Legalizimet, si nis procedura, dokumentet që duhen

Legalizimet, si nis procedura, dokumentet që duhen

Nga emisioni "Kendi i Ekspertit" ne Report TV

Emisioni “Këndi i Ekspertit” në Report TV nën drejtimin e gazetares Valbona Mhilli ka pasur të ftuar, përgjegjësen e sektorit juridik pranë Drejtorisë Qendrore të ALUIZNI-t, Lindita Kareco. Drejtuesja e sektorit juridik të ALUIZNI-t ka sqaruar disa problematika shumë të rëndësishme për qytetarët. Ajo ka shpjeguar me detaje se çfarë duhet të bëjnë qytetarët kur kanë probleme me procedurat e legalizimit për faj të ndërtuesve. Po kështu ekspertja Kareco ka shpjeguar procedurën e përgjithshme dhe dokumentacionin e nevojshëm që duhet të kenë qytetarët për të legalizuar një objekt.

Si po vijon procesi i legalizimit për ato pallate, ku leja e ndërtimit është shkelur nga ndërtuesit e tyre? Kush duhet të merret me mbledhjen e dokumenteve, qytetarët apo ndërtuesit?

Kjo është një pyetje që bëhet vazhdimisht, jo vetëm në sportelet e pritjes së qytetarëve, në të gjitha zyrat e ALUIZNIT në të gjithë territorin e Shqipërisë, por njëkohësisht edhe në kërkesat e vazhdueshme që sjellin qytetarët nëpërmjet shërbimit postar. Është një problematikë tashmë e njohur, për shkak të shtrirjes që ajo ka, është një fenomen i cili është hasur vazhdimisht. Bëhet fjalë për një kategori ndërtimesh, pallate, siç quhen në gjuhën e përditshme, të cilat për një arsye ose për shumë arsye, për shkak të problematikave komplekse që ato kanë, poseduesit e apartamenteve nuk kanë arritur të pajisen me certifikatë pronësie. Kjo ka ndodhur ose për shkak të mosinteresimit të ndërtuesit apo të investitorit, ose për shkak të faktit që ndërtuesi apo investitori është në kushtet e falimentit, pra shoqëria tregtare tashmë nuk ekziston si shoqëri ndërtuese, dhe si e tillë, mosinteresimi i tyre penalizon qytetarët. Janë pikërisht ata qytetarë, që në fund fare, kanë lidhur një kontratë porosie me investitorin dhe kërkojnë që të pajisen me një certifikatë pronësie. Është një e drejtë e tyre legjitime, për të disponuar pasurinë që ata e posedojnë me një dokument të rregullt, me një certifikatë pronësie. Pra, finalizimi i të gjitha veprimeve, i detyrimeve që ata kanë kryer për të marrë këtë objekt, këtë apartament në posedim të tyre kundrejt pagesës që i kanë kryer investitorit, kërkojnë që të finalizohet duke e regjistruar pronën në hipotekë. Pikërisht, për të zgjidhur këtë lloj ngërçi, ose për t’i dhënë një zgjidhje këtyre situatave, kësaj kategorie që nuk është e pakët, për shkak të shtrirjes që ajo paraqet, në fillim të vitit 2017, me iniciativën e ALUIZNIT, u bë një propozim nga ish-Ministria e Zhvillimit Urban, pranë Këshillit të Ministrave, për miratimin enjë vendimi të posaçëm, që është Vendimi nr. 19, janar 2017. Nëpërmjet kësaj VKM-je, i hapej rruga mundësisë së certifikimit të këtyre pasurive. Ku konsistonte kjo? Në rastin kur ndërtuesit apo investitori ndodhet në kushtet e falimentit, të mosinteresimit për plotësimin e një dokumentacioni tekniko-ligjor i kërkuar nga ALUIZNI, dhënia e një afati të caktuar ligjor që ishte rreth 30 ditë, ose për shkak të pezullimit të aktivitetit të kësaj kompanie apo shoqërie të ndërtuesit, të paktën për rreth një vit, dhe kjo verifikohej pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, atëherë i jepej mundësia poseduesve të apartamenteve që të paraqiteshin pranë ALUIZNIT, për të depozituar disa dokumente thelbësore për vijimin e procedurave të legalizimit në emër të banorëve. Cilat janë dokumentet që duhen paraqitur? Kjo është në interes të banorëve. Dy janë dokumentet thelbësore. Pra, në momentin që plotësohet afati 30-ditor dhe shoqëria ndërtuese nuk i përgjigjet thirrjes së ALUIZNIT për të depozituar dokumentacionin e kërkuar, atëherë, pas evidentimit faktit në terren të apartamenteve që posedohen nga banorët, bëhet publikimi ose afishimi i listës së këtyre banorëve në ambientet e pallatit ku ata banojnë, në faqen zyrtare të ALUIZNIT apo në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të ALUIZNIT, duke u bërë thirrje qytetarëve që të paraqiten pranë zyrave të ALUIZNIT për të depozituar dokumentin që vërteton marrëdhënien juridike-civile që ka me shoqërinë ndërtuese apo investitore. Në rastin konkret, është kontrata e porosisë, mund të jetë premtim shitjeje, apo mund të ketë edhe formulime të ndryshme. Thelbi është që ekziston kjo marrëdhënie juridike e ndërtuesit me banorët. Ky është dokumenti i parë thelbësor. Duhet gjithashtu një certifikatë familjare e poseduesit dhe njëkohësisht karta e tij e identitetit. Ky është dokumentacioni paraprak ligjor që duhet të depozitohet. Dokument tjetër i rëndësishëm, i cili i përket një faze të dytë, më të vonshme, kur fillojnë procedurat në emër të banorëve, është edhe akti i qëndrueshmërisë konstruktive të objektit, çka do të thotë që banorët duhet t’i përgjigjen detyrimit për të depozituar pranë ALUIZNIT një dokument teknik, për të provuar që ky pallat ka qëndrueshmërinë e duhur konstruktive. Dhe kjo kuptohet që nuk mund të bëhet nga banorët, por duhet të pajtohet një ent i licencuar, i cili në mënyrë teknike, duhet të provojë që qëndrueshmëria konstruktive e këtij objekti është e tillë që të mund të vijohet me procedurat e duhura.

Në rast se një banori i mungon njëri prej këtyre dokumenteve, si duhet të veprojë?

Dokumenti i aktit të qëndrueshmërisë së objektit, është një dokument që do të përgatitet nga një subjekt i licencuar, që nuk ka lidhje me banorët, por që gjendet nga banorët. Detyrimi gjithashtu duhet të përballohet nga banorët, por që nuk lidhet me një dokument vetjak që ka banori. Ndërsa kontrata e porosisë është dokumenti bazë me të cilin ai duhet të provojë lidhjen midis subjektit ndërtues dhe personit në vetvete. Në të kundërtën i bie që ai të ketë poseduar një apartament pa një dokument që të verifikojë veprimin juridik.

Qytetarët që duan të nisin procedurat e legalizimit, ku duhet të referohen për të bërë deklarimet e tyre dhe me çfarë dokumentesh duhet të jenë të pajisur?

Ju me siguri i referoheni rastit kur qytetari asnjëherë nuk është paraqitur pranë zyrave të legalizimit. Pra, e ka një aplikim për herë të parë. Procedura është shumë e thjeshtë. Në rast se flasim për një qytetar, i cili për një arsye apo për shumë arsye nuk ka pasur mundësi që të aplikojë brenda afatit të caktuar për aplikim, ose publikimeve të herëpashershme që bënte ALUIZNI për t’u paraqitur pranë sporteleve të tij, që të bëhej kërkesa për përfshirjen në procedurat e legalizimit, ndryshimet e fundit në Vendimin nr. 589, i kanë dhënë mundësinë një kategorie qytetarësh, të cilët për shkak të kësaj pamundësie nuk janë paraqitur deri tani, të drejtohen pranë zyrave të ALUIZNIT dhe të paraqesin një kërkesë për përfshirjen në procedurat, çka nënkupton që kjo vlen për të gjitha ato subjekte që paraqiten për herë të parë, jo për subjektet që kanë aplikuar më herët dhe kërkojnë të informohen në lidhje me ecurinë e procedurave. Në këtë fazë, dokumentacioni që duhet është bërja e kërkesës për përfshirje në procedurë dhe i vetmi kusht i domosdoshëm për të pasur mundësi që të konsiderohet subjekt vetëdeklarues për legalizim, është koha e ndërtimit, pra, kur është kryer ky ndërtim nga ana subjektit. Ka një afat dhe ky afat lidhet me datën 27.06.2014. E theksoj për arsye sepse të gjitha ndërtimet që janë kryer pas këtij afati ligjor, nuk merren d.m.th. nuk u jepet mundësia subjekteve të përfshihen në legalizim. Është shumë esenciale. Pra, në qoftë se ndërtimi është bërë përpara këtij afati, pra para datës 27.06.2014, subjekti bën kërkesën për përfshirje, bëhet verifikimi nga ana e punonjësve të ALUIZNIT nëse ky objekt është për t’u përfshirë në procedurat e legalizimit, dhe në këtë moment e njofton qytetarin që të paraqitet pranë sporteleve të ALUIZNIT me dy dokumente kryesore: kopja e kartës së identitetit, certifikata e gjendjes familjare në momentin e vetëdeklarimit dhe katër fotografi të objektit. Njëkohësisht plotëson edhe një deklaratë që quhet deklarata e vetëdeklarimit, dhe kjo konsiderohet si një dokument paraprak për t’i dhënë mundësinë qytetarit që të konsiderohet subjekt aplikues për legalizim.

Si duhet të veprojnë qytetarët që njoftohen në media dhe nga format e tjera të informimit publik, se u ka dalë leja e legalizimit?

Tashmë ekzistojnë të gjitha mjetet e informimit, çka do të thotë që në momentin që lëshohet leja e legalizimit në emër të një subjekti, kuptohet që detyrimi i ALUIZNIT është që të njoftojë subjektin, që duhet të paraqitet pranë sporteleve të ALUIZNIT për të tërhequr lejen e legalizimit. Mjetet e komunikimit dhe të informimit tashmë janë të njohura. Mund të bëhet komunikimi nëpërmjet telefonit, bëhet nëpërmjet shërbimit postar, pra mund të bëhet me të gjitha format e komunikimit, të cilat njihen me ligj. Por, megjithatë, në momentin kur subjekti nuk arrin që ta marrë këtë njoftim, atëherë bëhet ky lloj afishimi, qoftë në faqen zyrtare të ALUIZNIT, në ambientet e ALUIZNIT, pranë njësive të qeverisjes vendore apo njëkohësisht edhe nëpërmjet medias. Subjekti merr njoftimin që leja e legalizimit është gati, prandaj nuk duhet që të humbasë kohë. Me dokumentin identifikues duhet të paraqitet pranë sporteleve të ALUIZNIT për të tërhequr lejen e legalizimit.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Drejtesi: 30/05/2018 19:31

    Bukur flet por problemi qendron kur paraqitesh tek ekspertja,ta ben mire ekspertizen

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet