“E kuqja e demave” e Mira Meksit
botohet në Francë

“E kuqja e demave” e Mira Meksit<br />botohet në Francë
FRANCE- Romani “E kuqja e demave”, e shkrimtares Mira Meksi, është publikuar së fundi në Francë nga shtëpia e njohur botuese “Persée”, në versionin frëngjisht të shkruar nga vetë autorja.

“E kuqja e demave”, pas ribotimeve që ka njohur që kur u publikua për herë të parë në gjuhën shqipe në vitin 2009, dhe vlerësimit që mori në “Balkanika 2010” si “…proza e arrirë që e  zhvendos letërsinë shqiptare në drejtime të reja, larg fokusit të ngushtë që lidhet specifikisht me problemet shqiptare, dhe e fut në rrjedhën e letërsisë europiane”, vjen këtë herë për lexuesit frankofonë.

“Është një version në frëngjisht, jo përkthim. Është një ndryshim goxha i madh, sepse nëse në përkthim i rrihet besnik tekstit, rikrijimi në një gjuhë tjetër është shumë i lirë. Është një rishkrim i së kuqes së demave. Historia dhe personazhet janë po ato, por lirshmëria e rikrijimit është shumë e madhe”, ka deklaruar Meksi në një prononcim për mediat.  

Mira Meksi të fut në një botë dehëse në romanin “E kuqja e demave”, botim i “Ideart”, i cili rezultoi të ishte një ndër më të shiturit në Panairin e Librit “Tirana 2009”. “E kuqja e demave” është një libër plot pasion, ku dominon ngjyra e kuqe. Ku korrida, ndeshja me dema, gërshetohet me misterin e ikonës.

Romani i Mira Meksit sendërton një realitet imediat letrar, ku shfaqen dhe ecin paralelisht dhe në përballje dy dashuri reale dhe tronditëse, mbase dy dashuri të forta dhe të çmendura, të zjarrta e të lodhura njëherazi; mbase ka gjasa të jenë më shumë dy përjetime të forta, ku dashuria rrezikon të nakatoset dhe madje edhe të shuhet nga seksomania, pa harruar këtu se nga ana tjetër vetë të bërit seks është ilaçi më i mirë i përtëritjes së dashurisë.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale