Ulen shifrat e të prekurve, rritet numri i viktimave, rekord të shëruarit në 24 orët e fundit në Itali nga koronavirusi

Në 24 orët e fundit në Itali është rritur numri i viktimave krahasuar me ditën e djeshme, ndërsa është ulur numri i të infektuarve. Një lajm i mirë përsa i përket shifrave të të shëruarve, në 24 orët e fundit janë shëruar 1590 persona, shifër rekord deri tani brenda 24 orëve.

Ndërkohë që në SHBA, Presidenti Donald Trump bëri një deklaratë të fortë teksa tha se “Nëse Shtetet e Bashkuara arrijnë të mbajnë në 100 000 apo më pak numrin e vdekjeve nga koronavirusi, mund të themi se kemi bërë punë të mirë dhe se më 1 qershor vendoi do ketë hyrë në fazën e rimëkëmbjes".

"Piku i vdekjeve nga Covid-19 mund të ndodhë brenda dy javësh” – shtoi Trump- dhe kjo është arsyeja pse "ne po zgjasim masat për distancimin shoqëror deri më 30 prill". Por super epidemiologu i Shtëpisë së Bardhë, Anthony Fauci gjatë një konference për shtyp u shpreh se është "plotësisht e konceptueshme" se më shumë se një milion njerëz në Shtetet e Bashkuara mund të kontraktojnë koronavirusin, por shtoi se zgjatja e masave izoluese do t’i zvogëlojë këto numra deri në mes apo fund të muajit prill.

Ai gjithashtu nuk e përjashtoi mundësinë se të vdekurit nga infeksioni edhe mund të rriteshin në shifrën e 100 000 por "Ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është të mos lejojmë që kjo të ndodhë". Drejtori i Institutit Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive, Fauci e ka quajtur vendimin për zgjatjen e afatit të masave shtënguese deri në fund të Prillit, një "vendim i mençur dhe i kujdesshëm" Në SHBA numri i të prekurve nga infeksioni prej koronavirusit është rritur në mbi 143 mijë kurse totali i vdekjeve ka shkuar në mbi 2500, teksa në 24 orët e fundit u regjistruan rreth 100 viktima.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:00
Ivanka Trump mesazh për të gjithë nga shtëpia: Distancimi social shpëton jetë, ju lutem qëndroni në shtëpi!

1585602141_ivankatrump.jpeg

Vajza e madhe e Presidentit Donald Trump dhe zyrtarja e lartë e Shtëpisë së Bardhë, Ivanka Trump ndau një mesazh në mediat sociale për krizën e koronavirusit në vend.

Ivanka deklaroi se vendi do të dalë nga kriza më e fortë se kurrë, duke shtuar se në këto raste të vështira Amerika tregon shpirtin dhe forcën e saj.

Ajo gjithashtu iu referua vendimit për të zgjatur udhëzimet për distancimin shoqëror deri më 30 prill, duke thënë se kjo do të paraqesë sfida të mëdha për njerëzit individualisht dhe kolektivisht.

"Për ata me fat që janë në gjendje të qëndrojnë në shtëpi, ju lutem, ju lutemi. Të gjithë prej nesh luajnë një rol në përhapjen. Distancimi social shpëton jetë. Në këto raste më të vështira Amerika tregon gjithmonë forcën dhe rezistencën e saj dhe kjo do të ndodhë përsëri", ka thënë Ivanka.

Ora 22:13
Koronavirusi në Itali, shtrirja e izolimit do të jetë të paktën deri më 12 prill

1585599287_itali1.jpg

Shtrirja e të gjitha masave të kontrollit do të jetë të paktën deri për Pashkë, që i bie deri deri më 12 prill.

Ky vendim u mor në mbledhjen e Komitetit Teknik Shkencor të mbajtur këtë mëngjes, ku sipas ministrit të Shëndetësisë, Roberto Speranza, qeveria do të lëvizë në këtë drejtim.

 

Ora 18:16
Ulen shifrat e të prekurve, rritet numri i viktimave, rekord të shëruarit në 24 orët e fundit në Itali

Në 24 orët e fundit në Itali është rritur numri i viktimave krahasuar me ditën e djeshme, ndërsa është ulur numri i të infektuarve. Një lajm i mirë përsa i përket shifrave të të shëruarve, në 24 orët e fundit janë shëruar 1590 persona, shifër rekord deri tani brenda 24 orëve. Konkretisht në 24 orët e fundit në vendin fqinj janë shënuar 812 viktima (dje ishin 756 dhe në total 11591 kanë ndërruar jetë), 1648 të infektuar janë regjistruar sot (dje 3851 dhe në total janë mbi 100 mijë), 1590 persona janë shëruar sot (dje 646- në total 14620).

Ora 17:18
Koronavirusi-SHBA, anija spital 'USNS Comfort’ me 1000 shtretër mbërrin në ujrat e New York-ut

‘USNS Comfort’, anija ushtarake spitalore e dërguar nga Donald Trump në mbështetje të operacioneve për të luftuar përhapjen e pandemisë nga koronavirusi që po përhapet me egërsi ka mbërritur në ujrat e Neë York-ut.

Stafi i anijes përbëhet kryesisht nga trupa që i përkasin Korpusit Mjekësor dhe Stomatologjik, me mjekë dhe infermierë.

‘USNS Comfort’ ka 1000 shtretër spitalorë.

Pasi kaloi në ‘New York City Harbour’, ajo u fut në anën perëndimore të Manhattanit dhe do mbetet e ankoruar atje gjatë gjithë kohëzgjatjes së emergjencës shëndetësore.  

Të shtunën nga stacioni Detar Norfolk, në Virxhinia, gjatë një ceremonie, presidenti Donald Trump u shpreh se: Ne jemi në luftë kundër një armiku të padukshëm. Kjo anije është një mesazh shprese dhe solidariteti.

Ora 16:53
Koronavirusi-Spanjë, 37 % e totalit të vdekjeve kanë ndodhur në shtëpitë e të moshuarve

Edhe në Spanjë ka shumë të afërm që nuk dinë prej ditësh asgjë për të dashurit e tyre.

Me mbi 7 mijë vdekje dhe rreth 85 mijë të infektuar, Spanja është pas Italisë vendi i dytë në botë që qan më shumë viktima të koronavirusit. Edhe këtu, në shtëpitë e moshës  së tretë Covid-19 ka vdekshmëri më të madhe.

Një studim i fundit tregon se 37% e vdekjeve totale nga Covid-19 kanë ndodhur në këto rezidenca për të moshuarit. Për më tepër, sipas Ministrisë Spanjolle të Shëndetësisë, pothuajse 95% e njerëzve që kanë  vdekur nga virusi janë mbi 65 vjeç.

Spanja është një nga vendet me jetëgjatësinë më të lartë në Europë dhe Madridi, epiqendra e epidemisë në vend, është gjithashtu bashkësia urbane europiane ku jetohet më gjatë (mesatarisht 85 vjet e gjysmë). Këtu, u ngrit edhe një morg përkohshëm në një shesh patinazhi në akull.

Ora 16:29
Hungari, Parlamenti i jep fuqi të jashtëzakonshme dhe pa limit kryeministrit. Orbán: Për të luftuar pandeminë e koronavirusit

Nën pretekstin e luftës kundër emergjencës nga koronavirusi, demokracia, liria e informimit, institucionet dhe vlerat e sundimit të ligjit të përcaktuara nga traktatet europiane tani i janë nënshtruar pezullimit në Hungari.

Viktor Orbán, nga sot ai do të qeverisë me dekrete dhe ka të drejta qeveritare e superfuqi të jashtëzakonshme dhe pa kufi, aq sa ai mund të mbyllë Parlamentin për një periudhë që do të jetë në diskrecionin e tij dhe kush akuzohet nga ekzekutivi për përhapjen e lajmeve të rreme ai mund të dënohej me burgim deri në 5 vjet në burgjet e mbipopulluara të Hungarisë.

I kritikuar nga opozita, OJQ-të, vëzhguesit europianë dhe ekspertët e të drejtave të njeriut si një ‘grusht shteti i bardhë’, ligji i emergjencës  kaloi në orët e para pasdites në Országház, Parlamenti Hungarez, me 137 vota pro dhe 53 kundër.

Të gjithë deputetët e Fidesz - partia sovraniste e udhëhequr nga Orbán, janë pezulluar aktualisht nga Partia Popullore Europiane, por jo përjashtuar – si dhe disa deputetë të së djathtës ekstreme votuan pro.

Viktor Orbán - në fuqi që nga Prilli 2010, tani mund të qeverisë me dekret për aq kohë sa dëshiron, të mbyllë dhe të hap parlamentin kur të dojë ose të pezullojë ligjet në fuqi apo dhe të shtyjë apo anulojë zgjedhjet. Vetë Kryeministri është përgjegjës për të vendosur se kur do të marrë fund gjendja e jashtëzakonshme, e motivuar zyrtarisht nga përparësia për të luftuar epideminë e koronavirusit.

Orbán gjithashtu do të jetë në gjendje të prezantojë masa të reja, më drastike shtrënguese pa kërkuar miratimin e ligjvënësve.

Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut ka shprehur shqetësimin e tij kurse Këshilli i Europës ka paralajmëruar se "një gjendje e jashtëzakonshme dhe e pakufizuar nuk mund të jetë në pajtim me rregullat dhe vlerat e demokracisë".

Deri më tani, koronavirusi ka shkaktuar 403 raste dhe 13 vdekje në Hungari

Ora 15:14
Koronavirusi, Kryeministri izraelit Netanyahu do të hyjë në karantinë. Princi Charles i Anglisë del nga izolimi

Sipas mediumit izraelit, Haaretz, Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu do të hyjë në karantinë.

Netanyahu do të hyjë në karantinë sëbashku me këshilltarët e tij të ngushtë pasi një ndihmës i tij ka rezultuar pozitiv me koronavirus.

Konkretisht ndihmësi i kryeministrit për çështjet e Knesset-it, (Knesset në Izarel quhet Parlamenti) doli pozitiv për koronavirus të hënën.

Zyra e kryeministrit tha se karantinimi është një masë paraprake dhe po merret edhe para përfundimit të hetimit epidemiologjik.

Ditët e fundit Izraeli ka parë një shpërthim të rasteve të reja me koronavirus, duke raportuar 482 të infekuar 24 orët e fundit dhe një total prej 4,347 personash.

Megjithatë vendi mbetet një nga shtete që kanë vdekshmërinë më të ulët, vetëm 0.4%. Vetëm 16 persona kanë humbur jetën si pasojë e COVID-19 në Izrael.

“Princi Charles i Anglisë është shëruar dhe doli nga izolimi pas një periudhe shtatë-ditore pas udhëzimeve mjekësore”- shkruan Sky News. Djali i mbretëreshës Elizabeth ishte testuar për Covid-19 në fillim të javës së kaluar dhe rezultatet treguan se ai ishte pozitiv. Një zëdhënës i pallatit mbretëror tha se edhe Camilla, gruaja e dytë e princit, gjithashtu iu nënshtrua testit, duke rezultuar negative.

Ora 15:02
Koronavirusi, Papa Françesku kokë më kokë në Vatikan me kryeministrin italian Conte

Në Vatikan, Papa Françesku u takua me Kryeministrin italian Giuseppe Conte në një audiencë private.

Sipas dhomës së shtypit të Selisë së Shenjtë. Kryeministri dhe Papa kanw biseduar për temën e emergjencës së koronavirusit, pas bekimit të Papa Françesku në sheshin e shkretë San Pietro. Por Vatikani nuk ofron detaje të tjera nga takim.

Bergoglio ka qenë prej muajsh duke ndjekur nga afër ngjarjet pandemike në botë. Në nivel global, Papa ka bërë thirrje që të ndalet armiqësia e luftës sepse "konfliktet nuk zgjidhen përmes luftës" dhe Covid -19 "nuk njeh kufij".

Papa gjithashtu i ka bërë thirrje Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për një "armëpushim global dhe të menjëhershëm në të gjitha cepat e botës". Një nga shqetësimet e Papës është se duhet të krijohen korridore për ndihmë humanitare për të ndihmuar më të prekurit nga situata pandemike.

Nuk është rastësi që disa ditë më parë, gjatë meshës së mëngjesit të festuar si gjithmonë në Santa Marta, ai foli për krizën ekonomike që është përkeqësuar në javët e fundit.

Para dy ditësh, Papa Francesku i vetem në oborrin e kishës së Bazilikës së Shën Pjetrit, iu lut zotit për fundin e pandemisë gjatë bekimit të jashtëzakonshëm "urbi et orbi".
"Për javë të tëra duket se mbrëmje bie që në mëngjes. Errësira e dendur mbulon sheshet, rrugët dhe qytetet. Ajo ka zënë vend në jetët tona duke mbushur gjithçka me heshtje shurdhuese dhe një zbrazëti të shkretë mes të cilës e gjejmë veten të friksuar dhe të humbur. Por kemi kuptuar se jemi në të njejtën barkë, të brishtë dhe të çorientuar dhe në të njëjtën kohë të rëndësishëm dhe të domosdoshëm".
Këto ishin disa nga fjalët e bërtitura në heshtje nga Papa Francesku i vetëm në  Piazza San Pietro-n e shkretë, e ftohtë dhe me shi, teksa iu lut Zotit.
"Mos na lërë nën mëshirën e stuhisë". Këtë lutje të veçantë i nisi ai zotit për ti dhënë fund pandemisë.
"Bota është thirrur për t'i dhënë një kuptim kësaj periudhe të vështirë duke rizbuluar hapësira të reja për solidaritet. Zoti na sfidon dhe, në mes të stuhisë, na fton të zgjojmë dhe aktivizojmë solidaritetin dhe shpresën.
"Zot, mos na lër në mëshirën e stuhisë" ishte fjalia e fundit lutëse e Papës.

Ora 14:31
Koronavirusi-Itali, në Lombardi situatë e përmirësuar në kujdesin intensiv, Guvernatori: Masa të rrepta të paktën deri në mes të prillit

Presidenti i rajonit të Lombardisë Attilio Fontana tha se masat e marra nga qeveria italiane në përgjigje të epidemisë nga koronavirusi, duhet ende të jenë të vlefshme, të shtrihen në kohë si dhe ato duhet të konsolidohen.

Fontana tha se të pakën ato duhet të mbeten në fuqi deri në mes të prillit.

"Ne po bëjmë përpjekje të mëdha, por kjo është një betejë që duhet ta fitojmë të gjithë së bashku, pa asnjë të përjashtuar, ose rrezikojmë ta gjejmë veten në çdo moment para humnerës, në një kurbë që do vazhdojë të rritet".

Këshilltari i Mirëqenies i Rajonit të Lombardisë, Giulio Gallera tha se ka ende njerëz të testuar pozitivë por që largohen nga shtëpia, siç ka dalë nga raportet e policisë.

"Për fat të keq ne nuk kemi qenë në gjendje të bindim të gjithë njerëzit të qëndrojnë në shtëpi sepse në të kundërt ata infektojnë të tjerët. Duhet të vazhdojmë të bëjmë thirrje në lidhje me izolimin në shtëpi për të mos lejuar që virusi të gjejë një trup tjetër për të "ngrënë", për t'u infektuar, pasi me shumë sforco dhe humbje tani kemi arritur ta zbusim shpejtësinë e përhapjes së infeksionit.

Gallera tha gjithashtu se "Në Lombardi po vërejmë një ulje të numrit të rasteve me Covid-19, por veçanërisht po vërejmë prej katër ditësh ulje të presionit në pavionet e kujdesit intensiv

Ora 13:39
Koronavirusi-Kryeson Belgjika. Numri i të infektuarve në Itali rritet më ngadalë se në pjesën tjetër të Europës dhe SHBA

 

Italia është vendi i dytë në botë për numrin e personave të testuar pozitiv nga koronavirusi, vetëm një hap larg nga kuota 100 000 si dhe e para për numrin e vdekjeve. Kurba e infeksionit në Itali megjithatë, filloi më herët se pjesa tjetër e botës, përveç Koresë së Jugut dhe Kinës, dhe tani duket se po shkon më ngadalë se në kombet europiane dhe Shtetet e Bashkuara.

Rritja më e fortë ditore përsa i përket numrit të të infektuarve është ajo e Belgjikës, +18.6 përqind, mbi tre herë më shumë se Italia. Shtetet e Bashkuara vijojnë me 16.4 përqind. Mbretëria e Bashkuar është në vendin e tretë për nga rritja e personave me Covid-19, +14.3 përqind.

Në renditjen e shpejtësisë së rritjes së rasteve me Covid-19 në botë, Italia duket se i ka shpëtuar kreut teksa Holanda dhe Zvicra kanë regjistruar një rritje prej 11.2 përqind, më shumë në katër ditët e fundit.

Spanja renditet e gjashta për shpejtësinë e rritjes së rasteve të infektuar, por gjithashtu ka një ritëm rritje gati dyfish në krahasim me Italinë (plus 9.1 përqind).

Irani renditet në vendin e shtatë me një përqindje rritje ritmi prej 8 përqind.

Më pas vjen Gjermania e cila ka hyrë në vorbullën e pandemisë më vonë se Italia. Shëndetësia gjermane ndërkohë po lufton betejën e saj teksa ka bërë brenda një jave rreth 500 teste tamponi por pavarësisht kësaj ajo po regjistron një normë të lartë rritje të infeksionit.

Italia është e dhjeta në renditje me rreth 5.6% rritje në shpejtësinë e rritjes së rasteve me Covid-19 dhe e ndjekur nga Koreja e Jugut, e cila ka një rritje shpejtësie përhapje infeksioni prej rreth 1.1 përqind, dhe më pas Kina, vendi ku lindi gjithçka, e cila ‘udhëton’ vazhdimisht me një rritje prej 0,1 dhe 0% përqind.

Zëvendës Ministri i Shëndetësisë në Itali, ka deklaruar se duke u bazuar në të dhënat më të fundit, "ne presim që piku i epidemisë mund të jetë pas 7-10 ditësh. 

Ora 13:17
Koronavirusi, në Rumani 1800 të infektuar dhe 43 viktima. Ushtria ngre spitalin me 100 shtretër

Rumani numri i të prekurve nga Covid -19 është rritur në mbi 1800 teksa viktimat numërohen në 43.

Pas tetë ditë pune, forcat ushtarake të përfshira në emergjencën e koronavirusit kanë ndërtuar një spital fushor pranë portave të Bukureshtit për njerëzit e prekur nga koronavirusi.

Spitali ka mbi 100 shtretër po duket se është vetëm një pikë uji në ‘detin e problemeve’ të sistemit shëndetësorë kombëtar, sidomos në zonat rurale të vendit.

Presidenti i Republikës Klaus Ioannis tha se "Puna e zyrtarëve tanë dhe stafit mjekësor është mbresëlënëse. Në fund të kësaj krize, ne do të kontrollojmë të gjitha spitalet në vend dhe do të marrim të gjitha masat për t’i pajisur ato me mjetet e duhura”.

Me bllokimin e vendit për shkak të përhapjes së epidemisë, për shumë të moshuar kontakti i vetëm me botën është ai me vullnetarët që shpërndajnë ushqime dhe ndihma të vëna në dispozicion nga autoritetet.

Sipas të dhënave zyrtare në Rumani deri më tani ka 43 viktima dhe 1800 të infektuar

Turqi, personat e identifikuar të infektuar nga Covid-19 janë rreth 9200 për një total vdekjesh prej rreth 130 viktimash.

Më shumë se 1150 persona janë prekur nga infeksioni i koronavirusit në Greqi kurse numri i vdekjeve ka shkuar në 40.

Serbi, autoritetet raportojnë për 741 të identifikuar me koronavirusi dhe 13 viktima, në Kroaci ka 713 të infektuar dhe 6 vdekje, në Hungari janë regjistruar 450 të prekur nga infeksioni dhe 15 viktima kurse në Kosovë ka 94 të identifikuar me infeksionin e koronavirusit dhe 1 viktimë

Ora 12:32
Koronavirusi, bie maksimalisht numri i rasteve të infektuar në Kinë. Në Japonia 86 të testuar pozitiv në qendrën e personave me aftësi ndryshe

Komisioni Kombëtar i Shëndetit Kinez ka raportuar se aktualisht janë 2.396 persona të infektuar me Covid-19 në vend. 

Për herë të parë që nga janari numri ka rënë nën pragun e 2.500 njësive.

Sipas të njëjtit burim, ditën e fundit ka pasur 31 raste të reja të infektimit por vetëm një lokal dhe 30 të tjerë kanë mbërritur nga jashtë.

Wuhan janë regjistruar katër vdekje të reja ku ka ende 633 pacientë që po trajtohen në spitalet e krahinës nga të cilët 597 janë të intubuar.

Rritje e rasteve në Japoni: 86 pozitive në qendrën e personave me aftësi ndryshe

Tetëdhjetë e gjashtë persona me aftësi të kufizuara u testuan pozitiv në qendrën e shërimit ‘Chiba’ afër Tokios. Virusi u përhap pasi infektimit tw kuzhinierit të qendrës.

Sot Japonia ka raportuar se totali i të prekurve nga Covid-19 është rritur në 1866 raste, kurse numri i viktimave ka shkuar në 54 vdekje dhe 424 të shëruar.

Ora 12:22
Koronavirusi, viktima mes mjekëve në Britaninë e Madhe. 513 të vdekur nga Covid-19 në Belgjikë

Në faqen e parë të të gjitha gazetave britanike është vendosur fytyra e mjekut të dytë që ka vdekur nga koronavirusi. Amged El-Hawrani, 55 vjeç, vdiq të shtunën në Leicester Royal Infirmary, ndërsa specialisti i transplantit të organeve 63-vjeçar Adil El Tayar vdiq të mërkurën në Spitalin Universitar West Middlesex në Londër.

Vdekja e mjekëve britanikë, shkruan gazeta The Guardian, ka përshpejtuar presionin ndaj qeverisë për të furnizuar spitalet me pajisje mbrojtëse dhe për të përballuar frikën në rritje midis stafit , të cilët luftojnë në vijat e para të luftës ndaj koronavirusit dhe rrezikojnë jetën e tyre.

Inflacioni i epidemisë në Belgjikë

"Numri vazhdon të rritet, por ne shohim një rënie në forcën e epidemisë," tha zëdhënësi i qeverisë belge Emmanuel Andre, duke shtuar se Belgjika ende është larg pikut të epidemisë.

Belgjika regjistroi 1.063 raste të reja brenda 24 orësh, duke e çuar totalin në 11.899 kurse numri i përgjithshëm i vdekjeve u rrit në 513.

Ora 10:13
Covid-19, Giuseppe Conte: Po të kthehesha pas do të veproja në të njëjtën mënyrë. Europa rrezikohet nga nacionalizmi nëse nuk vepron

"Nëse mund të kthehesha përsëri prapa, do të bëja gjithçka përsëri në të njëjtën mënyrë. Tani është koha për veprim dhe përgjegjësi, pastaj për kritikë".

Kryeministri italian Giuseppe Conte, i intervistuar nga gazeta spanjolle ‘El Pais’, për betejën kundër koronavirusit tha se "Ka një debat të madh publik në Itali por askush nuk ka propozuar një zgjidhje alternative për ato që kemi adoptuar si masa për të frenuar përhapjen e infeksionit.

Përsa i përket lehtësimit të kufizimeve të paraqitura me dekretet e ndryshme, Conte bëri të qartë se është e parakohshme të flitet për këtë, të paktën tani për tani.

Kjo duhet "të ndodhë shumë gradualisht"; tha Kryeministri Italian- duke shtuar se çdo veprim do të bëhet në konsultim me komitetin shkencor.

Conte tha se bllokimi i aktiviteteve prodhuese është "një masë shumë e ashpër nga këndvështrimi ekonomik dhe nuk do të vazhdojë shumë gjatë. Kurse për shkollat ​​dhe universitetet, ai tha se mund të bëhen ndryshime në mënyrë që studentët të mos humbasin vitin apo provimet.

Conte më pas e kthehu artikulimin e tij drejt Europës.

"Në këtë moment në BE po luhet një lojë historike. Europa duhet të reagojë duke shmangur gabimet tragjike". Sepse, vazhdoi kryeministri italian, "rreziku është i qartë" se kjo krizë mund të nxisë anti europianizmin.

"Instinktet kombëtare, në Itali por edhe në Spanjë dhe gjetkë, do të jenë shumë më të forta nëse Europa nuk do t'ë jetë në lartësinë e detyrës dhe situatës”.

Giuseppe Conte tha se është koha për të prezantuar instrumenta të përbashkëta të borxhit europian. Problemi nuk është kur do të dalim nga recesioni, por dalja sa më shpejtë të jetë e mundur dhe se  “koha është çelësi".

Ora 09:49
Covid-19 vret 14 vjeçarin në Portugali, viktima me moshë më të re në Europë


Një 14 vjeçar nga Portugalia ka humbur jetën si pasojë e infeksionit nga koronavirusi, duke u bërë viktima më e re në botë që humb jetën nga COVID-19.

Sipas DailyMail, Vitor Rafael Bastos Godinho vuante nga psoriaza, një sëmundje e lëkurës

Ëndrra e 14 vjeçarit ishte futbolli dhe sipas gazetës ai kishte ëndër të ndiqte gjurmët e idhullit të tij, Cristiano Ronaldo.

Godinho ishte shtruar në spital ditën e shtunë kur edhe u identifikua pozitiv me koronavirus dhe vetëm një ditë më pas u bë viktima më e re në kontinetin e vjetër.

Në Portugali numri i të infektuarve është 5962, ndërsa ka patur edhe 119 viktima nga koronavirusi.

Vetëm tre ditë më parë, në Francë humbi jetën prej infeksionit një vajzë 16 vjeçare.

Julie A. u shtrua në një prej spitaleve të Parisit të mërkurën, pas një kolle të lehtë dhe të thatë 

Motra e saj, mes lotëve deklaroi për një television francez se “Nuk duhet besuar se koronavirusi vret vetëm të moshuarit. Askush nuk është i pathyeshëm kundër këtij virusi”.

Ora 09:32
Në Itali ngadalësohet rritja progresive e infeksionit. Spanja kapërcen Kinën për numrin e infeksioneve. Covid-19 përhapet me ritme të shpejta në botë(VIDEO)

Në botë numri i përgjithshëm i të infektuarve nga koronavirusi ka shkuar në mbi 720 mijë kurse numri i viktimave është rritur në mbi 34 mijë.

Ngadalësohet me shpejtësi rritja progresive e infeksionit nga Covid-19, por Italia është ende larg për të folur për një prirje të konsoliduar. Numri i infeksioneve të reja është i qëndrueshëm, ndërsa totali është afër njëqind mijë raste.

Pas më shumë se një muaj nga fillimi i emergjencës nga koronavirusi, sot nis dhe prodhimi i maskave ‘Made In Italy’ ndërkohë që numri i personelit mjekësor i infektuar është rreth 8350.

Italia, së bashku me Spanjën, kanë regjistruar më shumë se gjysmën e viktimave.

Duke parë numrat e fundjavës që shkoi, numri më i mprehtë ishte ai i vdekjeve por që për tre ditë rradhazi kishte një trend zbritës çdo herë me 10-15% në ditë, gjë që tregon se sistemi shëndetësorë po i përgjigjet situatës dhe gjithashtu tregojnë efektivitetin e masave të marra nga qeveria italiane.

Kina renditet pas Italisë me mbi 82 mijë të prekur nga Covid-19 dhe mbi 3300 viktima.

Spanja, një nga vendet europiane më e goditura nga pandemia dhe që këto ditë pret pikun e infeksioneve, në 24 orët e fundit regjistroi rreth 820 vdekje për një total prej më shumë se 6800 viktima dhe mbi 85 mijë të prekur nga infeksioni, duke kapërcyer Kinën

Gjermani numri i të infektuarve është më shumë se 62 400, por gjithsesi numri i vdekjeve mbetet ende i ulët, rreth 540. Në 24 orët e fundit në vend u regjistruan 92 viktima

Sipas autoriteteve franceze, në 24 oret e fundit u regjistruan 292 viktima kurse të prekurit nga Covid-19 janë rritur në mbi 40 700 për një total vdekjesh prej rreth 2600.

Britania e Madhe ka regjistruar rreth 20 mijë raste të identifikuara më koronavirus. Sipas Universitetit Johns Hopkins, numri i vdekjeve është rritur në mbi 1230 teksa në 24 orët e fundit u regjistruan 209 viktima.

Ora 08:56
Koronavirusi-Suedi, Stokholmi me 110 të vdekur refuzon masat shtënguese përballë epidemisë

Ndërsa me përparimin e pandemisë, vendet europiane po vazhdojnë të zgjasin afatet e izolimit dhe bllokimit në garë për të frenuar infeksionin e Covid-19, Suedia duket e vendosur që të shkojë në mënyrën e saj në administrimin e epidemisë. Qasja e miratuar është rrënjësisht e ndryshme: në kryeqytetin Stokholm ende mund të shihen njerëz që ecin në grupe, duke shijuar këtë pjesë të parë të pranverës.

E drejtë apo e gabuar, koha do ta tregojë për vendimin e qeverisë së Stefan Löfven, i cili ka shmangur bllokimin total siç bënë fqinjët e saj Norvegjia dhe Danimarka, duke zgjedhur në vend të kësaj një fushatë rekomandimesh për publikun, të cilat përfshijnë distancimin shoqëror dhe izolimin e njerëzve mbi 70 vjeç.

Restorantet dhe shkollat ​​fillore mbeten të hapura ndërsa eventet familjare, sportive dhe kulturore lejohen të zhvillohen me praninë e jo më shumë se 50 personave. Autoritetet e shëndetit kombëtar thonë se vendet e tjera europiane kanë qenë shumë drakoniane me masat e marra.

Por me 3.700 raste dhe mbi 110 vdekje nga e diela - qasja qeveritare shihet me skepticizëm nga disa autoritete shëndetësore.

Gazeta e Shoqatës Mjekësore Suedeze ka publikuar një dokument paralajmërues në lidhje me rreziqet e kësaj strategjie, ndërsa një ekspert në modelet e aplikuara matematikore në epidemiologji, ka paralajmëruar qeverinë se nuk ka asnjë provë shkencore që imuniteti i tufës do japë rezultate dhe se flamurtari i kësaj strategjie në Britaninë e Madhe, kryeministri Boris Johnson dhe Ministri i Shëndetësisë Hankok ndodhen në shtrat me Covid-19. Historia, si gjithmonë, do ketë aktgjykimin e saj.

Ora 08:51
New York-u përgatitet për më të keqen, ‘Central Park’ shndërrohet në spital (FOTO)

Në SHBA nga dita në ditë po rritet frika se një numër i madh njerëzish do të preken nga infeksioni i koronavirusit.

Pas deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump se numri i vdekjeve mund të shkojë në 100 000, autoritetet e shëndetit në New York, epiqendra e pandemisë në SHBA, kanë filluar nga puna për të shndërruar parkun më të madh të New York City në spital fushor me pajisje të nevojshme për trajtimin e pacientëve me koronavirus.

Spitali i ri fushor i shtohet atin të ‘Javits Center’, gjithashtu në New York, i destinuar për pacientët me Covid-19.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet