Kryqëzimi ku u ndanë Sokol
Olldashi me Lulzim Bashën

Kryqëzimi ku u ndanë Sokol<br />Olldashi me Lulzim Bashën
Një postim në FB nga ish- kryeministrit Fatos Nano ku i bënte një lloj homazhi mungesës fizike të Sokol Olldashit në këto momente që po kalon politika shqiptare, më risolli sërish në kujtesë këtë ish personazh të rëndësishëm të politikës.

Po mbushen rreth 3.6 vjet që ai është ndarë nga jeta nga ai aksident tragjik e fatkeq që i ndodhi në dalje të atij tuneli që u investua personalisht për ta ndërtuar. Sokol Olldashi ka patur dritëhijet e veta në skenën e politikës shqiptare, por sa herë më është dashur të krijoj një mendim për atë si individ, më janë kujtuar fjalët e Agron Dukës që e përshkruante si një nga momentet më të vështira të tij, përballjen me Olldashin në Shijak në zgjedhjet e vitit 2005. Dihet që Olldashi e theu mitin e Dukës aty, por që Agroni e ka shpjeguar se u detyrua që për hir të shmangies së gjakderdhjes, megjithëse ishte ministër, e braktisi në fund procesin dhe praktikisht ia dhuroi mandatin Olldashit.

Gjithsesi, duhet pranuar se Sokol Olldashi ishte rritur shumë nga ana politike. Ishte orator i drejtpërdrejtë dhe shpuzë nga goja. Kishte aftësinë të ishte bindës edhe atëherë kur e kishte gabim. Ndonëse i ri, kishte marrë plotësisht hijen e një lideri dhe nuk mund t’i mohohet as personaliteti e as karizma e fortë. Kish filluar të krijonte edhe mbështetësit e tij brenda Partisë Demokratike, të cilët nuk ishin periferik, por me kontribute shumëvjeçare në atë parti. Por, ai, njësoj si Azem Hajdari, nuk kishte mbështetjen e drejtpërdrejt të Sali Berishës. Pas humbjes së zgjedhjeve, Partia Demokratike kish më shumë nevojë se kurrë për një lider që të mos identifikohej 100 për qind me emrin dhe figurën e Sali Berishës.

Por, kur Berisha dha dorëheqjen nga kryetar i PD-së, gjeti një pasardhës i cili mishëroi plotësisht gjithë trashëgiminë e ish kryetarit. Kjo ishte e vetmja mënyrë për të ruajtur kontrollin brenda partisë edhe pa qenë në krye të saj. Dhe, më shumë se kushdo tjetër, atë rol s’mund ta luante askush përveçse Lulzim Bashës. I thirrur në krye të ish KOP-it direkt nga zyrat në Kosovë, ai i ngjiti shkallët e karrierës me katapultë dhe gjithmonë nën dorën e ngrohtë të Berishës. Basha nuk pati kurrë një të shkuar kontributore në PD, ashtu siç e pati Olldashi, dhe natyrisht që e vuante si proces inferioriteti këtë gjë.

Atë që po bën sot Lulzim Bashën ku, pas çdo takimi, qoftë me Ramën, qoftë me ndërkombëtarët, nuk merr dot një vendim të rëndësishëm pa rendur më parë tek zyra e Berishës, Sokol Olldashi s’do ta bënte kurrë këtë veprim. Jo se nuk do e respektonte ish kryetarin, jo se do tregohej mosmirënjohës për vitet që kaluan bashkë, por se kur merr postin e kryetarit, merr edhe përgjegjësinë për t’i dalë vetë zot situatave politike. Këtu del në pah roli i liderit, sepse nesër do të besohen fatet e vendin dhe nuk duhet të jesh i dyzuar. Çfarë do të ndodhë me ty si kryeministër kur të jesh në një takim me kolegët ndërkombëtarë, miq ose jo dashamirës të Shqipërisë, dhe të kërkohet të japësh një vendim, do u thuash prisni pak sa të flas me Berishën?!

Në krizën politike ku ndodhet sot Shqipëria, përgjegjësia kryesore ka rënë mbi Lulzim Bashën, sepse kryeministri Rama e ka bërë të vetën me kompromiset që ka ofruar. Por, nëse sot përballë Ramës do të ishte Sokol Olldashi, besoj fort se nuk do diskutonim e do futej apo jo opozita në zgjedhje, por sa e ngushtë do të ishte diferenca midis PS dhe PD. Sepse Olldashi nuk ishte tipi i cicmic-eve, nuk i jepte rëndësi vogëlsirave, por ishte i aksioneve të mëdha politike, i garave elektorale, i përballjeve me kundërshtarin më të fortë edhe kur ky i fundit konsiderohej nga Berisha si “Duka i krimit të klanit të Zemunit”. Ai pranonte çdo lloj sfide, edhe atë të përballjes me Edi Ramën në vendoret e 2007-ës, ndonëse e dinte që e kish të humbur davanë pas sabotimit që i erdhi nga vetë PD-ja.

Kur Lulzim Basha erdhi (ashtu siç erdhi) në krye të PD, ai, nisur nga formimi dhe e shkuara, u pa si përfaqësues i frymës së moderuar politike, ndryshe nga Olldashi që shihej si pjesë e frymës tradicionale radikale. Sot Basha ka marrë një rol që nuk i shkon, ka veshur një kostum që i rri shumë ngushtë, sepse së paku duhet ta kishte shfaqur qysh në krye të herës këtë frymë që po përcjell së fundmi. Ai fillimisht tregoi mefshtësi dhe zgjodhi një rrugë më paqësore, ku diku denonconte një fenomen negativ të qeverisë, diku ofronte një alternativë (ndonëse nuk mund të quheshin mirëfilli alternativa pasi hidheshin në publik thjesht për konsum politik). Ndërsa sot ai ka marrë rolin e një radikali të pandreqshëm, saqë edhe ekstremistja franceze Marine Le Pen duket më bashkëpunuese dhe e emancipuar se ai. Duket një Lulzim Bashë i transformuan në 90 ditë, por që pakkush beson se është vetvetja. Duket nga gjuha dhe gjestikulacionet që përdor se po imiton deri në detaje Sali Berishën e kohës së vaktit. Është një kopjac aq i keq, sa të detyron të kesh respekt edhe për të paudhin Berisha.

E nisa këtë shkrim për Sokol Olldashin, por rrugët m’u kryqëzuan me Lulzim Bashën. Pikërisht aty ku duhet të ishte pikëtakimi i tyre, kryqëzimi, aty bëhet edhe ndarja e tyre.

Sokol Olldashi ishte i vërtetë sepse mbeti deri në fund vetvetja. Ai kurrë s’do t’i braktiste demokratët për t’i degdisur rrugëve të pa shpresë, për t’i nxjerr jashtë parlamentit, jashtë shtëpisë së politikës, për t’i armiqësuar me faktorin ndërkombëtar, vetëm për të justifikuar si Lulzim Basha, me mospjesëmarrje, humbjen në zgjedhje.

Lulzim Basha ishte e mbeti kloun, sepse pranoi me vetëdije të plotë që të jetë një klonim i Berishës. Kurrë nuk doli nga hija e tij dhe bashkë me të bënë më të paimagjinueshmen për Sokol Olldashin: e çuan për lesh Partinë Demokratike, atë parti ku Olldashi, e shumë të tjerë si ai, shkuan me pantallona të shkurtra./TEMA

(d.b/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Muzikë, DJ dhe ekspozitë me motorët ‘Vespa’, 3 ditë magjike te Pazari i Ri në Tiranë

Muzikë, DJ dhe ekspozitë me motorët ‘Vespa’, 3 ditë magjike te Pazari i Ri në Tiranë