“INUK veproi pa dokumenta”
kështu lirohet Pallati i Bashës

“INUK veproi pa dokumenta”<br />kështu lirohet Pallati i Bashës
TIRANE- Mos shoqërimi me një akt-administrativ konkret të veprimeve për bllokimin e kompleksit “Jon” në Vlorë nga ana e INUK, i ka dhënë hapësirë gjykatës së këtij qyteti që të vendosë “pro”, 11 paditësve që ju drejtuan gjykatës në 4 nëntor. Në vendimin e parë që Gjykata Administrative në Vlorë ka dhënë, tregohet se INUK në këtë rast ka vepruar mbi asnjë dokument të nxjerë nga vetë ai si institucioni i paditur. Në këtë rast gjyqtari Astrit Sheme argumenton se është detyrë e organit administrative që të nxjerë aktin adminsitrativ në formën e kërkuar nga ligji, pra në formë shkresore, pasi në këtë mënyrë respektohet parimi i përgjegjshëmrisë së organeve të administratës publike dhe nga ana tjetër, garantohet efektivisht të drejtat e palës së cënuar nga akti administrativ, që tia nënshtrojë atë kontrollit gjyqësor.

Ndërkohë që gjatë procesit gjyqësor përfaqësuesi juridik i INUK, ka pohuar se në asnjë moment forcat e policisë dhe INUK, nuk kanë marë masa për mos lejimin e banorëve të futen në banesat e tyre. Sipas INUK, është vendosur bllokimi deri në momentin e dorëzimit të dokumentacionit, pasi fillimisht pronarët e objektit kanë refuzuar të japin dokumentat. INUK, pretendoi se gjykata nuk mund të shprehej, kur në fakt nuk ekzistonte një akt-administrativ.

faksimile e pallatit te bashes
(Foto: Faksimile e vendimit të Gjykatës Administrative së Vlorës ku pranon kërkesë padinë e 11 personave)

Argumenti i gjykatës
Në vendimin e gjyqtarit Astrit Sheme, thuhet se:“Nisur nga momenti procedural i realizimit të kërkesës për pezullimin e aktit administrartiv si dhe nga urgjenca që e dikton marrjen e kësaj mase, gjykata çmon se mosdokumentimi në formën e kërkuar nga ligji (Shkresore) të aktit administrative, nuk përbën pengesë për kontrollin gjyqësor të veprimeve të ndërmara konform aktit administrative, pasojave që ato mund të sjellin dhe cënimit ose jo të drejtave subjektive apo interesave të ligjshme të palës kërkuese.

Për sa më sipër gjykimi për marrjen e masës për sigurimin e padisë është një proces i shpjetë, ku gjykata nuk shqyrton dhe vlerëson të gjitha provat në mënyrë të hollësishme për të parë nëse qëndrojnë apo jo pretendimet e kërkuesit, nëse qëndron apo jo e drejta. Për sa i përket pretendimeve të palëve të treta, se nuk mund të merret një masë konkrete e sigurimit të kërkesë-padisë, përderisa nuk ekziston akti administrative, gjykata çmon se kjo është një kërkesë e cila nuk ka mbështetje ligjore pasi në radhë të parë,çdo lloj veprimi administrative është në fakt një akt administrativ”-argumenton gjyqtari Astrit Sheme.

Pretendimi i INUK
Tre avokatët Besnik Karabolli, Alban Shkurtaj dhe Enkelejd Lamaj pretenduan gjatë procesit gjyqësor se gjykata e Vlorës nuk ka kopetencë si nga ana lëndore dhe tokësore në gjykimin e kësaj çështje dhe për rrjedhojë, nuk mund të merret në shqyrtim kërkesa e 11 paditësve. Avokatët u shprehën se nga ana e institucioneve që ata përfaqësojnë nuk është marrë asnjë lloj veprimi konkret, qoftë me veprime konkretë të lëshimit të ndonjë akti në lidhje me kryerjen e veprimeve për prishjen e objektit.

Sipas avokatëve INUV dega Vlorë, ka për detyrë vetëm të informojë Inspektoriatin Ndërtimor Urbanistik Kombëtar dhe se është ai institucion që ka për kopetencë vendimarrjen. Ndërkohë që për sa i përket  pretendimit të paditësve për urdhërimin e forcave të rendit për bllokimin e objektit, sipas tre avokatëve nuk provohet. Më tej tre avokatët në pretendimet e tyre shtojnë se nga ana e gjykatës nuk mund të merret asnjë vendim, në një kohë kur nuk ekziston akti administrativ.

DETAJE
3 nëntor 2013
Pikërisht në këtë datë inspektorët e INUK kanë bllokuar pallatin në pronësi të vjehrrit të Lulzim Bashës në Vlorë, Xhafer Isufi. Qëllimi ishte verifikimi i dokumentacionit, pasi sipas inspektorëve të INUK një gjë i ishte kërkuar pronarëve por ata kishin refuzuar dorëzimin e letrave.

4 nëntor 2013
Në këtë datë, 11 persona banorë dhe pronarë të komplesit “Jon” i janë drejtuar gjykatës administrative Vlorë, ku kanë kërkuar shfuqizimin e aktit adminsitrativ të INUK, që bllokonte hyrje-daljet e banorëve të kompleks si dhe heqjen e shiritit rrethues në hyrje të kompleksit.

7 nëntor 2013
Me vendimin nr.1 gjykata administrative ka vendosur të pranojë kërkesë padinë civile të 11 banorëve dhe pronarëve të pallatit, duke hequr shiritin policor të vendosur nga INUK dhe Policia e Shtetit. Pavarësisht këtij vendimi, INUK u shpreh se do e apelojë atë.

Shkrimi u publikua sot (28.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Nis sot zbatimi i Amnistisë Penale, 3800 përfitues! Lirohen 700 të burgosur, ulje dënimi për 400 të tjerë

Nis sot zbatimi i Amnistisë Penale, 3800 përfitues! Lirohen 700 të burgosur, ulje dënimi për 400 të tjerë