Koronavirusi/ Rama zbulon: Konvaleshenca e ushtarakëve në Durrës do të kthehet në karantinë (VIDEO)

TIRANE- Shtëpia e pushimit të ushtarakëve në Durrës (konvaleshenca), pronë e Ministrisë së Mbrojtjes do të kthehet në karantinë në rast të mbërritjes në Shqipëri të koronavirusit. Lajmin e ka dhënë kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Komitetit Kombëtar të Sigurisë menjëherë pas kthimit nga Moska. Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës Rama tha se në asnjë vend të botës karantina nuk ndërtohet në zona malore, larg qendrave të banimit, gjë e cila vështirëson aksesimin e këtyre ambienteve nga pacientët.

Ai komentoi edhe lajmet për koronavirusin, duke i klasifikuar si "infodemi" sipas përcaktimit të OBSH, teksa tha se përveç titujve të rreme në media ka edhe një përpjekje të individëve të caktuar për të prodhuar alarme. Rama deklaroi se në Shqipëri nuk ka asnjë rast të dyshuar apo të prekur nga koronavirusi, por theksoi se që nga momenti i përhapjes së  tij e më pas edhe me mbërritjen në Italinë fqinje vendi ynë është mobilizuar për të përballuar çdo skenar të mundshëm.  

Nga ana tjetër ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi për herë të parë se koronavirusi mund të prekë edhe Shqipërinë pasi vendi ynë nuk është imun nga sëmundjet infektive. Ajo vuri theksin në rritjen e masave parandaluese për këtë sëmundje, shtimin e stokut të maskave apo medikamenteve dezinfektantë në spitale për të bërë të mundur mbrojtjen e stafit mjekësor i cili është në 'rreshtin' e parë dhe në kontakt me çdo virus të mundshëm.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:30
VIDEO/ Kjo është konvaleshenca e ushtarakëve në Durrës ku do të ndërtohet karantina për të prekurit nga koronavirusi

Report Tv sjell pamje nga ambientet e Konvaleshencës, shtëpia e pushimit të ushtarakëve në Durrës e cila do të shërbejë si karantinë në rast se do të ketë raste me koronavirus në Shqipëri. 

Ora 12:49
Manastirliu: Koronavirusi mund të prekë edhe Shqipërinë, nuk jemi imun! Kemi marrë masat për mbrojten e personelit mjekësor (VIDEO)

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi se vendi ynë po përgatitet për të përballuar të gjithë skenarët e mundshëm lidhur me përhapjen e koronavirusit. Ajo tha se janë përgatitur kapacitetet shëndetësore për përballimin e tij duke nisur nga një ambient me 80 shtretër në QSUT, tek karantina e vendosur në shtëpinë e pushimit të ushtarakëve në Durrës.

"Po punohet për hartimin e një plani masash. Ne kemi marrë masat dhe kemi të gjithë skenarët për përballimin e koronavisurit të ri. Situata në Itali na ka vendosur në një lloj gjendje alerti. Nga ana tjetër dje Greqia ka shfaqur rastet e para. Kemi marrë masat për rritjen e stokut për mbrojtjen e personelit mjekësor i cili është në front të punës dhe është në kontakt. Spitalet janë të pajisura me stokun e nevojshëm për mbrojtjen e tyre. Protokollet mjekësor janë po aq të rëndësishme për t'u ndjekur. Në Maqedoni unë kam pasur komunikime për të kombinuar forcar për çështje të caktuara për të përballuar virusin e ri. Të gjitha strukturat tona janë në gatishmëri. Me evidentimin e rastit të parë ne vëmë në gatishmëri strukturën në QSUT me një kapacitet prej 80 shtretërish. Nëse do të kishin nga 0-100 raste të prekura duke përfshirë këtu edhe raste të rënda, kemi siguruar kapacitet në spitalin infektiv 5% e rasteve do të kenë nevojë për kontroll respirator. Ne kemi vendosur kapacitetet e neojshme për mbrojtjen personale, medikamenteve dhe për sa i përket karantinës. Komiteti i ekspertëve kanë përcaktuar strukturën e shtëpisë së pushimit në zonën e Durrësit që është pronë e Ministrisë së Mbrojtjes. Ne kemi siguruar kushtet për të siguruar përballjen me visurin e ri. Ai ka marrë masat për të gjithë skenarët që mund të përballemi. Duke qenë se ky virus po prek të gjithë vendet probabiliteti është të prekë edhe Shqipërinë. Nuk jemi imun nga sëmundjet infektive. Survejanca aktive dhe sistemi alert e OBSH është shprehur se është e gatshme për të pritur rastet e koronavirusit. Përballja me këtë virus kërkon kohë, për përballjen, evidentimin. Ne jemi duke punuar në çdo moment. Do të vijojmë komunikatën e përditshme me publikun. Ka shumë nevojë të jemi racionalë për të shmangur panikun dhe për përgjegjësinë që qeveria ka", tha Manstirliu.

Ora 12:29
Koronavirusi/ Rama: Shtëpia e Pushimit të Ushtarakëve do të kthehet në karantinë! Në asnjë vend të botës ajo nuk vendoset në male (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ka treguar se karantina do të vendoset në shtëpinë e pushimit të Ushtarakëve në Durrës. Ai tha se në asnjë vend të botës karantina nuk vendoset larg zonave të banuara.

"Komiteti Teknik ka vlerësuar disa struktura publike spitalore dhe akomoduese si të përshtatshme për karantinën. Është për të ardhur keq që në ndërkohë që kudo bëhet politikë, kudo ka debat, askund tjetër, përveçse në këtë vendin tonë të vogël, nuk ndodh që palë të caktuara politike dhe individë të zëshëm, me mandat politik, të bëjnë ato që kanë bërë gjatë këtyre ditëve, duke u përpjekur haptazi të përhapin panik dhe duke dezinformuar haptazi publikun, qoftë përsa i përket vendeve apo vendit të përcaktuar për karantinën, qoftë përsa i përket kushteve dhe impaktit të një zone të karantinuar, të një mjedisi të karantinuar, për popullatën rreth e rrotull. Askund, në asnjë pikë të globit nuk ekziston që karantinat të ndërtohen nëpër male, nëpër pyje, apo në facilitete larg zonave të banuara. Kjo nuk ekziston. Kjo është një shpikje në vazhdën e ushqyerjes së infodemisë.

Në rastin e parë, të vendosjes së karantinës, ne kemi përcaktuar disponimin e strukturave akomoduese publike të shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Mbrojtjes në zonën e Durrësit, ku me OBSH-në është konstatuar përmbushja e të gjitha kushteve dhe garancia për siguri të plotë për të gjithë. 

Shërbimi i sëmundjeve infektive në qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza dhe Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” kanë në gatishmëri bokse, dhoma izolimi funksionale dhe struktura në dispozicion për nevojë terapie intensive, sipas kanaleve të miratuara nga Komiteti i Ekspertëve dhe gjithnjë të konfirmuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Urgjenca Kombëtare Mjekësore ka marrë masat për të përballuar mbi 5 mijë thirrje në ditë. Momentalisht pret 1700 të tilla, si dhe kryen gjithë organizimin territorial për ndjekjen e rasteve që i referohen numrit unik 127.

Vazhdimësia e rekomandimit për të gjithë qytetarët që kanë udhëtuar nga vendet e prekura, të telefonojnë në numrin e urgjencës kombëtare, 127, në rast se ndjejnë një shqetësim, apo përballen me shfaqjen e shenjave klinike që ju krijojnë atyre idenë se mund të jenë të prekur, pa u drejtuar menjëherë në spital, për të minimizuar qoftë riskun e infektimit me viruse të tjera qarkulluese për ata vetë e duke pasur garancinë se mjafton telefonata për t’u asistuar aty ku ata ndodhen.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kanë nxjerrë urdhrin për masat e shtuara higjeno-sanitare në institucionet arsimore, si një masë shumë e rëndësishme në këtë situatë, ku rritja e higjienës personale është faktor i rëndësishëm për kufizimin e sëmundjeve infektive.

Në këtë situatë, me përhapjen komunitare të koronavirusit në disa shtete janë rekomanduar qytetarët të kufizojnë udhëtimet jo të domosdoshme në zonat e prekura, ku ekziston rreziku i transmetimit komunitar.

Thënë të gjitha këto fakte, dua ta mbyll, duke përfituar nga mundësia për të komunikuar me të gjithë që na ndjekin, me shprehjen e nevojës për qetësi dhe për të mos e lënë veten të çoroditemi nga burimet e infodemisë, nga debatet absurde të mbrëmjeve mediatike, që nuk ndodhin në asnjë vend të botës, nga klikimet në burime të absurditetit informativ që në papërgjegjshmëri të plotë shpërndajnë lajme të rreme dhe rrisin efektin shumë të rrezikshëm të infodemisë, duke krijuar ankth dhe panik. Të gjithë jemi këtu, të gjithë jemi me familje, të gjithë kemi fëmijët tanë, kemi më të moshuarit dhe unë ju them të gjithëve, ndiqni vetëm burimet e informimit zyrtar, ballafaqohuni me burimet e informimit zyrtar. Burimet alternative të informimit në një rast si ky janë të pakëshillueshme, jo nga unë, por nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Ka një sërë të dhënash të deritanishme që e bëjnë pak më të lehtë përballimin psikologjik të kësaj situate që natyrshëm u krijon ankth dhe krijon pasiguri për veten, për fëmijët, për të moshuarit, për të afërmit. Është një virus që prek kryesisht ata që janë shumë të moshuar dhe ata që kanë probleme shëndetësore ekzistuese. Është një virus që përballohet pa pasoja dramatike përgjithësisht nga më të vegjlit dhe nga ata që kanë një organizëm të shëndetshëm. Gjëja që nuk është thënë askund në të gjitha burimet e infodemisë është fakti i konfirmuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, që 97% deri më tani, statistikisht, e të prekurve shërohen. Pra, nuk jemi përpara një murtaje mesjetare që ka ardhur të fshijë nga faqja e dheut gjysmën e njerëzimit. Jemi përpara një virusi me potencial rreziku të konsiderueshëm. Nuk kemi nënvlerësuar asgjë nga ato që na takojnë të bëjmë, deri në detajin më të vogël.

Në fund fare, edhe pak më shumë besim, sepse është i nevojshëm dhe më mirë t’i referohemi pikave ku marrim besim, sesa pikave ku marrim helmim. Besim, në kuptimin e të vërtetës së thjeshtë që si të gjitha të tjerat, edhe kjo do të kalojë dhe do ta kalojmë sëbashku, me ndërveprim, me solidaritet, me kujdes maksimal nga ana jonë si qeveri, me përkushtim maksimal nga ana e profesionalistëve të përfshirë dhe me besim.

Prandaj, ju sugjeroj që më mirë të mbyllni kompjuterët, të mbyllni telefonat e të dëgjoni Papa Franceskun, t’i referoheni Biblës apo Kuranit, sesa të humbisni kohë me lloj – lloj marrëzish e lloj – lloj poshtërsish, që njerëz pa asnjë përgjegjësi sociale dhe me një ligësi organike shpirtërore shpërndajnë, duke bërë atë që është çnjerëzore përveçse nga pikëpamja profesionale, nga pikëpamja faktike, krejtësisht e padobishme", tha Rama.

Ora 12:25
Rama tregon masat e marra për të parandaluar koronavirusin: Po veprojmë sipas rekomandimeve të OBSH (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama deklaroi se që në monentin e parë të përhapjes së koronavirusit janë marrë masat të parandaluar mbërritjen e saj në Shqipëri sipas rekomandimeve të OBSH.

"Megjithatë, sot vendosëm që ta bëjmë këtë mbledhje të hapur, për të folur me fakte për situatën ku ndodhemi, për masat që kemi marrë dhe do të marrim, siç është bërë gjatë gjithë kësaj kohe, kur kemi parapëlqyer dhe kemi vendosur që të punojmë hap pas hapi, më shumë në heshtje, pikërisht për të mos ushqyer infodeminë dhe për të mos krijuar tensione artificialisht të rritura.Profesionalizmi për hir të të vërtetës ka qenë shembullor. Kjo, jo e thënë nga unë, por e konfirmuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

E para, deri tani që flasim, në Shqipëri nuk kemi asnjë rast të konfirmuar të koronavirusit. Janë testuar deri sot, në laboratorin e virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, - laborator reference i certifikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për kryerjen e diagnozës së koronavirusit në vendin tonë, - 17 raste të dyshuara që kanë rezultuar të gjitha negative. 17 individë të dyshuar për marrjen e virusit, që pas testeve rezultojnë të paprekur prej tij.

E dyta, situata është ndjekur me vëmendje të veçantë nga Ministra e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe drejtpërdrejtë nga ministrja që ka ngritur që në momentin e parë Task-forcën dhe Komitetin Teknik të Ekspertëve për përgatitjen, parandalimin dhe kontrollin në sfidën e madhe, që është një sfidë globale, por që për pjesën që na takon ne, sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në zbatim të rregullores ndërkombëtare të shëndetit, me të gjithë ekspertët dhe duke ndërtuar një strategji me të gjitha hapat në funksion të përballimit të rrezikut të infeksionit për njerëzit e vendit tonë.

E treta, është fakt se nga momenti i parë janë marrë masat si më poshtë: Është forcuar mbikëqyrja aktive e sistemit alert në të gjithë nivelet e sistemit shëndetësor në gjithë vendin, duke filluar nga njësitë shëndetësore të pikave kufitare tek Urgjenca Kombëtare, në strukturat vendore të kujdesit shëndetësor, Shërbimin Epidemiologjik, Inspektoratin Shëndetësor dhe strukturat spitalore rajonale dhe universitare;

Janë përcaktuar protokolle të sakta dhe janë shpërndarë udhëzues, sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për gjurmimin e rastit që në pikat kufitare, ndjekja e kontakteve dhe përgatitja e reagimit të të gjitha strukturave shëndetësore në vend; Janë trajnuar 800 profesionistë të shëndetit në të gjitha nivelet e sistemit tonë shëndetësor dhe trajnimet vijojnë kaskadë në të gjithë vendin, sipas planit të paracaktuar;

Janë dyfishuar ekipet e shëndetësisë në pikat kufitare ajrore dhe detare për të pasur kontroll, sipas rregullave të përcaktuara për kontrollin, si dhe monitorimi i pasagjerëve mbërritës kryhet nga ekipi shëndetësor, si një masë e shtuar pas konfirmimit të transmetimit komunitar në Itali të koronavirusit. Deri më tani janë kontrolluar imtësisht 8122 persona pasagjerë dhe në nivel të pikave kufitare detare dhe tokësore 14 mijë udhëtarë. Në aeroportin “Nënë Tereza” dhe në Portin të Durrësit e të Vlorës janë disponuar mjedise të caktuara për izolim dhe atë që quhet karantina e përkohshme në raste të dyshuara;

Janë marrë masat për rritjen e stokut të mjeteve të mbrojtjes specifike personale për të gjitha hallkat e shërbimit, nga pikat kufitare në strukturat shëndetësore spitalore dhe deri në nivelin e diagnozës laboratorike. Është siguruar stoku i medikamenteve dhe terapive antiviralesi dhe janë marrë masat për ofrimin e kapaciteteve për trajtimin intensiv në rast paraqitjeje të rasteve të rënda.

Është alokuar një fond 1 milionë dollarë për rritjen e stokut aktual të mjeteve mbrojtëse. Kjo masë i shërben vetëm qëllimit të lartpërmendur dhe duke siguruar mbështetjen për çdo nevojë, sipas shkallës së riskut", tha Rama.

Ora 12:23
Lajmet e rreme për koronavirusin/ Rama: Infodemi! E gjithë bota në befasi (VIDEO)

Lajmet e rreme për koronavirusin kryeministri Edi Rama i ka quajtur infodemi. Ai tha se përveç titujve në media ka edhe një përpjekje të individëve të caktuar për të prodhuar alarme.

"Jemi në mbledhjen e radhës për të vazhduar diskutimin lidhur me përballimin e epidemisë së koronavirusit, për të cilin ende, nga momenti që flasim, nuk kemi asnjë rast të konstatuar, por, sidoqoftë, në linjë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe në bashkëpunim të ngushtë me ekspertët e saj kemi kryer të gjitha hapat e përcaktuar, për të përgatitur përballjen me shfaqjen e mundshme të koronavirusit në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Faktikisht, qysh prej muajit dhjetor, kur u shfaqën rastet e para në Kinë, e gjithë bota hyri në një situatë gjendjeje jo të zakonshme dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli emergjencën ndërkombëtare. Natyrisht, edhe ne, menjëherë filluam kontaktet e domosdoshme dhe në një botë që është gjithmonë e më e vogël për shkak të ndërveprimit gjithnjë e më intensiv, gjithkush është i ekspozuar ndaj riskut me një koeficient që gjithnjë i bashkohet sëmundjeve infektive, që është koeficienti i së panjohurës, që e bën sëmundjen edhe më të frikshme. E panjohura për origjinën, në rastin konkret dhe këtu sugjeroj të kemi parasysh Italinë fqinje, ku, edhe tani që flasim, ende vazhdojnë përpjekjet për të gjetur të ashtuquajturin “pacienti zero”, por edhe informacionet e përditësuara që merren në kohë reale nga Kina tregojnë për dyshime të vazhdueshme lidhur me origjinën e vërtetë të këtij virusi.

E panjohura tjetër është e panjohura për përhapjen dhe e vetmja gjë që dihet botërisht është se përhapja e këtij virusi është e shpejtë, por, p.sh., një nga pikëpyetjet që diskutohet sot është, si ka mundësi që vendet në kufi me Kinën nuk kanë ende asnjë rast të shfaqur dhe diskutimi vazhdon me mbase temperatura, mbase kjo, mbase ajo.

E panjohura tjetër është e panjohura për mënyrën e luftimit më efikas dhe pavarësisht përpjekjeve të ethshme dhe të koordinuara ndërkombëtarisht, ende nuk është arritur tek një vaksinë specifike për këtë virus specifik dhe sesa komentohet, kjo do të kërkojë akoma kohë.

Është një situatë që ka zënë në befasi gjithë botën. Një virus, përhapja e të cilit, për fat të keq dhe kjo është e pashmangshme, por gjithnjë e më problematike, po shoqërohet me atë që Organizata Botërore e Shëndetësisë e konsideron gjithashtu një rrezik serioz, infodeminë, pra, epideminë e lajmeve të pakonfirmuara, e lajmeve të rreme, e lajmeve që marrin dhenë dhe që influencojnë në mënyrë të jashtëzakonshme mbi qëndrimin e sjelljen e konsumatorëve të lajmeve.

Infodemia ka prekur mbarë botën, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe në mënyrë të pashmangshme ka prekur edhe Shqipërinë, por siç ndodh shpesh në Shqipëri, situata infodemike është shfaqur në më shumë sesa një formë. Rendja e ethshme për informacion përmes klikimeve që sjell shumëfishimin e titujve që përmbajnë fjalën koronavirus apo viktimë, si kudo, por, nga ana tjetër, edhe një karakteristikë jo fort e përhapur që shoqëron situatat infodemike në Shqipëri, përpjekja individuale apo e grupeve të caktuara për të shfrytëzuar frikën, për të nxitur panikun, për të prodhuar alarm të vazhdueshëm në funksion interesash mizerabël politike apo mediatike", tha Rama

/G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Aldo: 27/02/2020 13:54

    Me shume frike se semundje e vertete. Jetoj ne itali, dhe nuk eshte asgje me shume se nje bronkoplomoni e rende. Te vetmit qe duhet te kene frike me verte jane te moshuarit dhe kush ka semundje te renda te tjera, qe mund ti komplikoi. Te tjeret sherohen te gjithe.

    Përgjigju
  • Vlonjati Pjella e Pjelles se Lushnjarit: 27/02/2020 12:51

    Po vjene flama, behuni gati per draprine

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak i Himarës komandon kryetaren e Bashkisë, koalicioni Bashkë Fitojmë bashkon votat me PS

Këshilli Bashkiak i Himarës komandon kryetaren e Bashkisë, koalicioni Bashkë Fitojmë bashkon votat me PS