KPA shuan shpresat për gjyqtarët e prokurorët e shkarkuar edhe me votën e Luan Dacit! Kolegji në dosjen e Rovena Gashit: Vendimet tona të pacënueshme nga ish gjyqtari i dënuar

KPA shuan shpresat për gjyqtarët e prokurorët e shkarkuar edhe me votën e Luan Dacit! Kolegji në dosjen e Rovena Gashit: Vendimet tona të pacënueshme nga ish gjyqtari i dënuar

Rovena Gashi dhe vendimi i KPA

Tirane- Kolegji i Posaçëm i Apelimit duket se u ka shuar shpresat për marrjen në shqyrtim të kërkesave për rishikim vendimi, ish-subjekteve të rivlerësimit të shkarkuar me vendim nga shkalla e dytë dhe e fundit e vetting-ut.

Rovena Gashi, ish prokurore e Prokurorisë së Përgjithshme ishtë një ndër subjektet e rivlerësimit e cila bëri 5 herë kërkesa për tu rishikuar vendimi i shkarkimit të saj - nr.12, datë 29.05.2019 - nga trupa gjykuese e Kolegjit të Posacëm të Apelimit,  pjesë e të cilit ishte gjyqtari Luan Daci.

Ish-anëtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit u shkarkua dhe u dënuar më pas pasi kishte paraqitur të dhëna të rreme gjatë planit për t’u bërë pjesë e KPA. Së fundmi në mars 2023 Gjykata e Lartë la në fuqi vendimin e dënimit me 6 muaj burg të konvertuar në 1 vit shërbim prove për akuzën e falsifikimit të dokumenteve për Luan Dacin.

Rovena Gashi e cila ishte shkarkuar në maj 2019 dorëzoi 2 kërkesa më 2021 dhe 3 kërkesë gjatë 2023 përtë kërkuar rishikimin e vendimit të KPA-së, ndërkohë trupi gjykues vendosi bashkimin në një proces të vetëm.

Në dhjetor 2023 trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Sokol Çomo kryesues, Rezarta Schuetz relatore, Albana Shtylla, Ina Rama, Mimoza Tasi anëtare I rrëzuan të 5 kërkesat duke ia shuar përfundimisht mundësinë për tu rikthyer në Prokurorinë e Përgjithshme.

Ndërsa në vendimin e arsyetuar lidhur me rrëzimin e kërkesave për rishikim të vendimit të ish – subjektit të rivlerësimit Rovena Gashi, të publikuar pak ditë më parë dhe që Shqiptarja.com e disponon Kolegji arsyeton se bazuar në germën “c” të nenit 494 të Kodit të Procedurës Civile, vepra penale për të cilën është dënuar gjyqtari, “nuk ka ndikuar në dhënien e vendimit për të cilin kërkohet rishikim”.

Në kërkesën e parë Gashi argumentonte se fakti që funksioni (nga Luan Daci) është marrë në kushtet e kryerjes së një vepre penale,  ka ndikuar në dhënien e një vendimi të padrejtë ndaj saj, në privim të së drejtës së saj për t’u gjykuar nga një gjykatë e krijuar me ligj

Por trupi i Kolegjit vlerëson se kërkesa nuk ka bazë ligjore pasi nuk ka lidhje shkakësore mes vendimit penal në ngarkim të gjyqtarit e vendimit të marrë për ankimin e saj në Kolegj

“Vepra penale për të cilën është dënuar penalisht  Luan Daci  nuk ka asnjë lidhje shkakësore me vendimin e marrë në Kolegj për lënien në fuqi të vendimit të Komisionit që e shkarkoi atë [kërkuesen] nga detyra.

Së pari, në planin kohor, vepra penale e falsifikimit për të cilën është deklaruar fajtor ish-gjyqtari Luan Daci referuar vendimeve të gjykatave, është kryer në vitin 2017, në procesin e kandidimit për pozicionin në të cilin më pas është emëruar, ndërsa vendimi i Kolegjit për të cilin znj. Gashi kërkon rishikimin është marrë në maj 2019, mbi dy vite pasi është konsumuar vepra penale që përbën bazën e kërkesës për rishikim.

Së dyti, në planin e lidhjes shkakësore, qartazi nuk mund të argumentohet ndonjë lidhje shkakësore mes veprimeve të kryera në procesin e kandidimit e emërimit të gjyqtarit në vitin 2017, dhe atyre të kryera prej tij në procesin e shqyrtimit të ankimit të kërkueses, në funksion të kryerjes së detyrave përkatëse, qofshin ato edhe detyra të cilat janë tagër e relatorit, si një ndër pesë (5) anëtarët e trupit gjykues, që vendosi në mënyrë unanime lënien në fuqi të shkarkimit të kërkueses.  Nën dritën e kësaj analize, është i pabazuar, sikurse edhe i pakuptimtë, pretendimi se vepra penale e konstatuar nga gjykata ka ndikuar në mënyrën sesi  zoti Daci ka votuar në çështjen në Kolegj, mbi bazën e ankimit të kërkueses, vijon më tej argumenti i gjyqtarëve' – thuhet në vendimin e arsyetuar 24 faqesh, një kopje të të cilit e disponon dhe Shqiptarja.com.

Kolegji ka dhe një argument për të rrëzuar pretendimin e prokurores se pjesëmarrja e gjyqtarit Luan Daci në trupën gjyqësore të Kolegjit që gjykoi ankimin e kërkueses kundër vendimit të Komisionit, e privoi atë nga e drejta për t’u gjykuar nga një “gjykatë e krijuar me ligj”

‘Nuk provohet ndikimi i veprës penale për të cilën është shpallur fajtor anëtari i trupit gjykues që shqyrtoi ankimin e saj në Kolegj, në vendimin për të cilin kërkohet rishikimi‘ argumentohet në vendim”

Për kërkesen e 2 Kolegji argumenton se Rovena Gashi nuk ka arritur nivel të besueshëm në kontrollin e pasurisë në kushtet që është konstatuar se [ajo] ka në pronësi pasuri më të mëdha nga sa mund të justifikojë ligjërisht, nuk ka shpjeguar bindshëm burimin e ligjshëm të pasurive dhe të të ardhurave 

Kërkesën e 3-të të rivlerësimit, Rovena Gashi e mbështeti tek vendimi i Gjykatës së Strasburgut për ish prokurorin Besnik Cani, që i dha të drejtë për të rishikuar vendimin për shkak se pjesë e trupës gjykuese edhe tek ai ishte Luan Daci.

Trupi gjykues e ka argumentuar duke shtjelluar dy vendime të Gjykatës së Strasburgut. Si vendimin për prokurorin Cani dhe Antoneta Sevdari

Këta dy vendime janë elaboruar gjerësisht nga gjykata në përgjigje të pyetjeve nëse është cenuar parimi i gjykatës së krijuar me ligj, si dhe nëse kërkuesit mund të legjitimohen pa kufij kohorë për të kontestuar praninë e zotit Daci në trupa gjykues të ndryshëm në Kolegj.

Deduktohet që provat e rrethanat e reja që parashtrohen si shkak për rishikimin, do duhet të jenë të një natyre e cila, nëse do të njihej prej gjykatës, do të passillte një vendim tjetër. Përndryshe, ky mjet ligjor mund të kishte pasoja joproduktive në menaxhimin e ngarkesës së punës në gjykatë, sikurse edhe vendoste parimin e res judicata në pozitë të përhershme vulnerabiliteti. Me fjalë të tjera, në mënyrë që mjeti i jashtëzakonshëm t’u shërbejë interesave të drejtësisë, pa cenuar në tërësi parimet e përgjithshme themelore të saj [drejtësisë], risitë që vijnë nga provat e rrethanat e tjera, duhet të jenë të atilla që drejtësia e vendosur të prevalojë kundrejt sigurisë juridike që cenohet apo ekonomisë gjyqësore

Në kushtet që mungon një lidhje shkakësore mes vendimit të kontestuar dhe veprimeve për të cilat është dënuar penalisht ish-gjyqtari Luan Daci, është e pamundur të argumentohet që nëse çfarë ka konstatuar GjEDNj-ja në çështjen Cani, do të ishte njohur në maj 2019 – kohën e dhënies së vendimit për kërkuesen Rovena Gashi – do të përmbyste domosdoshmërisht edhe zgjidhjen përfundimtare të çështjes së themelit. Me fjalë të tjera, edhe sikur të konsiderohet vendimi i GjEDNj-së në çështjen Cani një provë e re me shkrim – sikurse pretendon kërkuesja – jo domosdoshmërisht rezultati përfundimtar në zgjidhjen e çështjes së rivlerësimit të saj do të ishte i ndryshëm nga lënia në fuqi e vendimit të Komisionit’ argumenton trupa prej 5 gjyqtarësh.

Trupi gjykues mban në konsideratë edhe faktin që vendimi për të cilin kërkohet rishikim është marrë nga pesë (5) anëtarë, ndërsa problematikat e pasurisë që kanë passjellë shkarkimin, janë konstatuar e konkluduar në KPK, dhe më pas janë konfirmuar në Kolegj. Mbi të gjitha, trupi gjykues vëren se GjEDNj-ja në çështjen Cani ka theksuar se procesi i rivlerësimit për kërkuesin [Besnik Cani] ka në fokus të drejtat dhe përgjegjësitë e tij si prokuror karriere dhe nuk kishte ndikim/implikime, të paktën jodirekte, mbi të drejtat e detyrimet e palëve të treta

“Konstatimi i shkeljes së të drejtës për një gjykatë të krijuar me ligj, në rastin e çështjes së ngritur nga Besnik Cani dhe referuar më parë edhe në çështjen e Ástráðsson, nuk mund të konsiderohet vetvetiu një detyrim sipas Konventës për t’i imponuar një shteti të paditur të rihapë të gjitha çështjet e ngjashme që janë bërë res judicata sipas ligjit të brendshëm” thuhet më tej në vendimin e arsyetuar 24 faqesh

Po kështu Kolegji sjell në vëmendje qëndrimin e GjEDNj-së se parimi i “gjësë së gjykuar” nënkupton që asnjë palë nuk ka të drejtë të kërkojë rishikimin e një vendimi të formës së prerë vetëm për të përfituar një ridëgjim në seancë gjyqësore, një rishqyrtim dhe një rigjykim të çështjes. Kompetencat për rishikim të gjykatave më të larta, duhen ushtruar për korrigjimin e gabimeve gjyqësore dhe dështimeve në dhënien e drejtësisë, jo për të kryer një gjykim të ri të çështjes.

Rishikimi nuk duhet trajtuar si një apel i fshehur dhe thjesht mundësia e ekzistencës së pikëpamjeve të ndryshme në lidhje me objektin e gjykimit, nuk përbën bazë për rishqyrtim.

Trupi gjykues thotë se “vlerësimi i kryer nga GjEDN-ja në atë çështje nuk përbën shkak për riçeljen e çështjes së subjekteve të rivlerësimit që janë bërë res judicata (gjë e gjykuar) sipas ligjit të brendshëm e për të cilët nuk ka një vendim specifik nga GjEDNj-ja’

Në kërkesën e katërt për rishikim, kërkuesja argumenton sërish parregullsitë në procedurën e emërimit të ish-gjyqtarit Luan Daci, por këtë herë si provë dorëzon vendimin e Gjykatës së Lartë që lë  në fuqi dënimin e dhënë nga Apeli.

Por as këtë herë Gashi nuk provoi ndikimin e veprës penale të kryer nga ish-gjyqtari Luan Daci në dhënien e vendimit për të cilin kërkonte rishikimin dhe as nuk kishim të bënim me rrethanë të re

Kërkesën e 5 Gashi e parashtron me vendimin e GJKKO-së që shpalli të pafajshëm komisioneren e vetingut Etleda Çiftja  duke parashtruar se Gjykata e Posaçme ka justifikuar deklarimet e rreme të znj. Ç. në deklaratën e pasurisë.

Por për Kolegjin  këto prova nuk paraqesin asnjë lidhje logjike, ligjore apo procedurale.

“Nëse do të pranohej logjika e kërkueses, çdo vendim i marrë nga gjykatat në procedime të pandërvarura e me natyrë thelbësisht të ndryshme garancish, si ato penale e administrative, do të mundësonte rishikimin e një vendimi të formës së prerë, duke sjellë si pasojë vendosjen e parimit të sigurisë juridike në vulnerabilitet të vazhdueshëm, edhe duke abstraguar nga detyrimet e gjykatave për të dhënë drejtësi në kohë. Fakti që gjykatat vlerësojnë deklarimet e një subjekti tjetër deklarues në një proces penal pa asnjë ndikim në çështjen e rivlerësimit të kërkueses, është e pamundur të argumentohen se përbëjnë provë/rrethanë të re” argumentohet në vendim.

'Shuhen' shpresat për rishikim vendimi

Sipas këtij arsyetimi, KPA pritet të rrëzojë kërkesat e prokurorëve dhe gjyqtarëve të shkarkuar që kanë depozituar kërkesë për rishikim vendimi duke përdorur si arsye dënimin nga Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar të ish gjyqtarit Luan Daci, një prej gjyqtarëve të Kolegjit të Apelimit.

Pas vendimit përfundimtar të GjEDNj-së së datës 04.10.2022, që i përket çështjes Besnik Cani kundër Shqipërisë, ku është vlerësuar se anëtari i trupit gjykues, Luan Daci nuk përmbushte kushtet ligjore për emërimin e tij si gjyqtar i Kolegjit, një sërë subjektesh të shkarkuar nga Kolegji kanë paraqitur kërkesë për rishikim vendimi pranë KPA-së.

Deri tani, KPA ka pranuar kërkesën për rishikim vendimi vetëm të prokurores Antoneta Sevdari duke vendosur rikthimin e saj në detyrë. 

Edhe gjyqtari tjetër i Kolegjit, Ardian Hajdari, i pezulluar nga detyra, është dënuar me një vit burg të konvertuar në 2 vjet shërbim prove për fshehje pasurie nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe çështja e tij është nën shqyrtim në Apel. 

Deri tani janë 24 kërkesa në KPA që kërkojnë rishikimin e vendimit. Veç Rovena Gashit janë rrëzuar edhe kërkesat e subjekteve të rivlerësimit Ana Golloshi, Artor Ylli

 

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

SI.E./S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • nini: 30/09/2024 15:24

    Kur ishte studente kjo Rovena, kishte ideale dhe thoshte qe do luftonte me çdo force padrejtesine dhe korrupsionin ne vendin e saj. Ishte studente e shkelqyer, por pushteti i parase ia mori mendjen. Pasurite qe vuri dhe jeta e saj luksoze nuk pershtaten me nje nenpunese shteti, me nje zbatuese te ligjit per te mbrojtur popullin nga kusaret dhe kriminelet. Te vjen keq, por tani do t'i dueht te punoje avokate apo notere, si dhe shume ish-kolege te saj.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

PISTAT/ Vrasja e shqiptarit Beni Arshiaj në Itali, nga kodi i Kanunit, tek misteri i kameras së manipuluar! Kishte dhe emër të dytë

PISTAT/ Vrasja e shqiptarit Beni Arshiaj në Itali, nga kodi i Kanunit, tek misteri i kameras së manipuluar! Kishte dhe emër të dytë