Kujtim Gjonaj: Dinejt e Çamërisë, saga e familjes rilindase me famë botërore në art, letërsi e shkencë (VIDEO)

TIRANE- Abedin Dine Preveza dhe e gjithë pema madhështore gjenealogjike e tij; këta Dinej me famë botërore të Çamërisë, ku rrjedh gjaku i shqiptarit, i dhanë jo vetëm kombit tonë, por edhe Greqisë, Perandorisë Osmane dhe Europës dritë, kulturë, mençuri dhe art.

E kush tjetër, veç Abedin Pashë Dine Prevezës, mund ta ngjizte ëndrrën për ta parë Shqipërinë të pavarur, duke dhënë kontributin e tij të madh gjatë rrugëtimit për realizimin e saj.

Për Kujtim Gjonaj,  regjisorin e dokumentarit më të ri, “Saga e Dinejve”,  është injoruar padrejtësisht aktiviteti politik dhe atdhetar i Abedin Prevezës dhe Dinejve, që janë një pjesë e ndriçuar e historisë dhe kulturës shqiptare.

Regjisori Gjonaj që e realizoi dokumentarin “Saga e Dinejve” duke u mbështetur në skenarin e Luan Ramës dhe Enver Kushit; me kamerën e Spartak Papadhimitrit ka udhëtuar drejt vendeve, ku Abedin Dine Preveza ka vendosur gurin e parë për rilindjen e kombit shqiptar, si  frymëzuesi i asaj rilindjeje që i përfshiu të gjithë shqiptarët myslimanë dhe të krishterë drejt qytetërimit europian.  

Pas kësaj pune këmbëgulëse Kujtim Gjonaj rrëfen ekskluzivisht për Report TV udhëtimin në sagën e Dinejve, emocionet që ka pasur kur ka xhiruar takimet me pasardhësit më të fundit, si Boris Dinen në Francë dhe vajzën e artistit Ali Dine, ish deputet i parlamentit grek në vitin 1915. 

Nuk ka si të ndodh ndryshe: Saga e Dinejve në këtë dokumentar do të nis nga rrënja; i pari rilindës i kombit Ahmet bej Dine, i lindur në vitin 1785 dhe larguar nga jeta në vitin 1849,  që kishte marrë pjesë në kryengritjen kundër Tanzimatit, në vitin 1847, dëshmuar nga Sami Frashëri: nga ku doli për herë të parë kërkesa e shqiptarëve për vetëqeverisje.

Gjatë xhirimeve, Kujtim Gjonaj, nuk ka qenë i interesuar vetëm për figurën e Abedin Dines, por edhe për Dinejtë e tjerë të shumtë

Kujtim Gjonaj me filmat e tij dokumentarë ka rindërtuar dhe rindërton kujtesën e humbur të historisë shqiptare, shpeshherë nga pasojat e doktrinës komuniste.

Me më të fundit dokumentar, ku rrëfehet Saga e Dinejve të famshëm, regjisori Kujtim Gjonaj, për gati gjysmë shekulli në kinematografinë shqiptare, e kapërcen kufirin e 200 filmave dokumentarë artistikë e vizatimorë të realizuar deri më sot me autorësinë e tij, edhe si skenaristit dhe producent.

“Saga e Dinejve”, ky film dokumentar i Kujtim Gjonit shfaq rolin e tyre në historinë e kombit shqiptar, të luftërave për liri, në politikë, diplomaci, ekonomi, art, letërsi, shkencë dhe kulturë. 

“Saga e Dinejve” është një sagë historike, që nis nga Ahmet bej Dine, Abedin pashë Dine, Vesel pashë Dine, Rasih Dine, Lejla Dine, Ali Dine, Xhemil bej Dine, Nuri Dine, Nebil Dine, Mazar Dine, Arif Dine, Abedin Dine i Riu, ... Dhe emrat e shquar të familjes Dino vazhdojnë të shtohen edhe sot...!

Intervista

Zoti Gjonaj, ju po përgatisni një dokumentar, që u dedikohet Dinejve të famshëm. Përse e nisët udhëtimin drejt xhirimeve të këtij dokumentari?

Prej kohësh më kishte lindur ideja për të bërë një film për familjen Dine, që është një nga familjet më të mëdha të historisë shqiptare, më të mëdha të Çamërisë, të cilat kanë lënë gjurmë pothuajse të pashlyera, jo vetëm në historinë e Çamërisë dhe të vendit tonë Shqipërisë, por edhe më gjerë në Perandorinë Osmane. Është një familje me kapacitete, do të thosha, kolosale në fushën e kontributeve për historinë e vendit. Ka nxjerrë njerëz që kanë lënë gjurmë të thella në historinë e Shqipërisë, p.sh., të marrim mareshalin, Abedin Dinen  (e parë), pashanë. Abedin Pasha është një nga figurat më monumentale të historisë shqiptare në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ndërkohë ai ishte ministër i Perandorisë Osmane, që mbronte të drejtat e Perandorisë në Kongresin e Berlinit, por me shumë pasion, me shumë dashuri, me shumë vullnet, me shumë këmbëngulje ai mbrojti edhe të drejtat e shqiptarëve në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Për të vazhduar më tej me pasardhësit e tij, që janë figura po kaq të ndritura, si i biri Rasiu, i cili është firmëtar i Pavarësisë në Vlorë dhe tre nipat e tij, Abedini (i riu tashmë), Aliu dhe djali tjetër, të cilët kanë lënë gjurmë të mëdha në kulturën greke, në kontributet për Shqipërinë, por në mënyrë të veçantë në kontributet në artin evropian.

Nga e kishin origjinën Dinejt, që u shtrinë në Perandorinë Osmane, në Greqi, në Evropë?

Dinejt janë nga një fshat i Çamërisë, me emrin Lopës. Pastaj këta nga ky fshat, ku edhe sot e kësaj dite janë rrënojat e kullave të tyre, u shpërngulën në Prevezë. Preveza dihet që është një nga qytetet e fundit të zonës shqiptare të Çamërisë, ku ndodhet gjiri i famshëm i Ambrakisë. Aty është Preveza. Është një qytet i këndshëm dhe këtu u rritën dhe kultivuan formimin e tyre. por gjithçka ishte nën suazën e Perandorisë Osmane dhe shumë shpejt i pari i tyre, d.m.th. Abedin pashë Dino u shpërngul në Stamboll, ku bëri një karrierë të shquar qoftë politike, qoftë edhe më pas patriotike në interes të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. U bë ministër në kohën e Perandorisë Osmane, më pas u bë prefekt në Adana.

Si ju lindi ideja për dokumentarin, pasi ju lexuat edhe librin e Luan Ramës, për ta përdorur më tej edhe si skenar?

Unë kam bërë disa filma për Çamërinë, siç është “Ëndrra e Çamërisë”. Luan Rama është një ndër studiuesit më të pasionuar pas krahinës së Çamërisë dhe asaj zone. Ai ka shkruar disa libra studimorë për këtë çështje dhe ka shkruar edhe një libër shumë të mirë për Dinejt.

Ku i keni bërë kryesisht xhirimet?

Zakonisht kur bëhet fjalë për figura të mëdha të historisë së vendit, ne mundohemi që ta plotësojmë jetën e tyre me dokumentacionin më të domosdoshëm. Prandaj ne i përqendruam xhirimet tona më tepër në Francë, ku praktikisht një nga pinjollët e familjes Dine, piktori i famshëm Abedin Dine (i riu), ka ushtruar aktivitetin e tij të plotë dhe ka jetuar një kohë të gjatë aty. Për më tepër, ne kishim edhe një nga trashëgimtarët e Dinejve të sotëm, Boris Dinon, i cili na mirëpriti dhe na ndihmoi për realizimin e xhirimeve në Francë. Aty intervistuam Boris Dinen, intervistuam piktorin e famshëm Omer Kaleshi, i cili ishte mik dhe i afërm i piktorit Dine, intervistuam Luan Ramën si studiues të kësaj dinastie të Dinejve. Pra, si të thuash, mori koloritin e së shkuarës me të sotmen, u gërshetua e shkuara me të sotmen nëpërmjet këtyre personazheve që përmenda.

Për hir të së vërtetës, në këtë dokumentar nuk patëm mundësi që të hulumtonim dhe të njiheshim me shumë zona dhe vende ku ka ushtruar aktivitetin e madh familja e Dinejve. Diktatura, survejimi ndaj popullsisë çame të mbetur të Greqisë, sot ortodokse, është aq e madhe saqë ata kanë frikë të flasin. Ata kanë frikë që t’i thonë gjërat ashtu siç janë, plus që ka midis tyre edhe njerëz që njoftojnë në telefon policinë. Gjithmonë kemi hasur shumë vështirësi kur kemi xhiruar. Unë kam bërë disa filma për Çamërinë. Na kanë ndaluar në kufi, na kanë bërë presion për të na marrë kamerat. Vështirësia më e madhe është se kjo trysni ndikon edhe te njerëzit. Ishim diku në Parga, kur xhironim një nga filmat, dhe dëgjuam që po këndohej kënga shqipe “Qaj Minushe”, e cila këndohet edhe në Shqipërinë e Jugut. Personi ishte një djalë i ri dhe kur iu afruam dhe e pyetëm se ku e kishte dëgjuar këtë këngë dhe pse po e këndonte, ai hezitoi dhe nuk foli asnjë fjalë shqip. E njëjta gjë na ndodhi edhe gjatë xhirimeve për Dinejt. Kur shkuam që të intervistonim një nga trashëgimtarët e Dinejve, vajza që ishte rritur dhe formuar në Greqi, nuk e la mamanë e saj që të na fliste.

Mund të ishin gjëra që mund të ishin shumë të bukura për dokumentarin.

Ne kishim menduar që të bënim një bashkëbisedim me vajzën e Ali Dines, që është një nga trashëgimtar i hershëm i Dinejve, një piktor i famshëm dhe karikaturist i shquar në Greqi, i cili ka qenë edhe deputet në parlamentin grek, d.m.th. një personalitet në artin dhe në kulturën greke dhe për fatin tonë të mirë, me origjinë shqiptare. Dhe vajza e saj ishte e gatshme sepse është stërmbesë e Dinejve të mëdhenj, që të bashkëbisedonte me një pjesëtar tjetër po të dinastisë së Dinejve, trashëgimtar, me Boris Dinen në Paris. Donim që të lidhnim një lloj komunikimi, kjo këtu dhe ai në Paris. Nuk e realizuam dot sepse patëm vështirësi për shkak të pengesave që na nxorën pjesëtarët e familjes së saj duke mos na lejuar që ta filmonim sepse më pas, represioni i shtetit, i qeveritarëve apo i nëpunësve të zonës së Prevezës do të ishte i madh mbi këtë familje.

Keni pasur vështirësi edhe kur keni realizuar dokumentarin tuaj “Ëndrra e Çamërisë”. Mund të na tregoni disa episode se si i keni sfiduar këto vështirësi?

Në dokumentarin “Ëndrra e Çamërisë” patëm fat sepse ata që na shoqëronin ishin me një makinë me targa amerikane dhe me gjithë vështirësitë e jashtëzakonshme që dihen se janë në këto raste, ne donim komunikimin e gjallë me njerëzit tanë të mbetur aty. Kur po xhironim poshtë kalasë së Pargës, një grua rreth 70-80 vjeçe kur na dëgjoi që flisnim shqip, na pyeti: “A doni t’ju këndoj një këngë shqip?” dhe filloi të këndonte një këngë të hershme. Gjatë kohës që ajo këndonte, kuptohej vështirësia se mos po e shihte dikush sepse vështronte majtas e djathtas. Kur komunikonim me njerëzit, ata jo menjëherë na flisnin shqip, megjithëse ata të gjithë e dinin gjuhën shqipe. Për fatin e mirë të tyre, ata vërtet e njihnin mirë gjuhën shqipe, natyrisht aq sa mund ta njihnin se gjuha evoluon gjatë kohës, por ata ruanin një shqipe karakteristike të viteve të hershme. Pasi siguroheshin që ne vërtet ishim shqiptarë dhe vinim nga Shqipëria, atëherë na flisnin shqip. Këtë e ndiemë në Pargë, siç thashë, por edhe në Prevezë dhe në Filat, kur xhironim. Filati është pranë kufirit tonë dhe gjendja emocionale e tyre është shumë pranë dashurisë dhe respektit që kanë për tokën e të parëve, për Shqipërinë.

Pra, kur xhiron atje emocionet janë shumë të mëdha, por edhe vështirësitë gjithashtu, për arsyet që tashmë ne i dimë.

Megjithatë fotografuat apo xhiruat rrënojat e shtëpive.

Është një sëmundje profesionale, është sëmundje e vjetër. Kudo që hyn kamera do të bëjë punën e vet. P.sh. xhironim një film për Nënë Terezën. Ne i kishim bërë xhirimet fshehurazi, sepse ne do ta realizojmë objektivin tonë, ai do ta bëjë atë që ka ndërmend ta bëjë. Dhe ne i kishim bërë xhirimet në kupolën Sistina, brenda në Vatikan. Erdhi ambasadori ynë Juli gjithë gëzim dhe më tha që kishte ardhur shkresa, pra na e kishin dhënë lejen. Unë i thashë që shkresën ta mbante për dokument pasi ne i kishim mbaruar xhirimet dhe do të ktheheshim në Tiranë. Ne gjejmë mënyra, ndoshta jo fort të hijshme, por që duhet ta mbarojmë punën tonë.

Por dokumenti është dokument dhe duhet, vlen.

P.sh., nëse nuk do të filmonim varrin e Nënë Terezës, atëherë kot që shkuam në Indi. Nuk shkuam për të parë bukuritë e Indisë.

Si e kontaktuat familjen e tyre?

Na ndihmoi shumë edhe Borisi nga Parisi, edhe Luan Rama nëpërmjet Borisit. Ç’është e vërteta na pritën jashtëzakonisht mirë, por kur erdhi puna për të filmuar, u stepën, u frenuan.

Kur e përfunduat dokumentarin, çfarë menduat më në fund?

Kurrë mos thuaj jo. Edhe unë i thashë “jo” vetes, por përsëri nuk ia thashë sepse vazhdova të punoj dhe të realizoj. Ky është filmi i fundit, por kam një film tjetër tani, pas këtij. Është një film për një hero të luftës së Koshares, Agim Ramadani. Ai është vrarë në luftë dhe është “Dëshmor i Kombit”, për ne dhe për Kosovën.

Përse ky vizion për të përfshirë në dokumentarët tuaj të gjitha figurat që janë jashtë trevave shqiptare, që janë bashkuar për qëllimin e bashkimit kombëtar apo për lirinë e shqiptarëve kudo që gjenden.

Jemi një popull i shpërndarë në katër shtete, që kudo nga të kthehesh ka kufij shqiptaro-shqiptarë. Në këtë kuptim, Shqipëria e rrudhur, e shtrënguar brenda këtyre kufijve prej 28.000 km2, po të ishte bota pak më shumë dashamirëse ndaj nesh, megjithëse nuk dua që të hyj në politikën e ditës se ndoshta nuk më takon pasi unë jam artist, por nëse Franca para 100 vitesh do të ishte më zemërgjerë, Anglia gjithashtu, Shqipëria do të ishte në kufijtë e saj natyrorë. Ne nuk jemi në kufijtë tanë natyrorë. Pra, një histori dhe një popullatë e madhe ka mbetur jashtë kufijve normalë të Shqipërisë. Në këtë kuptim, është detyrë e imja, por edhe e kujtdo tjetër, që me aq sa kemi mundësi, me aq sa kemi njohuri, sipas profesioneve që kemi, të ndërthurim vlerat e mëdha të racës shqiptare që është brenda territorit me vlerat po aq të mëdha të racës shqiptare që ndodhet jashtë territorit.

Në këtë kuptim, ne kemi figura shumë të mëdha që janë jashtë kufijve të Shqipërisë. Po i referohem filmave të mi. Nënë Tereza e ka ushtruar aktivitetin e saj në Indi, por është shqiptare. Jeronim de Rada e ka ushtruar krijimtarinë e vet dhe kulturën e përpjekjet e tij në Kalabri, por është shqiptar. Këtu po flas për figurat, të cilave u kam kushtuar filmat e mi. Faik Konica gjithashtu, në pjesën më të madhe të kohës ka qëndruar në Belgjikë, në Francë dhe në Amerikë, shumë pak në Shqipëri, por është një ndër figurat më monumentale të historisë shqiptare, kështu që duhet të jetë brenda historisë së vendit dhe duhet që t’ia transmetoj brezave këtë figurë monumentale. Po kështu do të thosha për Ali pashë Tepelenën, një figurë e madhe që u përpoq të bënte një shtet shqiptar. E arriti apo jo, është problem tjetër, dytësor, pastaj. Por përpjekjet e tij, përveç anës negative si pasha, janë për të krijuar një shtet shqiptar. Pra, janë figura të mëdha, që duam s’duam, të joshin, të ngacmojnë dhe të detyrojnë të merresh me ta, me vlerat dhe me të metat e tyre sepse natyrisht që nuk ka figurë bardhë e zi, ose i mirë ose i keq. Figurat janë komplekse, janë me kolor, dhe duhet që t’ia transmetosh brezave që vijnë. Kemi vërtet figura të mëdha, që kanë bërë emër jo vetëm për ne, por kanë bërë emër botëror. Aleksandër Moisiu është emër i përbotshëm, është vlerë e jona por është i përbotshëm. Skënderbeu po ashtu. D.m.th. janë figura që i kanë dhënë botës, jo vetëm neve. Skënderbeu mbrojti qytetërimin evropian, të kësaj Evrope që sot nuk begenis të na pranojë neve në gjirin e saj. Pra, unë e kam parë historinë e figurave të mëdha të Shqipërisë si histori shqiptare dhe jaam munduar që të gjitha këto histori shqiptare t’i kem brenda krijimtarisë sime.

Nga autorë të ndryshëm si Niko Stilos, Luan Rama dhe nga shumë autorë të tjerë që kanë shkruar për sagën e Dinejve, kam mësuar se në fushën e krijimtarisë ata kanë qenë po aq të shquar sa Naim Frashëri, që në kohën e diktaturës ishte një personalitet dhe njihej letërsia e tij. Dinejt kanë qenë poetë, filozofë, piktorë. Përse mungonte ky kah i krijimtarisë shqiptare në studimin e artit dhe të letërsisë së diktaturës dhe Naim Frashëri nuk mungonte?

Kjo është një pyetje e vështirë. Naim Frashëri ka hyrë në historinë tonë si poeti ynë kombëtar dhe ëhtë poeti ynë kombëtar. Unë kam lexuar poezi të Dinejve, nga vetë mareshali, gjenerali i famshëm që ishte ministër i Perandorisë Osmane sepse edhe ai ka shkruar poezi. Siç duket është një gjen që ata e kanë pasur në racën e tyre dhe që trashëgohej brez pas brezi. Ka shkruar edhe Abedini poezi, edhe Aliu. Pra, Dinejt kanë shkruar poezi. A duhej t’i futeshin në suazën e studimeve të asaj kohe? .....

Por ju ndërkohë, menjëherë pas rënies së diktaturës, duket sikur keni dashur të shlyeni të gjitha ato mungesa.

Edhe në kohën e diktaturës unë kam qenë i lirë në krijimtarinë time. Për hir të së vërtetës duhet që ta them këtë. Siç e thashë filmin për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit unë e kam bërë në atë kohë. Filmin për Kryengritjet e Mëdha e kam bërë në atë kohë. “Kështjella e këngëve” që është një film monumental, me të cilim kam marrë Çmimin e Madh në Festivalin e 8-të të Filmit Dokumentar, është bërë në atë kohë. Në këtë film është ideja e madhe, e madhërishme, do të thosha, që një popull mund ta pushtosh, mund ta vrasësh, ta presësh, ta djegësh, ta përvëlosh, por po s’i more shpirtin nuk e ke pushtuar dot. Kjo është ideja e atij filmi. Dashuria për partinë është brenda sepse nuk i shpëtoje dot, duhet të jemi të sinqertë dhe realistë në ato që themi. Në këtë kuptim, do të them që figurat e mëdha të asaj kohe, si Faik Konica, Gjergj Fishta, të cilat janë figura monumentale të historisë shqiptare, por erdhi dhe u rrit një pushtet i ri dhe një brez i ri, një intelektualizëm i ri, që për të nxjerrë vlerat e veta në pah, ndoshta donte që të mohonte vlerat e këtyre të tjerëve. Pra, ishin shumë të kufizuara figurat që vinin nga e kaluara për të hyrë në historinë e vendit ose, më mirë të them, ishin shumë të qëmtuara. Në këtë kuptim, ishte gabimi i kohës. Natyrisht, vlerat e mëdha të Abedin Dines si piktor, apo të Ali Dines si poet, nuk u njohën që të hynin ashtu si Naim Frashëri. Ndoshta Naim Frashëri si poet është më pak artist se këta, por është shumë herë më tepër patriot. Në këtë kuptim zuri vendin e madh sepse vjershat e Naimit për gjuhën shqipe janë monumentale për historinë e këtij vendi. Pra, Naimi ka vendin e vet, por duhet thënë se krahas Naimit duhej që të kishin vendin e vet edhe figura të tjera të historisë shqiptare, që kanë kontributet e tyre maksimale në kulturën dhe në mbarësinë e këtij vendi.

Duke udhëtuar një kohë të gjatë me Dinejt, çfarë mësuat si një histori të pashkruar të shqiptarëve dhe të vendit tonë?

Unë, Dinejt i kam njohur me kohë, të paktën mareshalin, që ishte ministër i Perandorisë. Në filmin “Kryengritjet e Mëdha” ne kemi një episod, ku themi ndër të tjera sepse ajo ishte koha, që “ministri i Jashtëm turk nuk arriti të mbronte të drejtat e shqiptarëve në Konferencën e Berlinit”. Këtë episod kemi ne aty dhe kemi disa fotografi e gravura të asaj kohe. Ky është interpretimi i cunguar ose i politizuar i kohës. Deshëm apo s’deshëm, edhe ne ramë në grackën e politizimit sepse aq njohuri kishim. Ndoshta historianët mund të kishin dijeni më shumë për të vërtetat e kohës, por neve nuk na u servirën. Pra, kontaktin e parë me Dinejt unë e kam që në vitin e largët 1978, me Pashanë që ishte ministër i Jashtëm dhe pjesëmarrës në Kongresin e Berlinit. Në historinë e thelluar të sotme del që Pashai edhe atëherë ka mbrojtur të drejtat e shqiptarëve, se pak kohë më pas u bë luftëtar aktiv i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Pra, nuk u servirën ngjarjet ashtu siç duhej, por të cunguara. Duke bërë krahasimin e dy kohëve del madhështia e figurës. Atëherë dilte me nota negative, ndërsa tani del madhështore, siç është në të vërtetë Abedin Pasha i Dinejve të Prevezës, shqiptari që mbrojti me fanatizëm, kudo që ishte dhe me aq sa mundej, të drejtat e shqiptarëve. Në këtë kuptim, kjo ishte befasia e parë që pata kur hyra thellë në botën e Dinejve. Befasia e dytë ishte që nipi i Abedin Pashës së madh, Abedini i ri, ishte jo vetëm piktor i madh sepse ishte mik me Pikason dhe me piktorë të tjerë të mëdhenj francezë, siç na e shpjegon më pas edhe Omer Kaleshi, por ishte edhe poet shumë i madh, shumë i mirë e shumë i talentuar. Mësova gjithashtu që një film në rininë time të hershme, që më ka pëlqyer shumë dhe që titullohej “Gol”, kishte këtë për autor, Abedinin e ri, piktorin. Pra ishte autori i filmit, regjisori. Është një nga filmat më të pëlqyer për kampionatin botëror të futbollit, të vitit 1966. U befasuam kur e morëm vesh. U munduam që të gjenim planet e asaj kohe, i gjetëm dhe i vumë në film. Pra, një regjisor me origjinë shqiptare, i rritur e i formuar në Turqi dhe i konsoliduar në Francë, bota moderne e asaj kohe e fton që të bëjë film për kampionatin botëror, që është një ndër eventet më të mëdha të historisë së futbollit botëror. Dhe është ky autor. Ka punuar si asistent me Judkeviçin. Madje unë hedh hipotezën, nuk e di se sa e vërtetë mund të jetë, që kur ka punuar ky si asistent i Judkeviçit, në një film për Turqinë dhe ky e ndihmonte për realizimin e filmit, dhe mund të ketë lindur më pas ideja që Judkeviçi të bënte pastaj filmin “Skënderbeu” sepse kishte asistent një shqiptar. Pavarësisht marrëdhënieve shtetërore të kohës, që duhej bërë ai film për historinë e Shqipërisë, një ngacmim mund të ketë ardhur ndoshta edhe nga Abedini i Ri, sepse ishte asistent i Judkeviçit. Judkeviçi është regjisor i madh rus. Filmin “Skënderbeu” që ai e ka realizuar në bashkëpunim me ne, kuptohet që bashkëpunimi ynë ka qenë modest, është një ndër 100 filmat rusë më të mirë deri në vitin 1990.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë