Conte: Italia do të luftojë për hapjen e negociatave, qeveria të propozojë platformë për dialog me opozitën (Video)

TIRANE-"Shqipëria ta zgjidhë vetë krizën politike me shumicën që duhet të propozojë një platformë për kapërcimin e ngërçit me opozitën pa parakushte. Italia do të luftojë për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Investitorët strategjikë italianë dëshirojnë që të vijnë, por Shqipëria duhet që të garantojë kushtet". Këto ishin tre mesazhet që kryeministri i Italisë Giuseppe Conte dha nga Tirana gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama.

Në vizitën e tij të parë në Shqipëri, Conte u shpreh se Italia do të vijojë mbështetjen për vendin tonë si në procesin e integrimit dhe atë ekonomik. I pyetur nga Report Tv se cfarë e pengon rritjen e investimeve italiane, Conte u shpreh se Shqipëria duhet të përmirësojë klimën e biznesit dhe të garantojë kushtet. Kryeministri Edi Rama deklaroi se së shpejti do të finalizojë marrëveshjen me një kompani gjigante italiane në kërkimin e naftës dhe se do të ketë një vizitë në Romë për të diskutuar në detaje për t'i dhënë një hov tjetër bashkëpunimit mes dy vendeve.  

VIDEO/Konferenca për shtyp

Ndalur te negociatat, Edi Rama u shpreh se nuk kërkon lëmoshë, por atë që meriton për cështjen e negociatave. Edhe nëse nuk do të hapen negociatat në datë 18 Tetor, Rama u shpreh se 'dielli sërish do të lindë në datë 19 dhe Shqipëria nuk do t'i ndalë reformat'.

Conte u takua edhe me kreun e shtetit, Ilir Meta në Presidencë dhe më tej kreun e PD, Lulzim Basha. Kjo është vizita e parë e Contes në vendin tonë. Vizita bëhet teksa në Luksemburg po diskutohet për negociatat për Shqipërinë. Italia ka mbështetur prej kohësh çeljen e negociatave me Shqipërinë.  

VIDEO/Ceremonia e pritjes së Kryeministrit Italian Giuseppe Conte në Pallatin e Brigadave

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:24
Meta takon Conten: Presim një prani më të madhe të investitorëve italianë në Shqipëri


Pas kryeministrit Rama, kreu i qeverisë italiane Guiseppe Conte ngjiti shkallët e Presidencës ku u prit në një takim nga kreu i shtetit shqiptar, Ilir Meta. Duke falenderuar për angazhimin konstant të Italisë në mbështetje të hapjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, Presidenti Meta tha se “ndjekim me shumë vëmendje të gjithë debatin mbi vendimin që do të merret në Samitin e 17-18 tetorit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Shpresojmë që qasja realiste e çeljes në parim të negociatave, për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të mbështetet nga të gjitha vendet anëtare”.

Presidenti i Republikës vlerësoi faktin se Italia mbetet një nga partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë. Gjithsesi, vijoi Presidenti, ne konsiderojmë që ka ende shumë mundësi për t'u përdorur në intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare. Në veçanti, presim një prani më të madhe të investitorëve italianë në Shqipëri, tha ai.

Një urë e fuqishme bashkëpunimi ndërmjet vendeve tona, tha Presidenti Meta janë edhe komuniteti arbëresh dhe emigracioni shqiptar në Itali. Presidenti inkurajoi që të rrisim bashkërisht përpjekjet për mbajtjen gjallë të gjuhës, kulturës e traditave të pasura shqiptare në vendin fqinj.

Ora 17:27
Investimet/ Rama: Gjiganti italian së shpejti në Shqipëri! Conte: Ju mirëpres në Romë

I pyetur nga Report Tv për rritjen e bashkëpunimit me Italinë në fushën e investimeve, kryeministri Edi Rama u shpreh se së shpejti do të firmosë një marrëveshje me një kompani gjigante italiane në fushën e kërkimit të naftës.

"Së pari, mendoj se sigurisht potenciali për këto marrëdhënie ekonomike bashkëpunimi dhe për investimet italiane në Shqipëri është i jashtëzakonshëm. Nga ana tjetër, po të shikoni shifrat, krahasuar disa vite më parë, ato flasim për rritje të investimeve dhe për rritje eksponenciale të turistëve italianë në Shqipëri.

Ndërkohë që në fushën e turizmit ka një sërë shprehjesh interesi, por janë projekte që kërkojnë kohën e tyre për t’u maturuar. Ju përmendët energjinë, mund t’ju them se jemi besimplotë se së shpejti do të mund të bëjmë publike një marrëveshje me një gjigand italian të energjisë në fushën e kërkimit të naftës e të gazit.

Është një proces që kërkon kohën e vet, për të bërë të gjithë mbledhjen e të dhënave e pastaj për të kaluar të gjithë procedurat e nevojshme. Ashtu sikundër besoj, siç e tha edhe Kryeministri Conte, një harmonizim më i mirë i forcave dhe një punë e përbashkët, më e fokusuar në disa drejtime, patjetër që do të na japë rezultate shumë më domethënëse.

Pikërisht për këtë, me shumë kënaqësi, unë e pranova ftesën e Kryeministrit për të vizituar së shpejti Romën, ku shpresoj do të jetë e mundur të kemi më shumë kohë për të shkuar në detaje në të gjitha aspektet e bashkëpunimit dhe për të adresuar objektivat e përbashkët në interes reciprok" tha Rama. Ndërsa kryeministri italian u shpreh 'Dhe ju konfirmoj që është i mirëpritur sa më shpejt që të jetë e mundur' tha Conte.

Ora 17:22
Conte: Investitorët strategjikë duan të vijnë në Shqipëri, por duhet të garantoni kushtet

Kryeministri Conte u pyet nga Report Tv mbi rritjen e investimeve italiane në Shqipëri, ndërsa u shpreh se institucionet shqiptare duhet të bëjnë më shumë për të garantuar dhe ofruar kushtet.  

"Ka disa nisma dypalëshe për të intensifikuar më tej marrëdhëniet dhe për këtë patëm rastin të diskutojmë më Kryeministrin Rama se duhet gjithnjë e më parë, edhe pse kjo vizitë e sotme është një vizitë e shkurtër, do të kemi më pas një vizitë më të gjatë, për të dëshmuar e për të treguar më tej forcimin e marrëdhënieve ekonomike.

Sigurisht ka dëshirë nga investitorët italianë të investojmë më tepër në Shqipëri, por sigurisht ai proces për të cilin folëm e që kërkon disa garanci në luftën ndaj trafiqeve të paligjshme, e shndërron këtë klimë përsa i përket komunitetit të biznesit edhe më tërheqës për investitorin dhe do të lehtësojë më tej në programin, apo në hartimin e  strategjive të tjera të investimit.

Por objektivi është të kapërcejmë atë nivel të shkëmbimit që në vitin 2018 ishte 2.5 miliardë. Ne i kemi këto potenciale për të arritur objektiva gjithnjë e më ambiciozë dhe këtë e them në interes të ndërsjellë. Pra, duhet të punojmë fort për këtë, është në interesin e të dyja palëve.

Ne nga ana jonë mund të bëjmë më tepër për të riorganizuar nisma, të cilat mund të përfshijnë investitorët dhe Shqipëria, qeveria shqiptare mund të bëjë më shumë për të ofruar të gjitha kushtet e nevojshme që një investim i caktuar, apo këto investime të shndërrohen, apo të jetë produktive përsa i përket interesit të ndërsjellë të të dy vendeve" tha Conte.

Ora 17:19
Negociatat? Rama: S'duam lëmoshë, por ata që na takon! Edhe po s'u hapën dielli do të dalë sërish

Kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk kërkon lëmoshë për negociatat, por atë që meriton, pasi të gjitha kërkesat që kishte BE-ja u plotësuan dhe tani nxirren alibi që nuk kanë lidhje.

"Nuk e di nëse krahasimi ka vend, por për t’ju përgjigjur pyetjes tuaj do të thoja se dikush që dëshiron të përfundojë një martesë nuk mund të shërbejë si shembull për të shkurajuar një tjetër që është i dashuruar dhe dëshiron të shkojë drejt martesës. Pra, ne jemi në një histori dashurie me Europën dhe në qoftë se britanikët dëshirojnë divorcin, me gjithë respektin për ta, kjo nuk na shërben si shembull për të hequr dorë, sepse për ne, Europa është një marrëdhënie e fortë që ka një prejardhje të hershme, që është pjesë e historisë sonë, e ëndrrës tonë.

Do të doja gjithashtu të thoja se ka shumë prej tyre që shtrojnë pyetjen se si ka mundësi që këta shqiptarë janë kaq të tërhequr drejt Europës, sepse për ne Europa është ajo që është për etërit themelues të saj, pra, një hapësire paqeje dhe sigurie. E ne vijmë nga larg , vijmë nga një epokë, le të themi jo shumë e largët në kohë, ku gjendeshim si Koreja e Veriut e Europës. E pamë gjithashtu dhe kemi njohur gjithashtu luftën me sytë tanë. Pothuajse një gjysmë milioni shqiptarë braktisën shtëpitë e tyre në Kosovë, mbërritën këtu në këtë qytet dhe kur ne ishim të rritur, tashmë të pjekur dhe kjo për gjithë Ballkanin Perëndimor. E historia nuk është thjesht një film bardhë e zi, si anglezët që shohin Churchill  bardhë e  zi.

E së fundi doja të thoja se është rrugëtimi i vetëm, jo për Europën, por për ta shndërruar Shqipërinë në një vend europian, në një shtet të së drejtës, në një demokraci europiane.

E për këtë arsye më duket e drejtë, edhe njëherë, që të falënderoj Kryeministrin, të falënderoj Italinë, të falënderoj të gjithë ato vende që në këto momente na japin arsye të plotë, sepse ne nuk po kërkojmë një dhuratë, nuk po kërkojmë as lëmoshë, por jemi thjesht duke kërkuar atë që na përket. Kemi bërë atë që duhet të bënim dhe që na është kërkuar, jo për t’u shndërruar në anëtarë të Bshkimit Europian, por për të çelur këto negociata. E më tej do të tregojmë që do të jemi të gatshëm për t’u shndërruar në anëtarë dhe që do të jemi të gatshëm për t’u kontrolluar dhe për t’u mbikëqyrur në çdo hap që do të hedhim.

E në  këtë përsëritje të së njëjtës histori, bëni këtë dhe atë dhe shihemi vitin  e ardhshëm dhe pastaj, po, e keni bërë këtë dhe atë, por duhet bërë edhe kjo tjetra, sepse do të ketë gjithmonë një “kjo” apo “ajo” që mund të na shtrohet përpara një krijimit të një alibie. Gjithsesi është e qartë se në këto momente, shumë prej vendeve që janë anëtare të Bashkimit Europian, nëse do të ishin në vendin tonë, do të kishin të njëjtin problem, pra, nuk do të ishin sjellë më mirë. Megjithatë ia thashë edhe sot qytetarëve, bashkëkombësve të mi, data 18 është e rëndësishme, por në datën 19 tetor, dielli do të lindë sërish, jeta është e bukur dhe nëse nuk do të kemi një “PO” të qartë në datën 18 tetor, do ta marrim parasysh edhe këtë, do të vijojmë sepse në fund, ky rrugëtim është për ne, nuk është se e bëjmë thjesht për Europën" tha Rama.

 

Ora 17:09
Investimet/ Conte: Shqipëria të përmirësojë klimën e biznesit

Qeveria shqiptare duhet të garantojë një përmirësim të klimës së biznesit dhe një administratë publike gjithnjë e më efikase dhe transparente në mënyrë që të ketë më shumë investime italiane, tha Conte. "Me Kryeministrin patëm rastin të diskutojmë edhe për vullnetin tonë për të forcuar më tej marrëdhëniet e shkëlqyera në fushën ekonomike, edhe pse Italia gjendet në një pozicion të privilegjuar kundrejt Shqipërisë. Ne jemi me të vërtetë të kënaqur për pozitën që zë vendi ynë, sepse ne jemi partneri i parë tregtar. Gjithashtu edhe në një shkëmbim ekonomik prej 2.5 miliardë për vitin 2018 dhe në 6 mujorin e këtij viti, 1.2 miliardë. Janë shifra këto tejet të rëndësishme dhe që vlerësohen  më tej, edhe në kuadër të pranisë së shumë të sipërmarrjeve italiane. Gjithsesi ka ende hapësirë për të bërë edhe më shumë dhe më mirë dhe sipërmarrjet tona kanë dëshirën e tyre që ta forcojnë me tej pozitën e tyre dhe qëndrimin e tyre në Shqipëri, pra, në territorin shqiptar dhe për këtë qëllim dëshirojnë edhe një përmirësim të të ashtuquajturit klimë të biznesit.

Jam i bindur se Shqipëria nuk ka shfrytëzuar ende plotësisht  potencialin e saj ekonomik. Për momentin ndalen vetëm në avantazhet apo përparësitë që paraqesin kostoja e ulët e punës, apo edhe taksat që janë në një mesatare më të ulët sesa e Bashkimit Europian, por gjithsesi duhen shfrytëzuar më tej edhe burimet natyrore të pranishme në territor, edhe kapitali njerëzor i ri dhe pozicioni strategjik i Shqipërisë, që me të vërtetë në të ardhmen mund t’i garantojë Shqipërisë që të shndërrohet në një pikë kyçe  të zhvillimit të të gjitha rajonit të Ballkanit. Vetë fakti që Shqipëria do të bëjë pjesë së shpejti në rrjetin ndërkombëtar të rrjetit infrastrukturor dhe gjithashtu në atë të energjisë, këtu duhet të përfitojnë nga rasti dhe mundësinë që jepen për të shfrytëzuar më mirë, Italia dhe Shqipëria gjithashtu në interesin e tyre, por nga ana tjetër të gjitha këto elementë përbëjnë edhe një përgjegjësi të madhe nga ana e Shqipërisë, e cila duhet të tregohet në lartësinë e duhur në një botë te re dhe që ka rregullat e saj strikte.

Për Shqipërinë sfida kryesore është përfitimi plotësisht nga këto mundësi. Do të jetë thelbësore, sikurse e thashë, që të garantohet një përmirësim i klimës së biznesit, gjithashtu edhe një administratë publike dhe institucione gjithnjë e më efikase dhe transparente, në mënyrë që të shfrytëzohen apo të ndërtohen ato institucione ekonomike sa më të shëndetshme dhe që vihen kundrejt atyre institucioneve që e respektojnë më pak ligjin.Ne gjithsesi jemi të lumtur dhe të kënaqur për nivelin e  bashkëpunimit mes dy vendeve tona edhe përsa i përket aspektit kulturor, sepse tashmë nuk jeni thjesht një shtojcë dytësore përsa i përket bashkëpunimit mes dy vendeve tona.

Gjithashtu kemi edhe një numër të madh të studentëve shqiptarë në Itali, të cilët studiojnë në universitetet italiane, gjithashtu kemi edhe mësues dhe lektorë të gjuhës italiane, të cilët veprojë dhe ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Shqipëri, kemi edhe seksionet dygjuhëshe si në Tiranë, në Shkodër dhe në Korçe. Për studentet shqiptarë, Italia është një pikë referimi për formimin e tyre kulturor dhe akademik. Këtu do të doja të përmendja edhe një fakt nga niveli personal, sepse studentët shqiptarë janë të integruar më së miri dhe në nivel universitar kam patur rastin të njoh edhe studentë shqiptarë, të cilët me të vërtetë kanë qenë studentët që janë angazhuar maksimalisht dhe që janë shumë të përgjegjshëm. Pra, shqiptarët nuk janë vetëm një ndër komunitetet më të numërta përsa i përket komunitetit studentor, por edhe një nga ato që është mbështetur gjerësisht në kryerjen e studimeve.

Këtë ia konfirmova edhe Kryeministrit, që edhe në sektorin kërkimor dhe shkencor do të doja të theksonim e të forconim më tej bashkëpunimin dhe për të bërë të mundur që të kthehen në Shqipëri, ata studentë që kanë zgjedhur Italinë për t’u formuar, apo për të perfeksionuar më tej njohuritë dhe përgatitjen e tyre. Nëse me lejoni, edhe dashura që këta studentë, këta të rinj shqiptarë që kanë ushqyer ndaj Italisë dhe ndaj gjuhës italiane dhe sigurisht që unë them gjithmonë që është e vërtetë e bukur që të përjetosh një eksperiencë jashtë shtetit, por do të ishte gjithashtu e mundur dhe do të ishte shumë e bukur që studentët të kthehen në tokën e tyre të origjinës, në mënyrë që të pasqyrojnë këtë përvojë të tyre jashtë shtetit" tha Conte.

Ora 17:09
Conte: Do të luftoj që të hapen negociatat për Shqipërinë

Italia është një avokate e Shqipërisë në cështjen e integrimit. Kryeministri Conte tha se do të luftojë ditën e enjte kur do të zhvillohet mbledhja e liderëve të BE-së në mënyrë që të hapen negociatat për Tiranën dhe Shkupin. "Si homazh për vendin që na mirëpret do t’i përgjigjem pyetjes për integrimin europian. Siç e kam thënë të enjten dhe të premten është mbledhja e Këshillit që do të trajtojë këtë argument. Ne do të bëjmë çfarë është e mundur për të arritur këtë rezultat, dmth , për të arritur fillimin formal të negociatave. Na duket se është kjo rruga më e përshtatshme për t’i ofruar popullit shqiptar një perspektivë konkrete. Ne jemi të ndërgjegjshëm, - e thamë në mënyrë shumë të hapur më parë, - është një rrugëtim shumë angazhues, me shumë përgjegjësi. Është një sfidë shumë e madhe për popullin shqiptar dhe për institucionet dhe për qeverinë e vendit, por është e qartë se është e domosdoshme të merren disa masa konkrete për mundësinë e realizmit të këtij rrugëtimi, në mënyrë që të mund të zhbllokohet. Pastaj ka dhe shumë pasazhe të ndërmjetme, që do të duhet një sërë reformash që duhet të përfundohen, disa duhet të nisen nga e para dhe të realizohen.

Italia, nga kjo pikëpamje mendon se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në këtë çast kanë arritur të drejtat për të marrë pjesë në negociatat për integrimin në BE. Ne do të luftojmë për këtë gjë. Pavarësisht lajmeve të momentit të fundit kuptohet që ka shumë vështirësi për t’i përfshirë të gjitha vendet e BE-së në këtë perspektivë, por ne nuk heqim dorë, do të vazhdojmë të punojmë për këtë. Unë personalisht do të punoj në këtë drejtim me drejtues të tjerë europianë. Përsa i përket pyetjes tjetër për manovrat ekonomike, më pyesni nëse do të ketë më shumë para në rrogat e punëtorëve italianë. Doni të dini se çfarë rroge do të marrin konkretisht? Unë këtë nuk mund t’jua them, por ne po bëjmë një përpjekje shumë të madhe nga ana e qeverisë. Po mundohemi që të gjithë punëtorët të mund të rikuperojnë atë që ne quajmë fuqi blerëse. Fuqia blerëse në gjithë këto vite nuk është rritur, prandaj është e qartë që një nga synimet kryesore të qeverisë për të cilën jemi të gjithë dakord dhe që unë uroj që të mund të bëhet, është që të ndërhyjmë në prerjet e financimeve që janë bërë në vitet e kaluara, por kuptohet që të ardhurat që kemi në dorë nuk janë kaq të larta, prandaj do të shkurtojmë disa shpenzime pikërisht në favor të punëtoreve. Janë marrëveshje që u janë paraqitur edhe kategorive të ndryshme. Ky është rasti për t’u dhënë një sinjal punëtorëve, që do të bëjmë çfarë është e mundur për ta bërë të qartë këtë sinjal.

Më pyetët gjithashtu lidhur me planin kundër evazionit, nëse jam i kënaqur. Shikoni, unë kam bërë një pakt me italianët. Unë nuk jam i kënaqur me masat që po përgatisim, nëse do të realizohen, jo sepse masat nuk janë domethënëse. Ne po bëjmë një punë shumë të madhe. Më lejoni të mos tregohem modest. Po bëjmë një punë shumë domethënëse me Ministrinë e Financave. Kënaqësia ime nuk varet nga masat që do të marrim, por nga fakti se do të arrijmë të luftojmë ekonominë e zezë. Unë do të jem i kënaqur vetëm atëherë, kur do të arrijmë të bëjmë të mundur një rritje të ndjeshme të të ardhurave, duke luftuar ekonominë e zezë. Kjo luftë duhet të jetë efikase, jo thjeshtë e shpallur. Prandaj unë do të shoh sesi do të shkojnë këto masa. Italianët duhet ta dinë, që ne do t’i shtojmë këto masa, sa kohë unë do të jem në qeveri. Unë nuk mund të pranoj që shumë italianë të ndershëm të paguajnë taksat për ata që nuk i paguajnë taksat. Kjo është padrejtësia më e madhe sociale dhe derisa të arrij rezultate, nuk do të jem i kënaqur" tha Conte. 

Ora 16:58
Conte: Krizën zgjidheni vetë! Qeveria të propozojë platformë për dialog me opozitën pa kushte

Kryeministri italian deklaroi nga Tirana se krizën politike shqiptarët duhet ta zgjidhin vetë. Ai tha se qeveria duhet të propozojë një platformë që të përfshijë në dialog edhe opozitën, por pa parakushte. "Jam me vërtetë i lumtur që ndodhem këtu, sot. Me rastin e vizitës sime të parë në Shqipëri i  konfirmova Kryeministrit Rama se Italia e mbështet çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe personalisht, ditën e enjte dhe të premte do të mbështes këtë pozicion dhe do ta përqafoj me shumë bindje dhe forcë. Jam i bindur se çelja e negociatave për Shqipërinë janë instrumentet më të mira për të garantuar zhvillimin e Shqipërisë në interes jo vetëm të Italisë dhe të Shqipërisë, por edhe të gjithë Europës në të gjitha aspektet, si nga aspekti ekonomik, politik dhe i sigurisë. Hyrja e Ballkanit Perëndimor në  Bashkimin Europian është një objekt thelbësor përsa i përket procesit të integrimit të këtij rajoni.

Sikurse e tha edhe miku Edi, është e rëndësishme gjithashtu që nuk është vetëm një kalim konkret, një hap konkret, por edhe fakti që  unë ndodhem sot, këtu, në një ditë kaq të angazhuar për institucionet tona dhe për politikën e qeverisë italiane. Pra, gjendem këtu sepse ndërkohë, edhe në selinë e BE-së po diskutohet për këtë mundësi. Shqipëria ndodhet në një fazë kyçe dhe i kërkohen reforma, përmbushja e reformave që kushtojnë mjaft, por këtu flasim për kosto ekonomike, por janë mjaft kurajuese, që kërkojë kuraje dhe kërkojnë gjithashtu një mbështetje të gjerë dhe jo vetëm politike. Populli është shprehur pro anëtarësimit në Bashkimin Europian, ndaj kjo përbën dhe një shtysë më tej në mënyrë që institucionet të ecin më tej në këtë proces,  në mënyrë që të mos i zhgënjejnë institucionet dhe këtë aspiratë dhe që të mos kemi vetëm  zhgënjime, por të kemi edhe një perspektivë, nga viti në vit, në qoftë se shtyhet, do të kemi edhe një zbehje të kësaj dëshire. Këtu kemi edhe dëshirën dhe angazhimin italian dhe sigurisht kjo përbën edhe një angazhim më të madh për lidershipin, për qeverisjen, qeverinë shqiptare dhe skundër Kryeministri Rama më konfirmoi se është i vendosur që të vijojë nga ana e tij dhe qeverisë së tij në këtë rrugëtim të qeverisë shqiptare dhe Shqipërisë në realizmin e reformave, kryesisht në Reformën e Drejtësisë, të cilat kanë të bëjnë kryesisht edhe me sfidat sikurse janë edhe rifillimi i funksionimit të institucioneve kryesore, gjithashtu edhe lufta ndaj kriminalitetit dhe korrupsionit.

Një pjesë e bisedës sonë u ndal edhe përsa i përket një bashkëpunimi më të thelluar dhe më të fortë në luftën ndaj kriminalitetit dhe trafiqeve të paligjshme. Vëmendja jonë është e përqendruar kryesisht  edhe në aftësinë  e Shqipërisë për të zgjidhur krizën e saj politike dhe kjo do të bëjë edhe një sinjal të pjekurisë politike dhe institucionale dhe duke përfshirë këtu, edhe atë përgjegjësi që qeveria dhe Kryeministri Rama  po e tregon, po e dëshmon dhe do të vijojë ta tregojë dhe mazhoranca dhe opozita kanë të dyja interes që të zgjidhin këtë krizë në bazë të burimeve të tyre, pra, t’i zgjidhin vetë. Është e rëndësishme që mazhoranca t’i propozojë opozitës një platformë për të zgjidhur dhe për të qasur një dialog më konstruktiv dhe unë do ta theksoj këtë edhe në takimet e tjera dhe që ky dialog të zhvillohet më tej, pa parakushte" tha Conte.

Ora 16:56
Rama konferencë me Conten: Miqësi e shkëlqyer me Italinë! Meritojmë negociatat pa kushte

Kryeministri shqiptar vlerësoi miqësinë me Italinë dhe e vendosi theksin te hapja e negociatave me Bashkimin Europian. "Ishte një moment i rëndësishëm ky i ditës së sotme, ku Kryeministri i Italisë mik, erdhi në Tiranë, pavarësisht një momenti të ngarkuar punësh në Romë dhe mbledhjes së qeverisë në fund të ditës së sotme, për të dëshmuar një miqësi tradicionale dhe njëkohësisht, një vullnet për të thelluar bashkëpunimin e shkëlqyer mes të dy vendeve, ku padiskutim ka një potencial shumë të madh për të bërë shumë më tepër akoma.

Vizita  e Kryeministrit Conte në Tiranë, sot, është edhe në kuadrin e një jave shumë të rëndësishme për Bashkimin Europian dhe për Shqipërinë, në vigjilje të një takimi të BE-së , ku ndër të tjera do të diskutohet edhe vendimi për çeljen e negociatave për anëtarësim për Shqipërinë dhe për Maqedoninë e Veriut.

E në këtë aspekt, unë dua ta falënderoj Kryeministrin, ta falënderoj qeverinë italiane, që në koherencë të plotë me gjithë vijën e politikës së jashtme italiane, por edhe në një shprehje kuptimplotë të vullnetit të mirë, nuk është lëkundur për asnjë moment në mbështetjen e Shqipërisë, të Maqedonisë së Veriut dhe të gjithë rajonit  në perspektiven e integrimit europian.

Unë besoj, - ja përcolla këtë edhe Kryeministrit, - se përtej faktit që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë kryer detyrat e tyre të shtëpisë dhe meritojnë çeljen e negociatave pa kushte, përtej faktit që në proces ka shumë më tepër sesa thjeshtë çfarë kemi bërë ne, apo çfarë  ka bërë Maqedonia e Veriut, është me rëndësi strategjike që përfundimi i këtij procesi të shikohet jo vetëm me sytë e interesave të përveçme kombëtare, por edhe me sytë e interesit të përbashkët, sepse është sa në interesin tonë, aq edhe në interesin e vetë BE-së, që ky proces të shkojë përpara.

Ne nuk jemi në këtë proces se na e kërkon Brukseli, se na e kërkon Berlini, apo na e kërkon Parisi dhe e gjithë BE-ja, por jemi në këtë proces, sepse e kërkon e ardhmja dhe se përmes këtij procesi ndërtojmë një Shqipëri europiane, me një shtet të së drejtës, me institucione funksionale, me një demokraci të zhvilluar.

E së fundmi, prekëm me Kryeministrin, natyrisht aspektin e marrëdhënieve bilaterale. Në të gjitha planet, marrëdhëniet janë pa asnjë shqetësim, por mbetet sfida e thellimit të tyre, sidomos në aspektin e bashkëpunimit ekonomik. E sëbashku qasëm edhe faktin se procesi i reformës në drejtësi, procesi i integrimit në tërësi përbën një shtyllë të fortë mbështetëse për rritjen e këtij bashkëpunimi ekonomik.

Dua ta falënderoj edhe njëherë Kryeministrin dhe pa u zgjatur, - mua këtu më keni, - besoj se është më e arsyeshme që t’i lëmë Kryeministrit kohën për të komunikuar me ju dhe me opinionin tonë publik, lidhur me këtë moment kaq të rëndësishëm në marrëdhëniet bilaterale dhe në marrëdhëniet mes nesh dhe Bashkimit Europian" tha Rama.

Ora 16:19
Foto nga ceremonia e pritjes së kryeministrit italian Giuseppe Conte te Pallati i Brigadave
//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Kujdes: 15/10/2019 12:03

    ..kerkoni..,njohjen reciproke te "asegni famigliari..,per femijet qe nuk jane ne Itali..por prindi punon ne Itali..(e ka ish Jugosllavia)

    Përgjigju
    • Shefqet Ferra: 15/10/2019 18:01

      Ca po thua??? Ne Itali, per te perfituar "ANF, assegni nucleo familiare", me rregull qe ta dish ti, duhet te dorezosh modulin bashke me nje certifikate qe mer ne komunen ku ke "residenza". Certifikate familjare per leshimin e cekut per familjen. Dmthn, ceku jepet vec per familjaret te regjistruar me residenze tek e njejta adrese. Jo te kesh 10 kalamanj anembane mbotes e te ti mbajne italianet. Kshuqe kerkoni cfare duhet, jo thana.

    • Kafsha: 15/10/2019 16:29

      Pse? Qe te ikesh ti në Itali të hash e të pish nga djersa e prindit?

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë