Kuteli dekorohet pas vdekjes
për përkthimin e letërsisë ruse

Kuteli dekorohet pas vdekjes<br />për përkthimin e letërsisë ruse
TIRANE- Shkrimtari dhe intelektuali i shquar shqiptar, Mitrush Kuteli (Dhimitër Pasko), është nderuar pas vdekjes me Dekoratë nga Ambasada e Rusisë në Tiranë për përkthimet e autorëve më të mirë të letërsië ruse. Kuteli ka përkthyer me një cilësi të veçantë romanin “Shpirtëra të vdekur” të Gogolit e më pas vepra të Maksim Gorkit e autorëve të tjerë klasikë rusë.

Ambasada e Rusisë në Tiranë e ka lëshuar këtë Dekoratë mirënjohjeje një javë pas nderimit të një përkthyesi tjetër të mirënjohur të letërsië ruse, Jorgji Dhoksanit. Përveç dekoratës së lartë për Mitrush Kutelin, dje në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë janë shpërndarë edhe Diploma mirënjohjeje për përkthyesit më të talentuar të letërsisë ruse në gjuhën shqipe. Aktiviteti u zhvillua në praninë e ambasadorit rus, Aleksandër Karpushin; kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve të Rusisë, Vladimir Malasov, si dhe të personaliteve shqiptare të Akademisë së Shkencave dhe të letrave shqipe.
 
Diplomat për përkthyesit më të mirë
 
Ambasada e Rusisë shpërndau diploma për këta personalite: Dritëro Agollin, Nasho Jorgaqin, Afrim Koçin, Drita Lazrin, Petraq Kolevicën, Myzejen Shapllon. Ambasadori i Rusisë në Tiranë, Aleksandër Karpushin, duke iu rikthyer lidhjeve të veçanta të Rusisë me Shqipërinë dhe njohjes së letërsisë ruse në mënyrë të veçantë nga shqiptarët, ka kujtuar dje në ceremoninë e dekorimit të Mitrush Kutelit dhe ndarjes së diplomave për përkthyesit më të mirë shqiptarë të letërsisë ruse marrëdhëniet e hershme me Shqipërinë para viteve ’60.

Ambasadori rus ka shprehur keqardhjen e tij për shkëputjen e këtyre marrëdhënieve. “Në shekullin e kaluar u botuan në Shqipëri autorët më të mirë klasikë rusë, dhe me prishjen e marrëdhënieve me Shqipërinë, një pjesë e tyre u ndaluan dhe u ribotuan sërish pas viteve ‘90”, tha z. Karpushin. Ai theksoi se një pjesë e letërsisë së mirë ruse i përket edhe letërsisë më të mirë botërore, dhe ndaj puna e përkthyesve shqiptarë është shumë e vyer. Ambasadori rus u shpreh ndër të tjera se “lexuesit shqiptarë janë njohësit më të mirë të letërsisë ruse”.

Shkrimtarit Dritëro Agollit i është dhënë diplomë nga Ambasada e Rusisë për përkthimin e poetëve më në zë të shekullit të 19-të të Rusisë dhe për vëllimin voluminoz “Shekulli i argjendë”, e të tjerë. Diplomën e Agollit e mori e bija, sepse shkrimtari nuk ishte i pranishëm për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Diploma tjetër iu dha shkrimtarit Nasho Jorgaqi për përkthimin e novelave të Çehovit, të cilit iu përmendën disa përkthime si “Dueli” i A.P. Çehovit, “Jeta dhe kujtimet” e Çehovit, etj. Me diplomë u nderua edhe Afrim Koçi, një përkthyes i njohur, jo vetëm nga gjuha ruse, por edhe nga gjuhë të tjera.

Koçi ka përkthyer dramat e Gorkit, Toslstoit, etj. Edhe Petraq Kolevica nderohet me diplomë për përkthimin e disa autorëve të mëdhenjë rusë. Drita Lazri nderohet me diplomë për përkthimet nga letërsia ruse, siç janë “Kozakët” e Tolstoit, poezi ruse e të tjera. Me diplomë për përkthime me vlerë nga letërsia ruse nderohet edhe Myzejen Shapllo.


Vladimir Masalov: Ju rrëfej kujtimet nga marrëdhëniet  që kishim me Shqipërinë në vitet ‘50
 
I ardhur posaçërisht për ceremoninë e ndarjes së Dekoratës pas vdekjes për Mitrush Kutelin dhe ndarjes së diplomave për përkthyesit e tjerë të letërisë ruse, kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rusisë, Vladimir Masalov, u shpreh se “Shqipëria është vendi i fëmijërisë sime i ëndrrave të mia”. Ai theksoi se misioni i ardhjes së tij në Shqipëri bëhet i veçantë, sepse në Rusi 2015-a është shpallur Viti i Letërsisë. “Kam ardhur me misionin e marrjes pjesë në ceremoninë e dekorimit e dhënies së Diplomave të përkthyesve dhe rimëkëmbjen e marrëdhënieve kulturore që kemi pasur në të kaluarën”, tha Masalov.

“Për çdo shkrimtar dhe poet e rëndësisshme është të shkruajë dhe unë kam në plan të shkruajë një cikël poezish për Shqipërinë, sepse në fillim të viteve ‘50 në Bashkimin Sovjetik kam parë shumë herë filmin shumë të famshëm “Skënderbeu”. Kanë kaluar 60 vjet nga shfaqja e atij filmi dhe Heroi Kombëtar i Shqipërisë është i gjallë në mendjen time”, tha shkrimtari rus Malasov duke recituar dhe një poezi të tijën për Skënderbun. “Duke më dërguar këtu në Tiranë, Lidhja e Shkrimtarëve të Rusisë më ka thënë që duhet të vendos kontakte të vazhdueshme përmes përkthyesve rusë dhe shqiptarë”, tha Malasov, i cili si kryeredaktor i gazetës zyrtare të Lidhjes së Shkrimtarëve të Moskës, premtoi se do të botonte të parën një poezi të Fatos Arapit, që titullohet “Ajo cigare e ndezur”.
 

Nasho Jorgaqi: Ju rrëfej traditën mbi 100-vjeçare  të përkthimit të letërsisë ruse në shqip
 
I vlerësuar nga Ambasada ruse me Diplomë për përkthime të autorëve të njohur rusë, Prof. Nasho Jorgaqi, mbajti dje një fjalim për historinë e përkthimit. Ai u shpreh se letërsia ruse në gjuhën shqipe ka një traditë mbi 100-vjeçare, që fillon me Rilindjen, ndarjen nga Perandoria Osmane kur Shqipëria e kishte drejtuar vëmendjen nga letërsia perëndimore. Në atë kohë disa intelektualë të rinj e drejtuan vëmendjen edhe nga kultura ruse. “Por përkthimi i parë i kësaj letërsie ndodhi në vitin 1906 me përkthimin e Leon Tolstoit nga Fan Noli”, tha Jorgaqi, duke theksuar edhe një fakt interesant se Noli bënte polemikë me Tolstoin në mbrojtje të Shekspirit, ashtu siç shkruante me nderim shumë të thellë një vit më vonë për vdekjen e Tolstoit”.

Jorgaqi u shpreh se “Milto Sotir Gurra pas Nolit nisi të përkthente Çehovin dhe disa proza të shkurtëra në vitet ’20, si dhe të tri dramave të Pushkinit dhe Fan Noli e Milto Sotirr Gurra janë përkthyesit e parë të letërsisë ruse në vendin tonë”. Jorgaqi ka kujtuar edhe përkthyes të tjerë si Lasgush Poradecin, Petraq Kolevicën, Jorgo Bllacin, dhe mes tyre ka përmendur edhe një përkthim të jashtëzakonshëm të Sejfula Malëshovës “Zgalemin” e Gorkit.

Mitrush Kuteli

























































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 6 shkurt 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Dy humbjet në miqësore, Kombëtarja humbet pozicione në FIFA! Rivalët e Euro 2024 në 'top 10'

Dy humbjet në miqësore, Kombëtarja humbet pozicione në FIFA! Rivalët e Euro 2024 në 'top 10'