Koronavirusi, ‘Qetësohet’ ritmi i infeksioneve në Itali, rritet numri i të shëruarve, hapen shkollat. Macron: Kufijt nuk mbyllen. Italia, 'mjeku' i zellshëm i Europës

Bilanci i javës që tronditi Italinë është 820 të infektuar dhe 21 viktima, 3 nga 4 të vdekurit e ditës së sotme ishin mbi 80 vjeç dhe një 74 vjeç, por duket se ritmi i lartë i infeksioneve është ‘qetësuar’ dhe harta e përhapjes së epidemisë nuk është zgjeruar. Rajonet e prekura janë: Lombardia, Veneto, Emiglia Romagna, Liguria, Sicilia, Lazio, Campagna, Toscana,  Piemonte, Tiroli i jugut dhe Puglia.

Lajm i mirë është se numri i personave të shëruar është rritur në rreth 50 dhe gjysma e atyre që kanë rezultuar pozitiv nga analizat po trajtohen në kushtet e shtëpisë, madje 62 nuk monitorohen fare.

Studiuesit e spitalit Sacco në Milano kanë izoluar nga katër pacientë të zonës së kuqe të Codogno llojin italian të virusit i cili do të jetë një mjet shtesë në punën hulumtuese për zhvillimin e barnave dhe vaksinave të synuara.

Drejtori i Institutit shkencor ‘Spallanzani’ në Romë tha se "Në ditët në vijim, të dhënat që do të komunikohen për njerëzit e prekur nga koronavirusi në Itali do të bien ose do të qëndrojnë në stanjacion pasi numërimi do të bëhet duke llogaritur vetëm rastet klinikisht të vërtetuara dhe me simptoma të forta kurse rastet pozitiv pas analizave të tamponit do të kanalizohen veçmas dhe do të shërbejnë për të studiuar situatën epidemiologjike, gjë që do të ndikojë në uljen e panikut të përhapur dhe lajmeve të rreme".

"Në krahasim me gripin e zakonshëm, koronavirusi mbase ka një transmetim më efektiv, ose të paktën njëlloj si gripi, dhe për momentin  vdekshmëria është pak më e lartë", shpjegoi Ippolito.

Në Itali janë bërë deri më sot 10 000 teste tamponi mes të cilave 500 kanë rezultuar pozitive për infeksionin e koronavirusit, përkunder 500 teste tamponi në Francë apo rreth 1000 në Gjermani. Duket se Italia po luan rolin e mjekut të zellshëm në Europë, por për Drejtorin e klinikës së sëmundjeve infektive në spitalin San Martino në Genova, Matteo Basseti ajo që me të vërtetë mungon është qasja europiane.

700 km larg në jug, në Napoli, Presidenti Francez Macron ka premtuar se kufijtë me Italinë do të qëndrojnë të hapura.

Virusi nuk ndalet në kufij" - Me këto fjalë u përgjigj Macron pyetjes nëse ai do të pranonte kërkesën e Marine Le Pen për të pezulluar Shengenin për shkak të koronavirusit në Europë e veçanrisht në Itali, një qëndrim më i moderuar se ai i para tre ditëve kur Parisi zyrtar vendosi masa drastike për gjithë ata italian dhe jo që hynin në kufirin francez.

"Mbyllja e kufijve është e papranueshme dhe do të sillte një dëm të pakthyeshëm ekonomik", tha kryeministri italian Giuseppe Conte pas takimit me presidentin francez.

"Vendi nuk mund të paralizohet," shtoi Conte, duke përsëritur se masat e marra u sugjeruan nga ekspertët më të mëdhenj shkencorë".
Giuseppe Conte tha gjithashtu se "Që në fillim qeveria ka vepruar me përgjegjësi të madhe ndaj emergjencës, e cila sipas tij, nuk ka të bëjë vetëm me Italinë dhe, në të ardhmen, do të mbulojë gjithashtu edhe vendet që duken më pak të përfshira", ndoshta duke aluduar për Francën ku në 24 orë numri i të infektuarve është dyfishuar dhe është rritur frika se do të ketë fatin e Italisë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:42
Koronavirusi/Presidenti italian Matarrella: Dija dhe njohuritë, antidot ndaj frikës irracionale. OBSH: Asnjë vend nuk është përgjegjës për epideminë

"Njohuritë ndihmojnë rritjen e përgjegjësisë dhe përbëjnë një antidot të fortë ndaj frikës irracionale e cila çon në sjellje të pa arsyeshme”, - tha Presidenti i Republikës italiane  Sergio Mattarella . Ai bëri gjithashtu thirrje për unitet dhe besim në shkencë përballë emergjencës së koronavirusit.

Mattarella: Faleminderit atyre që punojnë në vijën e parë të frontit

"Sot ndjej dhe kam detyrimin tw falenderojw ata që janë duke punuar me vështirësi, me sakrificë dhe vetëflijim për të luftuar rrezikun e epidemisë së koronavirusit: mjekë, infermierë, personel të Mbrojtjes Civile, studiues, gra dhe burrat e Forcave të Armatosura dhe të policisë, të gjithë ata që në çfardo mënyre e për çdo arsye e gjejnë veten në vijën e parë,"- tha Presidenti italian.

OBSH: Asnjë vend nuk është përgjegjës për epideminë

"Nuk kanevojë për retorikë, asnjë vend nuk është përgjegjës për epideminë, madje as kafshët nuk duhet të fajësohen se kanë përhapur virusin. Duhet t'i kushtojmë vëmendje gjuhës që përdorim në këtë kohë të vështirë, sepse stigma nuk do na ndihmojë në asgjë", tha Mike Ryan, kreu i programit të reagimit emergjent të Organizatës Botërore të Shëndetit

Bilanci i javës që tronditi Italinë është rreth 820 të infektuar dhe 21 viktima, por duket se ritmi i lartë i infeksioneve është ‘qetësuar’ dhe harta e përhapjes së epidemisë nuk është zgjeruar.

Lajm i mirë është se numri i personave të shëruar është rritur në rreth 50 dhe gjysma e atyre që kanë rezultuar pozitiv nga analizat po trajtohen në kushtet e shtëpisë, madje 62 nuk monitorohen fare.

Studiuesit e spitalit Sacco në Milano kanë izoluar nga katër pacientë të ‘zonës së kuqe’ të Codogno llojin italian të virusit i cili do të jetë një mjet shtesë në punën hulumtuese për zhvillimin e barnave dhe vaksinave të synuara.

Ora 15:44
Me koronavirusin dobësohet edhe frika, hapin dyert shkollat në verilindje të Italisë, në Emiglia Romagna dhe Piemonte

Ditën e hënë shkollat në verilindje të Italisë si dhe në Emiglia Romagna do hapin dyert për mijëra nxënës kurse në mesjavë edhe shkollat në Piemonte

Zëvendës Ministrja e Arsimit, Anna Ascani  tha se “ është e rëndësishme që atje ku është e mundur jeta në shkolla të kthehet në normalitet sa më shpejt të jetë e mundur".

Ajo tha gjithashtu se "Rihapja e shkollave do të thotë të garantosh të drejtën e arsimit të fëmijëve dhe adoleshentëve".

Numri i studentëve të detyruar të qëndrojnë në shtëpi për shkak të emergjencës së koronavirusit është rreth 5 milion, mbi 60 përqind e nxënësve në të gjithë vendin. Dëshira për të rihapur shkollat ​​është e pranishme në pothuajse të gjitha rajonet që kanë marrë masa shtënguese.

Ora 15:06
Koronavirusi, vdes britaniku i tragetit ‘Diamond Princess’. OBSH: Arriti momenti vendimtar, mund të kemi pandemi. Jo panik dhe frikë!

Dyzet vende të infektuara kanë konfirmuar rastet e para të Koronavirusit në 48 orët e fundit. Sot ka vdekur një qytetar britanik që ishte në bordin e tragetit ‘Diamond Princess’ ku humbën jetën 4 dhe u infektuan 700 pasagjerë, për një total prej 3700 personash.

Alarmi i Organizatës Botërore të Shëndetit

Sipas Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i përgjithshëm i OBSH, bota është fare pranë një një pandemi e të mundshme globale.

"Jemi në një situatë shumë delikate ku epidemia mund të shkojë në çfarëdo drejtimi dhe kjo varet nga mënyra se si ne do ta menaxhojmë atë."

Paralajmërimi erdhi disa orë para se rastet e para të konfirmoheshin të sot në Bjellorusi, Zelanda e Re dhe Nigeri, vendi më i populluar i Afrikës.

Sëmundjet në botë

Aktualisht, mbi 80,000 njerëz në 40 vende të ndryshme janë infektuar në të gjithë botën. Mbi gjashtëdhjetë njerëz vdiqën sot jashtë Kinës, epiqendra e epidemisë. Falë masave imponuese të vendosura nga Pekini, në territorin e Kinës numri i të infektuarve vazhdon të ulet dita ditës. Por gjetkë ajo po përhapet ngadalë.

Alarmi i Koresë së Jugut, 2000 infeksione

Dhe ndërsa infeksionet e koronavirusit në Kinë kanë arritur nivelin e tyre më të ulët brenda një muaji, Koreja e Jugut ka raportuar edhe 256 raste të tjera. Qendra për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve e Koresë raportoi se totali kombëtar i infeksioneve është rritur në 2.022.

Ora 15:05
Koronavirusi/Studim italian: Epidemia ka nisur në muajin tetor jo dhjetor, infeksionet janë dyfishuar çdo 4 ditë

Studimi i nënshkruar nga shkencëtarët e Universitetit Shtetëror të Milanos: Shpejtësia e rritjes së numrit të infeksioneve ka rënë pas masave kufizuese të miratuara në Kinë

Qarkullimi i koronavirusit të ri në Kinë ka filluar më herët se koha e konstatimit të rasteve të para të "pneumonisë misterioze" të identifikuar në vendin aziatik.

Për të rikonstruktuar muajt e parë të jetës së Covid-19 ka shërbyer një studim italian i nënshkruar nga shkencëtarë nga Universiteti Shtetëror të Milanos.

Një hetim epidemiologjik-molekular i kryer në 52 gjenomë të plotë viralë të patogjenit, ka xjerrë përfundimin: Epidemia e Sars-CoV-2 ka nisur midis gjysmës së dytë të tetorit dhe gjysmës së parë të nëntorit të vitit 2019, pra disa javë më herët se koha e identifikimeve të rasteve të para të pneumonisë.

E shfaqur "midis gjysmës së dytë të tetorit dhe gjysmës së parë të nëntorit 2019", epidemia e koronavirusit të ri ka patur një super përshpejtim që nga muaji dhjetor deh prej asaj kohe secili i infektuar ka prodhuar 2.6 raste të tjera dhe koha e dyfishimit të të infektuarve ka qenë 4 ditë”.

"Vlerësimi i numrit riprodhues (numri i rasteve të krijuara nga secili rast individual), ose parametri që mat shpejtësinë me të cilën transmetohet virusi, zbatohet duke përdorur modele matematikore dhe evolucionare - shpjegojnë shkencëtarët milanezë – dhe na ka lejuar të nxjerrim në pah ‘nxitimin’ në kapacitetin e përhapjes së virusit, një shtytje ekspansive që daton në dhjetor të vitit 2019. Nga një numër shumë i kufizuar riprodhues, më pak se 1, në dhjetor virusi kaloi në fakt në 2.6, një vëzhgim ky që ka lejuar të hipotezohet përhapja e shpejtë dhe efikasiteti i transmetimit të virusit". Ky transformim, thonë studiuesit, "mund të jetë për shkak të ndryshimeve në aftësinë e virusit për t’u transmetuar nga njeriu te njeriu”.

Një aspekt tjetër kyç i zbuluar nga studiuesit, "i lidhur me atë të mëparshëm, është koha e dyfishimit të epidemisë", kjo është periudha në të cilën numri i të infektuarve dyfishohet. Është vlerësuar se duke filluar nga dhjetori, dyfishimi i numrit të të infektuarve ka ndodhur në rreth 4 ditë më pas.

"Është e mundshme – akomentojnë autorët e studimit- se shpejtësi e rritjes së numrti të infeksioneve është zvogëluar pas masave kufizuese të miratuara në Kinë.

Puna e studiuesve italianë sapo është pranuar për botim në Gazetën e Virologjisë Mjekësore dhe rezultatet tashmë janë botuar edhe nga revista e Organizatës Botërore të Shëndetit.

Ora 14:28
Gruaja në Japoni dy herë në kurthin e koronavirusit. A është i mundur riinfektimi nga virusi i ri kinez?

Një grua 40-vjeçare që punon si një udhërrëfyese turistike turneu në Osaka, në Japoni u testua pozitive për koronavirusin për herë të dytë. Ajo ishte infektuar në fund të janarit pasi ishte në kontakt me turistët nga Wuhan, Kinë.

Pas një muaji trajtimi në spital dhe një periudhe shërimi, ajo u la e lirë në 6 shkurt. Por parady ditësh u testua përsëri pozitive. Kjo është hera e parë që një pacient i rikuperuar risëmuret sërish.

Tani shkencëtarët po punojnë për të kuptuar nëse COVID-19 mund të infektojë të njëjtin person dy herë.

Connor Bamford, virolog i Institutit Wellcome-Wolfson për Mjekësinë Eksperimentale të Universitetit të Queen's në Belfast, thotë se nuk ka të ngjarë që gruaja të infektohej për herë të dytë. Ky është potencialisht një zhvillim i rëndësishëm, por ka ende shumë gjëra që nuk dimë ".

Fabienne Krauer, një epidemiologe nga Oslo, Norvegji, thotë se "Ne nuk mund të themi nëse është një rikthim ose një infeksion i vazhdueshëm, nuk dimë me siguri nëse gruaja ishte shëruar plotësisht”.

Philip Tierno, profesor i mikrobiologjisë dhe patologjisë në Shkollën e Mjekësisë në NYU, tha se ekziston mundësia që gruaja fillimisht të ishte e infektuar nga SARS, I ngjashëm me koronavirusin dhe pasatj pë here të dytë nga koronavirusi”.

Massimo Andreoni, drejtor shkencor i Shoqatës Italiane e Sëmundjeve Infektive thotë se "Shërimi i personave me koronavirus është zakonisht i gjatë, rreth 4-5 javë, kështu që ne nuk mund të mendojmë për një infeksion të dytë. Për të zbuluar nëse personat që janë kuruar kanë zhvilluar imunitet ndaj virusit, duhet të presim disa muaj, tani është herët , dhe ne ende dimë pak për të kuptuar se si funksionojnë antitrupat”.

Ora 10:07
Flet Profesori italian i sëmundjeve infektive: Do jetojmë me koronavirusin në të ardhmen? Një mundësi jo e largët!

Koronavirus, një i huaj me të cilin mund të jemi të detyruar të jetojmë në të ardhmen.

Drejtori i Klinikës së Sëmundjeve Infektive në spitalin ‘San Martino’ në Genova në Itali, Matteo Basseti thotë se “Një ditë qoftë dhe provizorisht virusi do shuhet, ndoshta dhe jo dhe në këtë rast trajtimet për pneumoni do të duhet të përfshijnë edhe Covid-19 në mesin e viruseve të tjerë me të cilët jemi mësuar”.

Ky parashikim për një të ardhme të afërt nuk është ende një profeci, por fakt mbetet se në Itali janë bërë deri më sot 10 000 teste tamponi mes të cilave 500 kanë rezultuar pozitive për infeksionin e koronavirusit, përkunder 500 teste tamponi në Francë apo rreth 1000 në Gjermani. E thënë shkurt, Italia po luan rolin e mjekut të zellshëm në Europë, por për Drejtorin e klinikës së sëmundjeve infektive në spitalin San Martino në Genova, Matteo Basseti ajo që me të vërtetë mungon është qasja europiane.

"Italia ishte një nga vendet e para që bllokoi fluturimet drejt dhe nga Kina, por në vend u futën kinezë të ardhur nga vendet europiane”- thotë Matteo Basseti

A e kishte nënvlerësuar Europa Covid-19?

Basseti thotë se në realitet, nuk ka asnjë strukturë që bën të mundur koordinimin e sistemeve të ndryshme shëndetësore të vendeve europiane. Fakt mbetet se vendet e BE nuk vepruan me rregull të mirëkordinuar të përbashkët.

“Megjithatë numri i lartë i personave që kanë rezultuar pozitiv në testin e koronavirusit në Itali, pa folur për shkallën e infektimit, është edhe për faktin se u krye një numër i ekzagjeruar i testit me shtupë dhe të gjitha rastet pozitivë, pozitivë pa simptoma, të sëmurë rëndë e butë u llogaritën sëbashku”.

Le të mos fshihemi pas një gishtit, thotë Basseti,  "virusi mbërriti në Europë një muaj e gjysmë më parë, kur u regjistruan rastet e para. Dhe në dyzet ditë studimesh dhe kerkimesh, virusi jo vetëm që është përhapur, por tek shkencëtarët tanë ai po thotë shumë gjëra”.

Së pari, thotë Bassetti, "nëse në një vend ekziston një frekuencë më e madhe se zakonisht e infeksioneve të traktit respirator dhe nuk ka asnjë shpjegim, duhet të bëhet një hetim epidemiologjik.

Të jetosh me koronavirus?  Më shumë se një eventualitet

"Megjithë shkallën e lartë të vdekshmërisë në Kinë, rreth 2.3%, kjo përqindje duket se është shumë më e ulët në Itali dhe Europë - thotë Bassetti - midis 0.4% dhe 0.8%, nuk është aq agresiv sa dukej dhe me shumë mundësi do fillojmë të bashkëjetojmë me të, edhe pse fillimisht turbullt dhe do ta konsiderojmë 'egërsirën' e sotme, një patogjen të zakonshëm të pneumonisë".

Për Drejtorin e klinikës së sëmundjeve infektive në spitalin San Martino në Genova, ka nga ata që thonë se është pak më shumë i rrezikshëm sesa gripi, të tjerë shprehen kundër kësaj ideje por duket se edhe shkenca nuk po e kupton shumë.

Po të mbështetemi te numrat, ato thonë se në Kinë shkalla e vdekshmërisë dhe agresiviteti i infeksionit është zvogëluar në mënyrë progresive sepse kinezët e kanë kuptuar gradualisht infeksionin dhe si duhet menaxhuar teksa e kanë trajtuar me ilaçe antivirale të përdorura për të luftuar infeksione të tjera.

Ka shumë fjalë për persona të shëndetshëm  por të testuar pozitiv apo dhe të infektuar por negativë në teste. Me një fjalë shumë konfuzion. Shumë fjalë dhe asgjë konkrete.

Dhe midis detit të fjalëve, Bassetti përpiqet të nënvizojë ndryshimin midis çdo bartësi të shëndetshëm, pacientëve pozitivë dhe pacientëve të infektuar.

"Në rastin e Covid-19, ekzistojnë tre kategori njerëzish: që kanë virusin por nuk kanë simptoma, kanë virusin dhe përmes pështymës mund të infektojnë të tjerët, por te këta të fundit sëmundja është e butë dhe ka nga ata te të cilët, sipas përcaktimit të OBSH-së, simptomat e sëmundjes janë të dukshme - kanë ethe dhe vështirësi në frymëmarrje por nuk kanë patur kurrë kontakte me persona te infektuar por te të cilët sëmundja nuk do marrë zhvillim”.

Ora 10:03
Koroanvirusi, ilaçi 'i harruar' që, si edhe vaksina, mund të luftojë koronavirusin

Ndërsa bota shkencore po rend me shpejtësi duke kërkuar mjetin për të fituar luftën me virusin e ri kinez, një ilaç ekonomikisht i lirë, i zbuluar për herë të parë në vitin 1934, mund të jetë ‘arma’ e duhur.
Në Belgjik, në universitetin e Leuven, studiuesit kanë zbuluar se chloroquine, e cila ishte efektive në luftimin e SARS mund të jetë trajtimi fitues.

Mjekët kinezë kanë filluar ta përsosin atë duke parë jo vetem rezultatet e arritura si antiviral por edhe anën ekonomike.

Shkencëtarët thonë se ketë antiviralë më të mirë dhe më efektivë në kohën e duhur. Por ata gjithashtu do të jenë më të shtrenjtë.

 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/Mbledhja e këshillit bashkiak në Himarë, banori pështyn në fytyrë Vangjel Tavon

VIDEO/Mbledhja e këshillit bashkiak në Himarë, banori pështyn në fytyrë Vangjel Tavon