Ku dhe kush janë 'banditët' që kërkon Ilir Meta

Ku dhe kush janë 'banditët' që kërkon Ilir Meta

Thirrja e një gazetari shtatë vite më parë, se ‘qelbësirat’ duhet të bashkoheshin kundër Berishës, iu kthye refren këtij të fundit si justifikim për humbjen në vitin 2013. Madje edhe për ta anatemuar koalicionin, e kryesisht për të shigjetuar Ilir Metën në bashkëqeverisjen që nisi me Edi Ramën.

Sot, duket se Sali Berisha është distancuar nga formimi i koalicionit të Partisë Demokratike duke ia faturuar Lulzim Bashës rezultatin e 25 Prill, cilido qoftë ai. Ndërsa Ilir Meta ‘qelbësirat’ i ka zëvendësuar me fjalën ‘banditë’. Deklarata e një dite më parë e Presidentit, se shqiptarët duhet ta fshijnë nga faqja e dheut partinë e të shoqes nëse kandidon banditë, nuk ka qenë ndonjë çudi. Është e qartë se nënkuptonte PS-në, që ende s’ka nxjerrë një emër kandidati përveçse ka konfirmuar shumicën e listës aktuale të pastruar me kohë nga dekriminalizimi.

Vetë Ilir Meta e di se banditët nuk orvaten për t’u futur në listat e LSI. Maksimumi e takojnë nëpër dasma e sebepe për foto, që ta kenë si pasaportë imunteti kur t’i ndalë policia rrugore. Apo ndonjë ish i dënuar për mashtrim në Tiranë që LSI e shet si prurje të madhe nga radhët e PS-së. Së paku deri tani, fatmirësisht këta nuk janë kandidatë. Por Ilir Meta ka harruar ta lëshojë mallkimin për fshirje nga faqja e dheut ndaj të gjithë opozitës.

Fundja a nuk ka pranuar hapur ai se qëndron krah saj dhe ka bekimin e tij për qeverisjen e nesërme? Ky nuk është më një sekret. E pra qelbësirat apo banditët Meta duhet t’i kërkojë tek të gjithë ata që sipas tij do të prodhojë shumicën nesër. Fjala bie, Lulzim Basha ka kthyer në koalicion Artur Roshin e Ballit Kombëtar Demokrat, që vijon të marrë rrogën nga Kuvendi si deputet. Ky është banditi i parë, i damkosur nga Presidenti. Tani nuk i kërkojmë dot llogari Artur Roshit pse paraardhësit e tij vranë Ali Demin apo Kajo Karafilin, ama Presidenti e ka thënë me zë dhe figurë se opozita e Kuvendit është jolegjitime dhe se do t’i shpërndajë ata banditë…

I dyti është një emër i lakuar në Shkodër që ëndrra për t’u bërë politikan e tradhtoi dhe e bëri personazh të kronikës së zezë. Lulzim Basha, që sipas Metës ka mbajtur qëndrime koherente dhe që e ka bërë Presidencën si hani i Stavrit këto tre vitet e fundit, ka bërë koalicion dje me Mustafa Licin, kryetar i Partisë së Mendimit të Djathtë Liberal.

Si dhe kush është shtetasi në fjalë, kërkojeni në Google. Por si duket sot për opozitën dhe Metën nuk është më bandit përderisa ishte i pari që sfidoi OFL-në. Dhe të gjithë e dimë alergjinë që kanë Basha dhe Meta për gjykatat, organet e reformës dhe ato të zbatimit të ligjit. Ndaj edhe sot mund t’u duket si ‘hero’. Banditi i tretë sipas kuptimit në fjalor, është vetë Ilir Meta. Këtë vit, e ka ulur stekën. Trafikon brenda për brenda familjes.

Më saktë, mori ish-kryetarin e SHISH të kohës së Nanos dhe Berishës, dhe e bëri zv.ministër Transportesh gjatë qeverisjës me Edi Ramën. Pastaj kur u bë Presidenti, e mori këshilltar për Sigurinë në Kabinetin e tij. Tani ia ka çuar Bahri Shaqirin të shoqes për kandidat në Shijak dhe i mori Edmond Panaritin nga kandidat dhe ish-deputet, për shef Kabineti.

Pak më vonë, Shemsi Prençin që ia kishte marrë PD-së gjatë qeverisjes me Ramën dhe e kishte vënë shef Emergjencash, e mori në Presidencë disa muaj. Tani ia dha LSI-së se mos mbledh ndonjë votë si kandidat, meqenëse emergjencat i ndriti! Dhe kur, pa?

Pikërisht ditët që vajtonte për rrugët e zëna nga dëbora, mbeti vetë pa këshilltar të kësi punësh. Sakrificë e madhe. Por a nuk është trafiku zanati i banditëve? Pa shtjelluar tipare të tjera të banditizmit si gjyqi i tij për korrupsion me Dritan Priftin, thirrjet për dhunë dy vite me radhë, apo kërcënimi ndaj gazetës “Tema”. Aq më keq kur tenton të bëjë hile para shqiptarëve me deklarata sikur i erdhi e papritur që iu dorëhoqën këshilltarët për ‘angazhime të reja në të ardhmen’.

Një ankesë kishte me vend në konferencën e djeshme Ilir Meta, se mediat s’po ia transmetonin të plotë fjalën. Dhe me të drejtë: Mjerë ata që nuk e ndjekin nga fillimi në fund, të marrin vesh kush janë ata që do sjellin Republikën e Re… Apo si quhet kjo e kësaj radhe?!

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Deputeti i PS-së: Të bëjmë një ligj për të tredhur personat që abuzojnë me fëmijët

Deputeti i PS-së: Të bëjmë një ligj për të tredhur personat që abuzojnë me fëmijët