Gjoni i kërkon të rishikojë vendimin: Lista të hapura ose të ikim nga 'Zgjedhorja'! Hajdari: Ka opozitarë që duan llokma (Ruçi përjashton Litën)

Gjoni i kërkon të rishikojë vendimin: Lista të hapura ose të ikim nga 'Zgjedhorja'! Hajdari: Ka opozitarë që duan llokma (Ruçi përjashton Litën)

Rudina Hajdari dhe Ralf Gjoni sot në parlament

TIRANE-Katër projektligje u miratuan sot nga Kuvendi, asnjë në lidhje me gjendjen e fatkeqësisë natyrore ku ndodhemi nga koronavirusi. Ligjet që u miratuan ishin për sektorin e energjisë, tregjet e kapitalit, përmirësimin e zonave të biznesit dhe heqjen e TVSH-së për jahtet. Pavarësisht rendit të ditës, seanca u dominua nga debati për reformën zgjedhore.

Deputeti Ilir Beqaj u shpreh se nisma ligjore në rregullimin e sektorit të energjisë në Shqipëri është një kontribut më shumë. “Nga vjet prodhojmë dhe energji diellore, do të vazhdojmë të mbështetim zhvillimin e energjive të rinovueshme edhe si domosdoshmëri për një furnizim të të mirë dhe të vijueshëm gjatë vitit, por dhe si mundësi ekonomike”, u shpreh Beqaj. Projektligji u miratua me 83 vota pro, 18 kundër dhe 6 abstenim. 

Gjatë shqyrtimit të projektligjit “Tregjet e kapitalit”, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj  theksoi se hartimi i tij është bazuar në përputhje të plotë direktivat e BE dhe praktikat më të mira europiane në fushën e tregut të kapitaleve. Sipas ministres Denaj sektori financiar dhe ai i sigurimeve përgjatë tre viteve të fundit ka shënuar rritje duke përbërë  10% të PBB. “Duke siguruar mundësi të reja financimi në biznesin shqiptar, ky projektligj do të sigurojë njëkohësisht dhe akumulim të kursimeve të qytetarëve nëpërmjet alternativave të reja të investimit, zgjerim të bazës së investimit, nxitje të investitorëve të huaj dhe sigurimin e larmishmërisë së instrumenteve financiarë”, u shpreh Denaj. Ky projektligj u miratua me 78 vota pro, 13 kundër dhe 4 abstenim.

Më tej u vijua me shqyrtimin e projektligji "Për përmirësimin e zonave të biznesit (BID)". Deputetja socialiste Evis Kushi vlerësoi se ky projektligj sjell një model të suksesshëm të zhvillimit të qëndrueshëm të disa qyteteve të vendit, duke nënvizuar se ”Nëse u referohemi treguesve ekonomikë, vërtetojmë se janë vërtetë modele suksesi. Po të vëmë re 800 biznese kanë përfituar nga këto projekte dhe në këto zona numri i vizitorëve është rritur me 70%”.  Projektligji u miratua me 80 vota pro,  15 kundër dhe  5 abstenim.

I fundit në rendin e ditës ishte projektligji “Për një shtesë në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar” për heqjen e TVSH-së për jahtet. Ligji përjashton nga TVSH-ja të gjithë ata persona që blejnë jahte. Deputeti Myslym Murrizi në emër të grupit parlamentar demokrat e cilësoi ligj luksi, që nuk do të ndikojnë në rritjen e vendeve të punës apo rritjen e sektorit të turizmit. Ndërsa kryetari grupit parlamentar socialist, Taulant Balla vlerësoi si një politikë të re, qasje të re për turizmin, e cila është e domosdoshme për të pasur një turizëm konkurrues, por dhe për krijimin e një cikli të ri ekonomik të pashfrytëzuar më parë. Projektligji në fjalë u miratua me 82  vota pro, 16  kundër dhe 5 abstenim.

Kjo ishte seanca e tretë që u zhvillua me masa të rrepta me maska, doreza dhe distancim në Kuvend mes deputetëve, të cilët në fillim u kontrolluan për temperaturën. Deputeti Korab Lita që më pas u përjashtua se bllokoi foltoren, kërkoi zgjatjen e seancës plenare, që ishte parashikuar dy orë. Por Ruçi u shpreh se hap pas hapi do ta gjykojmë kur është koha. "Nuk është kollaj ne si Kuvend, edhe herë tjetër u kam thënë, nuk kemi bërë ndonjë shpikje, nëse do të krahasohemi me të gjithë parlamentet homologe të rajonit dhe të BE-së apo me gjerë, jemi i vetmi Kuvend që vetëm kemi kufizuar kohën e qëndrimit, të diskutimit, biles edhe këtë e kemi me bollëk, në kuptimin e vlerësimit të kësaj situate. Hap pas hapi do ta gjykojmë kur është koha. Kjo bëhet edhe për të qenë ne të parët që të zbatojmë rregullat që kërkojmë ndaj qytetarëve, por mbrojmë edhe jetën e parlamentarëve" tha ai.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:35
Si ishin veshur deputetët, të buzëqeshur, por disa pa maska, në resht për temperaturën (FOTO)

Kjo ishte seanca e tretë që u zhvillua me masa të rrepta me maska, doreza dhe distancim në Kuvend mes deputetëve, të cilët në fillim u kontrolluan për temperaturën. Por si ishin veshur dhe a kishin të gjithë maska? Shqiptarja.com sjell panoramën e asaj që ndodhi sot përmes fotove.

Ora 12:27
Debati për jahtet! Murrizi: Tani do blini nga opozita për 'Zgjedhoren'? Spiropali: Suksese me partinë e re, më mirë ju, se çizme e bojë (VIDEO)

Myslim Murrizi ka kundërshtuar heqjen e TVSH-së për jahtet duke akuzuar shumicën se po i shërben një grupi të vogël dhe se është bërë më e djathtë se e djathta. "Janë mbi 50 jahte, ti fusin pa TVSH-në, ky është ligj luksi, nuk besoj se rrit turizmin dhe punën, kjo bëhet për një grup të caktuar. Do të votoja sikur të hiqnim TVSH-në e ushqimeve.

Ne kemi përzënë 2 mln shqiptarë dhe vitet e fundit na paskan ardhur 3 milionë. Ky ligj nuk është masivish, është ekstra i djathtë, ju keni kohë që partinë e quani të majtë, por keni bërë ligj vetëm për ata, që ju dhe sivëllezërit tuaj, jeni një. Herë uleni në pallatin e kongreseve, herë në bunker, jeni një, nuk keni si ngjani, keni të njëjtin dinjitet para shqiptarëve.

Prandaj nuk doni të votoheni nga shqiptarët. Hajde të shkojmë atje dhe ndoshta e kemi gabim. Pse i ndërroi qarqet si mbreti gratë, 4 vite gënjeni në Korçë, 4 në Durrës, 4 në Dibër. Ai si vëllau juaj kërkon që të jetë në pushtet njëherë në dy vite, 3 muaj para zgjedhjeve. Do ta kaloni? Ta shikojmë, nëse do të bleni nga ky krahu këtej? Me ata të bunkerit do ta kaloni, ku do ta votojë në fushë të sportit? tha ai.

Nuk mungoi replika e menjëhershme e Elisa Spiropalit, e cila 'thumboi' edhe Bashën e Kryemadhin. "Sado e këndshme është retorika juaj dhe që prekni disa plagë që i njihni mirë dhe ndoshta më të vjetrit e asaj partisë që ka dalë jashtë. Ju urojmë suksese në partinë e re, urojmë që shumë nga emrat që janë këtu të jeni në atë parti dhe të vini sërish në këtë kuvend, më mirë të bëjmë replika me ju se të kemi miell, bojë dhe çizme. Keni bërë ju më shumë opozitë se ata. Sa i përket ngjashmërisë me ata, ne nuk ngjajmë por as nuk përafrohemi me ata, nuk bëjmë teatër me ligjet tona" tha ajo.

Ora 12:26
'Ulu se je edhe burrë i mençur'! Ruçi përjashton nga Kuvendi Korab Litën: Dil përjashta (VIDEO)

Korab Lita kërkoi fjalën në Kuvend, por Ruçi i tha se në emër të grupit foli Murrizi. Megjithatë Lita nuk pranoi që të ulet dhe Ruçi e përjashtoi. "Ulu në vend se të sqaroj unë për emrin. Zoti Murrizi foli në emër të grupit, nëse ke problem diskuto në grup jo në parlament. Ulu. Nuk ulesh, po të tërheq vëmendjen se nëse nuk ulesh do të marr masa do të përjashtohesh. Më vjen keq se je burrë i mençur. Atëherë, nëse vijon do të përjashtoj nga seanca. Pasi të kam paralajmëruar, po e mban të bllokuar foltoren do të përjashtoj. Atëherë zoti deputet je i përjashtuar. 2 minuta pushim, sa deputeti të lëshojë sallën e parlamentit" ishte vendimi i Ruçit.

Ora 12:04
'Nuk janë korifej'! Rudina Hajdari replika të forta me Spiropalin: T'ju vijë turp që ofendoni artistët (VIDEO)

Rudina Hajdari dhe Elisa Spiropali janë përfshirë në një debat me replika për cështjen e Teatrit Kombëtar dhe ndryshimin e sistemit zgjedhor. "Pakica nuk e merr dot shumicën. Kërkon të imponohet me pathos, por kjo është një hiç. Opozita jashtëparlamentare po bën pazarin e radhës.

E kundërshton reformën zgjedhore sepse do që gjyqtarët të futen në kolegj zgjedhor. Do të mbajë në këmbë sistemin e vjetër të shëndetësisë. Dua të kujtoj se ai sistem që kishim më parë na prodhoi ata deputetë që kishim në parlament. Sistemi i demokracisë varet nga aplikimi i mirë i sistemit. Duhet që njerëzit që administrojnë votat të jenë të padepolizuar.

Ata nuk janë as politikanë as korifej të teatrit, janë disa politikanë që janë tallur me teatrin. Të jeni të sigurt se teatri i ri do ngrihet aty ku është ky sot, më i ri më i bukur. 98 përqind e aktorëve të jetojnë aty në një skenë dinjitoze.

Shqipëria ka nevojë për një teatër dinjitoz. Opozita jashtë parlamentare kërkon të bëjë pazar, si ju këtu brenda. Fajin nuk e ka maxhoranca, por partia që ju u ka nxjerrë tradhtar. Ju e mbajtët opozitarizmin në Shqipëri dhe respektuar institucionet"  tha ministrja Spiropali.

Ndërsa Rudina Hajdari reagoi duke i thënë "T'ju vijë turp që ofendoni artistët e Shqipërisë, nuk e dija që je arkitekte të na tregosh si ndërtohet. Teatri ka një shpirt që duhet të ruhet. Ju lutem mos ofendoni artistët. Të isha në vendin tuaj do të tërhiqja atë fjalë. Sa i përket sistemit, a e kuptoni që këtu ju keni sjellë kriminelë?" tha Hajdari.

Ora 11:50
Hajdari s'flet për 'shkarkimin' nga grupi, sulmon opozitën në Kuvend: Ka që duan llokma (VIDEO)

Rudina Hajdari fjalën e saj në Kuvend ia kushtoi edhe njëherë ndryshimit të sistemit zgjedhor duke shmangur lajmin e shkarkimit si kryetare e grupit Demokrat. Hajdari tha se nuk do të dorëzohet edhe pse nga ana e opozitarëve në Kuvend ka nga ata që duan llokma të koncesioneve.

"Tërhiquni nga vendimi për Teatrin se është e shenjtë dhe duhet ruajtur. Kam ardhur për të diskutuar një gjë tjetër, se sapo më erdhi lajmi. Për Këshillin Politik, pasi ne diskutuam cështjen e ndryshimit të sistemit. Pse kauza për ndryshimin e sistemit është më me vlerë.

Ky parlament kalon ligje, 90% fshihet një deputet që ka një biznes apo kompani apo do të shesë pronat apo të bëjë pazare dhe asnjëherë nuk bëhen ligje për ata që luhet me taksat e tyre cdo ditë. Skena politike është shndërruar, që pas tyre kanë një të fortë, një narkotrafiknat, ka edhe nga ata opozitar që duan një llokmë,mos bëni opozitë duke dashur llokma. Unë nuk bëhem pjesë e tyre.

Duhet të mbarojë kjo politikë me shkelje syri, bëjmë akuza dhe flasim për koncesione dhe në darkë ulemi për të marrë një llokmë nga ai koncesion. Nuk do të jem kurrë mashtruese nuk do të dal me asnjë qindarkë më shumë, edhe pse do të kem shumë shkopinj në rrota, dhe shumë që do të më luftojnë. Por shqiptarët do të ngrenë sytë dhe do ta kuptojnë se unë quhem Rudina Azem Hajdari dhe amaneti i tij do të shkojë deri në fund" tha Hajdari.

Ora 11:49
Balluku: Ndryshimet në ligjin e energjisë për të tërhequr sa më shumë investime dhe krijuar pavarësinë  e OST (VIDEO)

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë fjalës së saj në Kuvend, tha se ndryshimet e kërkuara në ligjin për sektorin e energjisë elektrike do të sjellin dhe tërheqin më shumë investime përmes krijimit të një kornize të qëndrueshme rregullator. Reforma në energjetikë është edhe një domosdoshmëri për hapjen e negociatave me BE.

Ministrja Balluku tha se ndërhyrja në ligjin aktual është konsideruar e nevojshme për të siguruar ndryshimin apo shfuqizimin e një numri dispozitash, të cilat pengojnë arritjen e autonomisë së plotë të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, si dhe ndarjen ligjore e funksionale të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, një proces i nisur më 1 janar 2020.

"Sot më shumë se kurrë, me vendimin e BE për çeljen e negociatave me Shqipërinë, reforma në sektorin e energjisë është një domosdoshmëri. Çka synohet të arrihet nëpërmjet kësaj reforme energjetike është krijimi i një kornizë të qëndrueshme rregullatore dhe tregu të aftë për të tërhequr investime në prodhimin e energjisë dhe rrjetet elektrike, qofshin këto investime të huaja apo vendase; Krijimi i një tregu të integruar të energjisë që lejon tregtinë ndërkufitare dhe integrimin me tregun e Bashkimit Europian; Garantimi i furnizimit të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm të energjisë, thelbësor ky për zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin shoqëror; Nxitja e përdorimit të energjisë së rinovueshme dhe sigurisht eficenca e kësaj energjie; Zhvillimi i konkurrencës, çka është dhe më e rëndësishmja dhe ne po mundohemi ta nxisim sa më shumë, si ajo rajonale ashtu dhe ajo vendase përmes krijimit të një tregu të lirë të energjisë elektrike. Dhe ashtu siç ju e dini, ne vitin e kaluar kemi arritur që t’i japim jetë Bursës Energjetike Shqiptare për herë të parë. Ndryshimet që propozojmë sot në “Ligjin për sektorin e energjisë elektrike” synojnë të përafrojnë legjislacionin tonë me acquis communitaire, duke përmbushur kështu disa nga parakushtet dhe rekomandimet e Komisionit Europian në kuadër të procesit të integrimit. Ndërhyrja në ligjin aktual është konsideruar e nevojshme për të siguruar ndryshimin apo shfuqizimin e një numri dispozitash, të cilat pengojnë arritjen e autonomisë së plotë të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, si dhe ndarjen (unbundling) ligjore e funksionale të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Një proces që tashmë ka nisur nga fillimi i vitit, 1 janar 2020 dhe janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore. Për të siguruar pavarësinë e OST-së, deri më sot janë ndërmarrë një sërë hapash të cilat kanë mundësuar certifikimin e OST nga ERE. Megjithatë, certifikimi është dhënë me kusht që brenda një afati kohor të caktuar të dëshmohet autonomia e shoqërisë, e cila realizohet nëpërmjet delegimit të kompetencave të caktuara nga Ministri përgjegjës për energjinë tek aksionari i shoqërisë. Ndërkohë, për realizimin e ndarjes ligjore dhe funskionale të OSHEE propozohen ndryshimet në Nenin 72, të këtij ligji, me anë të cilave synohet të garantohet pavarësia teknike, fizike, dhe financiare e tre kompanive bija të krijuara gjatë procesit të unbundling", tha Balluku.

