Koronavirusi/ Inteligjenca Mjekësore amerikane kishte paralajmëruar për 'sëmundjen ngjitëse' që po përfshinte Wuhanin

Koronavirusi/ Inteligjenca Mjekësore amerikane kishte paralajmëruar për 'sëmundjen ngjitëse' që po përfshinte Wuhanin

Në Shtetet e Bashkuara, numri i të vdekurve nga koronavirusi ka shkuar në 14,817, ndërkohë që janë 432 mijë e 132 raste të konfirmuara me sëmundjen. Qyteti i Nju Jorkut e kaluar shifrën e 4,000 të vdekurve. Sipas zyrtarëve, edhe pse në Nju Jork numri i të vdekurve arriti një nivel të ri të lartë, numri i të shtruarve në spitalet e këtij shteti duket se nuk po shënon rritje të mëtejshme.

Ndërkohë, sipas njoftimeve të medias në SHBA, në fund të nëntorit 2019, zyrtarët e inteligjencës amerikane kishin paralajmëruar se një sëmundje ngjitëse po përfshinte zonën e Wuhanit në Kinë, duke sjellë ndryshime në disa aspekte të jetesës dhe biznesit të atjeshëm dhe dhe që paraqisnin kërcënim për popullsinë. Njoftimet i referohen disa burimeve të informuara rreth këtyre raporteve sekrete.

Shqetësimet për atë që tani njihet si pandemia e koronavirusit të ri parashtroheshin në një raport të muajit nëntor nga Qendra Kombëtare e ushtrisë për Inteligjencën Mjekësore (NCMI), sipas dy zyrtarëve që kanë dijeni për këtë dokument. Raporti ishte rezultat i analizës së interceptimeve kompjuterike, të shoqëruara me imazhe satelitore dhe shkaktoi alarm sepse një sëmundje që mund të dilte jashtë kontrollit do të përbënte një kërcënim serioz për forcat amerikane në Azi.

"Analistët arritën në përfundimin se kjo mund të ishte një ngjarje kataklizmike," tha një prej burimeve duke iu referuar raportit të NCMI. Më pas, për këtë çështje u informuan shumë herë Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes, Shtabi i Përbashkët në Pentagon dhe Shtëpia e Bardhë.

PRESIDENTI DHE RAPORTET PËR KORONAVIRUSIN

Gjatë konferencës për shtyp të Task Forcës së Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin të martën mbrëma, Presidenti Donald Trump pranoi se ishte informuar vetëm rishtazi për paralajmërimet e bëra në fillim të këtij viti nga njëri prej këshilltarëve të tij të lartë, Peter Navarro, për efektet e mundshme të pandemisë.

Presidenti mohoi ta kishte lexuar memorandumin e zotit Navarro në momentin kur ai e kishte paraqitur gjatë muajit janar, megjithatë doli në mbrojtje të përpjekjeve të tij për të përballuar dëmet nga pandemia e koronavirusit.

"Nuk mund ta kisha bërë më mirë", u shpreh ai.

Presidenti Trump u tha gazetarëve se ai dëshiron të tregohet pozitiv. "Nuk dua të shkaktoj panik dhe tronditje", u shpreh ai. Presidenti shtoi se veprimet e tij në përgjigje të pandemisë ishin hapat më praktike të mundshme. Ai akuzoi Organizatën Botërore të Shëndetësisë se ka qenë tepër e fokusuar te Kina dhe se nxorri këshilla të gabuara gjatë shpërthimit të epidemisë. Ai shtoi se do ta pezullonte kontributin financiar të SHBA për këtë organizatë.

TRUMP: FONDE SHTESË PËR PAGAT

Presidenti Trump informoi se Kongresit do t'i kërkohen fonde të tjera shtesë prej 250 miliardë dollarësh dhe se këto fonde do të shkojnë drejtpërsëdrejti për rrogat e të punësuarve.

Ai shtoi se kishte biseduar me drejtuesit e bankave kryesore, si Goldman Sachs, Bank of America, Citigroup etj., për një program që do të synojë garantimin e pagave.

Shtëpia e Bardhë u bëri sërish thirrje amerikanëve të ruajnë distancimin social deri në fund të muajit prill, për të ndihmuar në mbajtjen nën kontroll të pandemisë.

Seanca e djeshme informuese u zhvillua pasi u njoftua largimi i Sekretares së Shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham, ndërkohë që mediat patën njoftuar edhe shkarkimin e Glenn Fine, i cili drejton panelin federal që mibkqyr menaxhimin e paketës së ndihmës financiare prej 2 trilionë dollarësh.

Gjithashtu, Sekretari në detyrë i Marinës së Shteteve të Bashkuara, Thomas Modly, dhe të martën dorëheqjen pasi u kritikua për mënyrën se si menaxhoi situatën me kapitenin e një aeroplanmbajtëseje që u godit nga koronavirusi./ VOA

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale