Kryengritja e Postribës,e vërteta
në dosjen e Jup Kazazit

Kryengritja e Postribës,e vërteta<br />në dosjen e Jup Kazazit
 71 vjet pas kryengritjes antikomuniste në Postribë, arkivat dhe dëshmitarë të afërt vijojnë të nxjerrin në dritë fakte të reja që plotësojnë gamën e kësaj ngjarjeje të rëndësishme historike, e cila u përkujtua para pak ditësh në një aktivitet në Muzeun Historik Kombëtar, organizuar nga Instituti për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit.

Veç fjalëve të mbajtura nga Drejtori i ISKS Agron Tufa, studiuesit Uran Butka dhe Çelo Hoxha, dhe gazetari Nebil Çika, në qendër të këtij aktiviteti, ishte referati i mbajtur nga Hamza Kazazi, djali i Jup Kazazit, nji prej martirëve që humbi jetën gjatë kryengritjes së Postribës. 

Duke e pasuruar ngjarjen me shumë fakte të reja nga arkivat dhe dëshmitë e mbledhura prej tij, Hamza Kazazi bëri një skaner të kësaj ngjarjeje historike. Ai solli për të pranishmit një varg dokumentesh, të cilat u prezantuan në këtë aktivitet edhe si faksimile por edhe të lexuara.

Fjalën e tij të gjatë, që zbërthen gjithë kryengritjen e Postribës dhe zbardh gjithë anët e manipuluara të kësaj ngjarjeje nga historiografia komuniste, do ta botojmë të plotë për lexuesit tanë duke nisur nga sot.
 
E vërteta bazuar kryesisht në dokumente


 
Megjithëse duhen faqe të tëra, do të sqaroj me pak fjalë për babanë tim Jup Kazazin. Jupi pranoi post me ndërhyrjen e personaliteteve si prof. Xhevat Korça e të “4 pleqve të Vlorës” luftëtarë të 1920-ës, dhe e bindën se do të venin vegla të italianëve. Ai qe 5 muaj ministër në Qeverinë e Mustafa Krujës e më 8 maj 1942 dha dorëheqjen e menjëhershme bashkë me Hasan Dostin mbasi nuk qe pranuar kërkesa e tyre për faljen e jetës së tre të rinjve komunistë. Ka ndihmuar jo vetëm nacionalistët e legalistët, por edhe komunistët. Bëri Luftën e Reçit më 30 e 31 gusht 1943 kundër italianëve dhe janë të gjitha dokumentet se qi ai udhëheqës dhe organizator kryesor e pati meritën e madhe që bashkoi të tria forcat politike.

Edhe kjo nuk është zbardhur akoma nga historia e për më tepër vazhdohet nga një pjesë t’i japin meritat vetëm komunistëve si dikur kur shpifnin poshtërsisht Sadik Bekteshi me shokë që e nxirrnin sikur Jupi ka luftuar bashkë me italianët kundër tyre. Qazim Kapisyzi shtrembëron më 1993 e vazhdojnë akoma. Shtoj se që më 2013 festohet nga një pjesë padrejtësisht dhe nuk e kuptoj pse ana jonë është tërhequr, kur Lufta e Reçit është kryesisht e jona e për këtë janë dokumentet.

Fakt tjetër është se Jupi ka qenë gjithmonë për bashkëpunim e kundër vëllavrasjes e ka dokumente, por e kanë prishur komunistët me në krye Vasil Shanton, Sadik Bekteshin etj.
Edhe gjatë okupacionit gjerman doli në mal me armë në dorë dhe bashkëluftoi me Misionin Anglez. Nuk ka dokumente komprometuese si kolaboracionist, shqip bashkëpunëtor. Kolaboracionistë të vërtetë u bënë komunistët që prej diktatorit me të gjithë ata që patën poste, e jo vetëm ata.

Ata falën Kosovën, u shitën plotësisht te Stalini, Titoja e Mao. Po të gjithë ata që zbatuan të tmerrshmen “luftë të klasave” e gjenocidin a nuk qenë kolaboracionistë me diktaturën dhe me krimin? Dhe ai që bashkëpunon me krimin a nuk është kriminel?


Ka disa vite që me durim e aq sa i kam rrugët e hapura, unë vazhdoj të mbledh dokumente. Për shkrimin jam bazuar kryesisht në ato të Arkivit Qendror Shtetëror, të Arkivit të Ministrisë së Brendshme – dosja e Jup Kazazit me 171 dokumente e në ditarin e mbajtur për disa muaj prej Jupit që me nisjen për të dalë në mal më 25 nëntor 1944, kur Partia Komuniste kishte deklaruar dënimin me vdekje të Jupit me 4 vëllezërit. E me çfarë të drejte dënonte pa gjyq një parti? Po më të voglin, Hamidin, pse? Gjithashtu jam bazuar në thëniet e njerëzve të mi e të personave pjesëmarrësh në luftën kundër diktaturës komuniste dhe që kanë treguar gjëra të jetuara me vërtetësinë e sigurinë më të madhe. Unë kam 9 të vrarë e 12 të burgosur me deri 20 vjet dhe 3 internime nga diktatura, kryesisht të akuzuar për kryengritjen.

E vërteta dhe vlera e madhe e Kryengritjes së Postribës dhe që nuk ka dalë siç duhet, është se qëllimi ka qenë që të bëhej kryengritje e përgjithshme në të gjithë Shqipërinë, por rrethanat e sollën që të mos arrihej. Me kurajë, trimëri të jashtëzakonshme e dëshirën për liri deri në sakrificë, u ngrit vetëm Postriba, Guri i Zi etj. Unë nuk do të flas për zhvillimin e betejës, luftimet e masakrat që bëri diktatura, pse në këto vite demokracie janë bërë studime dhe shkrime. Do të theksoj se komunizmi e ka zvogëluar duke e paraqitur sikur kryengritësit kanë sulmuar kazermat në hyrje të qytetit. Ata në fakt kaluan edhe spitalin, pra u futën në qytet në lagjen Rus e drejt “dugajeve të reja”, siç quhen.

Jup Kazazi me 4 vëllezërit vendosën me rrezik për jetën, të rrinin në Shqipëri me shpresën dhe dëshirën që të vazhdonin veprimtarinë kundër komunizmit demokratikisht dhe po të ishte nevoja deri me armë në dorë. Nëna ime Nasibe i ka pas thënë: “Jup i dashur, po rrezikon jetën tënde të re. Mendo për dy fëmijët tanë, por edhe për mua”. E Jupi: “Pikërisht pse mendoj për fëmijët e për ty, po rrezikoj. Dua që ata të gëzojnë e të rriten në një Shqipëri të lirë”.

Jupi me vëllezër patën katër raste për të ikur: kur përcollën kolonelin Neel etj., të Misionit Anglez në Shëngjin, ku i mori nëndetësja e kjo dokumentohet. Atëherë Neel i dhuroi revolen e tij nagant, që ka qenë edhe arma me të cilën Jupi sakrifikoi veten. Kur përcollën Abaz Ermenjin me të vëllanë etj., kaluan Driinin që ruhej si kufiri dhe u kthyen, duke iu thënë se do të qëndrojnë, pse ka shpresa për kryengritjen, ndërsa ata shkuan në jug e kaluan kufirin grek. Kur më 23 nëntor 1944 Jupi organizoi ikjen e krerëve të antikomunizmit si Mid’hat Frashëri, Hasan Dosti me djalin, Ali Këlcyra me gruan e vajzën, Mentor Çoku me gruan, Vasil Andoni, Sejfi Protopapa, Zef Pali, Emin Kopliku etj., do t’i kishin kapur e masakruar të gjithë.

Të nesërmen i erdhën në shtëpi dy serbë o malazezë me nga një valixhe të vogël me lingota floriri, duke iu lutur që të siguronte përsëri një mjet lundrimi dhe të iknin të gjithë së bashku me gjithë gra e fëmijë dhe se kishin të gjithë jetën të siguruar duke e ndarë për secilin floririn që kishin e nuk pranoi.

Jup Kazazi po përpiqej të organizonte kryengritje të përgjithshme në të gjithë Shqipërinë e këtë e ka ditur Sigurimi, shteti, e patjetër udhëheqja. E thonë dokumentet. Ai pati premtimin e kolonelit Neel, se po të arrinte të bënte kryengritjen dhe ta mbanin për pak ditë, anglezët ishin në Mesdhe dhe ndërhynin menjëherë.

Neel i pati thënë se Shqipëria është nën influencën e BS, por Anglia është kundër dhe është gati të ndërhyjë. Ishte interesi se me një Shqipëri Perëndimore kishin nën kontroll Adriatikun e Jonin, përndryshe do t’i kishte rusi. Kjo i bëri të përpiqen deri në sakrificën ekstreme për një Shqipëri të lirë e demokratike të lidhur me Perëndimin e jo diktaturë komuniste të lidhur me sllavët.

Domethënëse është letra që koloneli Neel i ka shkruar mostrës sime Liri, më 29.10.1991:

“E dashur Zonja Karagjozi. Shumë faleminderit për letrën tuaj adresuar për mua dhe e dhënë dorazi nga kolonel Smiley kur qe në Tiranë muajin e kaluar ... U kënaqa shumë që mora letër nga e bija e mikut tim të vjetër dhe shokut të kohës së luftës Jup Kazazit, i cili më ndihmoi aq shumë gjatë kohëve të vështira që unë dhe kapiteni Hibberdine kaluam në vendin tuaj, më 1943-1944. Fatkeqësisht kapiteni Hibberdine vdiq gati 2 vite më parë, por jam i sigurt se ai do të dëshironte që të bashkohej me mua për t’ju shprehur simpatinë e thellë për rrethanat që i paraprinë vdekjes së babait tuaj dhe për të gjitha vështirësitë dhe humbjet mizore që ka pësuar familja juaj, që kur komunistët morën në dorë vendin tuaj...”. Dhe përfundon: “Me përshëndetjet dhe urimet më të mira. Juaji sinqerisht, Tony Neel”.
Jupi i ka pas lënë nënës sonë emrat: kolonel Tony Neel e kapiten Hibberdine – R.A.F. (Royal Air Force), që po t’i ndodhte gjë atij, të kërkonte ndihmë ndërjombëtare. Mendoni sa mund të kërkohej në komunizëm e çka do t’i ndodhte! Nëna bëri punët më të rënda për njëgrua e pati meritën e jashtëzakonshme që dy kunetërit Zenelin e Hamidin i ndoqi për 18 e 10 vitet e burgjeve. Zeneli na thoshte se ajo ka qenë konsideruar “heroina e burgut të Burrelit”.

Me vlerë është ditari për katër muaj i Jupit që prej daljes në mal. Atje ia ka çuar Nasibes, mbasi po ta kapnin ose vritnin bëhej i rrezikshëm për mjaft persona që e kishin strehuar e takuar, megjithëse ishin vetëm sigla me një germë dhe shkruar sipër, por në laborator deshifroheshin. Nëna e ka ruajtur me guxim e ma ka traguar kur jam bërë 16 vjeç. Ditari ndodhet edhe në Arkivin e Shtetit në formë të digjitalizuar, mbasi origjinalin e ruaj si ato pak gjëra shumë të shtrenjta që kam nga babai im.

Aty është kopja e letrës që më 10.02.1945 i dërgonte Fiqiri Dines në Dibër. Dokumenti është një nga më të rëndësishmit që provojnë qëllimin kryesor për kryengritje të përgjithshme. Jupi mbasi i shkruan për rrethanat prej të cilave komunistët morën në dorë fatin e Atdheut e të Kombit, vazhdon: “Kjo gjendje e krijume me anën e terrorit nuk mund të njasi (zgjasë) shum, pse populli e ka kuptue se për çfarë qëllimit kanë luftue komunistat. Pra ardhja e këtyne në fuqi asht për dobinë t’onë e prandaj prej kësajë situate lypset të përfitojmë.

Lypset të merremi vesht me njeni tjetrin e të pregatisim nji lëvizje të përgjithshme para se të çarmatoset populli, përndryshe ka me kenë tepër vonë. Unë jam tue marrë kontakt me shokë e miq e kështu Ju lutem edhe Ju që të merreni vesht me krenë të Dibrës dhe të Matës e kështu të mund pregatisim nji lëvizje të përgjithshme në të gjithë Shqipninë. Këtu me mue asht edhe nji prej faktorve ma me randsi të çështjes Kombtare në jug. Po qe se pregatisim gja këndej, edhe ky drejtohet për në vendin e tij ku mund të bajë shum punë. Ju lutem të më jepni gjegje po sa të keni mundsi tue më spjegue edhe gjendjen e Kosovës e të Dibrës. Ju përshëndes me zemër. Jup Kazazi”.

Personi për jugun ishte Abaz Ermenji dhe ndërmjet tij patën krijuar lidhjet kryesisht në Skrapar e në Vlorë. Në Vlorë edhe Jupi kishte të njohur. Abazi me të vëllanë ma kanë theksuar disa herë, se kishin shpëtuar gjallë në sajë të Jupit e se ai gëzonte respekt e influencë të jashtëzakonshme në katunde e malësi, pse i strehonin në një kohë kur të ikte koka. Po të kishin mbetur në jug, pothuaj me siguri ishin vrarë, prandaj qenë nisur në veri për t’u bashkuar me Jupin e të vazhdonin luftën për liri.

Rëndësi të veçantë ka dosja e Jup Kazazit prej 171 faqesh e Arkivit të Ministrisë së Brendshme, Drejtoria e zbulimit politik (më vonë Drejtoria II), sot Arkivi i SHISH. Aty në pjesën e fundit janë 40 faqe ku Jupi në ditët e fundit të jetës ka shkruar për jetën e vet, e ka arritur deri në vitin 1940. Aty ka mjaft dokumente të vërteta dhe mjaft prej tyre janë komunikimi të Sigurimit Shkodër e kriminelëve si Zoi Themeli me shokë me Ministrinë e shumë letra e relacione të tij, raporte të komandantëve e komisarëve të mbrojtjes si Mihallaq Ziçishti etj., dhe aty nuk mungojnë epitetet, cilësimet prej tyre si “kriminela, tradhtarë, anmiq të popullit” etj. Në fakt armiqtë e popullit u bënë ata, përderisa vritnin, masakronin e torturonin bashkatdhetarët e tyre më të mirë.

F. 3 – Në rend kronologjik është para f. 2, pra pak pas vetësakrifikimit të Jupit. Këtu del se Jupi nuk është arratisur dhe ka ndenjur për të organizuar lëvizjen kundër pushtetit. Aty vazhdon: “...Ka qenë një nga eksponentat e organizatës trathtare të Ballit Kombtar. Komiteti Qendror i Ballit Komtar e ka pasë dërgue këtë si të deleguemin e tij në Qarkun e Shkodrës. Jup Kazazi ka qenë në këtë Qark elementi ma i rrezikshëm për Lëvizjen N.Ç.L. Ka qenë pengesa ma e madhe për përhapjen e frymës të Lëvizjes N.Ç.L. në krahina të ndryshme të Qarkut Shkodrës. Ka bashkëpunuar me të gjithë reaksjonin e brendshëm për të shtypë e shue Lëvizjen e Popullit Shqiptar si p.sh. me fashizmin italjan, ma von me atë gjerman, me qeveritë kuislinge të ndryshme dhe me çdo tjetër që ish armik i Lëvizjes N.Ç.L. Jup Kazazi kishte lidhje të ngushtë dhe me të huaj që ishin në vendin t’onë gjat opkupacionit si p.sh. me majorin englez Nil etj., të cilët mbanin anën e reaksjonit. – Me çlirimin e Shqipëris ky nuk largohet nga Shqipnija por mbetet n’arrati me qëllim që të organizojë lëvizjen kundër Pushtetit të vendosun në fuqi.

Në këtë drejtim ka ba mjaft tentativa. Ka qenë organizatori i lëvizjes Janarit 1945-sës në Shkodër, kur Llesh Marashi sulmoji Koplikun me të cilin Jup Kazazi ishte në lidhje siç duhej dhe me kriminelë tjerë si Hasan Isufin i cili vrau partizanët në Beltoj, gjatë ilegalitetit ashtë vue në lidhje me shtresa reaksjonare të ndryshme si p.sh. me tregtarë, pronarë dhe intelektualë me qëllin që t’organizojë këto forca kundra Pushtetit. Jup kazazi ka qenë nji ndër nxitësit kryesorë të lidhjes që u bë në Shkodër më 9 shtator. – Të gjitha këto i pagoji me këtë (u-vra).

Në f. 2, relacioni përfundimtar i Ministrisë së Mbrojtjes: - Mbi aktivitetin kriminal të Jup Kazazit. Aty, ndër të tjera thuhet: “...ky dërgohet nga Komiteti Qendror i Ballit Kombëtar në Shkodër, për të penguar L.N.çl. dhe ta luftonte këtë ... ka bashkëpunuar me okupatorët dhe qeveritë kuislinge si dhe me Misionet Engleze që qëndronin pranë Legalitetit si Major Nili e tjerë. Në çlirimin e Shqipërisë arratiset e qëndron brenda Shtetit në Qarkun e Shkodrës me qëllim riorganizimi të mbeturinave të reaksionit dhe tue u mbështetur në politikën Imperialiste të Anglo-Amerikanëve, për nji zbarkim në vendin t’onë dhe për t’a rrëzuar Pushtetin Popullor. Në janar 1945 ka organizuar Kryengritjen e Koplikut të drejtuar nga Llesh Marashi, Preng Cali etj. kriminelë. Po kështu më 9 shtator 1946 në lidhje me kriminela të tjerë dhe organizatën e Deputetëve trathëtarë të Ballit, dhe Klerin Katolik organizoi nji forcë kriminelash dhe sulmoi Shkodrën për t’u dhënë rast Imperialistëve të ndërhynin në vendin t’onë, por mbasi qëllimi i tija dështoi plotësisht dhe forcat ju asgjësuan, gjindet i fshehun në nji shtëpi në Qytet të Shkodrës dhe vret vehten, mbasi u rrethua e s’kishte shpëtim. – Shtoj se në janar 45 Jupi me të vetët nuk mbërriti të shkonte në Koplik, pse në zonën ku ishte, kishte shumë forca të mbrojtjes.
Relacioni është përfundimtar e ndryshe me ato të ditëve të para. Këtu deputetët që i bëjnë tradhtarë e të Ballit dhe kleri janë shtuar më vonë, pasiishte vendosur eliminimi i tyre.

Në fakt nuk ka munguar edhe Legaliteti, për të cilin nuk flitet. Për shumë e shumë të akuzuar për kryengritjen janë vetëm dokumente hetuesie të mëvonshme, që nuk dihet autenticiteti i firmave ose me siguri janë firmosur në gjendje shoku e pavetëdije prej torturave tëtmerrshme që u janë bërë.

Kurse për Jupin, përveç njollosjeve të zakonshme të “armiqve të popullit” që i bëjnë sidomos në hyrje, nuk ka arsye që t’i shtojnë akuza të paqena për organizimin e kryengritjes e përgatitje për zbarkimin e aleatëve, pasi ai nuk jetonte më.
(Vijon nesër...)


 
Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com
 
 
 
 
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Policia plan masash kundër kultivimit të kanabisit, kontrolle në gjithë territorin! Nga maji, Guardia di Finanza me monitorim nga ajri

Policia plan masash kundër kultivimit të kanabisit, kontrolle në gjithë territorin! Nga maji, Guardia di Finanza me monitorim nga ajri