'Open Balkan', Kurti: Ballkani i hapur ndaj ndikimit rus e kinez! Serbia dhe Vuçiç të ballafaqohen me të kaluarën kriminale, pastaj të flasim për treg të përbashkët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kritikuar nismën ‘Ballkani i Hapur’ siç u pagëzua ‘minishengeni’ në takimin e 29 korrikut në Shkup mes 3 kryeministrave atë të Shqipërisë Edi Ramës, atij serb Aleksandër Vuçiç dhe atij të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Kurti tha se kjo nisëm nuk mund të jetë një ‘Ballkan i hapur’ por më shumë ngjan me një ‘Ballkan të ndikuar nga influencat ruse dhe kineze'.

Kosova nuk mori pjesë në takimin e 3 liderëve në Shkup, pasi ashtu siç thekson Kurti nuk mund të ketë një treg të përbashkët për vendet e rajonit, pa pasur një ballafaqimin të Serbisë me të kaluarën e saj.

"Nuk mund të them se jam i entuziazmuar me emërtimin ‘Ballkani i Hapur’, pasi që duke qenë aty kreu i Serbisë që nuk ballafaqohet me të kaluarën e shtetit të tij dhe të vetes së tij, ‘Ballkani i Hapur’ ngjan më shumë si Ballkan i hapur për ndikimet nga Lindja, sidomos nga Federata Ruse, por edhe nga Kina si dhe Ballkan i hapur për autokracinë, për korrupsionin, për kriminelët e luftës të cilët, siç e dimë të gjithë ne, vazhdojnë të jenë masivisht, jo vetëm të lirë në Serbi, por edhe jo pak prej tyre edhe në pushtet”, tha Kurti për mediat në Kosovë.

I pyetur për marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë, ku raportet mes tij dhe Ramës nuk janë gjithmonë në gjendjen e tyre më të mirë, Kurti tha se marrëdhëniet e dy popujve janë vëllazërore dhe nuk janë në dorë të kryeministrave, pasi ato thjeshtë përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve.

“Kosova dhe Shqipëria do t’i kenë e duhet t’i kenë marrëdhëniet e mira e gjithnjë e më të mira. Nuk i përket as kryeministrit të Kosovës e as atij të Shqipërisë që dy vendet tona që janë të një kombi që të kenë marrëdhënie jo të mira. Kosova dhe Shqipëria, qytetarët e të dyja vendeve i kanë marrëdhëniet vëllazërore, ndërkaq prej politikanëve, qofshin ato edhe prej kryeministrave si Edi Rama dhe puna ime mbetet vetëm ta përfaqësojnë këtë vullnet e interes të qytetarëve”, tha Kurti.

29 korrik në Shkup u takuan kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Të tre liderët ftuan vendet e rajonit që t’i bashkohen nismës së “minishengenit”, që u pagëzua me emërtimin e ri “Ballkani i Hapur” dhe ka si qëllim të krijojë një treg të përbashkët për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Në takim përveç emrit të ri të ‘minishengenit’ u firmosën edhe 3 marrëveshje lidhur me qarkullim e lirë në tregun e punës, eliminimi i barrierave për importin dhe eksportin e mallrave si dhe mobilizimin e të tria vendeve në rast të katastrofave natyrore.

3 marrëveshjet e firmosura

1. Marrëveshja për mobilizimin e të tre vendeve për sa u përket përballimit të katastrofave natyrore. Nëse një katastrofë natyrore godet një vend, do të mobilizohen të tre për të ndihmuar.

2. Marrëveshje mirëkuptimi për të lehtësuar importin dhe eksportin e mallrave. Kjo do të eliminojë barrierat dhe do të ndihmojë në rritjen e ekonomisë së vendeve.|

3. Marrëveshje për qarkullim e lirë në tregun e punës. Mundësimin e qasjes së lehtë në tregun e punës dhe marrjen e lejeve të qëndrimit.

I.K./LR/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka ndryshuar cilësia e arsimit gjatë pandemisë?

Komento

Komente

  • Iris: 02/08/2021 01:25

    Ndikimit ruso-kinez,ke harruar t'i shtosh dhe ndikimin turko-arab.

    Përgjigju
  • dyrrahu: 01/08/2021 23:12

    nuk bohet shqionia me shqiptar jo ky jar ka hy jar do dali. meso politik albin mesoo

    Përgjigju
  • Trnakop Kacija: 01/08/2021 22:00

    Me poshte jane “minishengenat” e Shqiperise para 100 vitesh- Pisa keni qene dhe Pisa keni mbet: Teksti i plote i Marrëveshjes ndermjet Ahmet Zogut dhe Kryeministrit Serb Nikolla Pashiq (marrëveshje e nënshkruar në vitin 1924 në këmbim të ndihmës që serbët i dhanë Zogut për t’u rikthyer në Shqipëri duke luftuar qeverinë e Fan Nolit). “1. Shqipëria impenjohet t’i bashkohet Jugosllavisë me bashkim personal. 2. Kryetar i shtetit shqiptar do të jetë Ahmet Zogu, që më vonë do të njohë dinastinë Karagjorgjeviq. 3. Qeveria Jugosllave, me gjithë mjetet diplomatike dhe ushtarake, do të njohë Ahmet Zogun si kryetar shteti …dhe i atribuon me një herë një kontribut vjetor të shtetit. 4. Ministria e Luftës Shqiptare do të anulohet dhe Shqipëria heq dorë që të ketë një ushtri Kombëtare. 5. Shqipëria do të mbajë një xhandarmëri aq të fortë sa të mbaj qetësinë e brendshme të vendit për të ndaluar çdo lëvizje të ngritur kundër Ahmet Zogut dhe kundër regjimit të vendosur prej tij. 6. Në këtë xhandarmëri do të bëjnë pjesë edhe oficerë rusë të ish ushtrisë të Gjeneralit Vrangel që tashti ndodhet në Jugosllavi. Qeveria Jugosllave do të mbajë atë xhandarmëri me mjete financiare dhe armë. 7. Në xhandarmëri mund të hyjnë për të shërbyer edhe oficerë jugosllavë dhe të tjerë që qeveria Jugosllave do të pranojë në interes të dy vendeve. 8. Midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë do të stabilizohet një bashkim doganor në bazë të së cilës akordohet liri e plotë e importimeve dhe eksportimeve të mallrave të dy vendeve. Edhe transiti nëpërmes kufijve të dy vendeve do të jetë i lirë për ushtarët e dy vendeve. 9. Përfaqësuesit e jashtëm Jugosllavë do të ngarkohen edhe për interesat e Shqipërisë, e cila heq dorë që të mbajë zyra diplomatike dhe konsullata të saja jashtë shtetit. 10. Qeveria shqiptare duhet të deklarojë pranë Konferencës të Ambasadorëve në Paris që tërheq pretendimin e saj për sovranitetin mbi Manastirin e Shën Naumit dhe Lokalitetet e Vermoshit e Kelmendit që mbeten në zotërimin e Jugosllavisë. 11. Kisha Ortodokse Shqiptare do të tërhiqet nga Patriarku i Kostandinopojes dhe do t’i bashkohet Hierarkisë Ortodokse të Beogradit, kështu dhe Myftinia Myslimane Shqiptare, do të varet nga ajo Jugosllave. 12. Qeveria shqiptare do të heqë dorë nga një politikë ngushtësisht kombëtare dhe nuk do të interesohet për elementin shqiptar jashtë kufijve të veta. Ajo impenjohet veç kësaj që të mos pranojë në tokën e saj kosovarët dhe elemente të ditur dhe të dyshimtë dhe segmentet e tyre kundërshtare të politikës jugosllave. 13. Për çdo koncesion që Shqipëria do të bëjë vendeve të tjera, ajo është e detyruar të marrë pëlqimin nga Jugosllavia. 14. Në qoftë se Jugosllavia është në luftë me Bullgarinë dhe Greqinë, Qeveria Jugosllave, do të ketë të drejtën të rekrutojë në Shqipëri një ushtri prej 25 mijë vullnetarësh me qëllim për t´i përdorur në frontin bullgaro-grek. Në rast gjendje lufte midis Italisë dhe të Greqisë kundrejt Shqipërisë, ushtria, jugosllave do të ketë të drejtë të okupojë gjithë tokën shqiptare për t’i siguruar kështu Shqipërisë gjithë tokën e saj nga invadimi eventual italian ose grek. 15. Qeveria Shqiptare nuk mund t´i deklarojë luftë asnjë shteti pa pëlqimin preventiv të Jugosllavisë. 16. Ky traktat është sekret dhe nuk mund të zbulohet e të shtypet pa pëlqimin e dy palëve”.) (Marrëveshja Nikolla Pashiç – Ahmet Zogu e gushtit të vitit 1924 …Arkivi Qendror i Shtetit, fondi 251, dosja 105, viti 1924). DITA

    Përgjigju
  • Wayne: 01/08/2021 20:48

    Une besoj qe Qeveria n'Tirane eshte duke i mbyllur jo vetem njerin por dy syte karshi Serbise. Mbrojtja e te drejtave te Shqipetareve eshte obligim kushtetues per Qeverit ne Tirane. Serbia pasivizon adresat e Shqipetareve ne Lugine dhe kryen - citoj Znj. Kandiq nga Beogradi - "...pastrim etnik...". Se dyti, Serbia ka kryer gjithsej tri here gjenocid ndaj popullates Shqipetare. Serbia thjesht nuk e meriton nje hapesire, me perkrahjen e Qeverise se Tiranes ne ket rast, ku ajo mundohet te shfaqet si pseudo paqesore. Nisma te tilla ne thelb jan tejet pozitive pasi rrjedhja e lire e mallrave dhe njerzve eshte makroekonomikisht e dobishme. Por nuk duhet dhe nuk mund te lihet hapesire Serbise ne keto aspekte, gjthsesi jo nga Tirana. Berlini ja ka bere te qart Serbise se pa arritje te nje marrveshje me Kosoven nuk ka progres per ta, kurse Qeveria ne Tirane ka vendos t'i dhuroj blanko check Serbise. Kjo nuk eshte ne rregull shkurt dhe shqip!

    Përgjigju


×

Lajmi i fundit

John

Merrte para për regjistrimin e pronave, SPAK kërkon 3 vite burg për ish-kreun e Kadastrës Berat, Ervin Nelaj