Partitë kryesore në Kosovë po përgatiten për zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 28 dhjetor. Në lidhje me këtë çështje i ftuar në ‘Sot Live në Shqipëri”, ishte analisti Ardit Gjinali.

Në një lidhje të drejtëpërdrejtë, Gjinali theksoi se mungesa e një fituesi të vetëm do të kërkonte konsensus si një mundësi e vetme për të dërguar proceset përpara në vend.

Teksa u pyet nga moderatori Nertil Agalliu nëse gjatë këtyre zgjedhjeve të përsëritet skenari bullgar, ai tha se shpreson se kjo situatë të mos ndodh në Kosovë.

“Skenari bullgar” i cili nënkupton një cikël të përsëritur zgjedhjesh për shkak të pamundësisë për të formuar qeveri stabile, lidhet me disa faktorë si fragmentim të lartë politik, polarizim të thellë, mungesë besimi midis partive, por edhe me një kulturë të brishtë koalicioni.

“Është e vërtetë që 9 muajit e shkuar ishin një panoramë e padëshiruar për ata që donin të shikonin një qëndrueshmëri  politike në Kosovë, por mbetet për t’u parë në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Megjithatë i sigurt mbetet fakti që nuk do të ketë një fitues të vetëm dhe mungesa e një fituesi të vetëm do të dërgoj palët drejt detyrimit politik dhe shtetëror - për të arritur një konsensus, si një mundësi e vetme për të dërguar proceset përpara. Nëse do të kemi një skenar bullgar unë uroj që jo dhe shpresoj që klasa politike të respektoj vullnetin zgjedhjet e 28 dhjetorit për të shmangur skenarët që do të vinin në disktutim qëndrueshmërinë politike në Kosovë”, tha analisti.

Ndër të tjera Gjinali nënvizoi se mbetet e rëndësishme të shihet vullneti përfundimtar i qytetarëve në Kosovë, sesi do të votojnë ata pas këtij ngërçi politik.

"Padyshim që partitë e bllokut opozitar në legjislaturën parlamentare të shkuar mund të njohin një afërsi sa i takon disa linjave të caktuara nëse mund t’i quajmë qeverisëse dhe një vizioni për të gjitha sfidat që Kosova ka përpara. Mbetet e rëndësishme të shihet vullneti përfundimtar i zgjedhësve - shihet sesi qytetari do të reagojë pas një krize politike, si do të gjykojë ai për këtë gjë.Qytetarët e Kosovës do të japin mesazhin e qartë sa i takon asaj që është kaluar në këto 9 muaj. Prishtina mendoj që do të jetë territori politik, i cili mund të jetë lakmuesi elektoral veçanërisht për partitë e grupimit opozitar", shtoi ai.