POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Lajm i mirë për 'shoferët' shqiptarë, vendet ku njihet dhe ku pritet të njihet patenta

Foto ilustruese

Leja e drejtimit të automjetit vijon të jetë një shqetësim për shqiptarët nëpër botë. Në disa prej vendeve të rajoni Shqipëria ka arritur marrëveshje për njohjen e patentave ku qytetarë shqiptarë mund të lëvizin pa probleme me makinën e tyre.

Ministria e Jashtme ka bërë me dije së aktualisht lejet e drejtimit të lëshuara nga vendi ynë njihen në Belgjikë por deri në tre muaj, në Kroaci, Maqedoninë e Veriut, Serbi, Malin e Zi dhe Kosovë.

Ndërkohë Shqipëria është në proces pune për njohjen e patentave për dy shtetet ku edhe numri i shqiptarëve është tepër i lartë, me Greqinë dhe Italinë.

Po ashtu pala shqiptare ka dorëzuar gjithë dokumentacionin e nevojshëm teknik pranë autoriteteve gjermane në mënyrë që edhe Gjermania të bëhet pjesë e njohjes së patentave shqiptare.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ndër të tjera njofton se në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, ka përcjellë propozimet për marrëveshje të ngjashme me Bullgarinë, Francën, Bosnjë dhe Hercegovinën, Turqinë, Spanjën, Austrinë, Australinë, Mbretërinë e Bashkuar, Holandën, Rumaninë, Slloveninë, Poloninë, Portugalinë, Zvicrën dhe Kanadanë.

Këto njoftime janë bërë publike nga ministri i Jashtëm, Gent Cakaj më anë të një postimi në rrjetet sociale.

Postimi i Plotë i Cakajt:

"Duke qenë të ndërgjegjshëm për vështirësitë e shtetaseve shqiptarë për njehsimin e lejeve të drejtimit nëpër botë,

Dhe,

Duke e ruajtur qëllimin themelor për ndërlidhjen e objektivave madhorë të politikës së jashtme me shqetësimet e zakonshme të shqiptarëve nëpër botë,

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme informon se:

Lejet për drejtim automjeti të lëshuara nga autoritetet shqiptare aktualisht njihen nga këto shtete:

Belgjika: shtetasit shqiptarë në Belgjikë, për një periudhë më pak se 3 muaj, mund të përdorin lejen shqiptare për drejtim automjeti. Në rast qëndrimi më gjatë në Belgjikë se periudha në fjalë, atëherë shtetasit shqiptarë duhet të bëjnë konvertimin e lejes së drejtimit shqiptare në leje drejtimi belge, sipas procedurave që ndiqen në komunat përkatëse.

Kroacia: shtetasit shqiptarë në Kroaci mund të bëjnë njehsimin e lejeve të drejtimit bazuar në marrëveshjen dypalëshe që nga viti 2015 e tutje.

Maqedonia e Veriut: shtetasit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut mund të bëjnë njehsimin e lejeve të drejtimit bazuar në marrëveshjen dypalëshe që nga viti 2013 e tutje.

Serbia: shtetasit shqiptarë në Serbi mund të bëjnë njehsimin e lejeve të drejtimit bazuar në marrëveshjen dypalëshe që nga viti 2015 e tutje.

Mali i Zi: shtetasit shqiptarë në Mal të Zi mund të bëjnë njehsimin e lejeve të drejtimit bazuar në marrëveshjen dypalëshe që nga viti 2015 e tutje.

Kosovë: shtetasit shqiptarë në Kosovë mund të bëjnë njehsimin e lejeve të drejtimit bazuar në marrëveshjen dypalëshe që nga viti 2012 e tutje. Pas përfundimit të afatit, marrëveshja është rinovuar dhe ka hyrë fuqi në maj 2019.
 

Nga ana tjetër, janë dy procese paralele në zhvillim e sipër për pranimin e lejeve të drejtimit me Italinë dhe Greqinë:
 

Italia: pas daljes së modelit të ri të lejeve të drejtimit, marrëveshja përkatëse që ka hyrë në fuqi në vitin 2009 dhe rinovuar në vitin 2014, i është nënshtruar ndryshimeve teknike të nevojshme. Ndryshimet teknike në marrëveshje janë pranuar parimisht prej dy qeverive dhe marrëveshja e re pritet të hyjë në fuqi pasi palët të njoftojnë njëra-tjetrën për përfundimin e procedurave të brendshme. Sipas parashikimeve të marrëveshjes, kjo çështje pritet të mbyllet përfundimisht shumë shpejtë.

Greqia: marrëveshja dypalëshe për këtë çështje është nënshkruar në maj 2018. Edhe pse pala shqiptare ka përfunduar procedurat e brendshme të nevojshme për hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje, ajo nuk është ende në fuqi ngaqë pala greke nuk e ka ratifikuar atë në Parlament. Pra, çështja në fjalë nuk varet më nga Qeveria e Shqipërisë, por nga votimi në Parlamentin grek.

Po ashtu, në vijim të njoftimit të mëparshëm, duhet nënvizuar sërish se pala shqiptare ka dorëzuar gjithë dokumentacionin e nevojshëm teknik pranë autoriteteve gjermane. Sidoqoftë, marrëveshja për njohjen e lejeve të drejtimit mund të bëhet vetëm pas vlerësimit dhe miratimit paraprak të të gjithë landeve gjermane. Në këtë kuptim, kalimi i marrëveshjes për njohjen e lejeve të drejtimit është një proces që varet nga vlerësimet dhe procedurat e brendshme të institucioneve përkatëse në Gjermani. Pavarësisht kësaj, duke pasur parasysh se njohja e lejeve të drejtimit në Gjermani kërkon kohën e saj objektive, pala shqiptare ka paraqitur kërkesën për njohjen e gjuhës shqipe për provimin e marrjes së lejes së drejtimit gjermane. Po ashtu, kjo është një çështje që tashmë varet prej veprimeve të autoriteteve gjermane.

Në fund, duke pasur parasysh rëndësinë e njehsimit të lejeve të drejtimit për shtetasit shqiptarë nëpër vende të ndryshme të botës, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, ka përcjellë propozimet për marrëveshje të ngjashme me Bullgarinë, Francën, Bosnjë dhe Hercegovinën, Turqinë, Spanjën, Austrinë, Australinë, Mbretërinë e Bashkuar, Holandën, Rumaninë, Slloveninë, Poloninë, Portugalinë, Zvicrën dhe Kanadanë.

Lidhja e marrëveshjeve me këto shtete është një proces që kërkon kohë të konsiderueshme të negociimit teknik. Sidoqoftë, ndarja e hershme e informacionit me ju është pjesë e përpjekjes tonë për të qenë llogaridhënës ndaj jush dhe gjithëherë të vëmendshëm ndaj zërit të shtetaseve shqiptarë kudo që ndodhen në botë."

E.L./a.m.
Komento

Komente

  • Sokol. Mi: 22/05/2019 13:48

    E me Italine..... Niente da fare....

    Përgjigju
  • Goni: 21/05/2019 21:30

    Shume mire keni bere qe keni marre nismen per njohjen e patentave shqiptare. Por merrni pak eksperience nga Kosova qe 10 vjet shtet ka arrit me be marreveshje per njohjen e patentate me Francen dhe shume shtete te tjera.

    Përgjigju