Kosovë/ Arrestimi i Mehmetajt nga serbët, rrëfimi i nënës: I thashë të mos shkonim...mesazhi i vetëm që më ka dërguar nga burgu

Kosovë/ Arrestimi i Mehmetajt nga serbët, rrëfimi i nënës: I thashë të mos shkonim...mesazhi i vetëm që më ka dërguar nga burgu

Nazlie Mehmetaj, nëna e Nezir Mehmetaj

KOSOVË- Nazlie Mehmetaj, nëna e Nezir Mehmetaj, i arrestuar nga serbët, ka rëfyer me detaje gjithçka ka ndodhur në doganën në Merdare, kur djali i saj u prangos. Në një intervistë për T7 në Kosovë, Nazlie Mehmetaj shprehet se ajo ishte nisur drejt Nishit të Serbisë për t'u kuruar, por nga ai udhëtim u kthye pa djalin.

"I thashë jo mor bir, mos të shkojmë atje, ai tha jo s'na ndodh gjë, ça u kemi bërë atyre.  Kur kaluam aty, nuk u vonuam fare. Na panë dokumentet, u dhamë letërnjoftimet, i kishim të gjitha në rregull. Na lëshuan tri dokumente që ishin për të hyrë e për të dalë", tregon Nazlia.

Gjithçka kishte shkuar mirë, por në kthim dokumentet që ua kishin dhënë vetë serbët në doganë, u kishin hapur probleme.

"Na thonin kush ta ka lëshuar këtë letër, atë që e lëshuan vetë. U thamë që "ju na e keni lëshuar" dhe thirrën policë të tjerë, thirrën një, thirrën një. E pyetën si e ka emrin baba yt. Tretën herë që e thirrën, i tha "Nezir a po vjen me ne", ai i tha "po". Prita, prita, por kurrgjë. Thashë sado të vonohem do e pres", rrëfen Nazlie.

Duke qenë se Nezir Mehmetaj ishte larguar nga Kosova kur ishte vetëm 17-vjeç (sot 49-vjeç) për të jetuar në Zvicër dhe nuk ka qenë as gjatë luftës në Kosovë, nëna ngre dyshime se arrestimi ka ardhur për shkak të bashkëshortit të saj.

"Baba i vet ka qenë i arrestuar, ndenji në burg 2 vjet e gjysmë", tha ajo. Ajo është në pritje të një lajmi të mirë për Nezir Mehmetaj, për të cilin është ngritur shteti në këmbë, teksa ka treguar edhe mesazhin e fundit që ka marrë nga djali i saj. "Mos u mërzisni, se do më lëshojnë", ishte mesazhi i fundit i Nezir Mehmetajt me nënën e tij.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Copëz pranvere çelur mes malesh në Bogë

VIDEO/ Copëz pranvere çelur mes malesh në Bogë