Kriza greke, Angela Merkel me
 Ramën për sigurinë në Rajon

Kriza greke, Angela Merkel me<br /> Ramën për sigurinë në Rajon
TIRANE- Vetëm tre ditë nga referendumi në Greqi, ku shteti fqinj i tha jo planit të masave të BE-së, kancelarja Gjermane zhvilloi turin e takimeve me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe atë të Serbisë Aleksandër Vuçiç. Burimet thanë se në takimin kokë më kokë mes Merkel dhe Ramës është diskutuar mbi situatën në rajon, si pasojë e krizës që ka përfshirë shtetin fqinj. Ndërsa është cilësuar i rëndësishëm bashkëpunimi mes vendeve për të shmangur ndikimin e kësaj krize në Ballkan gjë që mund të sillte dhe destabilizimin e rajonit. Në konferencën për mediat, Merkel ka zbardhur 10 nga pikat e diskutuara.

Ekonomia dhe drejtësia
Merkel tha se gjatë takimit është diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe, si dhe për nevojën e një baze ligjore të besueshme për investitorët gjermanë.

“Sigurisht që ne kemi diskutuar për tema nga më të ndryshmet. Fillimisht për marrëdhëniet bilaterale. Unë mendoj që kemi mundësi edhe më të mëdha për të arritur rezultate edhe më të mira në bashkëpunimin tonë ekonomik. Mendoj se për Shqipërinë janë mjaft të rëndësishme krijimi i kushteve ligjore të besueshme sepse mendoj se investitorët gjerman sigurisht kanë nevojën për tu besuar këtyre kushteve dhe situatës juridike. Është një aspekt i cili shënon edhe një kontribut mjaft të rëndësishëm të rrugën tuaj që prej të marrjes të statusit të vendit kandidat deri në momentin e të bërit anëtarë të BE. Ne e mbështesim Shqipërinë në këtë drejtim”,- tha Merkel.

Ajo përmendi disa fusha kryesore interesi për investime.

“Unë jam shumë e sigurt që kemi mundësi të mira për të bashkëpunuar, sikurse mund të jetë sektori i turizmit, i furnizimit me  energji elektrike, telekomunikacionit, vetëm për të përmendur disa prej këtyre shembujve. Mendoj që  politika mund të angazhohet në krijimin e kontakteve më të shumta në këtë drejtim,”- tha Merkel.

Po ashtu pjesë e diskutimeve ka qenë dhe reforma të drejtësi.

“Folëm gjithashtu edhe lidhur me reformat e sistemit të drejtësisë. Shqipëria ka mundësinë të shfrytëzoi përvojat më të mira të Evropës në këtë drejtim, në mënyrë që të marrë vendimet më pozitive dhe më rëndësishme, sidomos në kuadër të luftës kundër të luftës kundër kriminalitetit dhe korrupsionit”,- u shpreh kancelaria gjermane.

Rajoni
Kancelaria gjermane vlerësoi përpjekjet për marrëdhënie të mira në rajon dhe tha se do të ketë vëmendjen e saj për këtë çështje.

“Gjithashtu kemi folur për marrëdhëniet në rajon, për mua është një kënaqësi fakti që me nisjen e serisë së konferencës së vendeve të Ballkanit perëndimor kemi bërë një hap mjaft të mirë përpara. Folëm për serinë tjetër të kësaj konference në Vjenë. Ka projekte, ka iniciativë, ka progres, për sa i përket shkëmbimeve rinore por edhe të projekteve të ndryshme konkrete. Jemi duke mbërritur në momentin që do të shikojmë diçka konkrete, në kuadër të të cilave do të bashkojmë fondet e Bashkimit Europian dhe të Private Partnership, sepse e dimë që në momentin që vendosen këto lidhje, atëherë edhe vendet mund të bëjnë përpara së bashku”,- tha Merkel.

Marrëdhëniet me Kosovën dhe Maqedoninë ishin pjesë e diskutimit dypalësh.

“Gjithashtu folëm edhe rreth shkëmbimit të vizitave në rajon, me kryeministrin Vuçiç në mënyrë të veçantë, pikërisht me një vend ku për vite të tëra ka pasur marrëdhënie deri diku të tensionuara, por që për fat të mirë dhe në mënyrë të suksesshme kanë arritur të kapërcehen. Folëm gjithashtu për marrëdhëniet me Maqedoninë, me Kosovën dhe kështu hap pas hapi do të mundohemi ti sjellim gjërat përpara, dhe kjo do të jetë e suksesshme vetëm nëse vendeve të Ballkanit Perëndimor do t’i sigurohet perspektiva e Bashkimit Evropian, jo vetëm në letra por nëse kjo bëhet realitet,”- u shpreh kancelaria gjermane gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama. 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 9 Korrik 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)    

  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

23 Prilli, Dita Botërore e Librit

23 Prilli, Dita Botërore e Librit