POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

I penduari për Rinasin u pyet për vrasjen e avokatit Gurra, Çala në kërkim, por lëvizte i lirë (DËSHMIA E PLOTË)

Shqiptarja.com ka zbardhur ekskluzivisht dëshminë e Alkond Bengasit, i penduari që pranoi që të bëhej bashkëpunëtor i drejtësisë duke zbërthyer super grabitjen brenda aeroportit të Rinasit në datë 9 prill në orën 15:00. Por si arriti policia te Alkond Bengasi dhe cfarë deklaroi ai? Gjumët e gishtave të Bengasit u gjetën në furgonin që u përdor në grabitjen e Rinasit, i cili ishte modifikuar pikërisht nga ky person. Pas arrestimit ai zbuloi grupin e plotë përmes dëshmisë së tij duke sjellë edhe pesë arrestimet e tjera, i fundit pasditen e sotme në Durrës, i njohur me pseudonimin 'Daja'. Alkond Bengasi tregon bisedat me kushërinjtë Klement e Eldi Çala, njohjen me Admir Muratajan, Oltion Veselin dhe Elton Piklin nga Kruja, por edhe 'Dajën' nga Kosova, Ragip Haxhiajdini.

 Alkond Bengasi është marrë në pyetje edhe për vrasjen e avokatit Ravik Gurra në Elbasan, ndërsa më pas tregon edhe bisedën me Klement Çalën që i kishte shkuar në banesë së bashku me familjen, në qetësi të plotë, edhe pse ka qenë në kërkim prej vitit 2013. "…atë ditë pasi kemi dalë nga policia e Elbasanit unë kam ardhur në shtëpinë time tek “Liqeni i Thatë” në Tiranë dhe në banesën time po atë ditë në darkë ka ardhur Klementi, së bashku me nusen e tij dhe fëmijët dhe gjatë bisedës ai më ka treguar se “…ça ka policia me ty, shih mos të kanë vendos ndonjë përgjues në makinë…”.


Po këtë natë kur Klementi ka qenë në shtëpinë time ai më ka thënë se “…do të dëgjosh një tronditje të madhe këto ditë….". Grabitjen, Bengasi thotë se e ka marrë vesh përmes medias, pasi ka parë furgonin, ndërsa rrëfen edhe bisedën me gruan e Klement Çalës, e cila dyshonte se mund të ishte ai i vrari në Rinas. Menjëherë pas dëshmisë së Alkondit, prokuroria ka urdhëruar arrestimin e Klement Çalës, Oltion Veselit, Elton Piklit, Saimir Çelës, Renaldo Sulës, Talo Çelës, Eldi Çalës, Marenglen Hoxhës, Ragip Haxhiajdinit, Aleks Pepës dhe E. P. Në dosje theksohet se gjatë kqyrjes Admir Muratajt iu gjet një granatë dore, dy granata tymuese, një pistoletë, gërshërë dhe aparat për bllokimin e valëve.

Dëshmia e plotë e Alkond Bengasit:
Pyetje: Ndaj jush zhvillohen hetime pasi dyshoheni për kryerjen e veprës penale të “vjedhjes me armë kryer në bashkëpunim”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kirminal në lidhje me ngjarjen e ndodhur me 09.04.2019 në aeroportin e Rinasit, ku është grabitur me armë një shumë vlerash monetare (euro), pyetjen e dëgjuat, e kuptuat dhe çfarë shpjegimesh do të jepni?

