Lamtumira e fundit/ Nga Shqipëria në Kosovë, ngushëllime për shkrimtarin Kiço Blushi

Lamtumira e fundit/ Nga Shqipëria në Kosovë, ngushëllime për shkrimtarin Kiço Blushi

Kiço Blushi

Shkrimtari, skenaristi dhe publicisti i njohur Kiço Blushi, që ndërroi jetë mbrëmjen e së premtes më 8 shkurt, u përcoll në mesdrekën e ditës së shtunë me nderime për në banesën e fundit. Ndërsa homazhet u zhvilluan në shtëpinë e të ndjerit, dhjetëra shkrimtarë, politikanë, regjisorë e skenaristë nga Shqipëria dhe Kosova kanë shprehur ngushëllimet për largimin e beftë të shkrimtarit në moshën 76-vjecare.

Kryeministri Edi Rama ka përcjellë një mesazh ngushëllimi për vdekjen e shkrimtarit dhe skenaristit të njohur Kiço Blushi. “Kiço Blushi ishte një ndër ata personazhe të jetës artistike, letrare e shoqërore po ashtu, që dinë të qëndrojnë drejt edhe kur fryjnë erëra të forta përballë, po edhe kur erërat që të çojnë artificialisht përpara të kërrusin sidoqoftë. Sqimatar dhe ironik, Kiçua do të më kujtohet gjithnjë me atë gjysmëqeshjen e tij kur hapnim një temë dhe thikën e mprehtë të gjykimeve pa gajle, për këdo e gjithkënd. I paharruar qoftë kujtimi yt i dashur mik!”, shkruan Rama.

Ndërsa akademiku Rezhep Qosja pas ndarjes nga jeta të skenaristit të njohur, Kiço Blushi, Rexhep Qosja ka folur për rolin intelektual në shoqëri të Kicco Blushit. “Me pikëllim të madh mësova lajmin për ndarjen nga jeta të shkrimtarit, skenaristit, publicistit dhe veprimtarit të shquar kulturor Kiço Blushi. 

Të gjithë ata që e njohën, të gjithë ata që e takuan, siç pata fatin ta njoh e ta takoj edhe unë, nuk do ta harrojnë kurrë. 

Me fjalën e tij gjithmonë të ndershme, gjithmonë të qartë e të vendosur, me përkushtimet e tij mendore e ndjenjore ndaj të drejtës e të vërtetës, ai ushtroi ndikim çlirues, përparues, qytetërues, demokratizues në jetën e në krijimtarinë shpirtërore shqiptare. 

Vepra e tij dhe emri i tij mbesin përgjithmonë në historinë e kulturës së popullit shqiptar. Familjarëve, miqve e dashamirëve të tij të shumtë u shpreh ngushëllimet e mija më të thella”, ka shkruar Qosja

Nuk munguan edhe urimet e Presidenti Ilir Meta. Në një postim në rrjetet sociale Meta shkruan se publicisti do mbetet në kujtesën tonë si një nga përfaqësuesit më të denjë. 

“I pikëlluar prej lajmit të trishtë, ndaj me Mirën, Benin dhe Martinin, por edhe me të gjithë miqtë e letërsisë dhe kulturës shqiptare, dhimbjen e thellë për humbjen e shkrimtarit të shquar, krijuesit dhe veprimtarit publik, Kiço Blushi. Ai do të mbetet ërë në kujtesën tonë si një nga përfaqësuesit më të denjë të “Brezit 1970”: prozator, kineast, publicist dhe botues. Kiço Blushi luajti role të rëndësishme publike dhe qytetare në momente kyç të historisë shqiptare, me angazhimin e tij të pabujë dhe fisnik. I qoftë i përjetshëm nderimi ynë!”, shkruan Presidenti Meta. 

Ndër të tjera, kritiku i artit Josif Papagjoni ka kujtuar rrugët e krijimtarisë ku ka bashkëpunuar me Kiço Blushin.  “Vdekja e Kiço Blushit më la trishtimin e beftë ndaj një shkrimtari me ze te forte ne letrat shqipe, romancier, dramaturg, skenarist, publicist. Qysh student, ne vitin e dyte, vumë në skenë dramën e tij "Çatia e te gjithëve" me Kujtim Spahivoglin, mikun e tij. Mbaj mend qe i bënim provat në një studio-aneks mbushur plot dekore e rrangalla skene, por ja aty unë e njoha Kiço Blushin, nje djalosh simpatik tek erdhi dhe po ndiqte provat tona. Pastaj ne Institutin e Larte te Arteve iu vu ne skene drama "Shkallet", po nga Kujtim Spahivogli. Me pas vijoi me drama te tjera, por u be një skenarist nga më të mirët.

Tregimet e tij, sidomos romani për masakrën e Ali Pashës me vrasjen e 16 vashave të mbytura në liqenin e Janinës, ishte diçka tronditëse e risuese njëherit. I fundit takim që pata me të që diku nga pranvera e vitit që shkoi. U ulëm te Kafja e Aleancës në Teatër,  me dha një komedi për ta lexuar, edhe unë i dhashë një libër. Kaq. Tek largohej nga unë, sepse kishte një "takim tjetër", e mbante trupin qiri të drejtë, energjik, gjithë shëndet, dhe kurrë nuk më shkonte në mendje se ky njeri do të shuhej befas, kaq shpejt. I qoftë dheu i lehtë!”, shkruan Josif Papagjoni.

Jeta dhe vepra, Kiço Blushi (23 gusht 1943-8 shkurt 2019)
Dramaturg, shkrimtar, skenarist, publicist. Lindi në Korçë, më 23 gusht. Kreu studimet e larta për Gjuhë dhe Letërsi në Universitetin e Tiranës dhe nisi punë pranë Televizionit shqiptar (1966). Gati për 20 vjet (1968-1986) punoi pranë redaksisë së filmit artistik në kinostudion “Shqipëria e re”. Një kohë të gjatë ka punuar në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, kryeredaktor në revistën “Nëntori”, ndërsa pas viteve ’90 u përfshi edhe në politikë si deputet i Kuvendit Popullor. Ka botuar tregime, romane, drama, skenarë filmash etj. K. Blushi ka shkruar një numër të konsiderueshëm skenarësh për filma artistikë e dokumentarë, disa syresh të nderuar me çmime.

Me skenarin e filmit "Beni ecën vetë", 1975, nis rrugën e suksesit. Me idenë e bukur të njohjes së jetës qysh i vogël dhe nevojën për atmosferë sociale e solidaritet, për imagjinatë dhe fantazi “realiste” te moshat fëminore, sikurse edhe fillimit të një procesi të natyrshëm dhe organik në edukimin e tyre, përfshi humorin e këndshëm dhe vështrimin “fëminor” ndaj dukurive, e kanë bërë këtë film nga më të pëlqyeshmit në llojin e vet, fitues edhe i kupës së Festivalit të Parë të Filmit Shqiptar. Pas këtij filmi shkroi dy skenarë interesantë: "Pylli i lirisë", 1976, me alegorinë e kalit të lirë në pyllin e lirë që kapet prej heroit (nënkupto njeriu i lirë) dhe rikuptimësimit të sforcuar paskëtaj në rrafshet jo vetëm simbolike, por edhe politike të luftës çlirimtare; "Tokë e përgjakur" (bashkautor me Nexhati Tafën), 1976, një triptik jete ku pozicionet shoqërore për pronën ndryshojnë nga i poseduar në posedues, nga i poshtëruar në njeri të lirë, ndonëse konceptimi vuan nga modelimet estetike të realizmit socialist me një shoqëri të ndarë gjegjësisht parimit të “luftës së klasave”, të pasur-të varfër, atdhetarë-tradhtarë, komunistë-antikomunistë.

Në vitin 1978, K. Blushi shkroi skenarin e filmit "Koncert" në vitin 1936. Filmi çmohet ndër arritjet më të mira të autorit dhe, falë një subjekti interesant me qendër koncertin vokal të këngëtares së njohur Tefta Tashko Koço, jep një tablo sarkastike plot shpoti, humor e ironi ndaj administratës kinse “perëndimore” të periudhës së monarkisë si dhe politikanëve të korruptuar. Në shtëpinë tonë, 1979, nderuar me Çmim të Veçantë në Festivalin X Ndërkombëtar të Giffonit (Itali), sjell një reliev liriko-poetik me qendër dashurinë, tejkalimin e paragjykimeve dhe kuptimin e drejtë të lirisë së zgjedhjes. Filmi historik "Nëntori i Dytë" (bashkautor me Dh. Shuteriqin), 1982, përmes rrugëtimit të Ismail Qemalit nga Durrësi në Vlorë për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, pasqyrohet atmosfera e kohës, vështirësitë e hasura, madhërohet akti sublim i I. Qemalit dhe i atdhetarëve shqiptarë si një akt mbarëkombëtar, duke krijuar më tutje metaforën e Lirisë si qëllim i shenjtë.

"Militanti", 1984, ishte theroria e një lideri komunist, Vasil Shanto (në film me emrin Visar Shundo), paradigma humane e komunistit dhe luftëtarit si tharmi ngjizës i tij, çka sjellë një peizazh tjetër social e politik, përtej spektrit të ngurtë të skemave, e ngjashme në shumëçka me figurën e njohur të antifashistit, që ka lëruar gjerësisht kinematografia evropiane. Te filmi "Nxënësit e klasës sime", 1984, ai cek një temë që ishte në spikamë atyre viteve: refuzimin e trysnisë sociale korruptive që vinte drejtpërdrejt nga pushteti apo nëpërmjet të tjerëve, për favore dhe rezultate të pamerituara ndaj fëmijëve, duke i dhënë hapësirë dhe mbrojtje sjelljes dhe qëndrimit të njeriut të ndershëm.

Skenarë të tjerë për filma artistikë: "Çifti i lumtur" (bashkautor skenari me Piro Milkanin dhe Bik Pepën), 1975; "Një natë pa dritë”, 1981; "Një telegram, një këngë", 1982; Gabimi, 1986 etj.Blushi ka shkruar gjithashtu mjaft skenarë për filma dokumentarë, si: "Cirku ynë", 1971, "Festa e madhe", 1972; "Arti i gdhendjes në dru", 1974; "Gjuhë qe nuk vdes", 2002 etj. Në gjininë e filmit vizatimor shkroi skenarët: "Shoferi i vogël", 1977; "Vëth në vesh", 1982 etj. 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale