teknik.

"Dua t’ju falënderoj me mirënjohje për solidaritetin e treguar që në sekondat e para dhe për interesimin tuaj, ashtu sikundër dhe për përfshirjen e të gjitha strukturave të ndihmës së parë edhe nga Gjermania, si dhe nga vendet e rajonit e më gjerë, një ndihmë që ka qenë jashtëzakonisht lehtësuese për popullin shqiptar. Po ashtu, më vjen shumë mirë që mund të diskutojmë edhe për perspektivën e integrimit europian të Shqipërisë, si dhe për bashkëpunimin rajonal ku roli i Gjermanisë dhe roli juaj personalisht ka qenë i jashtëzakonshëm në hapjen e një kapitulli të ri bashkëpunimi me Procesin e Berlinit, që ka nevojë për t’u çuar më tutje. Në fund dëshiroj edhe njëherë të shpreh të gjithë konsideratën për mënyrën se si ka nisur puna e Komisionit Europian dhe të them që është shumë e rëndësishme ajo që ju nënvizuat, një dimension më i qartë edhe gjeopolitik, përveçse dimensionit tradicional teknik të Komisionit. Do të jetë një ndihmë e madhe për ne dhe për të gjithë rajonin", u shpreh kryeministri.

Ora 13:01
Takimi me Ramën/ Merkel: Në mars të ketë një datë për çeljen e negociatave! Reforma në Drejtësi ka arritur shumë (VIDEO)

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka deklaruar se në takimin me kryeministrin Edi Rama është diskutuar edhe prespektiva europiane e Shqipërisë në BE, ku ta se po punohet fort që në mars të ketë një datë për hapjen e negociatave. Merkel ka vënë theksin se Reforma në Drejtësi ka realizuar pritshmërinë e saj.

"Jam e gëzuar sot që mund të flasim për marrëdhëniet dypalëshe në këtë takim. Gjithashtu do të kemi mundësi të kujtojmë dhe tërmetin e 26 nëntorit në Shqipëri. Shumë njerëz kanë humbur strehët e tyre. Mbi 50 viktima humbën jetën. Unë jam e gëzuar që Komisioni ka dërguar ftesat për një konferencë donatorësh dhe Gjermania do të marrë pjesë në këtë konferencë. Bashkëpunimi dhe gadishmëria në rajon për ndihmë ka qenë mbresëlënëse. Megjithatë, kjo ishte një goditje e rendë për Shqipërinë. Ne do të flasim për një seri të marrëdhënieve dypalëshe, për marrëdhëniet ekonomike dhe kursin e reformave të Shqipërisë.

Dëshiroj të them në mënyrë të qarte se në lidhje me Reformën në Drejtësi janë arritur shumë gjëra dhe kjo reformë duhet të vazhdojë në mënyrë të tillë që të përmbyllet. Kjo reformë ka një rëndësi qendrore për të ardhmen e Shqipërisë.

Për qeverinë federale gjermane dua të them që ne i përmbahemi qartësisht perspektivës së Shqipërisë dhe gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Ne duam që këto shtete të përafrohen me BE-në dhe para se gjithash duam që në takimin e ardhshëm të Këshillit Europian në mars të arrijmë një dakordësi për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Të dyja vendet kanë suksese të konsiderueshme dhe këto janë regjistruar nga Këshilli Europian dhe ne do të punojmë fort që në mars të arrijmë rezultate.

Unë besoj qe e ardhmja e këtyre dy vendeve është në Bashkimin Europian. Kjo është dhe në interesin tonë. Ai që e shikon mirë hartën dhe njeh kuadrin gjeopolitik e di që është mirë për të gjithë, sikur një ditë të jenë anëtarë të BE-së. Komisioni i ri Europian synon të jetë dhe një komision që synon të theksojë dhe dimensionin gjeopolitik dhe prandaj kjo i jep edhe më shumë shkas për ta çuar me vendosmëri përpara këtë proces", tha Merkel.

B.K.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Vezhguesi: 27/01/2020 17:10

    Vleresim per mbeshtetjen e Gjermanise dhe te kancelares Merkel... por nisur nga nje detaj jo i parendesishem ne mesazhin e saj diplomatik, pertej mesazheve te shprehura, znj.Merkel kishte veshur nje xhakete gri dhe kjo gje shpreh nje paqartesi apo pasiguri per qendrimin e saj sidomos kur i kerkohen para per ceshtje te cilat secili vend duhet ti zgjidh vete se pari.. dhe duhet te mendoj gjithmone per siktuata te tilla emergjente...

    Përgjigju
    • ppa: 27/01/2020 19:31

      dmth Merkel qe mund te bej 3-4 takine ne dite,duhet te ndryshoje veshjen ...?

  • Persol: 27/01/2020 12:01

    Ara qe jane lider, Merkel shkon e i takon vete... cerrat i therret ne zyre

    Përgjigju
    • ppa: 27/01/2020 19:32

      Pse ti mendon se nuk je cerr...pavaresisht se je anonim ?

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

FOTO/ Hapet gropë në mes të aksit rrugor Lezhë-Milot

FOTO/ Hapet gropë në mes të aksit rrugor Lezhë-Milot