Përgjigje: U njoha me të drejtat dhe pyetjen e berë në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 09.04.2019, ku në Aeroportin e Rinasit është grabitur një shumë vlerash monetare, dua të deklaroj se unë jam dijeni për këtë ngjarje pasi: Unë njihem me shtetasin Klement çala, i cili është kushëri i imi, pasi nënën e Klementit e kam gocë teze, ndërsa babain e Klementit, babai im e ka djalë dajë. Unë kam qenë në shtetin grek në vitin 1998-1999 dhe aty kam qëndruar në shtëpinw e Klementit, i cili në atë kohw jetonte me familjen e vet. Unë në vitet 2012-2013 saktësisht nuk më kujtohet jam kapur me një cigare hashash dhe kam qenë në burg në Shqipëri. Në atë kohë kur unë kam qenë në burg, kam marrë vesh me anë të televizorit se kushëri im Klement Çala është arratisur nga burgu Trikalla i Greqisë sëbashku me disa persona të tjerë. Pasi unë kam dalë nga burgu pas 6 muajsh, Klementi kishte ardhur në Shqipëri dhe mbaj mend se ai ka ardhur dhe më ka takuar në shtëpinë time në qytetin e Elbasanit dhe konkretisht në fshatin Kusarth. Në atë kohë Klementi sëbashku me shtetasin Admir Murataj po hapnin një restorant të zona e Liqenit të Thatë dhe konkretisht në hyrje të digës së Liqenit. Pasi këta dy shtetas kanë hapur restorantin, unë gjatë kësaj periudhe jam takuar disa herë me Klementin. Më pas mua më është sëmurë nwna ime dhe Gjykata e Apelit më ka rikthyer në burg dhe jam shpallur në kërkim dhe për një periudhë unë takohesha shumë rrallë me Klementin.

Unë jam i punësuar në varrezën e makinave të cilën e ka babai i Klementit, Pullumbi, varrezë e cila ndodhet midis fshatit Kusarth dhe Bradashesh, Elbasan. Vëllai i Klementit, Eldi Çala, ka një rrobaqepësi në Uzinën 12 në Bradashesh.

Përpara rreth 5 muajsh më ka thënë shtetasi Eldi Çala se do të shkonim të merrnim një furgon në dalje të Fushë Krujës dhe unë i kam thënë se nuk vij, se kam bajzën sëmurë dhe të gjente një person tjetër për të shkuar për ta marrë. Pas dy ditësh kur unë kam shkuar tek rrobaqepëria e Eldit kam parë një furgon.

Në oborrin mbrapa rrobaqepësisë ndodhej i parkuar një automjet me ngjyrë jeshile I markës Shevrolet, me targa të huaja të cilat smë kujtohen. Mbaj mend se me këtë automjet Eldi bënte xhiro disa herë brenda territorit të rrobaqepësisë. Unë e kam pyetur Eldin se ku e kishte gjetur këtë automjet dhe ai më është përgjigjur se këtë automjet e kishte sjellë nga lart (dhe unë nënkuptova shtetin e Kosovës) Admir Murataj, të cilin Eldi e thërriste me pseudonimin “Daja”. Unë e kam pyetur sërish Eldin për ca e do këtë automjet, pasi ishte i vjetër dhe ai më ka thënë se do e mbajmë për qejf pasi është 4×4.

Pas rreth 2-3 muajsh Eldi e ka sjellë pikërisht automjetin që përmend më lart në servisin (varrezën) ku unë punoj. Ai e ka lënë këtë automjet të parkuar rreth 3 javë ose një muaj në servisin tonë me arsyetimin se ai do ta rregullonte dhe do ta bënte makinë sportive këtë automjet. Në këtë automjet kam hyrë unë sebashku me shtetasin M.Çala, i cili është djali i xhaxhait të Klementit si dhe punonjës në po këtë varrezë (servis). Pasi Klementi e ka lënë këtë automjet rreth tre javë ose një muaj në servisin ku unë punoj, një ditë që unë nuk ndodhesha në shtëpi dhe nuk kisha shkuar në punë, Eldi kishte shkuar në servisin ku unë punoj dhe e kishte marrë automjetin tip Shevrolet me anë të një karroatreci. Unë këtë fakt e mësova nga E.Çala dhe ai më ka thënë se automjetin e mori Eldi sëbashku me shtetasin Talo Çela, i cili është nga Bradasheshi.