Ora 11:39
Beqaj i përgjigjet opozitarit: Kam fatin që jam deputet i Dibrës, qarku më pak i prekur nga COVID-i (VIDEO)

Deputeti i PS-së Ilir Beqaj duke iu përgjigjur akuzave të Halil Jakimit nga opozita tha se është me fat që është deputet i Qarkut të Dibrës dhe nuk ka fare rëndësi nëse shkon apo jo atje, pasi sipas tij e rëndësishme është që ai qark nuk ka asnjë të prekur me COVID. "Kam fatin e madh të jem deputeti i Qarkut të Dibrës. Shkoj apo jo në Dibër, ka shumë pak rëndësi, rëndësi ka që sot qarku i Dibrës është më pak i prekur nga pandemia e koronavirusit" tha ai.

Ora 11:15
Denaj: Naftëtarët e Ballshit kanë pagën e luftës në llogari! Ruçi i ndërpret fjalën: Mbaroi koha (VIDEO)

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj dha se tashmë naftëtarët kanë në llogaritë e tyre pagën e luftës. "Sqaroj edhe naftëtarët e Ballshit. Cdo naftëtar ka pagesën sipas aktit normativ. 85% e bizneseve janë mbështetur nga paketat. Sot firmosim me bankat marrëveshjen për garancinë e dytë sovrane për bankat.

Jemi duke punuar për programin e rimëkëmbjes. Tre projektligjit janë konsultuar me ndërkombëtarët. I pari për tregun e kapitaleve, përbën një domosdoshmëri për të nxitur zhvillimin dhe e integritetit. Plotëson kuadrin rregullator.

Kjo lidhet edhe me integrimin, është hartuar në përputhje të plotë. Projektligji për përmirësimin e zonave të biznesit, sjellin një model të suksesshëm për të nxitur sipërmarrjen, zhvillim ekonomik" tha Denaj. 

Kryetari i Kuvendit i ndërpreu fjalën Denajt pasi mbaroi kohën. Ministrja kërkoi disa sekonda më shumë, por Ruçi tha se koha mbaroi.  “Është me kohë të përcaktuar zonja ministre prandaj mbylle".

Ora 10:55
Gjuzi merr në mbrojtje Mustafa Licin dhe i bën thirrje Hajdarit: Je e bija e Azemit, ik nga tryeza (VIDEO)

Deputeti Kujtim Gjuzi gjatë fjalë së tij në Kuvend i kërkoi Rudina Hajdarit të largohet nga tryeza e këshillit politik të reformës zgjedhore, ndërsa mori në mbrojtje Mustafa Licin, dy djemve të të cilit OFL-ja u kërkoi dje të justifikonin pasurinë, por ish-anëtari i Këshillit Bashkiak të Shkodrës e refuzoi.

"Incident i rëndë me ministrin e Brendshëm që tërheq zvarrë një zonjë në mes të Tiranës, nuk e prisja prej teje. Nuk ishte gjë e mirë. Zoti Lleshaj nuk e prisja prej teje, nuk e prisja, nuk të komandon dot Rama ty. I them Rudina Hajdarit të mos shkojë më në atë këshill politik.

Edhe unë kam dhënë votë pro kur ka qenë fjala për marrëveshje financiare, por jo kur duam të grabisim pronën. Jo kur i kërkojmë pronën Mustaf Licit, por nuk ja merrni pronën dot Mustaf Licit dhe Kujtim Gjuzit. Nuk ka shanse që opozita e Lanës të vijë më këtu" tha Gjuzi.

Ora 10:48
Lefter Maliqi: Rama nuk ikën me të mirë! Ngrihuni në protestë (VIDEO)

Deputeti Lefter Maliqi nga Kuvendi bëri thirrje për protesta për të larguar Edi Ramën. "Ky nuk ikën me të mirë nga pushteti, duhet revolucion dhe protesta, po kthehemi në diktaturë' tha Maliqi.

Ora 10:39
Gjoni i kërkon Hajdarit të rishikojë vendimin: Lista të hapura ose të ikim nga tryeza e reformës zgjedhore (VIDEO)

Deputeti Ralf Gjoni u shpreh sot në Kuvend se nëse PS dhe PD do të vijojnë që të luajnë dhe të mos marrin në konsideratë ndryshimin e sistemit zgjedhor do të rishikojnë vendimin për praninë e tyre duke paralajmëruar largimin. Ai i kërkoi Rudina Hajdarit që të rishikojë vendimin nëse do të vijojë e njëjta sjellje. Për Gjonin Hhapja e listave nuk kërkon ndryshim kushtetute, nëse ndryshimi i sistemit kërkon ndryshim kushtetute hajde flasim. Në një moment Gjoni lëshoi gojën në parlament duke u shprehur se 'E keni kthyer Kushtetutën si prostitutat e Amsterdamit' drejtuar shumicës dhe opozitës jashtë kuvendit.

"Nuk e kuptoj miratimin e ndryshimeve për ligjin për sektorin e energjisë në kontekstin aktual të emergjencës. Jemi në një javë shumë të rëndësishme dhe kritike për cilësinë e demokracisë dhe cdo të ndodhë vitin që vjen. Ndërkohë që parlamenti diskuton për energjinë elektrike, cdo shqiptar i ndershëm i pavarur që nuk i përket komunitetit të lëpirasve, ka një pyetje pse ka frikë Edi Rama listat e hapura? Përse propozimi im për ndryshimin e sistemit nuk është futur për trajtim por trajtohet nga Gjiknuri me një fjali, që propozimet e opozitës do të shikohen nga ekspertët nëse përputhen me Kushtetutën. Hapja e listave nuk kërkon ndryshim kushtetute, nëse ndryshimi i sistemit kërkon ndryshim kushtetute hajde flasim. E keni kthyer Kushtetutën si prostitutat e Amsterdamit. Nuk e duam për vete por për shqiptarët, a mendoni se ju Gramoz Ruci keni frikë nga listat e hapura? Nuk e besoj. Ka frikë Majko? Nuk e besoj? Zoti kryetar ka ardhur momenti të flasim hapur, apo Elisa Spiropali? Fare, fare, fare (qesh) e kam shumë sinqerisht. Ka frikë Rudina Hajdari frikë, apo unë? Jo! Fare.

Ka shumë socialistë që na e pranojnë se duan listat e hapura dhe janë gati të garanojnë më këtë sistem? Atëherë pse Rama i shkel syrin Berishës, nuk po flas për Bashën se ai është në gjumë. Shqipëria nuk ka nevojë për reformën elektorale por reformim të sistemit. Ne do të futemi në zgjedhje në vitin që vjen, a me një apo me. Që PS-ja është në krevat me PD-në, ata të LSI-së nuk i kuptoj pse 2017, kanë çuar Vasilin që duket si nuse fshati. Më e fortë duket Rudina Hajdari. Nëse ata vazhdojnë të luajnë lojëra, prania jonë në atë këshill duhet të futet në diskutim, nuk kemi nevojë të bëhemi nevojë e tresheve të tyre në krevat për të mbajtur pishtarin. Do të deskriditoj cdo lapanjos që do të votojë atë reformë, do i denoncoj te SPAK-u, që ta provojë se nuk fle gjumë si Lul Basha" tha ai.

Ora 10:30
Përmeti thirrje PS: Guxoni të ndryshojmë sistemin, Rama do u zëvendësojë me kriminelë (VIDEO)

Deputeti Andi Përmeti u kërkoi deputetëve të PS-së që të guxojnë të ngrenë zërin për ndryshimin e sistemit zgjedhor, pasi Edi Rama, tha ai, në zgjedhjet e tjera do i zëvendësojë me trafikantët e drogës pas legalizimit të kanabisit mjekësor. "As PS dhe as PD nuk e duan ndryshimin e sistemit. Ju drejtohej kolegëve të PS-së, ju dhe ne kemi votat për ta ndryshuar.

Guxoni për të ndryshuar sistemin, se kjo është për të mirën e Shqipërisë dhe dinjitetin tuaj, nëse ia lini Edi Ramën listat, unë kam frikë se 50% e huaja më e mirë do të mungojë herën tjetër. Edi Rama kam frikë se po përgatit skenarin për t'ju zëvendësuar ju me kriminelët. Ata ishin të mirë, por kishin dënime për vrasje dhe përdhunime. Ligji nuk e lejon, por Rama po përgatit, ata do të quhen biznesmenë të kultivimit të kanabisit" tha ai.

Edhe deputeti tjetër opozitar Halil Jakimi tha se do ta kushtëzojë votën për reformën zgjedhore me ndryshimin e sistemit. "Unë personalisht dhe grupim im nuk janë noterë por deputetë të këtij kuvendi. Nuk do të votojmë asnjë produkt që bie ndesh me kërkesat tona, që kemi shprehur. Nuk foli askush për reformën zgjedhore, përfaqësuesit nuk ishin marrë vesh as për depolitizimin e administratës. Kërkojnë të mos e ndryshojnë sistemin as depolitizim të administratës. Kushtëzoj votën me listat e hapura, të ndryshohet sistemi".

Ora 10:21
VIDEO-Gjuzi: Po e bën komunizëm! Ruçi: Atëherë s'kishte elektronikë (Gallatë në sallë)

Në fillim të seancës Kujtim Gjuzi i kërkoi kryetarit të Kuvendit procesverbalin ashtu si fletën e votimit që ka mbi tavolinë. Reagimi dhe batuta e Ruçit solli ilaritet në sallë.

Replikat
Kujtim Gjuzi: Dua procesverbalin në tavolinë sikur kam fletën e votimit. A ke qejf ta bësh komunizëm, mbylle...
Gramoz Ruçi: Në komunizëm nuk kishte elektronikë, por kështu që kërkon ti
(Të qeshura në sallë)
Kujtim Gjuzi: Të shtojmë minutat se nuk mund të bindim me vetëm një minutë
Gramoz Ruçi: Koha është përcaktuar, është e barabartë mes pozitës dhe opozitës. Kërkesën e korrigjova, ua kam bërë dy minuta, koha është 50%-50%.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • KAPTER MSLIQI: 14/05/2020 14:33

    O Zot kapter lefter jashqitje e kombit msliqi politikan. O kuje zez një Idjot i till të jet politikan. Si është katandis Shqipria me politikan të zipit kapter maliqi. Më keq ska ku të shkoi kjo është fundi. SHQIPTAR THIRINI TRURIT E ZHDUKINI KTO LLOI PLERASH TË TIPIT MALIQ WC.

    Përgjigju
  • Kodoshi: 14/05/2020 14:15

    Rrofte Kujtim Gjuxi figure e shqyer e Kombit

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet