Legalizuan 3 vila të paqëna në Farkë, Arben Reli e 2 zyrtarë në hetim nga prokuroria

Legalizuan 3 vila të paqëna në Farkë, Arben Reli e 2 zyrtarë në hetim nga prokuroria

Legalizimi i tre vilave të pandërtuara në zonën e Farkës dhe një lokali në zonën e ish-bllokut nga biznesmeni Arben Reli, ka sjellë hapjen e një dosje penale në prokurorinë e kryeqytet, e cila pritet që në ditët në vijim të marë 3 të pandehur. Momentalisht Afrim Ismaili, një ish-drejtor i Drejtorisë së ALUIZNI Tirana-Rurale, është shpallur në kërkim me vendim gjykate, dhe prej gati 3 muaj ende nuk është arrestuar nga policia e kryeqytetit. Ismaili në cilësinë e drejtorit të ALUIZNI-t dhe një ish-përgjegjësi i hartografisë dhe i përpunimit të informacionit gjeografik, në Zyrën e ALUIZNI-t Tirana-Rurale Sokol Ismaili, janë duke u hetuar nga prokuroria e Tiranës për Shpërdorim detyre dhe “Falsifikim dokumentash”.

Në muajin maj 2019 gjykata e Tiranës ka caktuar në mungesë masën e sigurisë “arrest me burg” për Afrim Ismaili, i cili sot e kësaj dite ende nuk është arrestuar nga policia e kryeqytetit.

”Shqiptarja.com” mëson se dy zyrtarët e lartë të ALUIZNI-it,kanë legalizuar katër objekte ndërtimore të cilat zotërohen nga biznesmeni Arben Reli, ku tre nga këto objekte nuk kanë ekzekutuar fare. Pra janë legalizuar para se ato të ndërtoheshin. Për këto shkelje të rënda, prokuroria e Tiranës ka marë nën hetim dhe biznesmenin e ndërtimin Arben Reli, i cili njihet si një nga investitorët në ndërtimin e vilave në zonën e Farkës. Pritet që në ditët në vijim prokuroria e kryeqytetit të marë të pandehur Afrim Ismaili, Sokol Ismailin dhe biznesmenin Arben Reli dhe çështjen penale kundër tyre ta dërgojë për gjykim. Hetimi ka zbuluar se biznesmeni Reli ka përdorur dy emrat e djemve të tij për të bërë vetëdeklarimin në zyrën e ALUIZNI-it dhe më pas ka vijuar procedurat në kundërshtim të hapur të ligjit dhe rregullores, për legalizimin e objekteve që në fakt nuk ekzistonin fare në teren.

Ja si u legalizuan 3 vila të paqëna në zonën e Farkës

Nga hetimi dy vjeçar i kësaj çështje ka rezultuar se punonjës pranë Drejtorisë së ALUIZNI-t Tirana-Rurale, kanë kryer shkelje në procedurën e legalizimit të ndërtimeve pa leje, për subjektet vetëdeklarues Anri Arben Reli dhe Esli Arben Reli, por edhe personave të tjerë. Nga shqyrtimi i procedurës administrative të ndjekur për legalizimin e objekteve të mësipërme pa lejë,rezulton se ka pasur shkelje të kushteve dhe të kritereve ligjore gjatë trajtimit të kësaj dosjeje legalizimi në Njësinë Administrative Farkë.Sipas dokumentacionit ka rezultuar se janë pajisur me leje legalizimi 3 objekte, të cilat në kohën e dorëzimit të dokumentacionit nga subjekti vetëdeklarues për legalizim, nuk kanë qenë të ndërtuara fare. Gjatë auditimit, pra kontrollit të dosjes për legalizim të ndërtimit informal të vetëdeklaruar nga Esli Arben Reli dhe Anri Arben Reli është konstatuar një dokumentacion tekniko-ligjor,jo i plotë. Por, lidhur me këto 3 objekte,rezulton se ato janë legalizuar nga Zyra e ALUIZNI-t Tirana-Rurale, kur në momentin e vetë-deklarimit kanë qenë objekte të pandërtuara. I kontaktuar në telefon nga “Shqiptarja.com” biznesmeni Arben Reli tha se në kohën kur janë legalizuar objektet, ato ishin ndërtuar në Farkë.

Por të kundërtën pretendon prokuroria që ka në hetim dosjen penale. Nga verifikimi i kryer në produktin fotogrametrik të vitit 2015,i përfituar nga fotografimi ajror digjital i territorit, administruar nga Drejtoria e Përgjithshme e ALUIZNI-t, si edhe nga imazhi satelitor ajror (Google Earth), ka rezultuar se nga 16 ndërtime të pajisura me leje legalizimi, 3 prej të cilave ndodhen në anën perëndimore,nuk kanë qenë të ndërtuara deri në datën 27 qershor 2014, fakt i cili vjen në kundërshtim ligjin për legalizimin e objekteve dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.589 të datës 10 shtator 2014. Ndërkohë çertifikatat e gjëndjes familjare janë të datës 18 tetor 2016 dhe nuk tregojnë gjëndjen familjare të vetë-deklaruesve Esli Reli dhe Anri Reli, të cilët janë djemtë e biznesmenit Arben Relit, në momentin e dorëzimit të deklaratës, e cila është bërë në datën 17 shtator 2015.

Gjithashtu është konstatuar edhe mosplotësimi i rubrikave të formularëve nga personat përgjegjës të përcaktuar sipas ligjit. Personat përgjegjës që e kanë pasur detyrë funksionale verifikimin e objekteve,janë grupi i terrenit, të cilët bëjnë verifikimin e objektit në terren, përgjegjësi i sektorit të hartografisë dhe i fundit është titullari i ALUIZNI-t Tirana-Rurale.Sipas procedurave ligjore në fuqi, nuk mund të legalizohet një objekt,i cili në momentin e vetë-deklarimit nuk ka qenë i ndërtuar.

Objekt i ligjit të legalizimeve, janë vetëm objektet e ndërtuara pa leje brenda datës 27 qershor 2014. Pas këtij afati, ndërtimet apo shtetsat në objektet pa leje nuk legalizohen. Përfundimisht këto objekte të ndërtuara pa leje nuk kanë qenë të ndërtuara në momentin e vetë-deklarimit nga subjekti vetë-deklarues dhe janë legalizuar nga ish-drejtuesi i Zyrës së ALUIZNI-t Tirana-Rurale, nga personi nën hetim Afrim Ismaili dhe verifikimet në terren janë bërë nga ish-përgjegjësi i hartografisë dhe i përpunimit të informacionit gjeografik, në Zyrën e ALUIZNI-t Tirana-Rurale, personi nën hetim Sokol Ismaili.Leja e legalizimit nr.7003232, datë 28 tetor 2016,në emër të vetëdeklaruesve A.Arben Reli, E.Arben Reli dhe Arben Reli, për “objektin” është dhënë në shpërdorim të hapur të detyrës.

Legalizimi i lokalit tek ish-blloku

Në vijim të veprimeve hetimore, referuar vendimit të sekuestrimit të datës 9 prill 2019, policia gjyqësore ka sekuestruar dosjen e plotë me dokumentacionin përkatës,që ka shërbyer për legalizimin e objekteve të sipërcituara,në cilësinë e provës materiale në zyrat e ALUIZNI-t, Tirana-Rurale.Njëherësh është studjuar nga ana e prokurorisë dhe një kallëzim penale që biznesmeni Arben Reli, ka depozituar në prokurori. Në këtë material, Arben Reli ka kallëzuar penalisht përmbaruesin gjyqësor Lefter Canaj, me pretendimin se ky i fundit, pasi është paraqiturnë datën 21nënëtor 2018 te lokali që ka biznesmeni në rrugën “Vaso Pasha” në ish-bllok,ka kërkuar lirimin dhe dorëzimin e objektit,të pronës, pa pasur një vendim gjyqësor kundër Arben Reli.Sipas pretendimeve të Relit, përmbaruesi ka liruar me forcë pronën e paluajtshme, konkretisht objektin bar-kafe, që ndodhet e ndërtuar mbi truall, dhe ky objekt është i legalizuar.

Po kështu Arben Reli pretendon se përmbaruesi gjatë lirimit të pronës u ka paraqitur një vendim të Gjykatës së Tiranës, në 9 nëntor 2018,me anën e të cilit ishte marrë një masë sigurimi për lirimin e menjëhershëm të pronës ngaArtan Aliaj.Sipas kallëzuesit këtu qëndron edhe shkelja e përmbaruesit, pasi vendimi i gjykatës së mësipërme nuk i drejtohet Arben Relit, por shtetasit Artan Aliaj. Referuar dokumentacionit të administruar në këtë fashikull hetimorka rezultuar se leja e legalizimit me nr. 800001, viti 2016, e lëshuar nga ALUIZNI, pas verifikimeve të kryera në bazën e të dhënave të Drejtorisë së ALUIZNI-t Tirana-Rurale nuk rezulton të administrohet kjo praktikë e legalizimit për lejen e legalizimit me nr. 8000001, nëntor 2016, në emër të subjektit Arben Gani Reli.Kjo leje legalizimi nuk figuron as në librin e protokollit të këtij institucioni.

Gjithashtu nuk rezulton deklarata për përfshirjen në procedurat e legalizimit të shtetasit Arben Reli. Por gjatë verifikimit të dokumentacionit për objektin informal në fjalë, nga verifikimi në terren, në datën 3 dhjetor 2018 rezulton se ky objekt ishte prishur dhe nuk plotësonte kushtet për legalizim. Aq më tepër që kjo praktikë legalizimi nuk ka pasur asnjë dosje të rregjistruar në zyrat e ALUIZNI. Nga sa më sipër, rezulton se ka dyshime të forta që Afrim Ismaili dhe Sokol Ismaili, kanë konsumuar veprat penale “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Shpërdorim i detyrës”,duke legalizuar 3 objekte, të cilat nuk kanë qenë të ndërtuara në kohën e dorëzimit të dokumentacionit.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Policia plan masash kundër kultivimit të kanabisit, kontrolle në gjithë territorin! Guardia di Finanza me monitorim nga ajri

Policia plan masash kundër kultivimit të kanabisit, kontrolle në gjithë territorin! Guardia di Finanza me monitorim nga ajri