Pas rreth 3-4 ditësh pikërisht automjetin tip Shevrolet e ka sjellë përsëri në servisin ku unë punoj shtetasi Eldi Çala, por kësaj here ne gjendje të ndezur, pra këtë automjet e kishte rregulluar. Pas rreth 3-4 ditësh ka ardhur sërish dhe e ka marrë këtë automjet Eldi dhe ne në servis i kemi vendos vetëm bateri. Po kështu unë në oborrin e rrobaqepësisë së Eldit përpara rreth një muaji unë kam parë të parkuar një automjet tip Mercedez Vito me ngjyrë të bardhë. Unë këtë automjet e kam parë vetëm njëherë dhe nuk e kam parë më.

Unë automjetin tip Shevrolet që përmenda më lart e kam parë parë në Rinas në 09.04.2019 në televizion gjatë emisioneve që jepeshin në lidhje me ngjarjen e grabitjes në Rinas. Këtë automjet e kam njohur nga mbrapakolpi si dhe nga fotot që trasmetoheshin në media, si dhe nga fakti që tregohej se automjeti ishte Shevrolet dhe ishte modifikuar stema e Volsvagenit si dhe modifikime të tjera.

Përpara disa kohësh mesa më kujtohet disa ditë pasi është vrarë avokati Ravik Gurra në qytetin e Elbasanit, unë sëbashku me babain e Klementit, Pullumb Cala si dhe një kushëririn tim na ka shoqëruar policia në drejtorinë e Elbasanit ku jemi pyetur në lidhje me ngjarjen e vrasjes së avokatit. Atë ditë pasi kemi dalë nga policia e Elbasanit unë kam ardhur në shtëpinë time tek Liqeni i thatë në Tiranë dhe në banesën time po atë ditë në darkë ka ardhur Klementi sëbashklu me nusen e tij dhe fëmijwt dhe gjatë bisedës ai më ka treguar se “ça ka policia me ty, shih mos të kanë vendos ndonjë përgjues në makinë”. Po këtë natë kur Klementi ka qenë në shtëpinë time ai më ka thënë se “do të dëgjosh një tronditje të madhe këto ditë”.

Pasi unë pashë fotot e automjetit që kishte marrë pjesë në grabitjen e Rinasit si dhe në lidhje me bisedën që Klementi me kishte thënë natën që ishte në shtëpinë time se “do të dëgjosh një tronditje të madhe këto ditë”, unë nënkuptova se në këtë grabitje kishte marrë pjesë patjetër Klementi së bashku me Admir Murataj që e kishte shok të ngushtë. Menjëherë sa unë kam mësuar në lidhje me ngjarjen e ndodhur unë kam fikur telefonin pasi kishte frikë. Dua të shpjegoj se Klement Çala kishte një banesë afër shtëpisë time të Liqeni i Thatë, si dhe Klementi më ka thënë se edhe “Daja” që nënkuptonte Admir Muratajn, e ka shtëpinë përballë pallatit tim në anën tjetër të Liqenit të thatë.

Unë shkoja shpesh në banesën e Klementit e cila ndodhej afër shtëpisë time dhe në këtë banesë vinte shpesh edhe Admir Murataj. Po ashtu e kam takuar Admirin edhe me një person tjetër nga Kosova i moshës rreth 50 vjeç, qeros, të cilin Admiri e thërriste me pseudonimin “Daja”. Unë këtë person jam në gjendje që ta identifikoj nëse ai më tregohet. Po me këtë shtetas vinin edhe dy persona të tjerë, të cilët ishin nga Fushë Kruja, me sa di unë ku njëri thirrej me emrin “Olti” dhe tjetri “Tani”. Ata të dy vinin me një makinë Golf ngjyrë blu dhe të dy këta persona takoheshin me Admir Muratajn dhe shtetasin Kosovar të cilin Admiri e thërriste Daja.

Herën e fundit që unë e kam takuar Admir Muratajn në momentin që po zbrisja për të blerë cigare të dyqani që ndodhet afër pallatit, dyqan i cili ndodhet në pallatin e Klementit, ka qenë rreth 6 ditë para se të ndodhte grabitja në Rinas.

Një person më fishkëllen dhe unë kthej kokën dhe arrita të dalloj Admir Muratajn, i cili më thirri o nip dhe unë kam shkuar dhe jemi takuar dhe aty shikoj se në automjetin golf ngjyrë e bardhë me targa kosovare ndodhej edhe Daja nga Kosova, i moshës rreth 50 vjeç, Qeros. Pasi Admiri më ka dhënë dorën dhe më ka përshendetur ai ka hyrë në shkallën e pallatit ku banon Klementi dhe është ngjitur lart. Unë sa herë e kam parë shtetasin Kosovar, e kam parë që ai ishte në shoqërinë e Admir Muratajt.

Po kështu dua të shpjegoj se unë Oltin dhe Tanin, të cilët di që janë nga Fushë Kruja, i kam takuar për herë të parë përpara 6 muajsh, tek Shkëmbi i Kavajës, afër pallatit të lartë. Jemi nisur unw dhe Eldi nga Elbasani dhe në një lokal tek Shkëmbi I Kavajës, kemi ngrënë drekë sëbashku me Admir Muratajn, personin të cilin Admiri e therriste Daja dhe ishte nga Kosova, Oltin dhe Tanin nga Fushë Kruja, Klementin si dhe një person tjetër, të cilin e kishte shok Daja nga Kosova dhe që ishte i shëndoshë.

Përpara 10-15 ditësh, rreth orës 08.30 të mëngjesit kur unë kam qenë duke shkuar për në Elbasan, kam parë në kafen e cila ndodhet disa metra larg pallatit në afërsi të një hoteli që po ndërtohet, shtetasi Admir Murataj, shtetasi Kosovar që thirrej Daja, Oltin, Tanin, Klementin dhe Eldin. Kur unë kam vazhduar rrugën me makinë rreth 20 metra larg kafes ku po pinin shtetasit e mësipërm kam parë që vjen me automjetin e tij Talo Çela.

Nuk jam në gjendje të them ditën e saktë, por unë një ditë në momentin që kam dalë nga banesa ime për të hedhur mbeturinat kam takuar Klementin, të cilin e kam pyetur se ku po shkonte dhe me ka thënë se do shkoj të takoj Admirin me çunat. Po kështu tek banesa e Klementit, e cila është afër shtëpisë time, shpeshherë kam parë se Eldi Çala vinte dhe hynte ne banesën e Klementit me kushëririn Renaldo Sula.

"Dua të shpjegoj se kur unë kam shkuar në shtëpi, kam parë nusen time të shqetësuar e cila më ka treguar se "shife cfarë ka ndodh" dhe aty kam parë në lajme se ca kishte ndodhur, kur ishte vrarë edhe një grabitës. Menjëherë kam shkuar në banesën e Klementit dhe aty kam gjetur duke qarë nusen e Klementit e cila quhet Sulltana sëbashku me nusen e Eldit e cila quhet Ana. I kam pyetur përse qani dhe përse jeni të shqetësuara dhe ato me kanë thënë se kanë vrarë Klementin në Rinasi, sipas të dhënave në media, pasi Klementi ishte rreth 32 vjeç. U mundova t'i qetësoja, por ato vazhdonin të ishin të shqetësuara dhe këmbëngulnin që ishte Klementi, por nuk ishin të sigurta se gjatësia e personi nuk përputhej. Unë kam qëndruar rreth 30 minuta në shtëpinë e Klementit dhe duke qenë se nusja e tij dhe e Eldit po qanin dhe ishin mjaft të shqetësuara, kam shkuar në banesën time dhe kam dalë në ballkon, ku po pija cigare. Aty kam vënë se dy gratë dolën nga banesa dhe më thanë që po iknin se më duket është vrarë Daja, që nënkuptonte shtetasin Admir Murataj, pasi sic e përmenda edhe më lart të gjithë Admirin e thërrisnin Daja".

Alkond Bengasi

Po kështu dua të shpjegoj se disa herë në banesën e Klementit vinte edhe bashkëshortja e Admirit, e cila quhet Albana dhe ajo vinte me dy vajzat. Unë e kam parë Albanën të hynte në banesën e Klementit sëbashku me Admir Muratajn.

PYETJE: A mund të na shpjegoni nëse jeni të gjendje ti identifikoni shtetasit me emrat Tani dhe Olti që ju deklaruat se janë nga Fushë Kruja, nëse ata ju paraqiten për njohje nga ana jonë?

PËRGJIGJE: Po unë jam në gjendje ti identifikoj këta persona nëse me paraqiten nga ana juaj. Olti është i moshës rreth 40 vjeç, me trup rreth 175 cm i gjatë, trup normal, me flokë sit ë verdha, me fytyrë te bardhw, me dialekt si nga Fushë Kruja. Olti mesa më ka thënë Klementi ka qenë në forcat komando që kanë qenë jashtë shtetit. TANI është i moshës rreth 35 vjeç, me trup rreth 180-185 vm, trup normal pa bark, me flokë gështenjë të shkurtra, ai vishej zakonisht sportive. Sa herë e kam parë mbante të njëjtat veshje. Të dy këta shtetas qendronin të pa rruar, por jo më mjekër të madhe, për të dy këta shtetas kam dëgjuar se ishin besimtarë të fesë myslimane. Kujtoj që TANIN e kam parë njëherë në Elbasan sëbashku me Eldin të rrobaqepësia sëbashku. Kujtoj që ka qenë aksham dhe më ka marrë e ëma e Klementi e kam shkuar t’u jap ushqim qenve.

PYETJE: A e njihni shtetasin Saimir Çela, nëse po  çfarë marrëdhënie keni me këtë shtetas?

PËRGJIGJE: Po unë e njoh këtë shtetas është nga qyteti i Elbasanit, dhe e thërrasin me pseudonimin “Taçka” por unë nuk kam muhabet me këtë shtetas. Di që banon afër banesës së Renaldo Sula që është çuni i dajës së Klement Çalës dhe di që merret me grumbullimin e luleve të egra.

PYETJE: Keni dëgjuar se në cfarë qyteti banonte Daja, shtetasi Kosovar në Kosovë?

PËRGJIGJE: Unë nuk kam informacion të saktë, por kam dëgjuar që Admiri qëndronte në Kosovë, në Prishtinë. Kujtoj që Daja, Admir Murataj dhe Klement Çala mbanin gjithnjë armë me vete. Admiri mbantë dy pistoleta dhe bomba në çantë. Ja kam parë kur me ka kërkuar ti marr njëherë cigaret në çantë. Ndërsa Klementi mbante një armë tip Glock që ia kishte blerë Dajës nga Kosova dhe ka thënë që e ka blerë për 2500 euro.

PYETJE? A keni gjë tjetër për të shtuar në deklarimin tuaj?

PËRGJIGJE: Jo nuk kam gjë tjetër për të deklaruar, procesverbalin e deklarimit pasi e lexoj e gjej të rregullt dhe e firmos pa vërejtje atë.

d.ba./Shqiptarja.com
Komento

Komente

  • Fredi: 26/04/2019 17:19

    Bravo policia e shtetit! Na beni te besojme në qetësi, harmoni e shtet! Bjerini horrllekut nga Konispoli në Vermosh! Pastroni republikën!

    Përgjigju
    • I padituri: 26/04/2019 20:12

      Mund të ndodh se advokat Gurra u eleminua për shkak se e dinte se po pregatitej sulmi në Rinas...!