Lec Shkreli, piktori i dy epokave, veprat e humbura. Takimi me Hoxhën, çfarë i tha për heronjtë

Një jetë në studio..! E studiot nuk janë kurrë aq komode sa për ta jetuar pjesën më të madhe të jetës pikërisht aty. 
Megjithatë, të tillë e ka zgjedhur ta bëjë jetën piktori Lec Shkreli. Ai bashkë me vitet mbi supe, edhe pas 50 vjetëve karrierë artistike, vazhdon ngjizjen e ngjyrave aty; mes telajove, pikturave, kutive me bojë e tufave me penelata. Dhe kur hyn në atë studio, s’ke si të dalësh shpejt. 

Tablotë “të thonë” se duhet shumë kohë të qëndrosh përballë tyre, duke bërë një dialog të ngrohtë. Nuk mund të largohesh pa zbuluar gjëra të reja: siç është një pikturë e panjohur e nënës heroinë, Mine Peza, të cilën komisioni i censurës së kohës nuk ia lejoi Lec Shkrelit ta ekspozonte, derisa nën mbikëqyrje të tij skicoi atë variantin tjetër të njohur për të gjithë: Mine Peza në ballë të demonstratës. 
Lec Shkreli nuk është ndjerë aspak i ndrydhur nga trajtimi ideologjik që i kërkohej për veprën, sepse duke e përmbushur me detaje artistike, ai e tejkalonte gjithmonë tematikën, dhe formën e shprehjes ai vet e quan si një akt formal. Ai është ndër të paktët që mendojnë se tematika apo shtrëngesa ideologjike ndikojnë në cilësinë e artit. 

Studioja e Lec Shkrelit mbart thesare të pikturës shqiptare ndër vite, dhe gjurmë apo fotografi të dhjeterave prej tyre të humbura, ku për fat të keq një pjesë  kanë përfunduar në tregun e zi të antikuarëve.
Dhe fatkeqësia tjetër është që albumi i tij i retrospektivës, pjesë e historisë së pikturës shqiptare, ende nuk është botuar  
Vepra e Lec Shkrelit, dhe e piktorëve të tjerë të shquar, që kanë krijuar edhe fondin e artë të Galerisë Kombëtare të Arteve, pavarësisht nga konteksti i kohës që krijuan, nuk e meriton këtë harresë.    

Po si ka ardhur në dritë krijimtaria e tij dhe a e njohim sa duhet. 
 

Piktori rrëfen: “Nuk di se si t’jua shpjegoj, por unë jam pjesëtar i ekspozitave kombëtare që në Liceun Artistik, Pra që në moshën kur unë kam qenë 16 vjeç ose 18 vjeç. P.sh., një pikturë që është atje, “Zjarrin partizan”, aty unë kam qenë fare i ri, sa doli madje, si të thuash, një ligj i brendshëm i këtyre komisioneve që të mos pranohen më liceistët. Megjithatë, unë mora një çmim atëherë me atë dhe u pëlqye shumë si kompozim dhe si pikturë. Ajo tani nuk dihet e ku është. E ka pas blerë Shtëpia Qendrore e Ushtrisë, më kujtohet, dhe pastaj ajo është zhdukur si pikturë. Por kjo është e para që unë bëra në dimension të madh. Dhe menjëherë pas saj, mua më mori në patronazh Odise Paskali. “, tha Shkreli

Ai rrëfen se “Bëhen rreth 55 vite që unë pikturoj. Tani, unë i takoj dy kohëve, siç më pyetët edhe juve. P.sh., unë i takoj periudhës së socializmit, por edhe kësaj periudhës së tanishme. Për mua ka qenë edhe ajo kohë shkollë, për arsye se unë, si të thuash, u disiplinova fort në pikëpamje të një vizatimi të fortë, të një pikturimi realist por shumë të fortë, gjë që patjetër i duhet krijuesit. 
Unë kam disa vepra në galeri që ato vazhdojnë të qëndrojnë në kuptimin e vlerave dhe të marrin vlera më tepër. Çuditem me njëfarë kuraje që kam pasur në atë kohë, edhe për njëfarë stilistike që unë mund të kem përdorur p.sh. shpeshherë në figurat ose në trajtimin e ngjyrës ose të raporteve, siç i themi ne.”

Dhimbja më e madhe për piktorin janë veprat e humbura. 
“Ishte periudha e vitit 1997 ajo që krijoi atë rrëmujë, si të thuash, atë papërgjegjësi dhe meqenëse një pjesë e madhe e pikturave të mia ishin të blera nga shteti dhe ishin vendosur në auditore të ndryshme, në korridore, në zyra etj., kjo solli edhe këtë, që iu dha mundësia atyre që ndoshta ishin atje ose të tjerëve që erdhën nga jashtë, që e morën pikturën, e bënë pronë të tyren dhe ato nuk duken tani fare për arsye se dihen që kanë një autor dhe ai autor i kërkon. Megjithatë ajo prapë quhet vepra ime, pavarësisht se shteti e bleu dhe mua më pagoi aq sa ishin tarifat në atë kohë.
    Ne shqiptarët nuk e kemi shumë të zhvilluar këtë, që unë ta kërkoj gjënë time ndoshta edhe me gjyqe, ndoshta duke e bërë edhe problem shumë të madh. Pra, duke qenë edhe kjo heshtje, ai i cili vë dorë dhe e merr, e ka më të kollajtë dhe vetëm në raste shumë të jashtëzakonshme dalin këto. P.sh., ishte rasti i një pikture, një portreti. Ky ishte portreti i Ndoc Mazit, portret shumë i bukur. Dhe këtë e ka pas blerë shkolla “Labinoti”
.

Pastaj arriti puna që pas shumë vitesh unë e gjeta te një person, madje ai vetë më lajmëroi mua që kishte një portret timin. Më tha që e kishte blerë diku. Nuk e pyeta më gjatë, por mbeti pa u fotografuar dhe pa marrë ndonjë shënim për atë, por që ishte një portret shumë i mirë dhe madje edhe ai vetë e thotë që e ka një ndër punët shumë të mira.

Po, është edhe me Mihal Durin një kompozim shumë i bukur, madje është i botuar në gazetë. Meqenëse Mihal Duri ka qenë tipograf dhe unë e mbajta në ngjyrën e tipografisë, në grinë e plumbit të gjithë tablonë, por nuk kam asnjë shenjë për atë se ku mund të ndodhet.

Nj jetë në art, duke pikturuar mes dy epokave te artit shqiptar, piktorin e ka ndjekur nje fat disi ndryshe ne marëdhenie me diktaturën dhe diktatorët. 

“Në vazhdën e asaj që mua m’u tha që të merrem kryesisht me heronjtë dhe me pikturat heroike, të këtij subjekti, unë në vazhdim të kësaj mora këtë temë, ku ishte gruaja kryesore dhe vajza që ishte kryesore, që unë mund të bëja një tablo të një natyre tjetër, të një karakteri tjetër. Më kujtohet kur unë e nisa këtë tablo. E nisa ashtu siç kishte ndodhur fakti që kjo u vra në demonstratë dhe këtë e morën para duarve gratë dhe vajzat që ishin atje. Për çudinë më të madhe, mua më kanë ardhur në studio nipat e Mine Pezës. Edhe e kemi bërë edhe këtë bisedë. Pastaj unë e fillova në atë tensionin që pata të dëshirës së madhe për të hedhur ngjyra në telajo. E fillova ashtu siç e mendova, flas për variantin e parë. Dhe kur erdhi puna pastaj, komisioni vendosi që unë të bëj një kompozim tjetër. Madje m’u tha pak a shumë ideja. “Le të jetë ndër duart e këtyre, - më thanë, - por të mos jetë e vdekur, si heroinë”. Edhe e fillova aq të madhe sa ç’ishte letra 3 x 3, në mur e ngjitur. Fillova ta vizatoj. E hodha, madje një shok më ndihmoi, Kujtim Buza, se unë e kam shumë mik Kujtimin. Fillova ta vizatoj direkt në mur dhe i thashë Kujtimit të qëndronte pas, që të shihte se si do t’i dukej. Ai më tha se i pëlqente ashtu siç e kisha, prandaj ta vazhdoja. Mirëpo në atë kohë, Kujtimi ishte edhe sekretari i Lidhjes, i arteve figurative dhe fjala e tij vendoste shpeshherë. Dhe pastaj unë e vazhdova pikturën dhe ajo u pëlqye atëherë në komisionin. Madje në atë komisionin merrnin pjesë edhe nga klasa punëtore, ku edhe ata jepnin mendimet e veta për të krijuar një paanësi, si të thuash, në këtë mes. 
Unë pata me të vërtetë shumë përfitim nga kjo punë, në kuptimin për të qenë i qetë. Jam takuar, që më kanë thirrur, p.sh. me njerëz të mëdhenj të Byrosë Politike të atëhershme ose me Enver Hoxhën, që pata një takim me të.

    Unë e mbaj mend me hollësitë më të mëdha këtë bisedë se kjo pikturë ka qenë e dyshimtë, që të vihej apo të mos vihej në ekspozitë. Kjo ishte shumë e bukur dhe duhej patjetër që ta aprovonte një nga njerëzit e udhëheqjes. Pritej që të vinte Ramiz Alia. Në atë kohë Ramizi kontrollonte vazhdimisht ekspozitat dhe jeptek okejin për sa u përket punëve që ishin varur. 
U diskutua sepse ky kishte, natyrisht nga mendimi im që ky njeri u torturua dhe vdiq në tortura, d.m.th. kishte gjak. Dhe këta e panë pak të dyshimtë sepse është trajtuar në këtë mënyrë, d.m.th. ishte tepër realiste dhe prisnin këtë rast që të vinte Ramiz Alia vetë. Kristaq Rama më thirri dhe më tha: “Mua më pëlqen shumë piktura, por hajde bëj ca korrigjime”.
Shkova unë atje dhe i thashë: “Kristaq unë s’bëj më, në daç vëreni, në daç mos e vini”. Të nesërmen unë dëgjova që kjo punë ishte vënë dhe në darkë pastaj do të bëhej inaugurimi, hapja e ekspozitës. Natyrisht ishte jubilare dhe do të vinin tërë udhëheqja dhe Enver Hoxha. Ndër të tjera, pasi Enver Hoxha e pa të gjithë ekspozitën dhe i dha dorën secilit prej autorëve, pastaj u dha një përfundim aty dhe unë mendova që kjo punë u pëlqye dhe kaloi qetë. Dhe ishte vendosur në sallën kryesore. Aty mua më thërret sekretari i Lidhjes dhe më tha se më kërkonte Enver Hoxha. Shkova atje. Ai doli nga ai formacion ku ishin të tërë këta ministra, a çfarë ishin, më mori me vete dhe shkuam para tablosë. Kjo ka qenë e veçanta atje. Më pyeti: “Ku e more materialin se më bëri shumë përshtypje. Kjo, më krijoi një gjendje të çuditshme. Ke bërë një realizim shumë të mirë. E ke pasur shok ti këtë?”. “Jo”, - i thashë unë. Më tha: “O, ti ke qenë shumë i vogël atëherë, nuk ke pasur mundësi”.

Tani, dihej kjo si figurë sepse ky ishte shok i ngushtë i Ramiz Alisë. Ky në këtë kohë ishte ilegal dhe punonte për veriun. Madje në kontaktin me Ramizin, që ky pati, i tha: “Ramiz, ik, mos më rri këtu, mos të rrimë bashkë. Ti duhet të shkosh nga jugu sepse përndryshe, mua në qoftë se do të më kapin, unë do t’u tregoj se ku je”, gjë që ai nuk e bëri, natyrisht. Madje unë pata edhe një takim me Ramizin, para dy vitesh para se të vdiste dhe e kemi biseduar këtë punë me Ramizin dhe ma ka pohuar vetë që ai i kishte thënë kështu. Dhe Ramizi pastaj kishte ikur nga frika se po të ishin bashkë do të ishte më keq. 
    P.sh. për Qemal Stafën, edhe për Vasil Shanton që shkova në Shkodër dhe u interesova. Madje edhe te “Marubi” shkova dhe pashë edhe fotografitë.

Një nga veprat më të bukura që piktorit i ka humbur, është portreti i mjeshtrit të pictures Zef Kolombi.      

“Duke më pëlqyer ky piktor në pikëpamje të anës formale, siç i themi ne, që unë pashë veprat e tij të riprodhuara, një pjesë janë edhe në galeri, unë mendova që të bëj një portret për këtë. Por mendova të bëj një portret të kompozuar dhe shkova tek i biri, te Xhovalin Kolombi në Shkodër.”, rrëfen Lec Shkreli, duke shtuar se “Di që ky jetoi një periudhë të gjatë në Elbasan dhe atje ky zhvilloi një pjesë të krijimtarisë së tij dhe pastaj u shpërngul dhe vajti në Shkodër. Ai madje është daja i Kristaq Ramës, vëllai i nënës së tij. Në portretin e tij konstatohet për më tepër edhe një farë, si të thuash, mençurie, në qoftë se do ta shikojmë nga ana profesionale, siç na intereson ne që t’i gërmojmë për sa i përket anës psikologjike dhe të jetës së brendshme të tyre. 

Po. Tani kam përshtypjen se duhet ta ketë përmendur edhe Zana Varvarica në atë librin që ka bërë për Kristaq Ramën, d.m.th. për sa i përket traditës së tyre. Portreti nuk është. Edhe ajo pikturë është zhdukur. Po jua tregoj si rast interesant këtë. Këtë e bleu shkolla Pedagogjike, si pikturë. Një ditë unë e gjej këtë pikturë atje. Pata rastin të shkoj te Pedagogjikja dhe e gjej pikturën përtokë. Piktura ishte shkelur me këmbë. Çfarë kishte ndodhur? Ata po lyenin korridoret dhe po lyenin shkollën dhe në vend që të hiqnin pikturat, i lanë në dorë të këtyre bojaxhinjve që po punonin. Madje unë e kërkova këtë pikturë. Mora edhe një letër nga Lidhja e Artistëve, për të më lejuar që unë ta marr dhe ta riparoj dhe t’ua sillja prapë atyre.”-rrëfen Lec Shkreli, duke shtuar se “Me sa di unë është menduar edhe për këtë gjë dhe duket se u bë edhe një ligj, në kuptimin edhe të kësaj që për sa i përket kopjimit të veprave, të shumëfishimit të tyre. Por në qoftë se do të vazhdojë kështu, do të marrë kuptim tjetër pastaj që, ata të cilët do t’i kenë pastaj do të jenë përgjegjës për punët që ata i kanë marrë.”
Në epokën tjetër të krijimtarisë artisti nuk ka ndjerë nevojë të ndryshoje stil.

“Po. Ndryshimi qe vetëm ky: unë subjektin e gjeta sipas dëshirës sime. Mua më pëlqeu që t’i futem traditës në pikëpamje të subjektit. Edhe jam i sigurt për këtë që çdo krijues, çdo artist në botë, duhet të mbështetet te populli i tij. Nuk duhet të mbështetemi ne se çfarë ka bërë ky jashtë e si është moda jashtë. Arti nuk është modë. Arti mund të bëhet edhe siç kanë punuar p.sh. klasikët. Mund të punohet, si të thuash, me kërkesa, por gjithmonë, për mendimin tim, figuracioni duhet të jetë. 

Unë bëra një portret dhe ai madje hapi espozitën, më kujtohet. Ai është i botuar dhe me një kostum, të interpretuar natyrisht, dhe ishte në ekspozitë. Një zadrimore. Më kujtohet, pas pak ditësh nuk ndodhet më në ekspozitë kjo pikturë. Më thonë ata: “Hajde merr paratë se këtë e bleu Alfred Uçi”. Alfred Uçi ishte ministër i Kulturës. U thashë: “Po pse e mori ai këtë? Unë nuk desha që ta shes”. Dhe në kuptimin e kësaj sepse vlerësoheshin pak veprat dhe këtë kisha qejf që ta kisha vetë si vepër, në fondin tim. Alfredi e mori për t’ia dhuruar pastaj në Francë ministrit të Kulturës franceze dhe sipas kësaj që e mori ai, ajo punë duhet të jetë atje.  

Këtu bëhet fjalë për vitet ’75. Ideja ishte sepse kjo u bë si pikënisje që unë të bëj një ekspozitë vetëm me këto nuset dhe bëra një ekspozitë të Galerinë e Artit por pjesërisht, mund të ishte pjesa më e madhe me këto dhe pastaj të tjerat peizazhe e portrete të tjera, por kryesisht ishin këto. Por unë mendova që të bëj një ekspozitë vetëm me këtë subjekt. 

Edhe ajo pikturë është zhdukur, edhe ajo nuk dihet se ku është. Interesantja është se të gjitha këto piktura janë botuar përpara dhe ky është fati i mirë që unë i kam ndër duar ato, përveç asaj që e kam bërë unë veprën, rrëfen Shkreli
Për piktorin që ka vënë gurin e tij në traditën e pictures shqiptare, nuk ka ende një album apo monografi.  “Puna është kështu që një album i veçantë nuk është bërë, i veçantë vetëm me veprat e mia. Por që ndodhem ndër shumë albume, d.m.th. me dy-tri vepra ndodhem. Madje interesantja ishte se unë pata një punë në Akademinë e Shkencave tani vonë dhe më thotë ai sekretari i përgjithshëm: “Do të vish pak në zyrën tonë të shohësh diçka tënden?”. Dhe hapi një album që kishte bërë Maks Velo me ilustrimet, vizatimet dhe skicat e piktorëve të asaj periudhe. Më tha: “Shiko ku i ke edhe vizatimet e tua. Ti përfaqësohesh edhe këtu”. 

Më vjen keq, por të them të drejtën këto albume edhe kushtojnë. E mira do të ishte që në një ekspozitë që hapet, personale p.sh., të shoqërohet edhe me një album, ku të tregohet veprimtaria. Por, të them të drejtën, nuk jam gjetur sponsor dhe e di që është një shumë e madhe që unë nuk e përballoj dot për ta bërë.   

 Po Galeria p.sh., ka bërë për disa piktorë albume, por për ata që ka menduar ajo se duhen bërë. I ka bërë.” -tha piktori Lec Shkreli

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

'Me floririn e Kërrabës ka minierë në Kongo', avokat Beqiri për Ilir Metën: Me akrobacitë majë shtyllës do të thotë se jam i sëmurë psiqik

'Me floririn e Kërrabës ka minierë në Kongo', avokat Beqiri për Ilir Metën: Me akrobacitë majë shtyllës do të thotë se jam i sëmurë psiqik