Leskoviku, jo më një “gur i thatë” 
destinacion i lakmueshëm turistik

Leskoviku, jo më një “gur i thatë” <br />destinacion i lakmueshëm turistik
Në fakt destinacioni i vërtetë ishte Borova. Isha kurioz ta shikoja nga afër në këtë ditë përkujtimore të masakrës së madhe naziste, ku u vranë 107 civilë të pafajshëm në këtë fshat të vogël mes malesh, datën e 6 korrikut 1943. E dija që do të merrnin pjesë shumë personalitete shtetërore dhe përfaqësues nga trupi diplomatik.

Dhe kështu që bashkë me Majlindën, shoqëruesen time, vendosëm t’i drejtoheshim rrugës nga Përmeti, Leskoviku, Borovë. Deri në Përmet udhëtuam qetë, pa ndonjë aventurë për t’u mbajtur shënim dhe pasi pimë kafen e dytë nën rrepet e Këlcyrës duke u freskuar nga Vjosa e kaltër, vazhduam drejt Përmetit e më pas drejt Leskovikut. Po të nisesh nga Përmeti e të ngjitesh lart në jug të tij, më falni po kur themi “të ngjitesh” kemi parasysh veriun, sepse drejt tij është ngjitja, por në këtë rast bën përjashtim, sepse rruga drejt “Tri Urave” ngjitet. Është një rrugë e ngushtë, e asfaltuar dhe e pranueshme për një udhëtim normal. Në hyrje të Çarshovës bëhet ndarja, drejt shkon për në doganën e vjetër të ‘Tri Urave’, dikur më e rrahura që lidhte Greqinë me Shqipërinë, por në kohë të herëshme edhe me Turqinë. Do ta le Çarshovën dhe “Tri Urat” dhe do të marr kthesën majtas për në Leskovik. Keni dëgjuar për Leskovikun, për natyrën e bukur të tij, për këngët, mikpritjen, vajzat e bukura, por mbase nuk dini që ky qytet ka një histori të lashtë dhe interesante.

Leskoviku njihet si qendër e madhe banimi në fillimet e viteve 1800. U krijua si qendër pushimi e verimi nga pushtetarët otomanë të asaj kohe, sepse vera në Leskovik është vërtet e freskët. Gradualisht kaloi në qendër Kazaje dhe deri qendër Sanxhaku.
leskoviku
Qyteti i Leskovikut ka qenë një qendër e lashtë. Këtë e vërtetojnë gjetjet arkeologjike, kultet, dhe një dokumentacion i pasur nga periudha më të hershme, sidomos në Mesjetë. Edhe defterët osmane e përmendin Leskovikun me fshatrat përreth shumë të populluar. Më vonë, një pjesë e madhe e tyre janë boshatisur, mbeti një popullatë e pakët e krahasuar me mesjetën e hershme. Leskoviku veçohet për relievin malor e kodrinor, me pyje, florë dhe faunë të pasur, me burime ujrash minerale-kurative e vreshtari të begata; për marrëdhënie shkëmbimesh tregëtare ndërkrahinore dhe me jashtë, sidomos atëherë me Janinën dhe Prevezën; leskoviqarët kanë qenë muratorë dhe punues të  drurit, zejtarë dhe blegtorë.

Një kthesë e fortë djathtas të çon në qendër të qytetit. Aty “mirëseardhjen” ta jep një rrap i moçëm sa vet koha dhe të drejton për nga lokalet e shumtë që e rrethojnë. Ka një gojëdhënë interesante për këtë rrap, për bëmat që ka parë e dëgjuar…ka qenë si një “Mriz” për burrat e shquar dhe për ushtritë e shumta që hynin e dilnin në këtë vend. Unë sot nuk do të merrem me historinë e rrapit, se dua të tregoj diçka tjetër. Edhe Linda, kolegia ime nxiton për një angazhim tjetër. Mbasi pimë kafen në lokalin përball, e shoqëruam atë me ujin e ftohtë të burimeve vendase, u nisëm përsëri lart. Një peizash pishash e gjithfarëdrurësh na shoqëroi deri në  Sotirë, aty ku lugina e një përroi malor që zbret nga malet e Barmashit, futet në një ngushticë dhe drejtohet drejt Leskovikut për të përfunduar në Vjosë.
leskoviku
Një resort  turistik i befasishëm na u shfaq mes maleve të ngritura e të mbuluara me një gjelbërim edenian. Nuk na lejoi të vazhdojmë më tej. Dora e njeriu ishte futur edhe në këtë natyrë të paprekur. Një lokal modest i ngritur midis disa vaskave me ujë të rrjedhshëm që rrisnin troftë, ishte një pikë e domosdoshme pushimi për udhëtarin e lodhur nga rruga e vështirë. Zumë një tavolinë dhe shikonim troftat e ushqyera mirë që hidheshin përpjet në kërkim të ushqimit. Kamarieri na tha se mund të zgjidhnim kë të donim. Unë zgjodha një me ngjyrë korali të kuqërremtë, ndërsa Linda një të kaltër. Duke qenë kurioz për këtë kryevepër natyrore dhe harmoninë që kishte krijuar dora e njeriut me të, pyeta një vendali që u shërbente troftave. 

U përshëndetëm me pritësit dhe vazhduam rrugën drejt Korçës. Pa u futur në Barmash, na u shfaq përball një dushkajë me shtat mesatar, që rrethonte disa kodra të buta. Na shoqëroi deri në Borovë. Një kishë e vogël e ngritur buzërrugës, na ftoi të hynim e të bënim një përshpirtje për bëmat dhe tragjedinë e madhe të këtij fshati. Kishte shumë pelegrinë dhe banorë të zonës. Borova, një histori më vete. Më tej rruga drejt Ersekës e Korçës ishte më e thjeshtë.

Vërtetë kemi vende të bukura që pak dimë t’i shfrytëzojmë, më tha bashkëudhëtarja ime. Duhet bërë më shumë për infrastrukturën rrugore dhe reklamimin e këtyre perlave të natyrës tonë.

Edhe të historisë, – e mbylla udhëtimin unë. /ATSH/
leskoviku
Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Ministria e Jashtme dorëzon në GJND deklaratën mbi ndryshimet klimatike

Ministria e Jashtme dorëzon në GJND deklaratën mbi ndryshimet klimatike