'Ky teatër lidhet me qenien time e prindërit', Inva Mula në 'Opera' si regjisore, vendos në skenë veprën e të atit: Biseda me të në ditët e fundit! Ishte si bekim

“Nuk ka gjë më të bukur se sa kur kujtohet prindi artist, me veprën e tij. Unë mendoj që kjo është edhe magjia e artit”, shprehet sopranoja Inva Mula.

Prej ditësh “Opera” ka nisur e flet shqip, përmes artit klasik. Në krye të punës, me prova intensive e një kast të përzgjedhur artistësh është vetë sopranoja Inva Mula.

“Unë kam qenë në këtë teatër, në çdo provë, edhe kur këndonin prindërit e mi, edhe kur këndonin të tjerët. Isha kaq e lidhur me këtë teatër, saqë çdo cep, çdo qoshe, çdo klasë, pavarësisht se teatri tani është rinovuar, për mua ka diçka që lidhet me qenien time. Kështu që, impakti që më jep ky teatër është shumë i fortë”, shprehet Mula.

Rikthehet në këtë skenë, me një tjetër rol, atë të regjisores, e opereta “Karnavalet e Korçës” që i ati, artisti Avni Mula krijoi në vitet ’77,  bazuar në komedinë me të njëjtin titull të Spiro Çomores dhe libret të Luigj Gurakuqit, e mbush me frymëzim, përgjegjësi e emocione të veçanta.

“Për të arritur babai im që të vinte në skenë “Karnavalet e Korçës është një punë disa vjeçare, kështu që temat e arieve, të koraleve të bukura, unë i kam në mendje, se i dëgjoja çdo ditë. Mbaj mend që ne jetonim në apartament shumë të vogëla, ku në një hapësirë shumë të ngushtë ushqeheshim, aty bënim muzikë, kështu që të gjithë ato temat e karnavaleve janë në memorien time si e vogël. Pastaj kam qenë në të gjithë provat që janë zhvilluar këtu, dhe mbaj mend se ka pasur shumë kërkesa për të qenë këtu, se të gjitha shfaqjet janë luajtur me një sallë plot.

Një dëshirë e kahershme e saj, që siç rrëfen, e pati biseduar edhe me të atin, para ndarjes nga jeta.

“Mbaj mend një bashkëbisedim me babin ndoshta në ditët e fundit të jetës së tij, kur i kam folur për “Karnavalet”. Babi, i thashë,  një ditë unë do ta vendos ‘Karnavalet’ në skenë, por ti do të më lejosh të bëj disa ndryshime në konceptin tim, të një jete aktuale, si mund ta shikoj, ndoshta, pas 100 vitesh, këtë histori të viteve ’30. Dhe babi më tha: “Vepra është e jotja, bëje siç e mendon, sepse unë e di që çdo gjë që të bësh do ta bësh mirë. Ka qenë një bekim për mua kaq i madh, se e dija që shpirtërisht do të ma jepte gjithmonë lejen. Por një leje, me gojën plot, se ai kishte shumë besim tek mua”, shprehet sopranoja.

Si ngaherë Mula, edhe në konceptin e saj regjisorial nuk harron homazhin për personalitetet që hodhën gurë themelet e artit e kulturës në vend. Kostumografia elegante e Elva Bellës të sjell atmosferën e familjeve borgjeze të viteve ’30, imazhet grafike të skenografisë e gjejnë inspirimin po në Korçë, te fotografi Gjon Mili. Por ka më tepër se kaq... për t’u zbuluar në skenën e Teatrit të Operas, për 4 net radhazi, nisur nga data 25 shkurt.

Për Invën, rikthimi në “Opera” si regjisore, në skenën ku hodhi hapat e parë,  punuan prindërit e saj, Nina dhe Avni Mula, është gjithashtu si një pikëtakimi, edhe me ta.

“Sigurisht që do të doja që prindërit të ishin në sallë dhe të shikonin punën time. Por, a ka gjë më të bukur, për prindërit, që të shikojnë se artistët sot, po e rimarrin, po e rivlerësojnë veprën e “Karnavaleve””, shprehet Mula.

A.D/K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet