Koronavirusi, 610 viktima në Itali! 90 mijë vdekje në botë. 2000 viktima në një ditë në SHBA.

Infeksionet nga koronavirusi kanë tejkaluar shifrën 1.5 milion në të gjithë botën dhe kanë vranë rreth 90,000 njerëz.

Në SHBA rastet pozitive me Covid-19 arritën në mbi 432 mijë 424.945 dhe vdekjet u rritën në 14.800.

Për të dytën ditë radhazi, viktimat nga infeksioni i koronavirusit në Shtetet e Bashkuara janë pothuajse 2,000 në 24 orë, saktësisht 1,973.

SHBA, Trump: makthi do të përfundojë së shpejti

Presidenti amerikan Donald Trump në konferencën e përditshme për shtyp tha se "makthi do të përfundojë shpejt" dhe se kjo situatë “i ka bërë amerikanët më të fortë”.

Ai tha gjithashtu se pasi të nis rënia e kurbës së koronavirusit, ai do filloj hapjen e Amerikës përmes disa fazave ose sipas zonave. Gjithsesi - tha Trump – për çdo vendim do konsultohet me ekspertët.

Pastaj presidenti amerikan i’u rikthye polemikës me Organizatën Botërore të Shëndetit.

"OBSH duhet të bëjë punoj më mirë. Ajo bëri gabim që minimizoi kërcënimin nga koronavirusi".

Trump më pas kujtoi se Shtetet e Bashkuara kontribuojnë te Organizata me 452 milion dollarë përkundër 42 milionëve të alokuara nga Kina.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:01
Akademia Kombëtare e Shkencave në SHBA: Koronavirusi nuk do të zvogëlohet me ngrohjen e motit

1586466202_parkcorona.PNG

Një panel i mbledhur nga Akademia Kombëtare e Shkencave raportoi për Shtëpinë e Bardhë se koronavirusi nuk ka gjasa të zbehet në mënyrë të konsiderueshme me ardhjen e verës, megjithëse ka shumë paqartësi.

Këto gjetje janë në përputhje me studimet e mëparshme që ofrojnë hipoteza në lidhje me mënyrën se si virusi mund të sillet në kushte më të ngrohta dhe më të lagështa dhe është një përpjekje për të ndihmuar në mbledhjen e provave për dhe kundër zvogëlimit të transmetueshmërisë së virusit gjatë motit të ngrohtë.

Në raport, shkencëtarët shqyrtojnë hulumtimet e fundit mbi koronavirusin, temperaturën dhe lagështinë, përfshirë ato që kanë gjetur, ku sëmundja transmetohet me ritme më të ngadalta në zona më të ngrohta, por paralajmëron se këto rezultate duhet të merren me kujdes.

Kjo vjen për shkak se secila prej këtyre studimeve mund të vuajë nga boshllëqe në cilësinë e të dhënave, afate kohore të kufizuara dhe fakti që virusi është përhapur kryesisht në rajone të buta gjatë muajve të dimrit, gjë që mund të jetë një rastësi më shumë sesa një faktor shpjegues.

Ora 22:30
Virologu i njohur italian jep lajmin e mirë: 'Armëpushim' në verë, më pas shkenca do ta mposhtë COVID-19

1586464390_virologusilvestri.jpeg

Në një intervistë për “Il Messaggero”, virologu i njohur italian Guido Silvestri është shprehur se do të ketë një armëpushim në verë dhe më pas shkencëtarët do ta mposhtin COVID-19.

“Sars-CoV-2 është një virus, nuk është një entitet i mbinatyrshëm apo një kalorës i Apokalipsit. Dhe në mesin e viruseve nuk është as në listën e më të këqijve, ne do ta mposhtim atë. Duhet të presim një ‘armëpushim’ në agresivitetin e ngjitjes gjatë sezonit të verës, por përgjigja e vërtetë vendimtare nuk do të vijë nga klima, por nga shkenca që kurrë në histori nuk ka pasur një vendosmëri dhe bashkëpunim kaq të madh”, është shprehur Silvestri.

Virologu 58-vjeçar punon në Departamentin e Patologjive në “Emory University di Atlanta” dhe është drejtor i departamentit të Mikrobiologjisë dhe Imunologjisë në” Yerkes National Primate Research Center” dhe anëtar i “Emory Vaçine Center”.

Sipas tij përparimi i shkencës kërkon kohë, duke përmendur se jemi në vitin 2020 dhe jo në 1918 të gripit spanjoll dhe as në 1348-ën e vdekjes së zezë.

“Kemi në dispozicion një armatë të vërtetë shkencore dhe teknologjie kundër këtij virusi. Do të duhet kohë për diskutim, por shumë më pak se në çdo epokë tjetër të historisë. Ky virus nuk është i aftë të fshihet në ADN-në tonë siç bën HIV dhe as nuk është i aftë të ndryshojë me shpejtësi për të shmangur reagimin tonë imunitar”, thotë ai.

Por cilat armë po përgatit shkenca për të mposhtur armikun?

 “Ne jemi duke zhvilluar dhe eksperimentuar ilaçe të afta për të penguar përsëritjen e virusit dhe ilaçe të afta për të zvogëluar efektet anësore të reaksionit inflamator. Jemi duke testuar edhe një seri vaksinash të reja të cilat do të jenë së shpejti në fazën klinike. Në të njëjtën kohë, ne po mësojmë më mirë se si të trajtojmë pacientët dhe si të menaxhojmë shpërthimet epidemike, falë përpjekjeve të kolegëve tanë në kujdesin intensiv dhe epidemiologjik”, thotë Silvestri.

Sipas tij, krahas punës së mjekëve, ardhja e sezonit të ngrohtë do të luajë gjithashtu rolin e tij.

Sipas tij me stinën e ngrohtë, COVID-19 bëhet më pak ngjitës dhe më pak vdekjeprurës në vendet më të ngrohta si Afrika, vendet e Gjirit, Amerika Qendrore dhe Karaibet.

Ora 18:08
Covid-19, në Itali regjistrohen 610 viktima, 1979 të shëruar dhe 4204 raste të reja infeksioni

Sipas autoriteteve të Mbrojtjes Civile Italiane gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 610 viktima nga koronavirusi, 68 më shumë se një ditë më parë, ndërsa dje ishin 542 të vdekur për një total prej 182 79 viktimash që nga fillimi i epidemisë. 

Është rritur edhe numri i të shëruarve, 1979 në 24 orët e fundit, duke e çuar totalin në 18 279

Numri i të infektuar në 24 orët e fundit është 4204 për një total prej 143 626 të prekurish që nga fillimi i epidemisë

Por edhe pse nëse indeksi R0 që tregon shkallën e infektimi, në Itali është afër 1, që do të thotë se një person infekton vetëm një tjetër dhe jo 3 apo 4 siç ishte javën që shkoi, virusi është akoma i pranishëm. Mënyra e vetme për ta mbajtur atë në gji është përmes vaksinës ose terapisë antihirale ad hoc. Autoritetet thonë se “edhe pasi të kemi vaksinën, prodhimi i saj në dozat e duhura për ta shpërndarë në të gjithë botën do të marrë kohë, të paktën 18 muaj”.

Ora 17:08
Covid-19/A e parandalon klorokuina koronavirusin? Maxi eksperimenti mbi 40 mijë mjekë dhe infermierë

A e parandalon klorokuina koronavirusin? Për t'iu përgjigjur pyetjes, Universiteti i Oksfordit është gati të fillojë një maksi eksperiment me 40,000 pjesëmarrës në Azi, Europë dhe Afrikë. Testi nuk do të përpiqet t'i përgjigjet vetëm pyetjes nëse klorokuina trajton Covid-19. Qëllimi i saj është gjithashtu të kuptojë nëse ka efekt profilaksie, që do të thonë nëse ilaçi merret para ekspozimit ndaj koronavirusit, a mundet që ne të jemi të garantuar se nuk do të infektohemi.

Vullnetarët që do t'i nënshtrohen testit nuk do zgjidhen rastësisht: ata janë personel i kujdesit shëndetësor që janë në kontakt të ngushtë me pacientët infektues.

Tashmë në disa reparte të kujdesit intensive në Itali ku trajtohet pacientët me Covid-19, klorokuina merret nga mjekët dhe infermierët me shpresën se do të parandalojë infekstimin e tyre.

Rezultatet e mega-testit nuk do të jenë të menjëhershme. Bëhet fjalë për një vit, sipas të gjitha gjasave në pranverën e vitit 2021.

Eksperimentimi i Oksfordit ka atë që duhet për të na dhënë një përgjigje përfundimtare ose pothuajse përfundimtare mbi efektivitetin e këtij ilaçi i cili - edhe për shkak të Donald Trump dhe Bolsonaro, përfundoi në faqet e para të mediave dhe ndezi një garë të shfrenuar se kush e kush do grumbullonte sasira të mëdha.

Stoqet e ilaçit anti-malarie të përdorura edhe kundër koronavirusit SARS ndërkohë janë duke u rralluar.

Ora 16:51
Koronavirusi-Itali, drejt shtyrjes së afatit të kufizimeve me pak përjashtime. Conte: Shëndeti në rradhë të parë

Kryeministri Italian Giuseppe Conte, pas një video konference me përfaqësuesit e sindikatave në vend me të cilët diskutoi për hapat e mëtejshmë lidhur me kufizimet social ekonomike që skadojnë më 13 prill, tha se "Së pari duhet të sigurojmë Lombardinë dhe të gjitha spitalet e Lombardisë, dhe më pas do të mendojmë për fazën 2."

Deklarat e kryeministrit Italian vjen vetëm një ditë pasi sindikatat në Lombardi, Piemonte, Emilia-Romagna dhe Veneto, kërkuan rihapjen e aktiviteteve prodhuese.

Conte tha se me shumë mundësi masat e izolimit në shtëpi do të zgjaten deri të paktën më 2 maj.

Komiteti tekniko shkencor pranë qeverisë në Itali ka kërkuar më shumë maturi në ndërmarrjen e masave çliruese pasi lufta me Covid-19 nuk ka mbaruar dhe se edhe pse numrat tregojnë rënie të kurbës së pandemisë, koronavirusi do të jenë në qarkullim për një kohë të gjatë.

Qeveria ndërkohë mendon se brenda muajit prill mund të rinisin punën disa aktivitete që lidhen me zinxhirin e furnizimit agroushqimor, shëndetësor dhe farmaceutik, duke respektuar gjithmonë masat e distancimit shoqëror.

Sipas autoriteteve të Mbrojtjes Civile Italiane gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 542 viktima, 62 më pak se një ditë më parë, për një total prej 1766 viktimash që nga fillimi i epidemisë. Eshtë rritur me shifra rekord edhe numri i të shëruarve, 2099 në 24 orët e fundit, duke e çuar totalin në mbi 26 mijë. 

Autoritetet e shëndetësisë në vend thonë se edhe nëse shifrat do vazhdojnë të bien shpejt, koronavirusi do mbetet mes popullatës dhe se duhet të zbatohen me rigorozitet masat e distancimit shoqëror sepse çdo relaksim mund të nënkuptojë një rifillim të qarkullimit të koronavirusit.

Ora 16:33
Koronavirusi, 793 viktima në Suedi, mbyllen shumica e bareve dhe restoranteve

Kryeministri suedez më në fund ka nxjerrë urdhërin për mbylljen e restoranteve, kafeneve dhe bareve në përpjrkje për te frenuar epideminë nga koronavirusi.

Stefan Löfven tha se “Ne kemi thënë që nuk jemi kundër asnjë mase dhe do shohim nëse masat e reja do japin rezultat. Sigurisht që këto masa mund të kenë ndikim por nuk do të jenë thelbësore në luften kundër Covid-19”

Autoriteti i shëndetit publik ka rekomanduar që komunat dhe Bashkitë të fillojnë të kontrollojnë nëse rregullat e reja janë vënë në praktikë, duke sqaruar gjithashtu se disa bare dhe restorante do jenë ende të hapura por në to janë të detyrueshme distance sociale si dhe nuk do lejohet të shërbehet në banak.

Vendi, me pak më shumë se 10.3 milion banorë, deri tani kishte qenë në një lloj qetësie të rreme epidemike dhe qeveria kishte vendosur të mos merrte masa izoluese në përpjekje për të frenuar koronavirusin. Deri sot Suedia kishte mbyllur vetëm disa cikle shkollorë dhe nuk lejontetubimet me më shumë se 50 pjesëmarrës.

Sipas autoriteteve në vend numërohen mbi 9000 raste infeksioni dhe 793 viktima

Ora 14:08
Covid-19/SHBA, kufomat e koronavirusit stivosen në kamionët frigoriferikë

Në mediat e huaja po qarkullojnë disa fotografi dramatike të cilat tregojnë se si viktimat në SHBA stivosen në kamionat frigoriferikë pasi në morgun e New Yorku-ut nuk ka më vende.

Guvernatori ka paralajmëruar se ata mund të varrosen përkohësisht në parqet e qytetit derisa situata të qetësohet.

Shteti i Nju Jorkut, i konsideruar si epiqendra e krizës së koronavirusit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës regjistroi ka disa ditë që po regjistron shifra në rritje.

Në spitale situata është më shumë se dramatike pasi pavionet e kujdesit intensiv janë të tejmbushur me pacientë në gjendje të rënduar shëndetësore.

 Numri i të infektuarve në Nju Jorku ka arritur në rreth 150 mijë, por autoritetet mendojnë se kjo shifër mund të jetë më e lartë nëse përfshihen këtu dhe asimptomatikët.

Guvernatori Cuomo deklaroi së në shtetin e Nju Jorkut, në ditën e fundit u raportuan 779 viktima ndërsa në Nju Xhersi u raportuan 275 të tjerë.

Për të dytën ditë radhazi, viktimat nga infeksioni i koronavirusit në Shtetet e Bashkuara janë pothuajse 2,000 në 24 orë, saktësisht 1,973.

Ora 13:29
Koronavirusi- Francë, mjekët dhe infermierët kërcënohen nga fqinjët e frikësuar nga infeksioni

Policia franceze është vënë në alarm pas disa dëshmive të mjekëve, infermierëve dhe zjarrfikësve të cilët janë kërcënuar me anë të mesazheve anonime nga fqinjë të tmerruar nga frika e infeksionit nga Covid-19.

Në Twitter, policia kombëtare franceze iu ka kujtuar qytetarëve se këto lloj mesazhesh janë krim që dënohet me 6 muaj byrg apo me gjobë deri 7500 euro.

Policia gjithashtu ftoi viktimat të paraqisnin ankesat e tyre të shoqëruara me fletëpalosjet frikësuese për ti futur në dosjet e hetimit që do përdoren nga policia shkencore.

Një infermiere rrëfeu për policinë se ajo ishte e detyruar të linte banesën e saj për shkak të ngacmimit të qiradhënësit të saj, i cili kishte frikë se ajo ishte infektuar me koronavirus.

Në një intervistë për gazetën e qytetit të Montpellie, infermierja shpjegoi se pronarët i prisnin asaj furnizimin me ujë dhe energjinë elektrike si dhe bënin zhurmë për ta detyruar atë të largohej nga shtëpia.

Edhe disa zjarrfikës nga departamenti i qytetit të Montpellie deklaruan se kishin marrë kërcënime, përmes mesazheve të lëna në letër në xhamat e maknave. Raste të ngjashme ka patur në qytetin baske të Eure, në Toulouse, në Saone dhe Loire.

Një infermiere që punon në një spital në periferi të Parisit, tha se  "Ne jemi duke rrezikuar jetën tonë për t'u kujdesur për të tjerët dhe trajtohemi si të ishim lebroz, kjo nuk është e tolerueshme".

Tridhjetë vjeçarja, e cila në punë mban maskë, doreza, syze dhe të tjera mjete mbrojtëse dhe i ka duart e saj të gërryera nga larja e vazhdueshme me sapun dhe xhel hidroalkoolik, tha se "Me siguri ata persona që na ërcënojnë marrin më pak masa paraprake higjenike dhe mbrojtëse sesa unë."

Negete Bensaïd, infermiere në Paris thotë se "Njerëzit që më njohin kur i ndesh në rrugë, më largohen me shpejtësi. Edhe unë kam marrë disa mesazhe kërcënuese nga fqinjët”.

Në Paris shumë mjekë dhe infermierë janë të detyruar të heqin nga qafa kartën që i identifikon si profesionistë të shëndetit  apo të mos i mbajnë ato të varura në pasqyrën e brendshme të makinës në mënyrë që të shmangin veprimet agresive të personave të ndryshëm

Ora 13:06
Koronavirusi, në Itali rritet në 100 numri i mjekëve dhe infermierëve të vdekur nga infeksioni i Covid-19

Numri i mjekëve që kanë humbur jetën në Itali nga infeksioni i koronavirusit është rritur në 100.

Sipas Federatës Kombëtare të Urdhrave Mjekësorë (Fnomceo), në 24 orët e fundit kanë vdekur 4 prej tyre, Samar Sinjab, një mjek nga Mira, në provincën e Venecias, 62 vjeç dhe tre të tjerë, Marzio Zennaro, Tahsin Khrisat dhe Mario Rossi.

Mjekëve viktima iu bashkohen edhe 26 infermierë dhe pesë ndihmës infermierë, më i riu 36 vjeç, i cili vdiq ditët e fundit pasi kontraktoi koronavirusi në repartet e kujdesit intensiv.

Në Itali, sipas autoriteteve të Mbrojtjes Civile Italiane gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 542 viktima, 62 më pak se një ditë më parë ndërsa dje ishin 604 të vdekur, për një total prej 1766 viktimash që nga fillimi i epidemisë.                   

Gjithashtu është rritur me shifra rekord edhe numri i të shëruarve, 2099 në 24 orët e fundit, duke e çuar totalin në mbi 26 mijë.

Numri i të infektuar në 24 orët e fundit është 3836 për një total prej 139 442 të prekurish që nga fillimi i epidemisë

Autoritetet e shëndetësisë në vend thonë se edhe nëse shifrat do vazhdojnë të bien shpejt, koronavirusi do mbetet mes popullatës dhe se duhet të zbatohen me rigorozitet masat e distancimit shoqëror sepse çdo relaksim mund të nënkuptojë një rifillim të qarkullimit të koronavirusit.

Ora 11:51
Koronavirusi, Europa si Italia në pritje të Fazës 2. Në shumë vende mbajtja e maskës e detyrueshme

Dhe ndërsa numrat e epidemisë po stabilizohen dhe tregojnë se kurba e vdekjeve dhe infeksioneve ka marrë rrugën e shumëpritur, Italia po planifikon të kthehet në normalitet

Por edhe pse nëse indeksi R0 që tregon shkallën e infektimi, është afër 1, që do të thotë se një person infekton vetëm një tjetër dhe jo 3 apo 4 siç ishte javën që shkoi, virusi është akoma i pranishëm. Mënyra e vetme për ta mbajtur atë në gji është përmes vaksinës ose terapisë antihirale ad hoc. Por edhe pasi të kemi vaksinën, prodhimi i saj në dozat e duhura për ta shpërndarë në të gjithë botën do të marrë kohë, të paktën 18 muaj.

Një periudhë e bashkëjetesës së detyruar me koronavirusin, ndikon tek njerëzit dhe masat e sigurisë, siç është distanca sociale apo ndalimi i tubimeve, do të duhet të respektohen për një kohë të gjatë. Disa aktivitete siç janë restorantet do të duhet të riprojektojnë ambientet e tyre dhe logjistikën, për të mos përmendur kinematë, teatrot apo ekspozitat. Rradhët e gjata do të bëhen pjesë e një modusi viventi të ri të jetës së përditshme. Qendrat e estetikës do të duhet të kenë leje të veçantë ose të respektojnë rregulla të rrepta të higjienës, si dhe fizioterapistët apo dhe mjekë e specialistë. Aty ku është e mundur, do të inkurajohet puna inteligjente në distancë.

Në Europë ndërkohë disa shtete kërkojnë ende kohë për zbutjen e masave kurse të tjerë po përcaktojnë rregulla dhe afate kohorë.

Në Francë, ku është tejkaluar pragu i 10,000 vdekjeve nga Covid-19, piku ende nuk është arritur dhe përfundimi i izolimit nuk është ende një opsion në tryezën e diskutimeve por qeveria po projekton urdhërin që detyron qytetarët të mbajnë maska në vendet publike.

Në Republikën Çeke, parlamentarët me fytyrë të mbuluar nga maskat votuan për zgjatjen e masave kufizuese deri në 30 Prill.

Në vendet e tjera ku fundi i tunelit duket më i afërt, si në Danimarkë ashtu edhe në Norvegji qeveritë po përpilojnë masat e reja çliruese, mes të tjerave edhe rihapjen e shkollave më 20 prill.

Britania nuk ka projektuar asnjë plan për zbutjen e kufizimeve pasi ende në vend piku i pandemisë do vijë pas ndoshta dhjetë ditësh, dhe mesa duket muaji maj ndoshta do çlirojë sadopak

Greqia gjithashtu imagjinon që Faza 2 mund të nis në maj për sa kohë që masat kufizuese do respektohen deri në atë moment. Si edhe në shumë vende të tjera europiane edhe këtu mbajtja e një maske apo shalli do të jetë e detyrueshme.

Përkundrazi, është e sigurt që Faza 2 do të jetë shumë e vështirë për disa linja ajrore

Ora 11:13
Koronavirusi, 812 viktima nga infeksioni në Turqi

Koronavirusi vijon të përhapet me ritme të shpejta thuajse në të gjithë vendet e botës, duke shkaktuar pasoja të rënda në njerëz dhe ekonomi.

Një ndër vendet e prekura është dhe Turqia, e cila në 24 orët e fundit numëron 87 viktima. Ndërkohë, në total numri i atyre që kanë humbur jetën nga infeksioni është 812, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara me COVID-19 është rritur në 38.226.

Deri më tani, gjithsej 1.846 pacientë janë shëruar plotësisht nga sëmundja, ndërsa rreth 1.592 të tjerë po mbahen nën kujdes intensiv.

Pas shfaqjes dhjetorin e kaluar në qytetin Wuhan të Kinës, virusi është përhapur në mbarë globin, duke shkaktuar mbi 85 mijë të vdekur, ndërsa mbi 308 mijë janë shëruar deri më tani.

Ora 10:06
Covid-19 - ‘Viktima ideale e pandemisë’, Greqia me vetëm 83 viktima. Pse?

Në Greqi, numri i përgjithshëm i rasteve të identifikuar me Covid-19 është 1884 kurse numri i vdekjeve nga infeksioni është 83.

Në letër, në fund të muajit shkurt, Greqia u paraqit si viktima ideale e pandemisë: sistemi i saj shëndetësor është i gjymtuar nga një dekadë e shkurtimeve buxhetore kurse zakonet sociale në të frekuentuarin gjatë të bareve dhe me ahumë kontakte me turistët e huaj ishin mjedisi ideal për përhapjen e koronavirusit.

Rezultati dukej të ishte një shkallë e pashmangshme e lartë e infeksioneve e cila do çonte në permbytje të sistemit shëndetësor dhe mashmangshmërisht një vdekshmëri tragjike shumë e lartë. Në vend të kësaj, midis vendeve të prekura, Greqia duket se është një nga ato që ka reaguar më së miri. Pse? Ndoshta ajo ka meritën se ka kopjuar Italinë aty ku duhet.

Ditët e çmuara të avantazhit

Rasti i parë i Covid-19 në republikën helene doli më 27 shkurt, gjashtë ditë pas rastit të parë në Itali. Por në vend që të priste viktimat e para, Athina miratoi një përgjigje "italiane" me mbylljen e shkollave dhe ndalimin e grumbullimeve publike. Një reagim që parashikonte edhe distancimin shoqëror ndërkohë që në shumicën e vendeve të tjera kjo ndodhi një apo dy javë pas shfaqes së rasteve dhe viktimave të para.

Një studiues me origjinë greke i Kolegjit Mbretëror në Londër, Filippos Filippidis, dha këtë shpjegim.

"Greqia ishte, në një farë kuptimi, me fat rasti i parë i saj pozitiv u shfaq teksa në Itali kishte nisur drama dhe Athina zyrtare reagoi shpejt dhe në mënyrë efektive më shumë se shumica e vendeve europiane. Merita i takon edhe popullit grek që respektoi rregullat e imponuara nga qeveria.

Ora 08:57
Coronabondi, Conte ashpërson tonet: Do të na duhet të heqim dorë nga Europa dhe t'i bëjmë llogaritë tona vetë (VIDEO)

"Gjermania nuk ka ndonjë të mirë nëse Europa zhytet në recesion. Ne duhet të zhvillojmë instrumentet e nevojshme fiskal. Ne nuk presim që Gjermania dhe Hollanda të paguajnë borxhet tona. Por rregullat e politikës fiskale duhet të lihen mënjanë, përndryshe ne do të duhet të heqim dorë nga Europa dhe ti bëjmë llogaritë tona vetë".

Kështu u shpreh në lidhje me çështjen e eurobondit kryeministri italian Giuseppe Conte për gazetën gjermane Bild.

Për kryeministrin italian Conte, eurobondi është i nevojshëm sepse vendet europiane kanë nevojë për të përmirësuar mekanizmat ekzistuese finaciar dhe ekonomik.

"Unë - Conte vazhdoj - nuk kam pse t'i bind gjermanët, gjermanët duhet të binden vetë. Në fund nuk mund të themi: Operacioni ishte i suksesshëm, por pacienti vdiq.

Conte siguroi që llogaritë publike italiane janë në rregull dhe se, për emergjencën nga koronavirusi, SHBA dhe Kina kanë ndarë 13% të PBB-së së tyre.Për kryeministrin italian, Europa nuk mund të shoh vetëm vizionin ekonomik por edhe dinjitetin njerëzor dhe parimet e baballarëve të Europës si Schumann, Adenauer dhe De Gasperi.

Conte tha se "Në rast dështimi, zhgënjimi nuk është vetëm i tij si Giuseppe Conte por zhgënjimi është i të gjithë europianëve, madje edhe i qytetarëve gjermanë".

"Askujt nuk i bëhet mirë nëse Europa nuk reagon fort. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Italinë - sqaroi Kryeministri - Ne kurrë nuk kemi përjetuar një situatë emergjente të këtij lloji. Janë qytetarët europianë që presin zgjidhje europiane.

Ndërkaq e përjavshmja gazeta e mirënjohur Spiegel, permes një shkrimi të titulluar "Refuzimi i eurobondit nga Gjermania është qëndrim josolidar dhe frikacak",  ka dalë kundër qëndrimit të kancelares Merkel në lidhje e eurobondin. Në shkrim thuhet se mbase është koha të kujtojmë se si u rindërtua gjermania e pasluftës dhe me çfarë fondesh.

Sipas Spiegel, obligacionet e përbashkëta "nuk janë një dhuratë bujare" nga Fronti i Veriut por se Italia dhe Spanja po përjetojnë tragjedi njerëzore dhe mjekësorë dhe se e meritojnë të ndihmohen gjithashtu edhe për faktin se kohët e fundit të dyja këto vende kanë zbatuar politika të forta shtrënguese  financiare përtej mundësive të tyre.

Ora 08:41
Koronavirusi, rreth 1000 viktima në 24 orët e fundit në Britaninë e Madhe

Me rreth 1000 vdekje në 24 orët e fundit, një rekord i ri kombëtar në Britaninë e Madhe, numri i atyre që kanë humbur jetën nga infeksioni i koronavirusit është rritur në mbi 7000 teksa në vend numërohen rreth 62 mijë raste pozitiv nga Covid-19.

Me këto shifra në rritje pritet që në dhjetë ditët e ardhshme Britania e Madhe do përjetojmë pikun e pandemisë.

Qeveria britanike nuk ka përgatitur asnjë masë për të lehtësuar bllokimin në javët që do vijnë teksa perspektiva duket e zymtë dhe lehtësimet mund të shpallen në muajin maj.

Ndërkohë kryeministri Boris Johnson ka kaluar në spital natën e tretë në kujdesin intensiv. Për momentin-thonë autoritetet- gjendja e tij mbetet e qëndrueshme.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Moti i keq, mbetjet plastike ‘pushtojnë’ bregdetin e Durrësit!

Moti i keq, mbetjet plastike ‘pushtojnë’ bregdetin e Durrësit!