Koronavirusi/ Masa të shtuara në dogana, mjekë 24 orë! Italianët në portin e Vlorës: Nuk kemi frikë, por të marrim masa personale

Në pikat kufitare të vendit tonë vijojnë kontrollet në kuadër të masave parandaluese për koronavirusin. Në portin e Vlorës pasagjerëve u bëhet një intervistim dhe u matet temperatura nga një termometër me lazer.

"Unë u ktheva nga Sicilia, isha atje për 7-8 ditë. Atje njerëzit nuk kishin frikë, nuk kishte gjë. Këtu në port na matën temperaturën dhe dolëm shumë mirë", tha një pasagjere.

"Andej (Itali)situata është mirë, shumë mirë. Po tani atje ku ishim ne ishte pastër, asgjë. Këtu na kontrolluan, na pyetën, na shikoi doktoresha", tha një tjetër pasagjere.

Mes të udhëtarëve nga trageti nga Brindësi ka edhe shumë shtetas italianë, të cilët flasin dhe për situatën në shtetin fqinj. Italianët shprehen se nuk janë të frikësuar, megjithatë sipas tyre secili prej nesh duhet të marrë masa.

"Të gjithë ne duhet të tregohemi të kujdesshëm. Në Brindisi dhe në jug nuk ka asnjë rast me virus. Në veri, gjithsesi situata është më e vështirë. Megjithatë unë personalisht nuk kam frikë dhe çdo njëri prej nesh duhet të marrë masa , sepse virusi prek ata që kanë imunitet të dobët, disa po shqetësohen më shumë dhe po zbrazin supermarketet."

"Unë vij nga Leçe, jemi pak të shqetësuar, por frikë nuk ka. Më kontrolluan temperaturën dhe gjithçka ishte normale"

217 pasagjerë kanë mbërritur mëngjesin e së martës nga Italia në Portin e Vlorës. Agron Bashllari shefi epidemiologjisë në Vlorë konfirmon se po punohet me dy grupe mjekësh si dhe nuk është konstatuar asnjë rast i dyshuar.

"Janë marrë masat në kuadrin e masave për parandalimin e koronavirusit, punonjësit e kujdesit shëndetësor kanë kontrolluar pasagjerët, kanë komunikuar me ta për plotësimin e pyetësorëve. Nuk kemi pasur asnjë person të dyshuar, nuk ka pasur persona të sëmurë. Monitorimi do vazhdojë dhe në ditët në vijim", tha Agron Bashllari shefi epidemiologjisë në Vlorë.

Edhe në Portin e Durrësit ka një kujdes të shëndetësor në Terminalin e Trageteve. Gjatë kësaj të marteje dy tragete me 452 udhëtarë gjithsej kanë mbërritur në portin e Durrësit. Një grup i përforcuar mjekësh, si dhe personeli mbështetës janë kujdesur për t'u njohur me gjendjen shëndetësore dhe itinerarin e lëvizjes së tyre, para mbërritjes në Durrës.

Në pikën kufitare të Kakavijës është realizuar një takim me kërkesë të prefektit të Gjirokastrës, Astrit Aliaj me drejtorin e Shëndetit Parësor, drejtorin e Doganës, drejtorin e Inspektoriatit shëndetësor shtetëror dhe mjekë për masat ndaj koronavirusit në këtë doganë.

"Zhvilluam një takim me drejtuesit e institucioneve,me doganën me policinë me spitalin ku folëm për masat që janë marrë ne kuadër për parandalimin për koronavirusin. Jemi në Kakavijë pasi këtu është dhe porta hyrëse, edhe pse deri më tani nuk është asnjë rast i dyshuar, por janë marrë masat që të kontrollohet çdo person që futet në vendin tonë", tha Astrit Aliaj, prefekti i Gjirokastrës

Edhë në pikën kufitare në Morinë personeli mjekësor qëndron 24 orë për kontrolle të udhëtarëve.

"Që nga 20 janari ofrohet shërbim për monitorim të rasteve të dyshuara për koronavirus, monitorimi është 24 orë dhe ofrohet në tre turne, në çdo turn janë dy mjekë nga shërbimi jonë", tha Denisa Duraku shefe epidemiologjisë në Kukës.

 Rreth 4500 persona kanë hyrë në Shqipëri gjatë 24 orëve të fundit nga pika kufitare e Morinës.

B.K./G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Zhvillohen nesër zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, në garë 7 kandidatë

Zhvillohen nesër zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, në garë 7 kandidatë