Kush do të futet në karantinë, zv.ministrja shpjegon HAP pas HAPI! Psikologia: Shtohen rastet me panik, si duhet vepruar

TIRANË - Me shtimin e masave nga strukturat shtetërore për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, është rritur edhe frika e qytetarëve shqiptarë për prekjen nga ky virus i ri dhe i panjohur për ta, i cili është afruar me raste të prekurish e viktima në shtetet fqinje, veçanërisht në Itali. 

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, e ftuar në Renjereport Tv, tha se karantina që do të ngrihet në konvaleshencën e Durrësit, Shtëpia e Pushimit të ushtarakëve, pronë e Ministrisë së Mbrojtjes, dhe do të shërbejë për njerëzit e shëndoshë. Ajo dha edhe një shembull konkret për ta përshkruar këtë. 

"Karantina nuk është për njerëzit e sëmurë, por ku izolohen njerëzit e shëndoshë, kontaktet e ngushta të atij personi që është identifikuar me COVID-19. Nëse kemi një familje, bashkëshort dhe dy fëmijë, dhe njëri jep shenja klinike dhe është konfirmuar me analizë, shkon në spital, ndërsa tre personat e familjes që nuk kanë shfaqur shenjat e infektimit, shkojnë në karantinë. Sigurohet personel shëndetësor dhe psikosocial për ta. Karantina është për njerëzit e shëndoshë. E mira është që ata të dalin të gjithë të shëndoshë nga karantina. Duhet të mos kenë kontakte me njëri-tjetrin, do të jenë familje-familje të ndara, do t'u sigurohet ushqimi. Ata për 14 ditë nuk do dalin nga karantina. Karantina i ka të gjitha kushtet, lavanderinë, ushqimin, askush nuk do lejohet t'i takojë nga jashtë. Ata do bëjnë një jetë normale, thjesht nuk do dalin jashtë. Do jenë të gjithë me celularë, do kenë mundësi komunikimi me të gjithë përmes telefonit", shpjegoi zv.ministrja. 

Rakacolli tha se janë bërë gati edhe struktura të tjera që mund të përdoren për karantina nëse Konvaleshenca në Durrës nuk do të përballojë fluksin. 

"Mund të vijë një moment që mund të jenë 200 veta. Ne kemi bërë disa struktura që mund të përdoren sipas rastet. Ndoshta karantina nuk do të përdoret fare. Strukturat e tjera janë gati nëse karantina në Durrës nuk do të përballojë fluksin", tha ajo. 

Ndërkohë, referuar të ardhurve nga zonat e prekura - shpjegoi zv.ministrja "nëse ata nuk kanë shenjë, ata nuk futen në karantinë".

Edhe një herë, ajo theksoi se deri më tani, ka pasur 17 raste të dyshuara dhe që të 17-të kanë dalë raste negativë nga analizat. "Tani nuk ka asnjë person nga të dyshuarit që nuk e ka bërë analizën", shtoi Rakacolli. 

Zv.ministrja sqaroi se maskat mbrojtëse janë të domosdoshme për mjekët që kanë kontakt me persona të dyshuar me koronavirus, por maskat nuk janë të nevojshme për njerëzit e shëndoshë që nuk kanë kontakt me të sëmurë. Ajo tha se koronavirusi merret nëse qëndron në një distancë jo më të madhe se 2 metra me një të infektuar, dhe duhet të rrish minimumi 15 minuta në një ambient ku është virusi për t'u prekur.

"Mjeku duhet të kenë patjetër maskë profesionale. Tek qytetarët, maska nuk ka vlerë kur jesh i shëndoshë. Kjo që po shikojmë në rrugë dhe goca të reja, të bukura, ajo nuk ka asnjë kuptim", tha Rakacolli. 

1582824724_TEFTUAR.jpg

Sipas psikologes, Aurela Agalliu, rastet e qytetarëve rastet e qytetarëve me panik janë shtuar dhe kjo sipas saj vjen për shkak të mungesës së besimit në informacionet që merren qoftë në media, qoftë nga institucionet përkatëse.

"Referuar komunikimit që klientët bëjnë, pyesin "si ta përballoj situatën e koronavirusit, ndjehemi të pasigurtë, kemi kaluar edhe tërmetet". Paniku nuk vjen si pasojë e njohjes së situatës, por lidhet me mungesën e besimit. Kur ndjeshmëria sociale është e lartë, me një virus që rrezikon jetën, informacion i dalë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Në Shqipëri mugon dhënia e inforacionit ashtu është. Ne jemi të prirur të mos besojmë se nuk ka persona të prekur, teksa shikojmë Italinë dhe vendet fqinj. Kur thuhet që nuk ka vend për panik, njerëzit besojnë që nuk janë marrë masat. Këtu fillon paniku. Shqiptarët nuk është se e kanë kulturën për të folur me fakte, ne shpikim, aludojmë dhe e bëjmë faktin. Ne kemi pasur dy situata që i panikosi njerëzit. Situata me tërmetet njëra-pas tjetrës. Shoqëria ishte e papërgatitur për ta përballuar. Unë shoh në rrjetet sociale që njerëzit pohojnë që 2020 do jetë një vit që do të pasohet nga ngjarje të rënda. Njerëzit fillojnë dhe mendojnë se gjëra të këqija po ndodhin në shoqëri. Duhet të punohet me specialistët e duhur. Mua më shqetëson fakti që spitalet nuk janë të mbuluar mjaftueshëm me psikologë. Çdo informacion që del nga faqet zyrtare ka predispozitën të jetë i besueshëm. Këshilla ime në këtë rast është të merren informacionet zyrtare. Gjëja më e mirë dhe e nevojshme është thjesht informacioni real që ne duhet ta marrim në momentin e duhur. Mungesa e besimit vjen nga mosinformimi", tha psikologia Aurela Agalliu.

Zv.ministrja Rakacolli thotë se kjo situatë nuk është e vërtetë, pasi informacioni jepet kohë pas kohë në mënyrë të përditësuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik.

"Për mendimin tim nuk ka mungesë informacione. Sot bota dixhitale ka shumë informacion, e shpesh edhe të rreme. Informacionet kanë dalë në faqet zyrtare të Ministrisë, të ISHP-së, ka postera në pikat kufitare. Në televizione kanë dalë mjekë specialistë dhe kanë dhënë këshillat përkatëse. Duhet të jetë një informacion real, se situata ndryshon, dhe rastet jepet vetëm nga një laborator. Paniku vjen nga e panjohura. Virusi vet është i panjohur. Gripi prek shumë më tepër veta se koronavirusi. Në 100 veta 97 shërohen nga koronavirusi. Është dhënë një udhëzim që edhe mjekët të flasin me profesionalizëm, asnjëherë nuk ka pasur urdhër që të mos dalin mjekët në televizion. Fatmirësisht koronavirusi nuk është aq i rrezikshëm sac është krijuar paniku. Gripi përhapet shumë më tepër se koronavirusi. Na është dashur të bëjmë fushata ndërgjegjësimi për gripin, dhe nuk i kanë bërë, që është i rrezikshëm. Kjo vjen ngaqë nuk njihet sepse është virus i ri", tha zv.ministrja.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Gjermania e kishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për mashtrim, kosovari arrestohet teksa po hynte në Shqipëri

Gjermania e kishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për mashtrim, kosovari arrestohet teksa po hynte në Shqipëri