Lec Shkreli: Si u zhduk 'Portreti i Zef Kolombit' pas viteve ‘90 (FOTO)

Lec Shkreli: Si u zhduk 'Portreti i Zef Kolombit' pas viteve ‘90 (FOTO)

Ja edhe “Portreti i Zef Kolombit” i humbur. Një vepër arti që për vlerat e saj sfidon kohën. Pikturuar nga Lec Shkreli.

Prej më shumë se pesë vitesh, që kur ish-drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Artan Shabani, konfirmoi dhe deklaroi mungesën e rreth 100 veprave në inventarin e fondit të artë të institucionit, ka qenë e pamundur të gjenden. 

Pjesa më e madhe e këtyre veprave, edhe pse gjendeshin në inventarin e GKA-së, ishin shpërndarë për zbukurimin e institucioneve të tjera të vendit si nëpër ministritë, komitetet e partive, nëpër shkolla, etj. Humbjet dhe shkatërrimet e këtyre veprave që bëjnë historinë e arteve pamore shqiptare kanë ndodhur pas viteve ’90.

Ndërkohë, secila prej veprave të artit mbart me vete një histori misterioze të zhdukjes: një pjesë janë shkatërruar, ndërsa të pashkatërruarat rëndom sot trafikohen si antikuarë të rrallë. E këto janë vepra të mjeshtërve të pikturës, të themeluesve të traditës kombëtare, që kanë qenë vlerësuar në kohën e tyre dhe vlerësohen akoma më tepër edhe në kohët moderne, jo vetëm nga kritika shqiptare, por edhe ajo botërore.


Ja, njëri nga humbësit më mëdhenj të veprave të artit është edhe piktori Lec Shkreli. Veprat më të mira të tij, edhe pse janë shumë të njohura si të tilla, të stampuara në pullat postare, revista e librat e kohës, sot gjenden vetëm në imazhin e një fotografie.

Në një intervistë të mëparshme për “Shqiptarja.com”, Lec Shkreli rrëfeu për disa nga kryeveprat e tij të humbura pa gjurmë, ndërsa në intervistën e kësaj here mësojmë se “Portreti i Zef Kolombit” i njërit prej rilindësve të pikturës shqiptare, sicc e quan ai, i Zef Kolombit, ka humbur para syve të tij. Lec Shkreli rrëfen historinë sesi ky portret është keqtrajtuar si një rrangullë e rëndomtë në ish Shkollën Pedagogjike, aty rreth vitit 1992. Lutjet e piktorit për ta marrë në mbrojtje veprën kanë shkuar kot. E historia për një nga kryeveprat e humbura të artit shqiptar të bëra nga piktori Lec Shkreli, zbulon jo vetëm vlerat e një piktori, por edhe rolin e vendin e tij në artin shqiptar. Ndërkohë gjatë intervistës mësojmë se Zef Kolombi, mjeshtri i pikturës shqiptare ka qenë daja i skulptorit të njohur Kristaq Rama. Geni artistik duket se është përcjellë brez pas brezi në familjen Rama, ku piktori rishfaqet më pas tek i biri i Kristaq Ramës, aktualisht kryeministri i vendit. 

Kush ishte Zef Kolombi

Zef Kolombi lindi në Sarajevë më 3 mars 1907. I ati Gjoni, i ardhur nga qyteti i Shkodrës si emigrant ekonomik, pronar i një restoranti të vogël, ishte martuar me sllovenen Stefani Hajdovnik, me të cilën pati dy fëmijë: Verën (1905) dhe Zefin. Shumë shpejt Kolombi mbetet jetim, i vdesin të dy prindërit. Ata u rritën me përkujdesjen e gjyshes nga babai Nusha në Shkodër. Pas vdekjes së gjyshes për Verën dhe Zefin  u kujdes nuni i tyre Sokrat Shkreli. Përpjekjet e tij për shkollim dhe dashuria për pikturën janë një aventurë më vete. Ai si emigrant në Romë dhe si jetim pa asnjë përkrahje bëri të gjitha sakrificat për shkollimin e tij. Më në fund në vitin 1929 - 1933 Kreu studimet për pikturë në Akademinë e Arteve në Romë, Itali, duke përfituar  një bursë studimi shqiptare nga Nëna Mbretëreshë. Gjatë studimeve në Romë krijoi veprat: "Nudo" vaj(1931), "Pamje nga Roma" vizatim me penë (1931), "Grua nudo e shtrirë", "Grua  nudo e ulur " etj. Ai kthehet në Shkodër dhe më pas punon si mësues i vizatimit në Shkollën Normale, Elbasan. Zef Kolombi, realizoi mjaft tablo me imazhe nga rrugët e qytetit të Elbasanit, peizazhe nga Durrësi, natyra të qeta, etj, që përbëjnë dhe koleksionin kryesor të krijimtarisë së ruajtur të piktorit. Në këtë grup veprash të realizuara nga Kolombi, bëjnë pjesë tablo të tilla të njohura si "Portret plake" vaj (193 7), "Tufë me trëndafila" vaj (1940) etj. Në Galerinë Kombëtare ndodhet një koleksion prej 33 veprash të autorit, ndërsa 4 vepra janë pjesë e koleksionit të Galerisë së Arteve, Shkodër.

Profesor Shkreli, ju keni autori i “Portretit të Zef Kolombit”, piktorit të shquar, që konsiderohet ndër të tjera edhe një nga themeluesit e traditës së pikturës shqiptare në fillimet e shekullit të 20-të. Si e keni njohur këtë piktor?

-Zef Kolombi i takon rilindjes shqiptare dhe konsiderohet si piktor i asaj periudhe, siç kanë qenë edhe Kolë Idromeno, Abdurahim Buza, Odhise Paskali, me radhë Spiro Ceka para tij. Por, Zef Kolombi ka pasur një rol shumë të madh në këtë mes si piktor dhe në pikturat e tij gjejmë: jo vetëm një shkollë shumë të mirë, shumë profesionale, por me një ide interesante me krijimtarinë, duke filluar që nga natyrat e qeta, e me portretet dhe kompozimet e tij. Unë, kur e bëra portretin e këtij artisi, u interesova sigurisht për të ditur mbi jetën e tij, dhe mësoj se në fakt ai ka jetuar në Elbasan, atje për shumë vite pune dhe bëri pjesën më të madhe të krijimtarisë, edhe pse ka qenë i sëmurë, sepse gjendja e tij shëndetësore nuk ka qenë e mirë. Por çfarë është më kryesorja që mua, që më orientoi tamam, ishte fakti që shkova në Shkodër dhe takova të birin, sepse Zef Kolombi vitet e fundit të jetës ishte shpërngulur në Shkodër. I biri quhej Gjovalin Kolombi. Pra, në njerëzit e tij të familjes është edhe Kristaq Rama, që është i nipi. Pra, në qoftë do të shohim sesi më ka folur i biri për të atin, mësova shumë mbi jetën e tij, vuajtjet e tij dhe për përpjekjet që ka bërë për shkollimin dhe krijimtarinë, së cilës nuk iu nda deri në ditët më të fundit të jetës.

Sapo mësuam edhe një lidhje gjenetike mes artistësh të njohur. Gjë që nuk e dinim. Ju sapo më thatë që skulptori i njohur Krsistaq Rama ishte nipi i Zef Kolombit, pra e kishte dajë. Si mund të na i rrëfeni ndryshimet apo ngjashmëritë stilistike mes dy artistëve, piktorit Kolombi e skulptorit Rama?

-Kristaqi, për shembull, ka lindur në Durrës dhe dihet se në jetën e piktorit ndikon edhe jeta që ka bërë dhe vendi ku ka jetuar. Dhe shkollën e mesme e ka bërë në Durrës. Më pas, shkoi për studimet e larta në Leningrad (Peterburg), dhe natyrisht ai u transferua në Tiranë, sepse shfaqi talentin në skulpturë dhe u punësua në Ministrinë e Kulturës. Por atij i pëlqente liria artistike, dhe siç më ka thënë edhe vetë Kristaqi, ai donte të bënte profesionin e tij të artistit. Dhe doli në krijimtari të lirë pas kësaj detyre. Por edhe trashëgimia gjenetike është shumë e vërtetë, sepse duke parë artin e Kolombit ishte kjo një e dhënë për artet figurativë që vinte e trashëguar në familje. Talentin për pikturën e ka trashëguar edhe i biri i Kristaqit, kryeministri ynë aktual, Edi Rama.

Ndërsa arti i Zef Kolombit shihet në një këndvështrim tjetër. Për shembull, Kolombi vetë ka një “Autoportret”  të vetin që është shumë interesant dhe disa vepra natura morte që i ka Galeria e Arteve. Disa prej tyre kanë qenë vepra të sjella më vonë në GKA. Kur Zef Kolombi jetonte në Elbasan, disa vepra të tij ia ka dhuruar një mikut të tij. Kanë qenë shumë miq, dhe për çudi i bie të jetë gjyshi i Andi Bejtes një gazetar i njohur sot. Dhe i ati i Andit i mori këto vepra dhe ia shiti Galerisë Kombëtare të Arteve, e ato tashmë janë në fondin e saj si vepra përfaqësuese të stilit të veçantë të Zef Kolombit. Sigurisht aftësitë për të bërë art janë të përbashkëta në lidhjet familjare midis Kristaq Ramës dhe Zef Kolombit, por stili i dallon ata të dy si artistë të mëdhenj në secilin zhanër të krijimtarisë; njëri në pikturë e tjetri në skulpturë.

Kur ka ndërruar jetë Zef Kolombi?

Zef Kolombi ka vdekur në moshë të re dhe ka jetuar vetëm pak vite pas çlirimit të vendit. Ai ndërroi jetë në Shkodër pas transferimit të tij, por atje në Elbasan ka lënë veprën më të mirë, ka bërë krijimtarinë më të mirë të tij, sepse atje ishte edhe më mirë nga ana shëndetësore.

Çfarë tipari ka piktura e Zef Kolombit, çfarë  dallon në mënyrën sesi luan me ngjyrën apo për lëvrimin e gjinive të pikturës.?

-Zef Kolombi punoi në të gjitha gjinitë e pikturës , në peizazh, ku atë prapë e gjejmë në GKA, ku ka “Autoportretin” e tij dhe një portret të të birit, mendohet edhe një tjetër i të birit si kompozim. Ka natyra të qeta, dhe motive popullore.

Për ju, Zef Kolombi ka qenë një pararendës i artit apo edhe një mësues që ju nuk e takuat kurrë fizikisht, përse u frymëzuat nga ai duke i bërë një portet të vlerësuar jo pak në kohën kur u krijua, sepse gjendet në revistat artistike të kohës, në ilustrimet e librave e shumë më gjerë?

-Unë në rrugëtimin si piktor jam përqendruar tek portretet e figurave të mëdha apo të njohura të vendit dhe në atë kohë përcaktohesha si i prirur për të bërë portretet e personaliteteve. Por ka qenë edhe stili dhe tema ime e preferuar. Kur isha në Liceun Artistik unë kisha dëshirë të shpërtheja më tablo të mëdha, sidomos me temat historike me Skënderbeun, me heronjtë e tiparet e tyre të një personaliteti të lartë. Dhe bëra dhe kompozime në dimensione të vogla, prova në ato kohë, dhe më vonë pastaj unë u përfshiva në Lidhjen e Artistëve dhe krijuesve të kohës. Dhe unë kam punuar shumë, cc’është e vërteta. Jam një nga piktorë që kam punuar shumë dhe kam prodhuar shumë vepra.

Si bashkëbisedonit me kolegët e kohës suaj rreth tyre. Me kë ishit më i afërt në diskutimet rreth artit?

-Kam pasur komunikim me Abdyrrahim Buzën, sepse ishte shumë i thjeshtë në komunikim. Umë edhe sot i mbaj lidhjet me të birin Kujtim Buzo, por piktura e Abdyrrahim Buzos ishte si brilant me shumë ngjyra. Madje ai bënte një krahasim të tillë për pikturën: “Dua që shikuesit të qëndrojnë para pikturës sime si para vitrinës që shet sheqerka, të ketë shumë ngjyra dhe shumë ndriçim.”, thoshte ai. Dhe na mësoi shumë për sa i përket drejtimit koloristik. E kështu mbetëm edhe miq shtëpie. Këto marrëdhënie qoftë edhe me të tjerë, ishin copëza të jetës time artistike. Ata më vlerësonin dhe unë jam thirrur nga Enver Hoxha për ta takuar falë vlerësimit të tyre, të Kristaqit e gjithë brezit të tij. Ai më pa një pikturë të realizuar për heronjtë. Enver Hoxhës i pëlqeu shumë dhe ai duke parë momentin se kjo punë u bë shumë e njohur, me interes, atëherë e tha edhe me gojë vetë, ia tha sekretarit të lidhjes: -“Lec Shkreli të merret me figurat e njohura.” Dhe fill pas kësaj unë bëra Qemal Stafën e Vasil Shanton. Në një moment kur ata po dilnin nga gjyqi. Kjo vepër ishte në galeri, por ka humbur.

Po me Kristaq Ramën kishe marrëdhënie si profesor apo si koleg?

-Profesor nuk e kam pasur, por ai më vinte dhe në studio si koleg. Kur kisha nevojë për zgjidhje nga ana e kompozimit, unë pyesja edhe Kristaqin. “-Kristaq si mendon ti?”. Ka pasur raste që ai më thoshte mos e bëj këtë temë se nuk dihet si shkon puna. Kështu ai më bënte të kuptoja se s’dihet si venë punët me censurën dhe ikën kot për një pikturë.

Le të kthehemi sërish tek Zef Kolombi, që ju vetë e quajtët një rilindës të pikturës shqiptare. Më treguat se  portreti që keni bërë për të ka humbur në një nga institucionet e shtetit, nga cili institucion. Si ka ndodhur?

-Ishte shkolla pedagogjike që kishte ndryshuar atë rregullin dhe disiplinën që kishte më parë, kishte ndryshuar shkolla me sa kujtoj, nuk e di mirë se ç’bëhej atje, pas viteve ‘90. Më duket se zhvillohej një shkollë kualifikimi. Dhe këto piktura ishin të varura në korridoret e shkollës nga vitet ‘90-‘92. Dhe meqë po lëvizeshin nga korridoret, disa nga veprat ishin ruajtur se ishin në material kompensate, ndërsa “Portretin e Zef Kolombit” e gjeta që e kishin hedhur e tokë bojaxhinjtë dhe e merrnin përpara me një grumbull rrangullash. Dhe unë u mërzita kur e pashë në atë gjendje dhe u thashë që të ma jepnin që ta restauroja. Dhe me shumë përpjekje mora edhe një shënim nga Lidhja e Artistëve dhe Shkrimtarëve për ta marrë veprën për restaurim. Por edhe LSHA në atë kohë po shkonte drejt degradimit dhe do të mbyllej. Ata ma thanë shënimin, por në institucion nuk ma dhanë në asnjë mënyrë këtë vepër. Dhe kjo pikturë ishte bërë e njohur në atë kohë. Ishte ekspozuar në revista e kudo e bënin vazhdimisht të njohur. Kështu që kjo pikturë nuk u mor vesh kurrë se ku shkoi...!




/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/Mbledhja e këshillit bashkiak në Himarë, banori pështyn në fytyrë Vangjel Tavon

VIDEO/Mbledhja e këshillit bashkiak në Himarë, banori pështyn në fytyrë Vangjel Tavon