Kritiku i artit: Të hapen muzetë dhe galeritë, artistët të dalin nga skena në vende publike!

Kritikun Josif Papagjoni kësaj here e takojmë në kushte jo fort normale, diku pranë zonës së “Don Boskos”, ku ai banon. Teksa e konsideron këtë periudhë të zymtë edhe të vështirë për shkak të Covid-19, ndalet edhe tek situata e artit shqiptar në këto ditë.

“Kjo është një periudhë e zymtë, me frikëra, meditime dhe mërzi, sepse njeriu është pjesë e kopesë sociale. Sado që të përpiqet njeriu brenda vetes, brenda ngujimeve, gati si prej një burgu, sërisht do të iki. Liria e tij nuk është thjesht individuale, por e përbashkët me të tjerët. Kështu që në këtë pikëpamje, frymëmarrja dhe shpirti është goditja më e rëndë, që i bëhet njeriut si qenie sociale. Njeriu i dinamikave të mëdha e ka të pamundur, që të qëndrojë i izoluar, ndryshe dëmi psikologjik për të do të ishte shumë më i madh, se çdo gjë tjetër”, rrëfen Papagjoni.

Për institucionet e kulturës, kur distancimi social është kusht, që nuk mund të ndryshojë, situata është e vështirë. Edhe në këtë rast që arti e kultura janë në zgrip, profesori thekson se lojë me jetën s’duhet të bëjmë, duke rendur pas atyre që duan të sfidojnë rregullin apo shenjtërinë e jetës.

“Si do të bëhen me artin dhe kulturën, që janë jo thjesht të brishta, por edhe më të bukura, sepse futen më mirë tek njeriu. Unë po kujtoj një moment të historisë botërore të Murtajës në vitin 1492 me të famshmen “Dekameron”, veprën më të njohur të Xhovani Bokaços. Njerëzit morën arratinë nëpër male, ndërtuan rrëfenjat dhe gëzimin për të ndërtuar një triumf ndaj vdekjes. Artet janë pikërisht kjo pjesë? Por si mund të bëhet sot? Unë e shikoj të vështirë në teatrot, që nuk mund të bëhet dot pa spektatorin”, shprehet më tej Papagjoni.

Teatri pa spektator është e vështirë për t’u konceptuar prej tij, prandaj gradualisht ai mendon se duhet të fillojnë të bëhen veprimtari me më pak publik.

“Si do bëhet nesër? Unë se di, por duhet të ndryshojë pak nga pak, duke mposhtur virusin edhe duke gjetur rrugët e shpëtimit. Veprimtari më të vogla mund të bëhen, të gjitha këto duhet të dalin nga skena për në vende publike, shfaqje me pak aktorë e pak këngëtarë. Kjo kërkon financim, pasi do të jenë pa lek, që të argëtohen njerëzit”, vijon ai.

Kritiku i artit vlerëson angazhimin online të artistëve dhe propozon, që të parët që mund ta sfidojnë këtë gjendje, ku është zhytur mbarë njerëzimi janë shkrimtarët, piktorët edhe skulptorët.

“Në një farë sensi, kur s’ke pulën do të hash sorrën, duhet bërë gjithçka që është e mundur për të dhënë situata optimiste tek njerëzit që janë të stresuar. Në këtë periudhë ka qindra video, që janë të mbushura me humor, sepse shoqëria ka nevojë. Pjesa e humorit do të jetë një nga gjërat që do të lëvrohet shumë, veçmas në letërsi dhe në karikaturë, por edhe tek elementë të tjerë, si në dramë apo komedi. Njeriu duhet ta sfidojë këtë situatë”, thotë Papagjoni.

Sipas profesorit, muzetë, bibliotekat, galeritë e arteve edhe institucionet që ofrojnë art duhet që të hapen. “Njerëzit janë të ndërgjegjësuar se distancomi është kusht i padiskutueshëm, që mendoj se e respektojnë. Tek normaliteti do të vijmë, por deri në tetor apo nëntor do të jetë një periudhë sprovash dhe eksperimentimesh, ku besoj se pjesa e mençur e MK-së do të kapë përvojat, që bota do të bëjë. Ne nuk jemi të vetëm, por të gjithë bashkë, madje as të parët, por jemi dhe të fundit. Arti pak nga pak do ta marrë veten, por si ai qeni që vetëshëron plagën e tij, dhe artistët duhet ta kapërcejnë cakun e dëshpërimit për stopimin projekteve edhe të akumulojnë energji, që plaga të shërohet dhe të vijmë në një rilinde të artit”.

Josif Papagjoni përfundon se Ministria e Kulturës për politikat kulturore në vijim, më së miri mund t’u referohet edhe përvojave të vendeve ndërkombëtare.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Vetingu shkarkon përfundimisht prokurorin e Tiranës Ardian Braho, shkak problemet me pasurinë

Vetingu shkarkon përfundimisht prokurorin e Tiranës Ardian Braho, shkak problemet me pasurinë