'Lefter Alla s'ka konsumuar kokainë', reagon PD: Përveç drogës, çfarë merret tjetër me hundë?

'Lefter Alla s'ka konsumuar kokainë', reagon PD: Përveç drogës, çfarë merret tjetër me hundë?

Ish deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka ka reaguar në lidhje me daljen negative të analizave për konsumim të lëndëve narkotike për kryebashkiakun e Bulqizës, Lefter Alla. Noka ka akuzuar kryeministrin Rama dhe ministrin Lleshaj se kanë ndërhyrë tek analizat e policisë shkencore për të nxjerrë negativ rezultatin. Noka i drejton një pyetje Ramës duke i thënë që të dalë e të sqarojë se çfarë merret tjetër me hundë dhe ngjan me një vizë të bardhë?

'Skena që kemi parë është kjo: kryebashkiaku i Bulqizës, me anë të një karte, bën gati 2-3 viza të holla të bardha në një pjatë. Ul kokën, thith me hundë nga e majta në të djathtë masën e bardhë të përgatitur. Pyetjes se çfarë po thithte kryebashkiaku i Bulqizës, qytetarët iu përgjigjën: kokainë. Pyetjes a po merrte kokainë kryebashkiaku i Bulqizës, i emëruar nga Edi Rama, policia shkencore e Sandër Lleshajt, i emëruar nga Edi Rama, iu përgjigj: Nuk është ashtu siç duket. Kryebashkiaku që lëviz kokën nga e majta në të djathtë duke thithur me hundë një lëndë të ndarë në viza të bardha, nuk po konsumon kokainë. Për të shpjeguar këtë arritje të re të policisë shkencore të Edi Ramës, duhet të na vijë në ndihmë Edi Rama. Ai duhet të na ndihmojë me përgjigjen e pyetjes: Përveç kokainës, çfarë merret tjetër me hundë dhe ngjan me një vizë të bardhë?!', shkruan Noka në një reagim në Facebook.

Ish deputeti demokrat ka hedhur edhe akuza ndaj SPAK pasi kërkoi të kryente analizat e urinës, që tregojnë gjurmët e kokainës deri në 2 javë pas konsumimit të fundit dhe jo fijen e flokut që tregon edhe nëse ke qenë përdorues i hershëm i saj.

'Po SPAK si e priti këtë rezultat? Ashtu siç e kishte llogaritur: nuk është ashtu siç duket. SPAK urdhëroi analizat e urinës, që tregojnë gjurmët e kokainës maksimumi deri në 2 javë pas konsumimit të fundit, në vend që të urdhëronte testin me fije floku, që tregon gjurmët e kokainës, edhe kur ajo është konsumuar prej vitesh.  “Nuk është ashtu siç duket”- është moto me të cilën qeveris Edi Rama, edhe kur e kapin në flagrancë me kokainë, edhe kur e kapin duke vjedhur vota, edhe kur e kapin duke vjedhur me tendera e koncesione', shkruan Noka.

Partia Demokratike akuzoi Lefter Allën për konsumim droge në një lokal ku shfaqi dhe një video si provë. Vetë Alla hodhi poshtë akuzat dhe tha se ajo është montazh. Report TV mësoi në mënyrë ekskluzive se përgjigja e analizës pranë laboratorit të policisë shkencore për praninë në drogë në urinë dhe gjak të Lefter Allës ka dalë negative, ku pritet që dhe SPAK të pushojë hetimet për këtë akuzë.

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kryeministri i Ukrainës paralajmëron rrezikun e Luftës së Tretë Botërore

Kryeministri i Ukrainës paralajmëron rrezikun e Luftës së Tretë Botërore