13 vite shtet i pavarur, sot feston Kosova! ‘New Born’ mbulohet me shenja duarsh me ngjyrën e ushtrisë: E prumë paqen bashkë (VIDEO)

Kosova feston sot 13-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, dy ditë pas zgjedhje parlamentare, ku fitoi bindshëm Vetëvendosja me në krye Albin Kurtin.

Më 17 shkurt 2008, deputetët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës shpallën vendin shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Ky akt u kontestua nga Serbia e cila kërkoi edhe vlerësimin e ligjshmërisë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Në korrik të vitit 2010 kjo gjykatë konstatoi se Deklarata e Kosovës për Pavarësi nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Nga viti 1999 kur edhe Kosova u çlirua nga Serbia deri në shpalljen e Pavarësisë, vendi u administrua nga misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara UNMIK, ndërsa pati paralelisht institucionet e saj demokratike - Kuvendin, Presidentin dhe Qeverinë. 

Në këtë ditë janë organizuar një sërë aktivitetesh nga institucionet e saj qendrore dhe ato lokale. Ceremonitë për nder të kësaj dite do të fillojnë me ngritjen e Flamurit shtetëror nga Garda Ceremoniale e FSK-së në oborrin e Zyrës së Kryeministrisë, në të cilin do të marrin pjesë ushtruesja e detyrës së presidentit Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë Avdullah Hoti.

Manifestimi qendror do të mbahet në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ndërsa nën përkujdesjen e u.d. presidentit së Kosovës, Vjosa Osmani, do të mbahet edhe një pritje shtetërore. Gjatë ditës do të ketë homazhe te shtatorja e komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari në Prekaz dhe Skenderaj, shtatorja e Zahir Pajazitit në Prishtinë, varrezat e dëshmorëve në Gllogjan, Reçak dhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Do të mbahen edhe aktivitete sportive si Gara e Pavarësisë- Federata e Gjimnastikës në Prishtinë, Turniri i Pavarësisë-Federata e Mundjes. Në Han të Elezit, Turniri i Pavarësisë- Federata e Ping-Pongut Prishtinë, Vrapimi i Pavarësisë- Federata Atletike në Viti. Për nder të 13-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës do të hapet ekspozita “Jeta dhe vepra e Sali Çekut” dhe ndarja e çmimeve vjetore për letërsi nga MRKS-ja në Prishtinë. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:54
Kurti në 13-vjetorin e pavarësisë: Krenar dhe i ndërgjegjshëm për sfidat

Kandidati për kryeministër, Albin Kurti ka uruar për përvjetorin e 13-të të shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe është shprehur krenar dhe i ndërgjegjshëm për sfidat.

 “Krenar për trashëgiminë tonë, të etur për sukses dhe të ndërgjegjshëm për sfidat që na presin, ne festojmë sot 13 vjetorin e Pavarësisë sonë. Ne do të punojmë shumë për të nderuar ata që dhanë gjithçka që të mund të jetojmë të lirë dhe të prosperojmë”, shkroi Kurti në llogarinë e tij në Twitter.

Ora 11:30
‘Nuk do e harroj kurrë atë ditë’, Dua Lipa uron pavarësinë e Kosovës: Krenare për ty

Këngëtarja e famshme me origjinë kosovare, Dua Lipa përmes një postimi në rrjetin e saj social Instagram ka uruar Kosovën për ditën e saj të Pavarësisë. 

Ajo shkruan se nuk do të harroj kurrë momentin e shpalljes së pavarësisë, të dridhurat dhe energjinë e qytetit atë ditë, pasi ajo e ka ndjekur nga televizori kur jetonte në Prishtinë.

Dua shtoi se është shumë krenare për Kosovën dhe arritjet e saj dhe mezi pret të shohi si do të zhvillohet ajo në të ardhmen.

 

Ora 09:35
Reporteri gjerman për Kosovën: Vizat t’u hiqen tani kosovarëve, BE-ja po e humb kredibilitetin

Në urimin e tij për 13 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, raportuesi për Kosovën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Peter Beyer ka kërkuar që qytetarëve të iu liberalizohen sa më shpejtë vizat.

Deklaratën e tij diplomati gjerman e ka bërë në një postin në Facebook, ku ai ka cituar diplomatin gjerman, Wolfgan Ischinger i cili ka pasur të njëjtën kërkesë. Beyer tha se nuk duhet të ketë më justifikime të padrejta nga Bashkimi Evropian dhe se liberalizimi duhet të ndodhë tani.

“Siç ka thënë ambasadori prof. Wolfgang Ischinger: “Në rregull, ta bëjmë tani! Liberalizimi i vizave për të gjithë qytetarët e Kosovës është një premtim i papërmbushur i BE-së – është në pyetje kredibiliteti i BE-së!” – me këtë unë pajtohem plotësisht dhe e përforcoj duke thënë: Jo më justifikime të padrejta. Liberalizim të vizave tani!”, ka thënë ai

Kosova, pavarësisht se në bazë  të deklaratave dhe raportimeve ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, ende nuk ka arritur këtë gjë për shkak të vetos që disa shtete të cilat nuk njohin ende pavarësinë e saj.

Ora 09:29
13 vjetori i pavarësisë së Kosovës, liderët përkujtojnë presidentin e parë Ibrahim Rugova

Më 17 shkurt 2008 në orën 15:39  në Kuvendin e Kosovës u nënshkrua Deklarata e Pavarësisë, duke u bërë kështu shteti më i ri në Evropë.  Kosova e pavarur nisi të njihej nga shtetet e shumta dhe sot pas 13 vitesh numëron 117 shtete që e kanë njohur atë.

Në kuadër të aktiviteteve të mbajtura këtë ditë kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti së bashku me presidenten në detyrë, Vjosa Osmanin kanë bërë homazhe te varri i presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugovës.  Kreu i LVV-së, Albin Kurti ka uruar 13-vjetorin e pavarësisë duke thënë se uron që përvjetorin i 14-të të e gjejë Kosovën me drejtësi e zhvillim.

“Urime e gëzuar përvjetori i 13-të me shpresë dhe besim se viti i 14-të i shtetit tonë do të jetë me drejtësi, me demokratizim e zhvillim. Sot kujtojmë personalitetet kombëtare historike që kontribuuan në faza e mënyra të ndryshme andaj vendosëm lule të freskëta te presidenti i parë doktor Ibrahim Rugova që ishte edhe presidenti i parë në Kosovën e çliruar për të vazhduar në aktivitete të tjera. I falënderojmë qytetarët që kanë kontribuar për këtë ditët dhe kujtojmë të gjithë dëshmorët dhe martirët ata të cilët nuk janë më e falë të cilëve e kemi lirinë”, tha Kurti.

Edhe ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani ka uruar ditën e pavarësisë së Kosovës.

Në 13- vjetorin e shtetit tonë, nderuam arkitektin e pavarësisë e të shtetësisë sonë, Presidentin historik Ibrahim Rugova, Komandantin legjendar Adem Jashari dhe sakrificën sublime të familjes Jashari si ikonë e lirisë, sikurse edhe simbolin e rezistencës, veprimtarin e çështjes kombëtare Adem Demaçi. Ndërkaq, së bashku me Ambasadorët e Quint-it dhe ambasadorin e BE-së, u përkulëm tek memoriali Heorinat, për ta nderuar sakrificën e simbolin e forcës, heroinat tona, e për të kërkuar drejtësi për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.Lavdi të rënëve, të gjithë dëshmorëve, martirëve e heronjve tanë, të cilët mbesin dritë udhërrëfyese në rrugën tonë përpara për ta bërë Kosovën ashtu siç e ëndërruan ata!",  ka shkruar Osmani në profilin e saj në Facebook.

Kreu në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj ka uruar 13 vjetorin e pavarësisë duke kujtuar ish-kreun e PDK-së Kadri Veseli e ish-presidentin Hashim Thaçi, të dy aktualisht në paraburgimin e Hagës.

“Për 13 vite me radhë, Hashim Thaçi e Kadri Veseli punuan çdo ditë për zhvillimin e shtetit dhe mirëqenien e qytetarëve. Çdo moment të jetës së tyre ia kushtuan përmbushjes së amanetit të dëshmorëve për liri e pavarësi. Këtë premtim do të vazhdojmë ta mbajmë dhe ta jetësojmë çdo ditë si Parti Demokratike, pasardhëse e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sot Kosova është më e mirë sesa para 13 vitesh. Partia Demokratike do të jetë gardiani i vlerave demokratike sot dhe përgjithmonë”, ka thënë Kurti.

Kryetari i dorëhequr i LDK-së, Isa Mustafa ka uruar po ashtu qytetarët në 13 vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Mustafa ka thënë se shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008 shënon një nga momentet më të rëndësishme në historinë me të re të Kosovës.

“Rruga deri të pavarësia ishte një rrugë me sakrifica dhe mund i një populli të tërë të cilët nuk kursyen as jetën e tyre për ta çliruar shtetin  Projektues i pavarësisë dhe i themelimit të shtetit të Kosovës është arkitekti i saj, Dr. Ibrahim Rugova. Ai me vizionin e tij properëndimor fitoj mbështetjen e jashtëzakonshme ndërkombëtare sidomos nga SHBA-të që ta përkrahin Kosovën në arritjen e lirisë, krijimin e shtetit dhe po vazhdojnë në konsolidimin e tij. U jemi mirënjohës përjetësisht Familjes së Komandantit Legjendar, Adem Jashari, dëshmorëve të kombit dhe të gjithë atyre që dhanë kontribut të jashtëzakonshëm në përpjekjet e tyre të pareshtura për liri, çlirim dhe shtetndërtim”, tha Mustafa.

Kreu i LDK-së u shpreh se në këtë 13 vjetor Kosova ka arritur shumë suksese pavarësisht rrethanave sfiduese që i ka hasur gjatë rrugëtimit të saj gjatë këtyre viteve.

 

Ora 09:08
‘E prumë paqen bashkë’, monumenti ‘New Born’ merr pamje tjetër për ditën e Pavarësisë së Kosovës, mbulohet me shenja duarsh në ngjyrën e ushtrisë

Monumenti “New Born”, në Prishtinë të Kosovës ka marrë një pamje tjetër për ditën e Pavarësisë së Kosovës, duke u mbuluar me shenja të duarve të qytetarëve, me ngjyrën e ushtrisë që simbolizon luftën e drejtë çlirimtare.

Të mëdhenj edhe të vegjël dhanë “një dorë” në pamjen e re të “New Born” duke lënë shenjën e tyre në mënyrë që të ishte gati këtë ditë të shënuar për Kosovën.

Motoja e monumenti këtë vit është “Ne e prumë paqen bashkë”! Përmes kësaj synohet të tregohet uniteti dhe bashkimi mes njeri tjetrit njëjtë si në ditën e shpalljes së pavarësisë, si dhe është një nderim për ata që dhanë jetën dhe sakrifikuan që sot Kosova të jetë e lirë.

Mëngjesin e sotëm ideatori i kësaj nisme, Fisnik Ismaili përshëndet me një foto të pamjes së re të “New Born”.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Macron i përmend Kurtit Asociacionin teksa flet për rrugën e Kosovës në Këshillin e Evropës

Macron i përmend Kurtit Asociacionin teksa flet për rrugën e Kosovës në Këshillin e Evropës